“SKËNDERBEJ”, SHESHI QË MBAN HISTORINË E NJË SHTETI

1517
Sigal

Leonard VEIZI

(vijon nga numri i kaluar)

Si u mënjanua busti i Mehmet Shehu kur u inaugurua Muzeu Historik

INTERVISTA III/ Inxhinieri i njohur Petraq Kolevica rrëfen për artin dhe idenë e ndërtimit në epokën komuniste të vendit

Fati i Mehmet Shehut ishte përcaktuar. Edhe pse ishte gjallë, kryeministër dhe anëtar i Byrosë Politike, censura ndaj tij kishte filluar. Në Muzeun Kombëtar që u inaugurua një muaj para vetëvrasjes, pothuaj asnjë gjurmë e tij nuk ekzistonte si dëshmi e Luftës apo punës së tij si kryeministër.

Duke kujtuar ditët e vështirë të projektimit të Muzeut Historik Kombëtar në qendër të Tiranës, inxhinieri i njohur Petraq Kolevica, thotë:

-Cila ishte vepra madhore e radhës në të cilën do të ishte projektues?

Në fund të vitit 1976 më lajmëruan se duhej të punoja për projektimin e Muzeut Historik Kombëtar. Siç ishte zakon në kësi rastesh formohej një grup pune me disa specialistë, me një kryetar të emëruar nga lart. Kësaj radhe kryetar ishte S. Mosko. Për t’i dhënë rëndësi çështjes, thuhej se interesohej vetë “i madhi”, i cili paskësh thënë që ndërtesa e Muzeut të bëhet në tri pjesë: Periudha para Luftës, Lufta Nacional Çlirimtare, Ndërtimi i Socializmit. Sipas këtij orientimi, u punua për nja dy-tre muaj, natyrisht në skicë ide. Mirëpo një ditë, u tha se “i madhi” paska thënë që Muzeu të jetë një i tërë, jo i ndarë “sepse edhe revolucioni i popullit shqiptar është një i tërë, jo pjesë-pjesë”. Na u dërgua dhe një platformë ideore e shkruar, se si duhej të trajtohej ky objekt. Madje, njëherë na thanë që gjithë ndërtesa të ketë një farë lloj trajtimi apo dekori rreth e qark, që të duket si gjerdan me fishekë. Zaten, ai rrip dekori që është sot rreth e qark ndërtesës së Muzeut, është mbeturinë e asaj ideje të gjerdanit me fishekë. U fol për arkitekturë kombëtare, pastaj për arkitekturë bashkëkohore etj. I përmenda këto, për të treguar atmosferën e turbullt ku duhej punuar e krijuar.

-Nga sa projektues do të përbëhej grupi këtë herë?

Në fillim grupi kishte mjaft vetë, por dalëngadalë u larguan dhe mbetëm katër arkitektë. Si zakonisht grupi nuk formonte dot një unitet mendimi. Bëheshin diskutime, por pastaj secili qëndronte në të tijën dhe në fund u paraqitën tre variante. Qysh në fillim kisha idenë e bërjes se një projekti me arkitekturë moderne, por me motive të arkitekturës kombëtare të shkrire në të. Me këtë ide bëra variantin e fundit që u paraqit në një Këshill Teknik të zgjeruar, ku nuk u miratua. Diskutimet e mia këmbëngulëse nuk u pritën mirë nga kolegët e grupit. Madje, nuk di kush, hodhi dyshimin që unë këtë e bëja, sepse doja të isha, apo të quhesha, autori kryesor i projektit, Për këtë çështje u bë një mbledhje e grupit me sekretaren e partisë së Institutit, ku më tërhoqën vërejtje për tendencën e shfaqur. Pas kësaj ndodhie, më shumë i dëshpëruar se i inatosur, gjatë hartimit të projekt-zbatimit, u mora vetëm me çështje teknike të tij.

-Si do të vijonte puna pas ndërtimit të godinës?

