Prof. Alfred Frashëri: Ndikimet jetësore të fushës magnetike gjatë eklipsit

898
Për studimin e ndikimit të eklipsit të 20 marsit 2015, është për tu lavdëruar nisma personale, e vetme e inxhinierit Burhan Çanga, që vrojtoi luhatjen e fushës magnetike gjatë orëve të dukurisë së eklipsit. Eklipsi i Diellit, i datës 20 mars 2015, i cili ishte i vrojtueshëm edhe në Shqipëri. Ai filloi në orën 09:35, arriti pikun në orën 10:42 në masën 42%. Gjendja u kthye në normalitet në orën 11:52, duke zgjatur 2 orë e 17 minuta. Rëndom, njerëzit e mendojnë eklipsin si një dukuri që ka të bëjë vetëm me ndriçimin, errësohet më shumë a më pak. Në të vërtetë nuk është vetëm kështu: Eklipsi i diellit është një dukuri komplekse, me ndikim të shumanshëm në Tokë. Toka është planeti i vetëm me një përbërje integrale në sistemin tonë diellor. Përbërësit e Tokës, që emërtohen gjeosfera, janë gjeosfera e ngurtë, hidrosfera me oqeanet, detet, liqenet dhe lumenjtë, atmosfera, si edhe fushat fizike të saj gravisfera, magnetosfera, gjeotermosfera, fusha e lëkundjeve sizmike dhe e radioaktivitetit, si edhe biosfera, ajo më e veçanta dhe më e bukura. Eklipsi diellor ndikon në të gjitha këto fusha, prandaj është objekt studimi. Edhe në Shqipëri janë kryer vrojtime komplekse, siç ishin ato gjatë eklipsit të 11 gushtit 1999, kur një ekip i Shoqatës Gjeofizike Shqiptare, me pjesëmarrjen vullnetare të 12 gjeofizikanëve nga institucionet e Tiranës dhe të Fierit, gjatë një jave, 24 në 24 orë rresht, vrojtuan sistematikisht luhatjet e fushave fizike te Tokës: magnetike, elektrike, e gravitacionit, termale, sizmicitetit, radioaktivitetit natyror. Rezultatet e studimit u botuan në Buletinin e Shkencave Natyrore dhe Teknike, Akademia e Shkencave, Nr. 7, 1999.
Këto vrojtime komplekse nuk kanë vetëm rëndësi teorike.
Për këtë mjafton të përmendim ndikimin jetësor që ka fusha magnetike për planetin. Kjo fushë shtrihet nga brendësia e planetit deri ku ajo takon erën diellore, që është një rrymë grimcash të ngarkuara që lëshon korona e Diellit dhe përhapen me shpejtësi 200-1000 mk/sek. Kjo rrymë ngarkesash ka edhe fushën e vet magnetike ndërplanetare. Pavarësisht emrit të saj, nën veprimin e erës diellore, magnetosfera është asimetrike: nga ana drejtuar diellit shtrihet për rreth 10 rreze të Tokës larg sipërfaqes së planetit. Nga ana e kundërt shtrihet deri në një largësi më të madhe sesa 200 herë rrezja e Tokës. Magnetisfera përtej jonosferës shtrihet në hapësirën kozmike për dhjetëra mijëra kilometra. Ajo mbron Tokën nga rrezatimi i dëmshëm i erës diellore dhe rrezatimit kozmik. Kjo erë ushtron një trysni, që po të arrinte atmosferën e Tokës, ajo do ta gërryente atë, siç ka gërryer për shembull atmosferën e Marsit. Luhatjet e fushës magnetike ndikojnë në jetën e qenieve të gjalla, si edhe veçanërisht stuhitë magnetike kanë një ndikim shumë të madh mbi telekomunikacionin dhe punën e shumë pajisjeve dhe aparaturave elektronike. 
Vrojtimet
Vrojtimet e kryera më 20 mars 2015 treguan se me fillimin e dukurisë së eklipsit, intensiteti i fushës magnetike filloi të zvogëlohet në masën 2000 gama, siç tregohet në grafik. Zvogëlimi i intensitetit vazhdoi edhe për 70 minuta, duke arritur minimumin 3120 gama, në krahasim me fillimin e dukurisë së eklipsit. Më pas, intensiteti filloi të rritej përsëri dhe në fundin e procesit të eklipsit, mori vlerat normale, si në fillim. Rritja e intensitetit vijoi edhe për rreth gjysmë ore pas përfundimit të eklipsit. Duke e krahasuar me matjet e vitit 1999, rezulton se në atë vit, minimum i intensitetit te fushës magnetike ndodhi rreth 60 minuta para pikut të eklipsit, ndërsa më 20 mars 2015 ndodhi 70 minuta pas pikut. Kjo tregon se procesi i ecurisë së luhatjes se intensitetit të fushës magnetike nuk është i njëjtë për rastet e eklipseve të ndryshëm. Ata ruajnë specifikat e tyre.
Sigal