Skënderbegasit e suksesshëm në fusha të ndryshme të karrierës

809
Rrëfimi i Artistit të merituar, Arqile Lipe dhe Petrit Jazexhi, skënderbegasi që u bë komisar i shkollës“Skënderbej”
Kolonel Kreshnik Lusha, skënderbegasi me karrierë të suksesshme në FA
Kolonel Kreshnik Lusha, është një nga skënderbegasit që gjatë karrierës në Forcat e Armatosura, ka kryer detyra të rëndësishme, deri në komandant njësie (Komandant i Grupimit Kundër Ajror në Tiranë). Kreshniku u lind në Tropojë në vitin 1952 dhe banon në Tiranë. Në karrierën e tij në Forcat e Armatosura mund të përmendim: Në vitin 1966 përfundon shkollën “Skënderbej”; në vitin 1666-1967 kryen stazhin-ushtar në repartin Nr. 8555 në Gjirokastër; në vitin 1969 përfundon Shkollën e Bashkuar të Oficerëve dhe diplomohet oficer aktiv (Diplomën ja jep Gjeneral Kolonel Beqir Balluku, Ministër i Mbrojtjes) dhe emërohet pedagog në Shkollën e Bashkuar (deri në vitin 1975); në periudhën 1975-1981 është pedagog në Shkollën e Kuadrove në Zall-Herr’ në vitet 1981-1990, në brigadën e Kavajës; më 1990 largohet nga radhët e Forcave të Armatosura; rikthehet në FA më 1992 dhe emërohet si titullar në AKA në Tiranë; në vitin 1998, me gradën ‘Kolonel’ del në rezervë. 

Jeta njerëzore bën ciklin e vet sikurse çdo jetë tjetër mbi tokë, pra dhe për mua Kreshnik Lushën… Mes dëshirës dhe emocionit po e filloj me fundin e këtij shkrimi shumë simbolik në krahasim me dëshirën e jetëgjatësinë: Sikur të bëhej e mundur gjenetikisht e të kthehesha edhe një herë 14 vjeç, do ta filloja edhe më me dëshirë, vullnet e pasion shkollën “Skënderbej”! Askush nga ne nuk u ‘privilegjua’ të mbante që në moshën 14-vjeçare simbolin ‘SK’ mbi supet e veta. Vërtetë ishin dy shkronja, por ata përfaqësonin gjithçka kombëtare të djeshme e të sotme, të ardhme e të përjetshme….

…E si të mos filloj nga ai vit e ato vite që na mblodhën nga të gjitha trevat e krahinat shqiptare?! E si do të njiheshim me njeri-tjetrin duke zëvendësuar vëllezërit që i kishim lënë në vendet nga kishim ardhur; si do të bashkoheshim në një klasë aq të këndshme ku unë rrija në bankën e fundit të rreshtit të mesëm me kushëririn tim Avdylin në ditët e para, ku më vonë të gjithë më dukeshin kushërinj e gjithçka tjetër. Eh, sikur të ndodhte për të filluar njohjen me Spiron nga Saranda, Agimin nga Shkodra, Myftarin e Bajramin nga Tropoja, Thanasin nga Gjirokastra, Nuriun, Eqeremin e Vladimirin nga Vlora, Hysenin nga Dibra, Yllin nga Tepelena, Fatmirin nga Pogradeci, Miçon nga Lushnja, Suvorovin, Serjanin, Hasanin, Enverin, Selimin, Luanin, Islamin, Përparimin e dhjetëra të tjerë që uroj të jenë mirë, të kenë mbarësi në familjet e tyre. Ne i kishim lënë prindërit në zonat nga erdhëm. Madje, shpesh herë në mbrëmjet pasi errësohej edhe derdhnim lot nga malli për ta. Por këto kishim ‘faturën’ e ditëve të para, pasi shumë shpejt gjetëm ngrohtësinë dhe edukimin prindëror të dhuruar nga trupa mësimore e komanduese. Si mund të mos kujtoj drejtorin Stavri