Në fakt ende pa mbaruar punimet e ndërtimit të godinës, filloi puna e projektimit dhe e pajisjeve të sallave nga brenda. Më caktuan të merresha me sallën e periudhës së ndërtimit të socializmit, meqenëse kisha përvojë nga dy ekspozitat që kisha bërë më parë (“Shqipëria 1971” dhe “Shqipëria sot”). Projektimi arkitektonik i ndërtesës së muzeut, pati problemet e veta të vështira, por nuk i pati të pakta e të lehta problemet as ekspozimi i materialeve historike në pavione të ndryshme. Në punën e ekspozimit rolin kryesor e kishin historianët me në krye të ndjen Prof. Aleks Buda. Ai erdhi në fillim, në disa mbledhje të përgjithshme ku foli gjerë e gjatë duke përdorur dendur shprehjen: T’i trajtojmë ngjarjet historike “në akorde të mëdha”. Siç dihet, problemet politike e ideologjike, ne atë kohë, kishin rëndësi të veçantë në trajtimin e ngjarjeve historike. Për periudhën e lashtësisë ilire, luftërave të hershme, luftërave të Skënderbeut, pushtimit osman për periudhën e Rilindjes, problemet politiko-ideologjike ishin të pakta e të kristalizuara në kohë, prandaj puna e ekipeve punuese në këto pavione u përqendrua më tepër te paraqitja artistike dhe këto pavijone përfunduan relativisht diçka me parë se të tjerët. Për periudhën 1912- ’39 historianët injoruan reaksionarët si Zogu me shokë dhe dolën disa figura të të ashtuquajturit “revolucion demokratik-borgjez”. Themelimit të Partisë i ishte caktuar salla e madhe qendrore por për historianët nuk kishte probleme, se ato i kishte përshkruar mirë e bukur vete “themeluesi” në librin “Kur lindi Partia” dhe në “Dokumentet e Partisë”. S’mbetej, pra, veçse paraqitja e tyre sa më artistikisht.

-Po realizmi socialist sa vend të  do të zinte?

Ky pavijon ishte mjaft i madh, përfshinte gjysmën e katit të dytë. Grupi i historianëve me në krye të ndjerin, Stefanaq Pollo na dhanë përmbajtjen e sallës së parë që fillonte me ditët e para të pas Luftës, zgjedhjet e 2 dhjetorit, shpalljen e republikës, reformën agrare, fillimin e industrializimit etj. Unë, si arkitekt dhe piktorët dekoratorë, fotografët dhe specialistët e tjerë duhej të ekspozonim sa më artistikisht materialet e dhëna si foto, shkrime, citate, parulla dhe pak eksponate. Por punët nuk shkonin vaj. Vetë historianët kishin plot ngurime për çështje të caktuara dhe mezi vendosnin. Edhe mbasi i kishim ekspozuar gjërat, nuk di pse prisnin të vinte t’i shikonte Ndreçi Plasari dhe t’i diskutonin me të. Por, ankthi i vërtetë, ishte pritja deri sa të vinte Manush Myftiu që nuk ikte pa bërë vërejtje. Të gjitha këto i vuanim ne që duhet të reflektonim ndryshimet. Mund të them pa ekzagjerimin më të vogël se, e ndërtuam ekspozimin, e prishëm dhe e ribëmë tri herë. Më në fund, të gjithë u qetësuan, kur u vunë tetë foto të mëdha të E. Hoxhës që linin të kuptohej se çdo gjë e kishte frymëzuar e drejtuar ai. Ndërmjet kësaj salle dhe asaj në vazhdim u vu një basoreliev i skulptorit Perikli Çuli që kaloi pa probleme, se kishte motive nga ndërtimet dhe artistikisht ishte i arrirë. Për sallën tjetër historianët ishin duarbosh dhe ajo ishte gati qesharake. U vu një skulpturë allçie e një punëtori, një hartë e madhe e botës me drita që ndizeshin e shuheshin dhe lidhjet diplomatike në rreze që niseshin nga Tirana në Havanë në Pekin, Paris, Romë, e disa vende arabe e gjer në Indonezi pastaj u vunë ca vitrina me shkrime nga deponimet që kishin bërë në gjyq armiqtë e partisë Beqir Balluku, Abdyl Këllezi, Koço Theodhosi etj. Sollën dy buste të vogla të lyera me varak, me kokat e Hysni Kapos e Gogo Nushit. U sollën dhe ca si relikte të tyre: Një palë syze, një stilograf, një fletore. Dikush kishte dhënë një ide nga lart dhe urgjentisht u porositën në Itali dhe erdhën urgjentisht fotografi të mëdha (2 m x 2 m) me ngjyra ku paraqiteshin pamje parakalimesh festive e manifestimesh sportive të të rinjve.

