55 vitet satirike të Luan Lazes

345

Luan Laze, një shkrimtar, ku satira dhe humori janë në duar të sigurta

Luan Laze mbush sot plot 55 vjet nga dita e lindjes së tij. Autor dhe gazetar i njohur, ai shquhet për lëvrimin e disa zhanreve të satirës. 10 librat e tij kanë të përfshirë çdo fenomen të jetës njerëzore. Që nga libri i tij më i mirë, romani “Gjithë femrat e Amsterdamit” e deri tek novelat, tregimet, esetë dhe paradokset, ai mbetet lëvruesi më i zellshëm dhe më i talentuar i kësaj gjinie të vështirë, të bukur, të mençur, por të dobishme për shoqërinë. 1300 paradokset e tij të botuara në libra apo shtypin e përditshëm, janë një thesar i vërtetë mençurie dhe ironie. Shpesh herë ato janë si aforizma dhe duken se do të mbeten koncetrimi më i qartë i mendjes pjellore të këtij autori. Nuk thonë kot, nëse do të njohësh një shkrimtar, lexo veprën e tij. Ata, të cilët e njohin nga afër satirikun Luan Laze, asnjëherë nuk kanë parë dhe ndjerë mendjemadhësinë apo fodullëkun e një shkrimtari të talentuar. Nëse nuk flet për libra dhe letërsi, Luanin e merr lehtësisht për një qytetar të zakonshëm, të cilit i pëlqen humori, noti, fizkultura, biçikleta, sinqeriteti, familja, korrektësia në shoqëri dhe punë. Ky është Luan Laze jashtë letërsisë në jetën e përditshme. Mik dhe shok i shumë e shumë njerëzve dhe profesioneve, bashkëshort i mirë, baba i dy fëmijëve të talentuar dhe gjysh i dy nipërve e një mbese. Disa, për ta ngacmuar e thërrasin në rrugë, gjysh Luani. Ndërsa ai ndjen kënaqësi se në këtë moshë mund të jetë gjyshi më i ri në Shqipëri, sepse nipi i madh Jurgeni, sot është 12 vjeç. Mbi të gjitha ky shkrimtar dhe gazetar i njohur, spikat për dashurinë e madhe që ka për vendin dhe historinë krenare të tij. Ndryshe nga disa sharlatanë aguridhe që mohojnë gjithçka dhe tallen me historinë e këtij vendi, Luan Laze është tepër realist për vlerat, mundin dhe gjakun e derdhur. Ai pohon kudo me plot gojën se, të parëve duhet t’u jemi mirënjohës dhe t’u përkulemi me respekt të thellë. Kjo ndjenjë nuk e ka penguar që ai të jetë një nga satirikët më të veçantë të llojit të vet. Ndoshta pikërisht kjo e ka bërë atë të spikatur, të mprehtë dhe shumë origjinal në prozën e tij satirike. Në këtë fushë ai bën dallimin midis dashurisë dhe urrejtjes. Vlerat meritojnë respekt, urrejtja meriton satirë. Ndaj shpesh dëgjojmë të thonë se, Laze mbetet shkrimtari më realist dhe i veçantë që ka sot letërsia shqiptare në fushën e humorit dhe satirës. Nëpërmjet satirës, ai i kthen lexuesit dashurinë për vlerat shoqërore dhe njerëzore, duke i shtuar përbuzjen për perversitetet e saj. Në një intervistë të dhënë për një kanal televiziv, pyetjes së gazetares, përse paradokset e tij të ngopin, ai iu përgjigj me humor: unë ato i kam shkruar për t’u lexuar dhe jo për tu ngrënë! Edhe si gazetar në analiza politike apo në portretet e njerëzve të shquar, Luan Laze mbetet pothuajse i njëjtë si në letërsinë që e lëvron me aq pasion. Lexuesi gjithmonë do të gjejë në to një këndvështrim origjinal, mendime interesante, humor, fantazi dhe ironi therëse. Ndërsa kur lexojmë portretet për njerëzit, ai është tjetër krijues. Plot dashuri, emocion dhe të vërteta, Laze na sjell tiparet profesionale dhe njerëzore të çdo artisti apo njeriu të zakonshëm qoftë. Të dyja këto cilësi tek Luan Laze, shikuesi i ndiqte edhe nëpërmjet ekranit, kur ai drejtonte emisione televizive si: “Të njohur dhe të panjohur”, “Një kafe me Luanin”, “Kokëposhtë”, etj. Për habi, sot këtë gazetar të talentuar dhe të veçantë, nuk e shikojmë më në drejtimin e ndonjë emisioni, përveçse kur është i ftuar si shkrimtar. Nuk do ai, apo ky lloj kapitalizmi ende nuk po e blen këtë lojtar me peshë të ekranit? Përgjigjen nuk ta jep as ai vetë, por një gjë mund ta kuptojmë lehtësisht. Si satirik dhe njeri me personalitet të lartë, Luan Laze e ka të vështirë tu lutet të tjerëve për të bërë atë që ai di të bëjë më mirë për shikuesin shqiptar: emisione të mrekullueshme. Në fund, dëshiroj të shtoj se Luan Laze, shkrimtar, gazetar i mediave të shkruara dhe elektronike, gjithnjë tërheq si me magnet një audiencë të gjerë. Të jetë ky shkaku që ende nuk i ka shkuar ndonjë ofertë, pasi dihet se xhelozinë profesionale e kemi pa hesap? Sidoqoftë, ai ka një tipar që nuk ta dhurojnë dot klanet, pasuria, politika apo një mbiemër i trashëguar: është i talentuar, i sinqertë, i ëmbël, me humor dhe mençur. Tiparet e tij njerëzore dhe profesionale duket se ia ka përcjellë edhe të birit, gazetarit të emisionit “Alarm” në “Ora Nevvs”, Elio Laze. Por edhe ato fizike. Shkrimtari Visar Zhiti ka shkruar për këtë satirik: “Luan Laze është ndër ata emra të paktë që me krijimtarinë e vet ndjek hap pas hapi ditën, shqetësimet e saj, paradoksin, krizën e vlerave shoqërore, që për fat të keq, në alkiminë e shkrimtarit bëhen vlera letrare.” Ndërsa shkrimtari dhe poeti Agim Pepa, e përcakton kështu: “Satira, them se ka rënë në duar të sigurta. Ato përputhen tek një njeri që kërkon të çelë një shteg për të paralajmëruar njerëzimin se po vjen furtuna”.  55 vitet satirike të Luan Lazes janë të mbushura me dashuri për vendin e tij, jetë interesante, aventura, humor dhe miqësi të vërtetë. Në këtë përvjetor pjekurie, i urojmë satirikut dhe mikut tonë: Edhe 100 vite të tjera, Laze! Por, me jetë të shëndetshme dhe krijimtari të begatë! Siç di vetëm ti!