Angjeli, Gjylizare Çiçon që më mësoi se Shqipëria shtrihet nga Tirana në Prevezë; Adriatik Kallullin që kur fliste për Migjenin, e imagjinonim dhe e ‘ndjenim’ poetin e madh në klasë; Viron Cinxon që të mendoje se Omin dhe Pitagorën i ka mësuar ai? ! A mund të ishim përgatitur fizikisht siç duhet nëse s’do kishim pedagog Ismet Bellovën, Tomorr Dibrën, Bejkush Birçen etj. Si të mos bëheshim ushtarakë të mirëfilltë e drejtues ekselent kur simbole të tillë ishin për ne Lutfi Haxhiu, Qazim Kapisyzi, Skënder Bajraktari, Shahin Leka, Kujtim Xhunga, Llukan Garo, Riza Zeraliu e dhjetra e dhjetra të tjerë. Shkrimet e kujtimet vazhdojnë sa të ketë jetë, jeta e jetët fizike e kombëtare deri në pavdekësi. Duke qenë fjalëmbajtës, po e mbyll siç premtova: Sikur të bëhesha përsëri 14 vjeç do ta rifilloja edhe më me dëshirë, vullnet e pasion Shkollën Ushtarake “Skënderbej”, gjithçka që më ka dhënë, është kthyer në pasion… 
Petrit Jazexhi, skënderbegasi që u bë komisar i shkollës “Skënderbej”
Petrit Jazexhi, është një nga skënderbegasit që ka një karrierë të suksesshme në Forcat e Armatosura. Ai arriti që të bëhet dhe të kryej për gjashtë vite detyrën e rëndësishme të komisarit të Shkollës së Mesme të Përgjithshme Ushtarake “Skënderbej”. Petriti ka lindur në vitin 1944 dhe shkollën skënderbej e ka kryer në vitet 1958-1962. Ai ka kryer një sërë detyrash të tjera të rëndësishme si në Korpusin e Burrelit, si titullar i Shkollës së Oficerëve Rezervistë në Zall-Herr, Tiranë, por detyra më e rëndësishme mbetet ajo e drejtuesit në shkollën “Skënderbej”. Ja kujtimet e Petrit Jazexhi për jetën si skënderbegas, karrierën në Forcat e Armatosura dhe atë në krye të shkollës “Skënderbej”:
Duke lexuar dy volumet e para të librit “Skënderbegasit ndër vite…”, të autorëve Kujtim Boriçi e Maksim Fejzulla, natyrshëm u futa thellë në mendime e kujtimet e viteve 1958-1962, kohë në të cilën unë isha për katër vite rresht në bankat e shkollës “Skënderbej”. Sa më shumë faqe të librit lexoja, aq më shumë konstatoja se kisha të përbashkëta dhe unë me jetën e kujtimet e skënderbegasve ndër vite. Dhe mbushesha me kënaqësi, pasi e gjeja veten personazh të këtij libri të mrekullueshëm. Por gjeja edhe jo pak të veçanta, të cilat më nxitën të shkruaj këto radhë. Kur mbarova shkollën shtatëvjeçare, kisha shumë dëshirë të vazhdoja Liceun Artistik “Jordan Misja” në Tiranë, por prindërit më bindën se do të ishte më mirë të ndiqja shkollën “Skënderbej”. Dhe ashtu u bë. Sigurisht, si të gjithë të tjerët, në ditët e para e kishim jo shumë të lehtë që të ambientoheshim, me rregullat e jetës në atë shkollë dhe me rregullat e jetës ushtarake, të paprovuar më parë. Kështu, dalëngadalë, me punën e diferencuar e mjaft të kujdesshme të mësuesve dhe oficerëve komandues, sa vinte e po ambientoheshim, aq sa pasi kaluan muajt e parë në ditarin tim do të shkruaja: “…Vërtetë dëshira ime nuk u realizua për të vajtur në liceun artistik, megjithatë, që në muajt e parë në këtë shkollë, mëdyshja