Xhezair Zaganjori dekretohet si kryetar i ri i Gjykatës së Lartë

606
Sigal

Kryetari i ri i Gjykatës së Lartë u betua solemnisht se do t’i qëndrojë kurdoherë besnik Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë

U zhvillua dje, përpara trupës gjyqësore të Gjykatës së Lartë, ceremonia e betimit të gjyqtarit të ri Z. Xhezair Zaganjori. Anëtari më i ri i Gjykatës së Lartë dhe njëkohësisht kryetari i sapo emëruar i saj, u betua solemnisht se do t’i qëndrojë kurdoherë besnik Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, ligjeve në fuqi duke respektuar rregullat e etikës profesionale. Gjatë fjalës së mbajtur me rastin e kësaj ceremonie solemne në ambientet e Gjykatës së Lartë, Kryetari i Kolegjit Civil Z. Ardian Dvorani u shpreh se, jemi duke përjetuar një proces të qëndrueshëm të rritjes graduale të ndërgjegjësimit juridik të të gjithëve mbi domosdoshmërinë e njohjes dhe të respektimit të detyrimeve e të drejtave që na burojnë nga Kushtetuta e ligji. Rrjedhimisht, vërehet qartë prirja e pritshmëria e publikut për ta kërkuar e garantuar gjithnjë e më shumë, në rrugë gjyqësore, njohjen e mbrojtjen e së drejtës së tyre. Pikërisht, në lidhje me gjithë këto procese komplekse të zhvillimit të së drejtës sonë, përbën domosdoshmëri që, edhe Gjykata e Lartë, në ushtrimin e funksionit të saj rishikues, të pasurojë dhe të thellojë praktikën e saj gjyqësore,  në harmoni e duke u mbështetur në zhvillimet profilizuese dhe bashkëkohore të jurisprudencës vendase dhe asaj ndërkombëtare. Në këtë drejtim, një vlerë e shtuar për Gjykatën e Lartë, përkatësisht një detyrim për ata që kanë kompetencën kushtetuese të vendimmarrjes për përbërjen e saj, do të vijojë të mbetet kërkimi dhe ruajtja e larmishmërisë së profileve të konsoliduara dhe përvojave profesionale të spikatura të gjyqtarëve të saj. Z. Dvorani shtoi gjithashtu se: “Jam i bindur që ndaj të njëjtin mendim me ju se, ardhja në përbërjen e Gjykatës së Lartë e kolegut Xhezair Zaganjori, nuk përbën thjesht një procedurë rutinë përtëritje të vendeve vakante që krijohen në gjykatën tonë pas mbarimit të mandatit të kolegëve të mëparshëm. Personaliteti, profili i veçantë dhe karriera e spikatur profesionale dhe publike e zotit Xhezair Zaganjori do të sjellë një kontribut të shumëpritur edhe në praktikën gjyqësore të Gjykatës së Lartë”. Prof.Dr. Xhezair Zaganjori, u dekretua nga Presidenti i Republikës si anëtar i Gjykatës së Lartë me dekretin nr. 8065 datë 22.03.2013 e më pas mori pëlqimin dhe nga Kuvendi i Shqipërisë.  Z. Zaganjori, emërohet si anëtar i Gjykatës së Lartë pas ushtrimit të detyrës së anëtarit të Gjykatës Kushtetuese, prej vitit 2003-2013. Ka lindur më 09.03.1957 në Shkodër dhe është diplomuar në Fakultetin e Drejtësisë të Universitetit të Tiranës në vitin 1981. Që nga kjo kohë ai ka qenë lektor i së Drejtës Ndërkombëtare Publike, i të Drejtës Europiane dhe i të Drejtave të Njeriut në Fakultetin e Drejtësisë të Universitetit të Tiranës, në Shkollën e Magjistraturës dhe në Shkollën e Studimeve Europiane, Tiranë. Gjatë viteve 1992-1997 ka qenë Ambasador i Republikës së Shqipërisë në Republikën Federale të Gjermanisë. Në vitin 1988 merr gradën shkencore “Doktor i Shkencave Juridike” dhe në vitin 2009 “Profesor”. Në vitet 1998-1999 ka qenë bashkëpunëtor shkencor pranë Institutit Max-Planck, për të Drejtën Ndërkombëtare dhe të Drejtën Kushtetuese, në Heidelberg të R.F. të Gjermanisë. Që prej vitit 2001, është anëtar i Gjykatës së Pajtimit dhe Arbitrazhit pranë OSBE-së me seli në Vjenë. Prof.Dr. Xhezair Zaganjori është autor i një sërë botimesh shkencorë brenda dhe jashtë vendit, si dhe pjesëmarrës aktiv në Kongrese e Konferenca të ndryshme ndërkombëtare brenda dhe jashtë vendit.

Presidenti Nishani dekreton emërimin e Kryetarit të Gjykatës së Lartë

Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, në mbështetje të nenit 93 dhe nenit 136, pika 1 dhe 2 të Kushtetutës së Shqipërisë, dekretoi emërimin e zotit Xhezair Zaganjori, Kryetar i Gjykatës së Lartë.

Relacion për emërimin e Kryetarit të Gjykatës së Lartë

Bazuar në nenin 93 dhe 136, pika 1 dhe 2 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, Presidenti i Republikës SH.T.Z. Bujar Nishani dekretoi emërimin e zotit Xhezair Zaganjori, kryetar të Gjykatës së Lartë.

Z. Xhezair Zaganjori është emëruar anëtar i Gjykatës së Lartë me dekretin nr.8065, datë 22.03.2013 të Presidentit të Republikës. Kuvendi i Republikës së Shqipërisë, me vendimin nr. 5/2013 ka dhënë pëlqimin për emërimin e Z. Zaganjori, anëtar i Gjykatës së Lartë.

Sot, me datë 24 prill 2013, Z. Zaganjori është betuar para trupës së Gjykatës së Lartë.

Presidenti Nishani dekreton emërimin e një anëtari të Gjykatës Kushtetuese 

Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, në mbështetje të nenit 93 dhe nenit 125, pika 1 të Kushtetutës së Shqipërisë, dekretoi emërimin e zotit Fatos Lulo, anëtar i Gjykatës Kushtetuese.

Relacion për emërimin e anëtarit të Gjykatës Kushtetuese

Bazuar në nenin 93 dhe 125, pika 1 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, Presidenti i Republikës SH.T.Z. Bujar Nishani dekretoi emërimin e zotit Fatos LULO si anëtar të Gjykatës Kushtetuese.

Me shkresën nr. Prot.824, datë 22.04.2013 të dërguar nga Kryetarja e Kuvendit, Znj. Jozefina Topalli, duke konsideruar të ezauruar dekretin për emërimin e z. Artan Hoxha, kërkohet dërgimi i një kandidature të re, e cila të plotësojë kriteret kushtetuese dhe ato të meritës.