Si u mbyt vapori “Mati” në brigjet e Konstancës. Radiogrami, urdhëri i Gjeneralit dhe reagimi i shtetit rumun

1092
Sigal

RADIOGRAMI

“Na ndihmoni, po mbytemi”

Tepër Urgjent, Ambasadës Shqiptare Bukuresht: “Më datën 12 tetor në mbrëmje mbërritëm në radën e Konstancës, vapori pësoi një defekt të rëndë, iu këput palla e timonit. Menjëherë njoftuam organet kompetente portuale të Konstancës, duke i kërkuar të na rimorkiojnë dhe të na futin në port, në kalatë, por nuk kemi asnjë përgjigje, me gjithë kërkesat tona të përsëritura. Jemi në mëshirën e fatit sepse vapori ikën ku e shpien dallgët e detit, ka fortunal që arrin deri 10 ballë dhe nga momenti në moment gjendja po behet tepër e rrezikshme për jetën tonë, kemi dhënë “SOS”. Nuk hymë dot në lidhje me radio me portin e Durrësit. Ndërhyni, presim ndihmë.” Kapiteni i vaporit “Mati”Adem Jaupi.

 KUJTIME / Udhëtimi i vaporit nga porti i Durrësit për të Konstancë. Defekti dhe fortunali që vunë në rrezik jetën e marinarëve. Menaxhimi i situatës nga Ambasada Shqiptare në Bukuresht

 Si u mbyt vapori  shqiptar “Mati” në brigjet e Konstancës

Nesip KAÇI

Me 16 tetor 1976, rreth orës 16, postieri i shërbimit të PTT së Bukureshtit solli në ambasadë një telegram. Sekretari i tretë i ambasadës, i ndjeri Osman Osmani, që e priti postierin, me ta marrë këtë telegram, e solli menjëherë në zyrën time, në fytyrën e tij vura re një shqetësim të madh. Ai më dha telegramin dhe i tronditur me tha: “Shoku ambasador, vapori “Mati” ka dhënë “SOS” (shpëtoni shpirtrat tanë).

E lexova telegramin me të shpejtë, ishte i shkruar me germat e alfabetit rumun, por përmbajtja e fjalëve ishte shqip. Në telegram thuhej: Tepër Urgjent, Ambasadës Shqiptare Bukuresht: “Me datën 12 tetor në mbrëmje mbërritëm në radën e Konstancës, vapori pësoi një defekt të rëndë, iu këput palla e timonit. Menjëherë njoftuam organet kompetente portuale të Konstancës, duke i kërkuar të na rimorkiojnë dhe të na futin në port, në kalatë, por nuk kemi asnjë përgjigje, me gjithë kërkesat tona të përsëritura. Jemi në mëshirën e fatit sepse vapori ikën ku e shpien dallgët e detit, ka fortunal që arrin deri 10 ballë dhe nga momenti në moment gjendja po bëhet tepër e rrezikshme për jetën tonë, kemi dhënë “SOS”. Nuk hymë dot në lidhje me radio me portin e Durrësit. Ndërhyni, presim ndihmë.” Kapiteni i vaporit “Mati”Adem Jaupi.

Radiogrami urgjent

Unë, që kisha një muaj e gjysmë në detyrën e ambasadorit, as vetë nuk dija se si veprohej në këto raste, por puna e parë që bëra, thirra Margaritin, radistin e ambasadës dhe i thashë: “Bëj ç’është e mundur, futu urgjent në lidhje me Tiranën dhe transmetoi këtë telegram që na ka dërguar kapiteni i vaporit “Mati”, ndërkohë i thashë Osmanit që t’i thërriste në zyrën time gjithë punonjësit e ambasadës. Pasi i vura në dijeni për gjendjen në vaporin “Mati”, ndamë detyrat për secilin punonjës të ambasadës, që të ndërhyhej në të gjitha instancat e vendit ku jemi akredituar për të shpëtuar jetën ekuipazhit të anijes, si në Ministrinë e Punëve të Jashtme, në Ministrinë e Tregtisë se Jashtme, në Ministrinë e Transport-Komunikacionit e të tjera. Ndërkohë Margariti më njoftoi se telegramin e mori Radiopërgjimi i Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Tirana u vu në dijeni për gjendjen në vaporin “Mati”.