dalëngadalë po shndërrohet në bindje të plotë, aq sa dhe unë ndjehem krenar që jam skënderbegas.” Kam një fotografi të majit të vitit 1959, që është shumë domethënëse, ku dukshëm shprehet gëzimi dhe krenaria ime që isha skënderbegas. Tashmë, në këtë kohë, unë isha i vendosur që të vazhdoja përpjekjet për të përvetësuar sa më mirë mësimet, elementët e stërvitjes, për të arritur rezultate sa më të larta, të cilat do të ishin bazë për formimin tim të përgjithshëm e profesional, në rrugën e bukur e të vështirë të oficerit aktiv, në shërbim të vendit. Isha krenar në atë kohë, po ashtu dhe sot, që kam qenë një nga nxënësit e kësaj shkolle të lavdishme. Kështu, tashmë, mosrealizimi i dëshirës së parë për të ndjekur studimet në lice, tashmë për mua nuk përbënin ndonjë problem, pasi i isha përkushtuar një drejtimi tjetër në jetë, për të cilin kisha objektiva dhe ambicie. I përfundova me rezultate shumë të mira studimet në Shkollën e Mesme të Përgjithshme Ushtarake “Skënderbej” dhe nisa studimet në Shkollën e Bashkuar të Oficerëve në Tiranë. Përfundova me rezultate shumë të mira dhe këtë shkollë, ku u titullova oficer aktiv. Në pritje të emërimeve, ngaqë unë merresha dhe me gjimnastikë, më thanë se isha planifikuar dhe do të emërohesha në shkollën “Skënderbej”. Por të nesërmen, kur u njohëm me emërimet nga kuadri i Ministrisë së Mbrojtjes, m’u shua gëzimi se, me mos emërimin ne shkollën “Skënderbej’, nuk do të kisha mundësi të vazhdoja sportin e gjimnastikës, pasi më kishin caktuar në dispozicion të repartit ushtarak 1045 në Burrel…Teksa vazhdoja stërvitjen për kampionatin kombëtar të gjimnastikës të pragfestave të nëntorit 1964, më thirri trajneri i ekipit dhe më tha se do takoja Petrit Dumen, Shefin e Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë. Pasi u takuam, me të folurën e tij karakteristike, ai më tha: “Adash. Të siguroj që do të jesh pjesëtar i ekipit të gjimnastikës, e para çdo kampionati do të grumbullohesh për një kohë të mjaftueshme!”. Iu përgjigja :”I shërbej Republikës Popullore të Shqipërisë!… U gëzova e nisa stërvitjen. Sigurisht, ishte shumë e vështirë, por munda që deri në vitin 1966 të isha i denjë për të përballuar kërkesat gjithnjë në rritje të sportit të gjimnastikës e të bëja pjesë në ekipin e gjimnastikës të klubit sportiv “Partizani”, ekip që në atë periudhë, u shpall disa herë kampion kombëtar. Në karrierën time, kam kryer detyra të ndryshme , nga komandant kompanie në zbulim në repartin ushtarak Nr. 1045 në Burrel, në degën e stërvitjes së brigadës, e pasi mbarova studimet në Akademinë e Shtabit të Përgjithshëm, më caktuan komisar të Shkollës së Oficerëve Rezervistë të Zallherrit…. Por detyra ime më e rëndësishme në karrierën time ushtarake është ajo e emërimit si komisar i Shkollës së Mesme të Përgjithshme Ushtarake “Skënderbej”. Në këtë mënyrë, unë isha krenar, pasi po shkoja të punoja si titullar në shkollën “Skënderbej”, atje ku unë kisha kaluar katër vite si skënderbegas e kisha