Mimoza Sadushi:“Detyra e juristes më plotëson jetën”

643

Intervistë me Presidenten e Dhomës Kombëtare të noterisë Mimoza Sadushi

Për të shkruar për zonjën e nderuar Mimoza Sadushi, ku brenda saj gëlon dashuria, njerëzia, sinqeriteti i tejskajshëm duhen faqe e faqe tërësore. Por duke bërë me dije lexuesin se pak kohë ka që  është botuar libri im “14 Ikona-Novela” me personazhe reale ku Z. Sadushi hap siparin e këtij libri. Nuk është sipari i një opere apo sipari i një shfaqje në Teatrin Kombëtar, por ajo hap shkrimërinë e  librit. Duke qenë midis zonjave të nderuara si me Mjeshtren e Madhe të Artit, Nderin e Kombit Margarita Xhepa, noteres së nderuar Drita Aga, Mëhnroush Pishroyan me dy akademi arti angleze, mjeshtres së Madhe të Artit Hajrie Rondo, Dija Sadije Kryeziu shkrimtare, poete sociologe publiciste në Angli, Vaçe Zelës e Nexhmije Pagarushës, Irini Qirjakos, Maya Alickaj, Miradije Ramiqit e Brunilda Mumajesit, e zonjës Jackie Lima drejtoreshë arti në Pensinvali USA, Ckanadan Chan mjeshtre e artit në Hindi kësaj Mimoze i ra “Shorti” që shkrimin e këtij libri me personazhe real ta hapi pikërisht ajo!…Ajo, sepse lindi në pranverë ku aroma dehëse e lule mimozave këtu në kryeqytet ngroh shpirtin e vajzave e djemurisë dhe tërë njerëzisë në kryeqytet. Për të parë profilin e zonjës Sadushi po hedhim pak fjalë nga “14 Ikona”:

 …“Ishin ditët e fundit të shkurtit… dhe një pranverë e vogël e hershme dhe tekanjoze, si një vajzë e bukur, dehte me një aromë të veçantë gjithçka përreth, duke krijuar ndjesinë e një zbulimi sensacional të shpirtit njerëzor. Në një nga këto ditë të harlisura nga pritja s’di seç më shkrepi dhe ashtu befas në një kokëshkrepje të çastit më hipi në kokë të vishja kostumin dopio petë, ku xhaketa e zezë, derdhur mbi trupin tim fill qiriri dukej madhështore, si xhaketë supermeni! Eh ishin ditë të spërkatura me parfumin joshës të dashurisë, ku koha, hapësira dhe mosha priten në një pikë. Në pikën e kërkimit të të pamundurës. Të asaj që është përtej natyrës sonë fizike dhe ekzistenciale dhe që ka të bëjë me atë që psikoanalistët modern e quajnë “shqisa e gjashtë njerëzore”. Por për këtë do t’ju rrëfej një herë tjetër… Hoqa shumë nga ai kostum dhe ajo këmishë me jak diplomati… Por tashmë erdhën kohë të reja. Bëjë çfarë të duash, vishu sipas oreksit, se çan njeri kokën. E kështu mora rrugën tek një zyrë noterie. Kisha dëgjuar mjaftë miq e shokë që kishin marrë ndonjë çikë pronë e thash me vete, përse të mos marr edhe unë që nuk kam luftuar kundra armikut me pushkë në dorë, por që kam qenë kundra, këtë e dinë të gjithë. Kohë e re, demokraci hesapi, përse të mos përfitoj edhe unë! Kështu i fola vetes deri sa arrita tek zyra. Trokita lehtë sa askush s’po e hapte derën… Vazhdova përsëri të trokas, po befas dera u hap dhe pash një zonjë me kostum të derdhur, sytë bojëqielli, fytyra e saj tërë dritë e nur, buzët e saj purpurosje e aty, poshtë mjekrës vezake, gusha bardhë bore. Tek vështrimi i saj vura re një rrezatim kozmik, diçka midis trillit dhe realitetit derdhte mbi ballin e lartë e të lëmuar një bukuri dhe zgjuarsi të veçantë. Mbajta hapat një çast.

-Urdhëroni zotëri, çfarë kishit?!-Ajo foli e mua m’u duk sikur mërmëriti një fëmijë, tërë ajo ëmbëlsi femërore më mrekulloi, sa që s’po më dilnin fjalët. Po, sinqerisht, për momentin harrova përse kisha ardhur. Si e mblodha veten disi, duke vështruar një dëng me letra në tavolinën e saj, fola- Po ja moj zonjë, kam ardhur të noterizoj diçka!?

-Të noterizosh? Po a i ke me vete dokumentet, për të bërë noterizimin!?

-Dokumente nuk kam, por edhe sikur t’i kisha nuk do të pinin ujë. S’hynin në punë askujt- Fola përsëri..