____________________________________________________________________________________

AFORIZMA DHE PARADOKSE

Nga Luan Laze

Të gjitha të vërtetat që janë thënë për të vërtetat, janë gënjeshtra.

Kam mendim të keq për të gjithë ata që mendojnë mirë për mua.

Të nxjerrësh një gënjeshtër të re nga gënjeshtrat e vjetra është balsami më i mirë për budallenjtë.

Kur ishim të rinj kemi qenë të papjekur, e kur u poqëm nuk kemi më rini.

Çdo absurd ka fillimin dhe fundin. Por fundi është më i gjatë se fillimi.

Dikur burrat ishin në të vërtetë shërbëtorë të kombit. Tani kombet mbijetojnë për ti shërbyer burrave që i drejtojnë.

I pari vlerësim emocionues dhe serioz që merr sapo të është rritur fëmija vjen me konsideratën: prind idiot!

Nuk është e plotë lumturia nëse rreth e përqark ka edhe të tjerë që jetojnë si ju.

Edhe me njerëzit duhet mbajtur periz. Disa nuk duhet t’i përdorësh se të bëjnë dëm.

Vetëm idiotët nuk e kuptojnë se farmacia nuk zgjat jetë por shkurton buxhete.

Gjithë gënjeshtrat që kam shkruar nuk kanë dalë prej mendjes sime por prej stilolapsit.

Femra kini kujdes, mos i thoni burrit tuaj të vërtetën se ai është budalla.

Vrasësi me pagesë paratë e fituara i përdorte për bamirësi.

Trutë i mbajmë ne ndërsa mendjen na e drejtojnë të tjerët.

Njerëzit që mundohen të na mbushin kokën me dituritë e tyre janë injorantët më të bezdisshëm.

Nëse iu ofrojnë miqësinë apo paranë, është më e mençur të zgjidhni këtë të dytën.

Një pjesë e hajdutëve janë shumë modestë. Nuk kandidojnë për deputet.

Dy rrugë e një punë, është më mirë se një rrugë e dy punë.

Aspiratorët kryejnë një funksion higjenik. Fëlliqësirat familjare i nxjerrin përjashta dhe fusin brenda ato qytetase.

Me hundë dikur nuhatej natyra, nëna, fëmija, femra. Tani paratë, droga dhe privilegjet.

Në bibliotekën time të pasur mungon vetëm një libër. Ai që të më tregojë pse duhet të lexoj.

Jam penduar vetëm një herë në jetë, që nuk kam patur mundësi të pendohem.