hedhur hapat e para të formimit si ushtarak karriere. Në drejtimin e kësaj shkolle, bashkë me dy kolegët e tjerë, për gjashtë vite me radhë, bëmë të mundur që të ruhej e të ngrihej më tej nderi e lavdia e asaj shkolle, e që puna jonë të vlerësohej nga eprorët e drejtues të shtetit të kohës. Me një mobilizim të të gjithë kuadrove, skënderbegasve e punonjësve efektivë të shkollës në atë vit mësimor (viti 1980) , që ishte 35-vjetori i shkollës, të siguroheshin mjedise shembullore e kabinete të pajisura me bazën më moderne të kohës. Po ashtu, edhe aktivitetet e shumta, u mirëpritën nga skënderbegasit dhe të ftuarit në këtë përvjetor. E veçantë, për të cilën ndjehem gjithmonë krenar, është se me këmbënguljen time bëra të mundur , që edhe shkolla “Skënderbej” të kishte bustin e Skënderbeut në sheshin kryesor të saj, me përmasat e duhura, vepër e skulptorit të njohur, artistit Odise Paskali, bërë enkas për këtë shkollë. Gjithashtu me durim e punë të palodhur në këtë 35-vjetor, shkolla “Skënderbej” të kishte më në fund “Muzeun Historik”, në nivelin e merituar shkencor, ku me cilësinë e duhur pasqyroheshin tërë jeta dhe aktiviteti i shkollës që nga krijimi i saj më 28 mars 1945
Zenel Shalari, profesori i njohur i ekonomisë
Profesor Zenel Shalari, skënderbegas i viteve 1970-1974, është ndër emrat e njohur të profesorëve shqiptarë në fushën e ekonomisë, njëkohësisht dhe si administrator i sektorëve të rëndësishëm shtetëror. Aktualisht, ai është pedagog në Fakultetin Ekonomik të Universitetit Shtetëror të Tiranës. Zenel Gjolekë Shalari ka lindur më 05.03.1955 në Gjirokastër. Është i martuar dhe ka dy fëmijë. Shkollën fillore dhe tetëvjeçare i ka kryer në vendlindje, ndërsa në shtator të vitit 1970, nis studimet në Shkollën e Mesme të Përgjithshme Ushtarake “Skënderbej” në Tiranë. Në vitin 1974 përfundon studimet në këtë shkollë me rezultate shumë të mira, duke qenë pjesë e grupit të studentëve të përzgjedhur që do të vazhdonin studimet në degë të ndryshme në Universitetin Shtetëror të Tiranës, si kontingjent i Ministrisë së Mbrojtjes. Në shtator të vitit 1974, Zeneli nis studimet fa degën e Ekonomisë Politike në Fakultetin e Ekonomisë në Universitetin Shtetëror të Tiranës. Studimet i mbaron dhe diplomohet në vitin 1979. Pas kualifikimeve pasuniversitare, në vitin 1993, ai merr gradën shkencore “Doktor i Shkencave”. Aktiviteti shkencor i Zenel Shalarit është i gjerë dhe i shumanshëm, i vlerësuar nga ekspertët më të mirë të vendit dhe të huaj. Ai ka marr pjesë në shumë projekte të rëndësishme si në Shqipëri, ashtu dhe jashtë vendit si në projektet: “Reformimi i sistemit të mbrojtjes shoqërore”-Banka Botërore; Shpërndarja e shërbimeve sociale” -Banka Botërore; “Rekrutimi i varfërisë në Shqipëri” -Banka Botërore; “Sfidat dhe zhvillimi i sipërmarrjes në vendin tonë”-GTZ-ja; “Probleme të industrisë vendase të birrës në kuadrin e proceseve integruese financiare” –financuar nga GTZ-ja. Zeneli njeh gjuhët e huaja anglisht dhe italisht.
