Abdurahim ASHIKU: “MBLEDHJE QEVERIE” NË VOLOS!?

530
Sigal

Pas lajmit të njohur me titull “Haxhinasto përuron shkollën shqipe në Volos”

Me sqarimin: “Fëmijët e emigrantëve shqiptarë të Volosit të Greqisë tashmë do të kenë se ku të mësojnë gjuhën amtare. Këtë të dielë (30shtator) zv. Kryeministri dhe Ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Edmond Haxhinasto, ka marrë pjesë në çeljen e një shkolle në gjuhën shqipe në Volos të Greqisë.

Duke e konsideruar një ngjarje të rëndësishme për emigrantët shqiptarë të kësaj zone, Haxhinasto në fjalën e tij theksoi se shërbimi ndaj emigracionit mbetet detyrim madhor i qeverisë dhe shtetit shqiptar.

Ndërkaq Haxhinato falënderoi edhe kryebashkiakun e Volosit, Panos Skotiniotis për kontributin e tij personal në hapjen e shkollës shqipe”.

Pas këtij lajmi ja disa  hollësira…

Në ceremoninë e inaugurimit të shkollës ishin të pranishëm: Ambasadori i Shqipërisë në Greqi z. Dashnor Dervishi, zëvendës-kryeministri dhe ministri i ekonomisë dhe financave (!) z. Edmond Haxhinasto, ministri i shëndetësisë, z. Vangjel Tavo…

Nga sa sipër mësojmë se në “inaugurimin e shkollës” ka qenë:

Ministri i Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë  i Republikës së Shqipërisë në Republikën e Greqisë, Ambasadori, z. Dashnor Dervishi…

Zëvendëskryeministri i Republikës së Shqipërisë z. Edmond Haxhinasto.

Ministri i ekonomisë dhe financave (këtu me siguri ka një lloj lajthitje shtypi thjesht se në Shqipëri nuk ka një ministri të tillë por METE ose e zbërthyer: Ministria e Ekonomisë, Transportit dhe Energjetikës) z. Edmond Haxhinasto.

Nuk do të ndalem nga ajo që buron nga titulli: “Haxhinasto përuron shkollën shqipe në Volos…” nisur nga fakti tashmë i njohur se në Volos shoqata “Iliria” ka vite që ka mbledhur ku mundej (në shtëpi, steka emigrantësh…) nxënësit shqiptarë dhe ka ndihmuar që ata të mësojnë gjuhën shqipe çka përbën një vlerë të madhe të shoqatës, drejtuesve të saj (që çuditërisht nuk përmenden në lajm) dhe të mësuesve. Në Volos Zëvendëskryeministri dhe Ministri i METE nuk ka inauguruar shkollë, nuk ka inauguruar as fillim të vitit të ri shkollor pasi ai (siç njoftohet në shtyp) fillon më 6 tetor. Kryetari i Bashkisë Volos z. Panos Skotinionis thjesht ka ofruar një mjedis në IEK  Volo, në një shkollë të mesme publike profesionale, çka duhet përgëzuar.

Në Volos u “përurua shkolla shqipe”. Në përurimin e saj mori pjesë kërraba që mban në këmbë Qeverinë Berisha. Në Volos ministrat e LSI “përuruan shkollë shqipe”! Një karshillëk ndaj Berishës por…jashtë kufijve sepse Berisha kur është puna për përurime shkollash, rrugë e rrugica nuk të le asnjë hapësirë, të gjitha i merr për vete.

Pyetja është: Pse gjithë ky pompozitet, pse gjithë kjo zhurmë për një “shkollë” që nuk është shkollë por kurs për mësimin plotësues të gjuhës shqipe në Greqi? Pse kjo “mbledhje qeverie” në Volos? Pse gjithë këto shpenzime titullarësh të lartë, shpenzime nga tatimpaguesit shqiptarë dhe në veçanti emigrantët?

Përgjigjen unë e mora nga kronika “Takim në Larisa” ku ndër të tjera shkruhet: “Një takim i gjerë i degës së LSI në Greqi është zhvilluar në Larisa… I pranishëm në takim ministri i ekonomisë dhe financave, z. Edmond Haxhinasto dhe funksionarë të tjerë të LSI-së”

Unë e mora po ju çfarë thoni?

Abdurahim Ashiku