Një në tre agjenci turistike punon pa licencë. Shteti mbyll sytë për bizneset e të “fortëve”

535
Pavarësisht se u premtua se do të “ulen taksat për bizneset”, duket se ato nga 10 janë rritur në 15 për qind, duke krijuar paralelisht me vështirësitë financiare për bizneset e rregullta, edhe konkurrencën e pandershme. Sot një në tre agjenci detare dhe turistike në Durrës dhe jo vetëm atje, punojnë pa licencë, në një kohë që tatimet duket se mbyllin njërin sy dhe bëjnë sikur “ushtrojnë kontrolle në të gjitha këto subjekte private pa dallime politike dhe shoqërore”. Sipas një burimi të besueshëm mësuam se “veç zhgënjimit për “gjoja uljen e taksave”, kur ato na janë rritur nga 10 në 15 për qind bashkë me dividentin, ne po përjetojmë edhe konkurrencën e pandershme, presionet dhe krizën e thellë të aktivitetit tonë mbi 20 vjeçar”. Fakti është se të gjitha agjencitë detare dhe turistike që operojnë në Durrës por që kanë degët e tyre edhe në disa rrethe si Tirana, Vlora, Elbasani, ka prej tyre që i kanë ujdisur punët dhe marifetet me tatimet dhe nuk paguajnë as taksa dhe as detyrime të tjera fiskale, duke krijuar me plotë gojën biznese të pista dhe një konkurrencë të pandershme në treg. Disa herë agjencitë detare dhe turistike në Durrës, kanë ngritur zërin, kanë nisur letra dhe peticione drejt ministrit së Financave dhe Drejtorisë Përgjithshme të Tatim-Taksave, por deri sot ata kanë mbetur pa përgjigje zyrtare dhe janë gjendur vazhdimisht nën presione për të mos “shqetësuar ministrat dhe qeverinë”. Por më e habitshme për shumicën e agjencive dhe administratorëve të tyre, të asaj pjese e cila paguan në mënyrë të rregullt detyrimet dhe taksat ndaj shtetit, mbetet heshtja e ministrit, heshtja e dikasterit të tatimeve lidhur me denoncimet e tyre, lidhur me situatën kaotike dhe konkurrencën e pandershme që po rrënon ata. Në bulevardin kryesor, rrugën “Skënderbej”, tek pothuajse të gjitha rrugët kryesore në Durrës, ku gjenden selitë e agjencive turistike dhe detare, një në tre prej tyre, punon në të zezë, madje me kapacitet të plotë, me spote dhe reklama të dukshme aq sa edhe klientët i ftojnë me sekserë fare hapur, duke sfiduar institucionet e shtetit dhe ligjet e shtetit. Edhe “aksionet dhe kontrollet” e inspektorëve, më të shpeshta dhe më radikale bëhen ndaj atyre zyrave ku gjenden agjencitë që janë të pajisura me të gjithë dokumentacionin e duhur legal, dhe që janë paguesit e rregullt të detyrimeve financiare ndaj shtetit, në një kohë që agjencitë “pirate” kalohen pa zhurmë. Madje shpesh pronarët e tyre përshëndeten përzemërsisht nga uniformat e shtetit. Në Durrës thonë se “agjencitë pirate që kanë nisur lulëzimin e tyre të shfrenuar duke sfiduar shtetin, janë nën mbrojtjen e pushtetarëve, secila prej tyre ka një të tillë, që e mbron, e stimulon, e shpëton sa herë nisin fushatat e aksioneve dhe kontrolleve”, aq sa tashmë dihen se të kujt janë, dhe gjithçka duket sikur është në normalitet. Mbi 50 për qind të biletave dhe ofertave për turistët shiten pikërisht nga këto agjenci, në një kohë që shteti prej afro 2 vitesh deklaron se “I kemi shpallur luftë informalitetit ”, ai i bën sfidë atij në rrugët dhe bulevardet e Durrësit.
Sigal