Drini Nikolla, edukator i 8 brezave skënderbegasish, ushtarak madhor e diplomat
Në brezin e mësuesve, edukatorëve dhe komanduesve të skënderbegasve, është dhe kolonel Drini Nikolla, një ushtarak me karrierë të suksesshme deri në rangjet e larta të Shtabit të Përgjithshëm e Ministrisë së Mbrojtjes, si dhe në diplomaci. Duke qenë mësues dhe komandues për tetë vite në shkollën “Skënderbej” e disa vite edhe në Shkollën e Lartë të Bashkuar të Oficerëve, me punën, profesionalizmin dhe përkushtimin e tij, Drini ka arritur një sërë suksesesh dhe vlerësimesh në karrierë, përfshi dhe në diplomaci. 
Kolonel Drini Nikolla është lindur në vitin 1961 në Delvinë. Ai ka mbaruar shkëlqyer Shkollën e Mesme të Përgjithshme në Delvinë (1976-1980). Pas mbarimit të studimeve në Shkollën e Lartë të Bashkuar të Oficerëve (1981-1984), në korrik 1984 u emërua komandant toge (’84-’90) dhe komandant kompanie (’90-’92) në Shkollën e Mesme Ushtarake “Skënderbej”. Më pas emërohet në detyra të ndryshme drejtimi e komandimi, si shef zyre, shef seksioni, shef sektori, deri në Shef Shtabi të Forcës Ajrore (2015) dhe Drejtor i Drejtorisë së Inspektimit të Përgjithshëm në Ministrinë e Mbrojtjes (2010-2011). Gjatë karrierës ushtarake ka kryer detyra komandimi, si komandant kompanie në Shkollën e Lartë të Bashkuar të Oficerëve (1993-1994), komandant i Policisë Ushtarake të Forcave të Armatosura (2005-2008), komandant i Brigadës së Stërvitjes Bazë (2008-2010), si dhe komandant i Qendrës së Personel-Rekrutimit (2011-2012).Më 1 shtator 2012, caktohet Atashe i Mbrojtjes në Athinë, Greqi, ku shërbeu deri në shtator 2015. Me rikthimin e sistemit të gradave në Forcat e Armatosura, në vitin 1991, gradohet “Kapiten”, në vitin 1994 “Kapiten I”, në vitin 1996 “Major”, në vitin 2000 “Nënkolonel” dhe në vitin 2007, merr gradën “Kolonel”. Kolonel Drini Nikolla ka ndjekur studime të ndryshme në Akademinë e Mbrojtjes në Tiranë, Akademinë e Luftës në Selanik, Kolegjin e Mbrojtjes në Athinë, si dhe disa kualifikime afat shkurtra brenda dhe jashtë vendit. Gjatë karrierës së tij, Kolonel Drini Nikolla ka marrë 12 dekorata dhe medalje ushtarake për punë dhe kontribut të shquar. Kolonel Drini Nikolla flet greqisht dhe ka njohuri të mira në gjuhën angleze.
Ai është i martuar dhe ka dy vajza.
