Parku Kombëtar i Dajtit, një bukuri për t’u parë me dylbi

1922
Mali i Dajtit, destinacioni i kryeqytetasve për fundjavat e tyre ka mbetur një bukuri për t’u parë me dylbi, pasi infrastruktura rrugore nuk të lejon udhëtimin në ikonën turistike të Tiranës. Çdokush që dëshiron të vizitojë Parkun Kombëtar të Dajtit do të duhet të kalojë nëpër rrugë të prishura me gropa dhe baltë, tejet të amortizuara për të shijuar udhëtimin. Me një gjatësi rreth 20 kilometra, kjo rrugë në dimër mbulohet nga balta dhe nga gropa të mbushura me ujë, ndërsa në verë balta kthehet në pluhur, porse gropat ngelen aty. Edhe pse Parku Kombëtar i Dajtit të josh për të shijuar bukurinë e tij si në dimër ashtu dhe në verë, nuk guxon të shkosh për shkak të gjendjes skandaloze të rrugës, siç edhe shihet nëpërmjet fotove ilustruese të shkrimit, bërë nga “Telegraf”. Është një rrugë që të shkakton stres, lodhje, por edhe shkatërrim të automjeteve. E ndërsa ndërtimet e reja atje po ngrihen drejt qiellit, askush nuk ul kokën poshtë për të parë rrugën e degraduar me gropa të stërmëdha dhe të thella. 
Interesat klienteliste të qeverisë
Edhe pse janë pak kilometra, mesa duket asnjë qeverie nuk i ka leverdisur të rregullojë këtë aks rrugor për shkak të interesave klienteliste. Këtë gjë e konfirmojnë edhe banorët e komunës Dajt të cilët akuzojnë qeveritë shqiptare se nuk investojnë në këtë rrugë, me qëllim favorizimin e biznesit të teleferikut. Bëhet fjalë për teleferikun e linjës Tiranë-Dajt, që ka pushtuar transportin ajror drejt Parkut Kombëtar të Dajtit, duke nxjerrë jashtë loje transportin me automjete nga rruga ekzistuese, që të çon drejt këtij parku. Duhen vetëm pak para për të rregulluar këtë rrugë, e cila do të sillte një zhvillim të madh për turizmin malor në Dajt, ndërsa do i hapte rrugën kryeqytetasve për të kaluar fundjavat e tyre në malin e Dajtit. Ndërsa teleferiku merr 700 lekë për person, me makinë personale një familje (me 4 persona) mund ta kalonte fundjavën fare mirë duke harxhuar vetëm 500 lekë për naftë, në vend të 2800 lekëve për teleferikun.
Komuna pret “këmbëkryq” para nga qielli
Jo vetëm pushteti qendror, por edhe ai lokal nuk është se ka bërë ndonjë investim për të përmirësuar situatën. Kështu, kryetari i komunës Dajt, Kujtim Qefalia, ka deklaruar më herët, (gjatë qeverisë “Berisha”) për mediat se ka kërkuar shpeshherë nga qeveria për rikonstruksionin e rrugës, porse nuk ka marrë asnjë përgjigje. Sipas tij, duke qenë se kemi të bëjmë me një aks rrugor nacional, i takon qeverisë qendrore që të investojë për të. Shpresojmë se, me ardhjen në pushtet të së majtës, krahut të tij politik, kërkesat e Qefalisë nuk kanë rënë në vesh të shurdhër.
Ku shkuan 1,2 miliardë lekë? 
Ekziston një projekt i Autoritetit Rrugor Shqiptar për rrugën e Dajtit në kohën e qeverisë “Berisha”. Sipas projektit të rehabilitimit të këtij aksi rrugor, vlera e investimit prej 1.2 miliardë lekësh ndahej në 3 lote. I pari nga Instituti i Shëndetit Publik deri tek zona e Freskut me një gjatësi 320 metra linear, loti i dytë nga Fresku deri ne Qafmollë 26.2 kilometra dhe loti tretë nga trau i Dajtit deri tek vilat qeveritare me gjatësi 6 kilometra. Edhe pse thuhen se këto para janë disbursuar, duke parë gjendjen e rrugës në ditët e sotme, menjëherë të lind pyetja se ku kanë përfunduar këto para. Ndërsa turistëve e banorëve të kësaj zone do t’u duhet të kalojnë çdo ditë në këtë rrugë të mjerueshme. Premtimet për ndërtimin e rrugës së Dajtit kanë qenë të vijueshme prej disa vitesh, por ato janë përdorur nga qeveritë vetëm për fushata elektorale.
Rama “harron” premtimin për rrugën e Dajtit
Kryeministri Edi Rama (gjatë fushatës elektorale), ka qenë i shoqëruar nga anëtarët e skuadrës së programit për një Rilindje Shqiptare, Artan Lame dhe Auron Tare, si dhe nga deputetët Besnik Baraj e Xhemal Qefalia kur ka denoncuar dëmtimin e aksit rrugor që lidh kryeqytetin me Parkun Kombëtar të Dajtit. “Qeveria thotë se ka bërë 10400 kilometra rrugë. Kjo është rruga nacionale që lidh kryeqytetin me Parkun Kombëtar të Dajtit dhe në këtë rrugë zvarriten dhjetëra mijëra qytetarë, qoftë ata që vijnë këtu, sepse banojnë këtu, qoftë ata që kalojnë këtu, sepse duan të shijojnë parkun kombëtar. Kjo është shprehja më kuptimplotë e faktit se sa rrugë janë ndërtuar në të vërtetë dhe se ku kanë shkuar paratë e popullit shqiptar. Ja kjo rrugë dhe shumë të tjera. Rrugët në Shqipëri kanë mbetur rrugëve dhe Shqipëria ka mbetur rrugëve, ndaj në 23 qershor këta duhet të hapin rrugë”, ka thënë Rama gjatë fushatës elektorale, duke i kërkuar votën banorëve të zonës me premtimin për të vënë dorë në këtë rrugë. Por edhe pse kanë kaluar një vit e gjysmë nga ardhja në pushtet, Rama duket se ka harruar të kalojë në rrugën që premtoi të rregullonte.
Sigal