-Si askujt?! Nuk po të marr vesh, zotëri! Ku ke parë o njeri i nderuar të noterizohet një pronë pa dokumente!?

-Ajo që dua të noterizoj unë është shumë larg dhe nuk arrin dot kush, me përjashtim të disave që kanë dhuntinë e fluturimit..

Ajo qëndronte me një buzëqeshje të lehtë, që më shumë anonte nga nënqeshja, duke më vështruar me kureshtje dhe habi.

-E ç’na qenka kjo histori? Nuk po kuptoj asgjë!

-Unë zonjë e nderuar, unë dua të noterizoj, qiellin!

-Qiellin!? More zotëri je në vete apo s’je! Me çfarë pune merret zotëria juaj!?

-Punë unë?! Po ja hedh vargje si biçim poeti!

-Aha, më dukesh si i shkarë pak apo kështu janë gjithë poetët… Dhe ja dha një të qeshure që mua më la pa mënd fare… Tek ajo buzëqeshje vura re si rridhnin ujëvarat e trillit, parfumi i mëngjeseve të Alpeve tona, një mrekulli hyjnore që dukej sikur vet dora e krijuesit e kishte qëndisur me merak e dashuri. Kur, dola së andejmi vura re se koha më pati ikur aq shpejt sa s’pata kuptuar se qe bërë mbrëmje dhe muzgu kishte varur pelerinën e tij të murrme mbi peizazhin e zhytur në pritje e mister. E nesërmja do të shënonte ditën e parë të marsit. Në ëndrrat e mija e pash veten në kupën qiellore ku pas një shtrëngate koha u hap si me magji e ku miqtë e mi të rinj pas një daveti të bukur me çuan një palë shkallë për të më zbritur në tokë. Duke zbritur shkallët yjore e hënore ku dhe ylli mars s’po dukej më në horizonte e që tashmë dita kishte marrë dhenë kjo pamje yllësore mu largua nga sytë po një pamje mrekulluese vezullonte dhe kishte mbushur tërësinë tokësore me… Mimoza….. mimozaaaaa. Aroma e tyre ndihej në çdo frymëmarrje njerëzore. Midis këtyre mimozave shoh një vajzë me fustan të bardhë nusërie me fytyrë gjithë dritë e nur bukurie e hirësie derdhur në kokë e deri poshtë atij shtati ku reflektonte vetëm e bardha. Pranë kësaj vajze me sy bojëqielli e shtatderdhur lastar flinin Marsi e Jupiteri, Mërkuri e Saturni vet, perëndesha Afërditë merrte hua sharmin dhe natyrshmërinë. Po ajo kishte lindur pikërisht në këtë muaj, Marsian, dhe babai i saj Islami e nëna e saj Donika ja kishin çuar emrin Mimoza. Po, po Mimoza që të ndrinte tërësinë tokësore. Ja kështu siç ishte dhe sot plotë dhe përplot me mimozaaa.…..

Po duke e pasur pranë zonjën e nderuar Mimoza  Sadushi le të shpalosim për lexuesit  intervistën:

-Ju vazhduat për drejtësi. Po a kishit edhe ndonjë dëshirë tjetër për degë të tjera studimi?

Drejtësia ishte dëshira ime për të vazhduar studimet e larta. Por në atë kohë duheshin bërë tre kërkesa dhe kështu unë kërkova edhe për Farmaci, por edhe për Letërsi. Por dëshira mu plotësua duke vazhduar aty ku unë kisha pasionin, pra për drejtësi.

– Si e keni ndjerë veten në këtë profesion serioz, por edhe të bukur?

Veten e kam ndier të plotësuar sepse ishte një profesion që më pëlqente. Unë kam bërë edhe detyrën e gjyqtares, juristes dhe noteres aktualisht. Gjithmonë kam qenë midis njerëzve dhe duke qenë se i dua njerëzit e kam ndierë veten shumë mirë pranë tyre.

-Si arritët që t’ju besohet detyra si presidente e Dhomës Kombëtare të Noterisë?

Me zgjedhjet e vitit 2006 kolegët ma besuan këtë detyrë të presidentes duke qenë se isha nga noteret e para.

-Mund të na thoni diçka për ligjin e ri për aplikimin online të noterëve?

Kohët e fundit ka dalë ligji për aplikimin online të noterëve. Në ZRPP Qytetet e Durrësit dhe Tiranës po e aplikojnë këtë sistem për të gjithë ato prona që janë hedhur në sistem dhe qytetarët janë pajisur me certifikata pronësie. Është një procedurë shumë e thjeshtë për noterin dhe shumë komod për qytetarët. Të cilët tani paraqiten vetëm në zyrat e noterisë dhe nuk ka nevojë të paraqiten në zyra të tjera.

-Duke qenë e nënë e dy fëmijëve, si e përballoni këtë ngarkesë pune?