Ramiz Alia, fatura që i la në dorë Manush Myftiut

“Hallin më të madh e pata me pjesën e parë të kësaj salle, ku më kishte mbetur si dopio gjashta në dorë një goxha bust i Mehmet Shehut. Duhet t’u kujtoj se jemi në ditët kur M. Shehu na kishte fejuar djalin me çupën e një familjeje reaksionare dhe fjalët mbi grindjen e Hoxhës me Shehun për këtë çështje i kishin kapërcyer muret e ish-bllokut dhe zienin në popull. Natyrisht kishin ardhur dhe tek unë e të tjerët në muze. Ku ta vendosja këtë dreq busti? Historianët ngritën duart. Kjo thanë është çështje estetike, vendoseni ju ku t’ju duket më bukur. Nejse, ia gjeta një vend. Erdhi Manush Myftiu. Pa andej këndej dhe ndaloi pranë një busti. “Këtë bustin – tha – sikur ta vëmë pak më këtej”. Herën tjetër tha ta çonim pak më andej. Pak më këtej pak më andej Shehu, s’po zinte vend, ndërsa ditët u mblodhën. Erdhi Ramiz Alia. Pa vetëm sallën e socializmit. Si mbaroi së pari u ulëm rreth një tavolinë të veçuar, R. Alia, M. Myftiu dhe unë për të dëgjuar vërejtjet. R. Alia nuk bëri ndonjë vërejtje me rëndësi dhe unë, meqë më kishte mbetur dopio gjashta në dorë, i thashë: “Shoku Ramiz, ju lutem më ndihmoni, ku mendoni ta vendosim bustin e shokut Mehmet?”. Menjëherë ngjala rrëshqiti. “Këtë – tha – do ta shikoni me shokun Manush”. Dhe krisi e iku. Pasi u vërtitëm pak nëpër sallë Manushi më tha: “Këtij busti, duhet t’i gjejmë një vend të mirë. Kemi ca kohë të mendojmë po, që të mos na dëmtohet, fute në një vend të sigurt”. Pa e zgjatur, e futa në një depo të vogël aty pranë, i bindur që s’do të dilte më prej andej. Do të bëhej inaugurimi i Muzeut. Doemos pritej të vinte “i madhi”. Në këto raste dihej se “udhëheqja” d m th “i madhi” përshëndetej dhe u shtrëngonte dorën projektuesve. Deri ditën e fundit mua nuk më dhanë ftesë për në ceremoninë e përurimit. Më 8 Nëntor isha në shtëpi. Radioja transmetonte muzikë dhe fliste për inaugurimin e pritshëm të Muzeut. Gruaja ime me të drejtë ishte e shqetësuar që nuk më dhanë ftesë, d.m.th se vazhdonte të isha i padëshiruar, të isha ende me njollën e ndikimeve të huaja, ndërsa unë e quaja fat, sepse nuk doja t’ i jepja dorën E. Hoxhës e M. Shehut. Ftesa më erdhi me vonesë e megjithatë unë nuk mora pjesë në ceremoni”, rrëfen për “Telegraf” projektuesi i njohur Petraq Kolevica.

Nga Petraq Kolevica

 

