Heshtja policore pas një veprimi terrorist

544
Sigal

Sarandë- Një ngjarje tronditëse, një veprim terrorist shoqëruar me një heshtje të pakuptimtë, ose e qëllimtë, denoncohet pranë gazetës “Telegraf” nga qytetari Andrea Dhimërtika nga fshati Nivicë i Komunës së Lukovës. Koha dhe qëndrimi kur ka ndodhur veprimi, na japin të drejtën e etiketimeve të lart përmendura. Andrea Dhimërtika, ende i tronditur nga veprimi i para disa muajve, tregon natën e tmerrit në banesën e tij në Nivicë. Ka qenë muaji korrik 2012, nis rrëfimin Andrea, rreth orës 02:00 pas mesnate. “Më zgjoi një thirrje në emrin tim: “…o Ndreko!…”. I njoha zërat. Ishin dy vëllezërit që kam një konflikt pronësie (denoncuesi përmend edhe emrat e dy vëllezërve që për arsye etike nuk i publikojmë). Fillimisht nuk doja të dilja, jo nga konflikti, por edhe thirrja në orët e mesnatës është kobndjellse. U mendova, por dola. Jashtë qetësi. Pas disa minutash dëgjova zhurma dhe zëra të padeshifrueshme për mua. Përsëri parandjenja se diçka e keqe po kurdisej më pështolli të gjithin. U ktheva nga oborri dhe ngjita shkallët për në banesë. Në këto momente një shpërthim i tmerrshëm, që qetësia e natës dhe gjendja e orëve të gjumit ja shtuan tmerrin, më tmerroi, më shtangu… Kaluan minuta… Asgjë më. Njoftova policinë dhe erdhën afër mëngjesit ekspertë të policisë kriminale të Komisariatit të Sarandës. Morën denoncimin me shkrim përsa tregova më lart dhe detaje të tjera. Prita disa kohë, kur policia filloi të më frikësojë mua se këtë çështje duhet ta mbyll, madje dhe gojën. Fillimisht e mora si presion fals për pajtim dhe mosnxitje të thellimit të konfliktit, meqenëse nuk u bënë dëmtime të rënda. Por me kalimin e kohës çështja u mbyll edhe nga Prokuroria e Rrethit të Sarandës, pa më dhënë shpjegime, por vetëm se duhet të pushoj. Është një akt terrorist që nuk e di dhe nuk e kuptoj veprimin e institucioneve shtetërore, përgjegjës për këtë punë, jo vetëm e lanë në heshtje deri në mbyllje, por edhe më detyrojnë të hesht. Nuk do hesht, ndaj kërkova ndihmën e shtypit”, -përfundon rrëfimin denoncuesi, Andrea Dhimërtika nga Nivica e Komunës Lukovë e rrethit Sarandë.