Fëmijët tashmë i kam të rritur edhe nuk e ndiejnë shumë nevojën e kujdesit tim. Por presim pushimet   që grumbullohemi të gjithë bashkë e ku e ndiejmë veten mjaftë mirë.

-Fëmijët a kanë ndjekur profesionin tuaj?

Të dy fëmijët janë juristë.

-Si femër, si grua dhe si nënë ç’është dashuria dhe si e kuptoni atë?

Mendoj se dashuria është gjëja më e bukur që ka çdo njeri dhe në këtë drejtim besoj se nuk më ka munguar, qoftë për të më dhënë dashuri qoftë dhe për të përcjell tek të tjerët dashuri. Mendoj se dashuria është gjëja  më e bukur në qoftë se flasim për misionin e saj ku flasim për të gjitha llojet e dashurive dhe ndoshta do të uroja për të gjithë që të kenë vetëm dashuri

-Si dhe sa dëgjohet zëri i gruas tek ne, po në parlament përse të mos ketë edhe më shumë gra?

Mund të them se zëri dëgjohet, por jo aq sa duhet dhe do të më pëlqente si në parlament por edhe në vende të tjera të kishte më shumë gra.

-Po të drejtohej tërësia tokësore nga gratë si do te ishte bota?!

Do të ishte shumë më mirë!

-A gatuani? Cili është ushqimi i juaj i preferuar?

Gatuaj shumë mirë dhe me dashuri.

-Nga artet çfarë parapëlqeni muzikën, teatrin, filmin, pikturën?

Të gjitha llojet e arteve më pëlqejnë, por më shumë më pëlqen muzika dhe piktura.

Si e kaloni ditën e pushimit? Kë preferoni detin apo malin….!?

-Të dyja i preferoj, si detin edhe malin.

-Si e trajtoni veten estetikisht?

Përpiqem të bëjë të gjitha ato që ndien një femër.

Duke e falënderuar për intervistën e dhënë prej saj, me këto pak radhe të hedhura në mbylljen e shkrimit së novelës kushtuar Mimozës, dëshiroj të shpreh mirënjohjen për këtë zonjë të nderuar.

….. Prap, erdhe? Do noterizosh qiellin! Apo të ka ardhur mëndja në vend more poet i gjorë?! Hajde, të të jap një kafe që të mbledhësh mendjen.- Nga buzët e saj rridhnin hoje.. gjithë ai nur.

-Të pash, po, po të pash dhe atje në kongres a mbledhje të madhe të noterëve të Shqipërisë si ligjëroje… Eh sa më gëzove,- i fola asaj

-Kafen do ta jap unë… e ke nga unë!?- Ishte ky Ariani e që me të ishin dhe djali e vajza e tij Dionisi e Viola, me një tufë mimozash në duar por dhe lule e lule të tjera shumëngjyrëshe. I kishin sjellë për Mozën, pasi sot festonte ditën e lindjes në këto kohë të reja. Torta në mes. Qirinj të ndezur dhe kërcëllima e tapës së shishes me shampanjë. Ajo si një ikonë. Gati për të kaluar në përjetësi. Pasi nganjëherë çaste si ky kanë vlerën e përjetësisë. Ajo është aty e rrethuar nga shoqëria në këtë lokal mrekullor.. E kur dëgjoj zërat e këtyre burrave dhe grave që kanë mbushur plotë këtë ambient   modern, tërë gaz dhe hare, ndihem sikur vitet kanë mbetur diku, në një ngastër të noterizuar. Lart në Mars a Jupiter. Aty gjallon firma e saj..

Dy vargje për Mimozën

Mimozat çelin në pranverën e hershme,

Në kohën kur bota mbështjellë me mister,

Dehet në petalet e lules “Mos më prek”,

Mimoza mori hua ngjyrat e lules më të bukur.

Erërat e jugut, hënën e detit dhe të malit përballë,

Me gishtat e dëshirës, njerëzores dëshirë,

Preku qiellin e ëndrrës. U nis fluturim,

Para shkresave dhe vulave, para firmës së noteres,

Unë isha aty, kur ngastrat e qiellit u ndanë

Dhe u bënë pronë e Oborrit të poetëve,

Ti ua dhe tapitë, ti ua nise ëndrrat,

Me postën e të dielës në tokë,

Ta bënin më të lehtë e më të butë tokën,

Ta bënin  më pak të zymtë dhimbjen,

Ta bënin njerëzore dashurinë,

Se ti ishe dhe mbetesh vetë dashuria,

Portret i çiltër në telajon e piktorit,

Muzë që nuk shter në poezitë e poetëve,

Mike e stuhive, motër e hënës nazike,

Bijë e ujëvarave që rrjedhin lartësive,

Në një tokë premtimesh njerëzore!…..