Aktori i njohur i humorit, skënderbegasi
Arqile Lipe, “Artist i Merituar”


Skënderbegasi Arqile Lipe, i vlerësuar me titullin e lartë “Artist i Merituar” është një nga aktorët e njohur shqiptar të estradës. Arqile Lipe u lind më 17 shkurt të vitit 1949 në Fier dhe banon në këtë qytet. Ai është një nga nxënësit e Shkollës së Mesme të Përgjithshme Ushtarake “Skënderbej” që ka arritur të bëj emër si aktor, kryesisht në fushën e humorit. Rolet që ai ka interpretuar janë të shumtë dhe kanë lënë mbresa jo vetëm tek shikuesit e kohës, por dhe për brezat më vonë. Arqile Lipe, pasi mbaroi shkollën fillore dhe atë shtatëvjeçare në vendlindje, i del e drejta e studimit për në Shkollën e Mesme të Përgjithshme Ushtarake “Skënderbej”. Këtë shkollë ai e nis në shtator të vitit 1963 dhe e përfundon në vitin 1967. Por ndryshe nga pjesa më e madhe e shokëve të tij të klasës që vazhduan arsimimin e mëtejshëm në shkolla të ndryshme ushtarake dhe iu përkushtuan karrierës në këtë fushë, jeta e Arqile Lipes pati tjetër udhë. Ai u shkollua dhe ia kushtoi jetën artit. Ai spikati qysh në lëvizjen amatore të qytetit, por profilin e tij artistik e konsolidoi në Estradën e Fierit, qysh kur u emërua aty si aktor profesionist në vitin1971. Ka një mimikë shprehëse, të planit komik. Gjestikulimi i tij është i shkathët. Përdor forma burleske, me zmadhimin e një tipari komik. Po ashtu, në aktrimin e tij bie në sy bufonada, karikaturizimi i tipave, zhdërvjelltësia plastike. Fatmiri është një nga kupletistët dhe parodistët e hijshëm të teatrit të estradës. Ai është bërë i njohur posaçërisht në një nga interpretimet e tij më të spikatura bashkë me aktorin Todi Llupi, në parodinë “Do martojmë Malon”, më 1982. Të shumta janë rolet e tij, kryesisht në komedi me një akt, në skeçe, parodi, kuplete, monologë, pantomina, dialogë etj. Ndër rolet kryesore të tij mund të përmendim: Fshatarin tek “Një shkrimtar në kullë”; zëvendësministrin tek “Bashkëfshatarët”, kryeplakun tek “Anekdotat e humorit popullor; brigadierin tek “Kontakte dhe Izolatorë”(1984); punëtorin tek “Kënga e Gjyles”(1985), Llazi tek “Rexha ka thirrur rojet”(1987); fshesaxhiu tek “Plakemi me hallet e botës”; shkrimtari tek “Çobua me shkrimtarin”(1989) etj…. Gjithashtu, Arqileja ka luajtur role në komedi të plota, si Mirashi tek “Flokë dëbore” në prill 1982; avokati tek “Një budalla e gjysmë”(1995); fshatari tek “Lamtumirë fukarallëk”(1996); çalamani tek “Me trap drejt Europës; polici tek “Pazari” (2004).Në vitin 1989 i është dhëne titulli “Artist i merituar”.
Prefekti i Elbasanit, gjeneral major Maksim Malaj
Gjeneralmajor Maksim Malaj, lindi në 13 dhjetor 1958. Ka përfunduar Shkollën Ushtarake “Skënderbej” dhe Shkollën e Lartë të Bashkuar të Oficerëve e shumë kualifikime të tjera, më pas. Në 1981-1982 ka qenë instruktor i Përgatitjes së Zjarrit në Shkollën e Instruksionit në Zall-Herr, më tej për pesë vjet instruktor stërvitjeje; instruktor në Degën e Stërvitjes në Divizionin
e 8 të Këmbësorisë; komandant Batalioni, këmbësor e territorial. Në vitin 1992-1993, instruktor në Degën e Stërvitjes në Divizionin e 8 të Këmbësorisë; në 1993-1994 shef operacional në Njësinë Ushtarake nr. 1105; në 1994-1997, instruktor në Degën e Stërvitjes në Divizionin e 8-të të Këmbësorisë; në 1997-2005, inspektor në Drejtorinë e Inspektimit të Ministrit të Mbrojtjes; në 2005- 2007, shef Shtabi i Brigadës së Reagimit të Shpejtë dhe në 2008 komandant i saj. Detyrën e SHSHP e ka kryer nga 2008 deri në 8 gusht 2011. Gjatë periudhës që Maksim Malaj ka qenë
në krye të FASH, Shqipëria është pranuar anëtare me të drejta të plota në strukturën më jetëgjatë të sigurisë së kombeve në NATO
Shënim: Jetëshkrimi i plotë i gjeneral Maksim Malajt, është përfshirë në pjesën e parë të “Skënderbegasit ndër vite…”, botim i vitit 2016, faqe 305.
Vijon…