Prokuroria shqiptare, në rolin e noterit të kërkesave italiane për ekstradimin e shqiptarëve të dyshuar

444
Sigal

Gjatë muajit korrik-gusht, janë ekstraduar drejt Italisë, me kërkesën e Interpolit italian, mbi 25 shqiptarë dhe pas një kohe të shkurtër, janë rikthyer mbi 50% e tyre, si të pafajshëm! Nga Elbasani, në muajin korrik, u ekstraduan 5 shqiptarë në Itali dhe pas gjykimit në Itali, ata u shpallën të pafajshëm. Çfarë ndodh me këto ekstradimet e shqiptarëve në Itali? Zbardhja e kësaj të vërtete, përbën një skandal për Prokurorinë shqiptare, e cila bëhet notere e çdo kërkese të Interpolit italian për ekstradim të shtetasve shqiptarë. Drejtësia italiane, gjykon shumë raste ndaj shtetasve shqiptarë në mungesë, jo duke u bazuar në prova, por vetëm në dëshmi dhe pa praninë e të dyshuarve në gjyq. Vendimin ndaj tyre, gjykata italiane ia përcjell Interpolit italian dhe kjo, ia përcjell Interpolit shqiptar, duke i kërkuar ekstradimin e shqiptarëve në Itali. Kërkesa e Interpolit italian drejt Interpolit shqiptar shoqërohet me faks, një vendim gjykate i fotokopjuar,  pa vulën apustile dhe nuk shoqërohet aspak dosja e gjyqit, provat e fajësisë. Prokuroria shqiptare, si notere e italianëve, i bën presion gjykatës shqiptare, që të japë vendimin për ekstradim. Të gjitha shpenzimet e gjyqeve shqiptare, plus mbajtja në paraburgim në Shqipëri që mund të jetë deri në 3 muaj, plus biletat e avionëve, përballohen nga shteti shqiptar. Të ekstraduarit shqiptarë, pasi gjykohen nga gjykata italiane, shpallen të pafajshëm. Kjo përbën skandal të Drejtësisë Shqiptare, e cila bëhet notere e çdo kërkese për ekstradim, pa kërkuar aspak provat e fajësisë. Avokati Saimir Vishaj shprehet: “Skandal me esktradimet midis Interpol Romës dhe Interpol Tirana, ku nga ana e gjykatave shqiptare mbahen në dhomat e paraburgimit me masa shtrënguese “Arrest në Burg”, me afat 3 muaj, dhjetëra shtetas shqiptarë, të cilët janë dënuar ose ndaj tyre janë dhënë masa sigurimi në mungesë nga gjykatat italiane, por për çudi, edhe pse pa prova apo fakte të rëndësishme, në momentin e ekstradimit drejt shtetit italian. Përse nguten gjykatat shqiptare, që të bëjnë “Noterin” për çdo kërkesë për ekstradim në drejtim të shtetit italian?..( kur ata me të drejtë lirohen pas një muaji). Përgjegjësi ka Ministria e Drejtësisë Shqiptare që përcjell pranë Prokurorisë Shqiptare fashikuj apo vendime në kundërshtim me ligjin procedurial penal, pra të fotokopjuara pa vulën APUSTILE!!!!

Lojërat  e  drejtësive greko-shqiptare

Në Greqi, një dënim për një vepër penale, psh, për trafikim lënde narkotike,  mund të jetë shumë herë më i madh se në Shqipëri. Nga ana tjetër, qëndrimi në paraburgim në Greqi është 1 ditë  paraburgim = 3 ditë burg, ndërsa në Shqipëri është 1 ditë paraburgim është = 1,5 ditë burg. Kështu, shumë shtetas shqiptarë ekstradohen në Greqi, mbahen aty në paraburgim për një ndërkohë të caktuar, pastaj rikthehen në Shqipëri për t’u dënuar, duke iu llogaritur 1 ditë  paraburgim = 3 ditë burg dhe në ditën e gjyqit mund të dalin të lirë, pasi edhe vendimi është më i vogël.