Gjykata Administrative, gati në nëntor

522
Sigal

Ministri Halimi inspekton punimet: “Në shtator opozita të japë konsensusin që nga janari i vitit të ardhshëm gjykata të fillojë nga puna”

“Unë shpresoj se pas përmbushjes së kushteve që po bën qeveria për funksionimin e Gjykatës Administrative në muajin shtator opozita të japë konsensusin për miratimin ligjit të Gjykatës së Lartë në mënyrë që nga janari i vitit të ardhshëm të fillojë nga funksionimi Gjykata Administrative”,- deklaroi Ministri Halimi ndërkohë që, punimet për ndërtimin e Gjykatës Administrative kanë nisur në muajin qershor 2012, me vlerë prej 47 milionë lekë të reja, fonde nga buxhetit i shtetit. Ministri Halimi u shpreh se, “fillimi i vitit 2013 do të jetë edhe fillimi i punës së gjykatës administrative. Ne po plotësojmë të gjitha kriteret dhe kushtet për të cilat kemi marrë angazhimin në parlament. Javën e ardhshme ne do të inspektojmë punimet në Gjykatën e Apelit të Tiranës dhe në muajt në vijim do të inspektojmë punimet edhe në pesë gjykata të tjera administrative që do të ngrihen në 5 rrethe te vendit. Ministri i Drejtësisë mendon se opozita do të ngrihet në përgjegjshmërinë e saj politike për të miratuar këtë ligj. Vlera e investimit për ndërtimin e Gjykatës Administrative është 47 milionë lekë të reja dhe është një investimi me fonde nga buxheti i shtetit. Objekti kryesor i punimeve është rikonstruksioni i ndërtesës ekzistuese 4 -katëshe, e cila është një strukturë e ngritur para 30-35 viteve. Në këtë gjykatë do të ketë zyra për 16 gjyqtarë, 7 salla gjykimi, një ambient te veçante për marrëdhëniet me publikun, arkiv dhe ambiente pune të përshtatshme për punonjësit e tjerë të administratës. Bazuar në ngarkesën e çështjeve, kjo Gjykatë do të ketë mjaftueshëm salla gjyqi dhe hapësira të mjaftueshme për të zhvilluar funksionin e saj ne tërësi. Kjo do të ofrojë mundësinë që t’i jepet fund zhvillimit të gjyqeve në zyrat e gjyqtarëve dhe të gjitha seancat të zhvillohen në salla gjyqi. Për herë të parë kjo ndërtesë do të ketë dy hyrje dhe dy parkingje, një për qytetarët dhe një për gjyqtarët e administratën e kësaj gjykate. Gjykata Administrative do të qëndrojë në këtë ndërtesë deri sa të përfundojë ndërtimin Pallati i Drejtësisë, punimet për të cilin do të fillojnë brenda vitit.