“Skënderbej”, sheshi që mban historinë e një shtetit

Të flasësh për historinë e sheshit Skënderbe është njëlloj sikur të flasësh për një pjesë të historisë së shtetit shqiptar e të shoqërisë shqiptare të pas pavarësisë. Tirana si kryeqytet sapo mbushi 90 vjet. Kurse qendra në ‘37 mori formën e saj me ndërtimin e bulevardit të madh veri jug, të godinave të ministrisë e të bashkisë dhe të tri arterieve rrugore kryesore: rruga e Kavajës, Durrësit e Dibrës. Në këtë shesh u bënë festimet kryesore të përvjetorit të pavarësisë (28 nëntor 1937). Në atë shesh parakaluan repartet e ushtrisë me pushkë të gjatë e bajonetë mbërthe. Në atë shesh parakaluan dhe zhvilluan ushtrime gjimnastikore festive dhe vajzat e shkollave qytetase me kilota të zeza të lidhura pak poshtë gjurit. Në 1938 Mbreti Zog i parë festoi dhjetë vjetorin e mbretërimi të tij dhe festimet me flamur e pishtar nuk munguan në shesh. Po atë vit Naltmadhnia e Tij, u martua dhe kortezhi i dasmorëve kaloi në qendrën e kryeqytetit. Në fillim të vitit tjetër lindi trashëgimtari, por për fat të keq sa doli ai në dritë u prish mbretëria. Shumë shpejt parakaluan “triumfalishit” tanket qesharake të Duçes, repartet e bersalierëve dhe “I lupi di Toscana” buçiti fort kënga “Giovinezza!” e gjithashtu përmes sheshit kaloi dhe makina me atë palo mbret dhe perandor “me dy gisht, këmbë!”që nja 200 metra më poshtë mend i mbushi lëkurën me kashtë Vasil Laçi. Në vitin 1943 Duçe i kthen patkonjtë përpjetë dhe menjëherë përmes sheshit kaluan tanket dhe kamionët me ushtarë nazistë gjermanë. Gati një vit e gjysmë më vonë në atë shesh u zhvillua beteja më e ashpër për çlirimin e kryeqytetit, sidomos kundër tankut të vendosur në qendër. Në 17 nëntor në shesh ushtuan të shtënat gazmore të fitores dhe në 28 nëntor 1944 në këtë shesh parakaluan brigadat partizane. Lufta kishte mbaruar. Shqipëria ishte çliruar. Pas kësaj dite në sheshin qendror të Tiranës filloi epoka që zgjat edhe sot. E mitingjeve, fjalimeve, pritjes e përcjelljes të lloj-lloj delegacioneve të huaja, të ngritjes dhe shembjes së monumenteve. Gjatë këtyre dy vjet e gjysmë të dashurisë me Titon, kur u kthyen dëshmorët partizanë që i dërguan të vriten për të çliruar Jugosllavinë. Pas kësaj në shesh filluan fjalimet për miqësinë e pathyeshme me BS. Filloi vërshimi i delegacioneve sovjetike që sulmoi ngritjen në shesh të shtatores prej bronzi të Stalinit me uniformë ushtarake. Ditët e vdekjes së Stalinin, populli u urdhërua të mblidhej në shesh, përballë monumentit të tij. Komandanti mbajti fjalimin mortor, dhe kur mbaroi dy tre rreshta te para të urdhëruar posaçërisht, ranë në gjunjë. Kaluan ditët e zisë. Gardhi socialist po shthurej. Demokracia popullore filloi të shtrëngojë radhët në Varshavë. Sërish populli i Tiranës u mblodh në shesh për të dëgjuar fjalimet për hyrjen në Traktatin e Varshavës. 15 qershor 1959 sërish u mbush sheshi plot se pritej Nikita Hrushovi. Ai parakaloi në një makinë të hapur ku në dy anët rrinin Komandanti dhe Mehmet Shehu. Pas dy tre vjetësh partia e zboi edhe Hrushovin si revizionist. Vështrimin e hodhi tej në Lindje. Sheshi ynë priste tani Çu En Lain. Që nga ballkoni i Komitetit Ekzekutiv e përshëndeti udhëheqjen që ishte aty bashkë me të. Një ditë tjetër sheshi u mbush për të brohoritur për daljen nga Traktati i Varshavës. Kinezëria u duk gjithandej. Punonjësit e ministrive dilnin pa gdhirë dhe bënin gjimnastikë. Ndërsa në sheshet e Parisit ushtonin lëvizjet studentore, të revoltuarit bënin kërdinë me revolucionin kulturor e “studentët e Durrësit” iu turrën kishave dhe xhamive për t’i shkatërruar ato. Në qendër të Tiranës u prish kisha ortodokse, që ishte aty ku u ngrit Hotel Tirana. U hoq nga sheshi monumenti i Stalinit, i cili u vendos në anë të rrugës përballë Leninit. Atje ku ishte “Stalini” u hodh bazamenti për monumentin e Skënderbeut që po përgatitej për t’u vendosur me rastin e 500 vjetorit të lindjes. Ai u përgatit nga Odhise Paskali, Janar Paço dhe Andrea Mano. Me të ndjerin Odhise Paskali pata njohje të mirë. Pas ndërtimit të monumentit e pyeta: Pse kaq statike kjo figura e Skënderbeut? Këtu, tha Odhise Paskali, Skënderbeu është në parakalim, ka ushtrinë mbrapa!” Miqësia me Kinën po merrte fund. Ndërsa me forcat tona përfundoi ndërtimi i 15-katëshit. Poshtë tij u ndërtua dhe një strehim anti-atomik. Gjithashtu u ndërtua edhe MHK në vendin ku ishte Bashkia. Në fund të tetorit të vitit 1981 komandanti kaloi atë rrugë dhe pasi e pa mozaikun, u shpreh: mirë pushkën e kanë, po kazma ku është? Këto vite gjendja shëndetësore e komandantit u keqësua. Megjithatë, Ramiz Alia u kujdes që të mos mungonte. Në shesh u ngrit monumenti i Enver Hoxhës.

Bejkeri në sheshin “Skënderbej”

“Erdhi viti 1990, fatal për PPSH-në. Për t’ia bërë qejfin popullit, partia urdhëroi që natën, ndërmarrja “21Dhjetori” të hiqte fshehurazi monumentin e Stalinit nga sheshi “Rinia”. Sheshi u kthye në qendër të demonstratave kundër regjimit. Është për të ardhur keq që gjatë 20 vjetëve asnjëra prej këtyre qeverive që vijnë dhe ikin, çdo dy apo katër vjet nuk vunë një pllakë përkujtimore të kësaj dite në muret e ambasadave. Madje duhet edhe shumë më tepër, pro ndoshta për këtë vazhdon të pengojë jashtëqitja e kombit. Që ende nuk është pastruar si duhet. Pas asaj ngjarje shumë shpejt erdhën ditët e lavdishëm të sheshit. Populli dilte në shesh dhe kërkonte Shqipërinë të ishte si gjithë Evropa. Në një ditë shkurti, populli përmbysi monumentin e diktatorit. Erdhi dita kur sheshi u mbush me ëndërrimtarë të qeshur e të gëzuar, të fortë e të shtrënguar si kurrë më parë e kurrë më pas. Në shesh anembanë kishte kaq shumë flamurë amerikanë sepse vinte sekretari i shtetit Xhejms Bejker. Mikun e nderuar e ngritën hopa në duar me gjithë makinën e blinduar. Nga ajo ditë e gjer më sot, në shesh mblidhen turma qytetare gjatë fushatash zgjedhore. Një ditë mblidhen një palë, lëvdojnë veten e shajnë të tjerët. Zhvillojnë koncerte. Shpërthejnë fishekzjarrë. Edhe kur humbasin thërrasin: -Fitore!”

Agjencia ajrore kineze

 

Akuza: Flamuri grek në mes të Tiranës

 

Aty do të punonin kinezët, por lyerja e fasadës së jashtme me bojën bardh e blu, ashtu si dhe uniforma e ekipit të “17 Nëntorit” u kuptua si modeli i flamurit grek. Kështu kujton ditët e tij të punës për Agjencinë Ajrore Kineze, inxhinieri projektues Petraq Kolevica: “Në vitin l972, në zyrën e Urbanistikës e Projekteve na erdhën dy detyra projektimi: Njëra për ndërtim apartamentesh për pedagogët e huaj, që gjoja do të vinin të jepnin leksione në Universitetin tonë dhe tjetra për ndërtimin e Agjencisë Ajrore Kineze, që kërkonte gjithashtu apartamente banimi për pilotët e linjës Tiranë-Pekin- Tiranë dhe disa zyra, etj. Gjatë vitit 1973, u ndërtua një pjesë e mirë e karabinasë e ndërtimet vazhduan deri më 1975. Pas bisedës që pata me E. Hoxhën dhe rritjes së luftës kundër ndikimeve të huaja, më dërguan në Ndërmarrjen “21 Dhjetori” e prej atje më çuan të përfundoja ndërtimin e godinës së Agjencisë Ajrore Kineze, që e kisha projektuar. Për disa muaj ndoqa punimet e zbatimit dhe godina përfundoi. Kishte mbetur vetëm lyerja nga jashtë Për t’iu përshtatur destinacionit të ndërtesës, që kishte të bënte me fluturime aeroplanësh në qiell, ndërtesën e leva me ngjyrë të bardhë e disa pjesë me blu të çelur (bojë qielli). Ky ishte një kombinim ngjyrash të papërdorura më parë tek ne. Mirëpo, pas nja dy ditësh, aty para, paskësh kaluar S. Koleka me “Benzin” e vet, e paska parë ndërtesën të lyer me ato ngjyra e paskësh thënë: Ç’është kështu?! M’u në qendër të kryeqytetit qenka bërë flamuri i Greqisë! Të nesërmen erdhi Ministri R. Hanku bashkë me Drejtorin e Kantierit, më thirri, e më tha: “Ç’është kjo që ke bërë këtu? – dhe urdhëroi: Të lyhet me të verdhë, siç janë të tjerat. Mateni dëmin dhe t’i paguajë ky!” Hipi në “Fiatin” e tij të kuq dhe iku”.