Udhëtimi për Konstancë

Pas kësaj, në orën 17 u nisa për në portin e Konstancës bashkë me Osmanin dhe nga Bukureshti deri në Konstancë 285 km e kemi bërë shumë shpejt, për dy orë me një Benz-mercedes 280, që drejtohej nga një shofer profesionist Shyqri Muça, tiranas. Pas dy ore Shyqi na futi në port. Aty shkuam drejt dhe te Drejtori i Përgjithshëm i portit, gjenerali Hirjeu (Herzheu) Këtë gjeneral e kish emëruar vetë Çeaushesku për të vendosur rregull dhe disiplinë pune në port. Ky gjeneral kishte mbaruar studimet e larta në Bashkimin Sovjetik dhe gjatë studimeve kishte zënë shumë shokë shqiptarë, për të cilët kishte shumë respekt, si të thuash kishte nostalgji dhe i përmendte me emra. Por dhe ne e mbanim ashtu si duhej. Ai ishte duke dalë nga zyra dhe sa e njoftuan se ka ardhur Ambasadori i Shqipërisë, u kthye në zyrë dhe më priti.

Urdhri i Gjeneralit

Pasi u përshëndetëm, me pyeti se ç’të solli në këtë orë dhe në këtë qamet në Konstancë. Në atë kohë binte një shi i madh me furtunë e një qamet që nuk përshkruhet. Unë atëherë sa kisha vajtur në Rumani dhe nuk dija rumanisht, por Osmani që kishte mbaruar studimet e larta në atë vend dhe fliste një rumanishte të pastër, i përktheu se ç’kishte ndodhur me vaporin tonë “Mati”, i cili kishte dhënë “SOS” në radën e Konstancës. I theksuam se kapiteni i vaporit, për defektin e rëndë që ka pësuar anija, i ka kërkuar organeve portuale kompetente ta ndihmojnë, ta rimorkiojnë dhe ta fusnin në port, në kalatë, por nuk ka marrë asnjë përgjigje. Gjenerali menjëherë thirri në zyrë ndihmësit e tij dhe u dha urdhër të prerë të niset sa më parë te vapori “Mati” rimorkiatori më i madh që ka porti i Konstancës dhe puna e parë të shpëtohet ekuipazhi i anijes dhe çdo gjysmë ore do të më raportoni rezultatin e nxjerrjes së njerëzve në tokë.

Shqetësimi

Duke qenë në zyrën e tij, na merr në telefon nga Bukureshti këshilltari tregtar i ambasadës sonë Simon Poreci, i cili pasi na pyeti si mbërritëm në Konstancë, na tha se ju kërkon Tirana në telefon, kërkon të dijë se ç’po bëhet për të shpëtuar jetën e njerëzve. I thamë se jemi në Drejtorinë e Përgjithshme të portit dhe gjeneral Hirjeu dha urdhër të niset te vapori “Mati” një rimorkiator për ta tërhequr dhe për ta futur në port, në kalatë. Pas gjysmë ore na telefonoi nga Tirana zëvendësministri i Transportit dhe Komunikacionit Llambi Leka, i cili më pyeti imtësisht për përpjekjet që bëhen për të shpëtuar jetën e marinarëve dhe nëse është qetësuar diçka deti. E njoftova për përpjekjet që po bënim për ta tërhequr vaporin në port, në kalatë, i thashë gjithashtu se deti është shumë i egërsuar dhe vazhdon fortunali deri 10 ballë.

Rreziku

Në këtë kohë kapitaneria e portit njoftoi me radio gjeneralin Hirjeu se dërguam te vapori “Mati” rimorkiatorin më të madh që kemi, “Mihai Viteazu”, i cili, me gjithë vështirësitë që shkaktojnë dallgët shumë të larta, iu afrua vaporit shqiptar, hodhi disa herë me raketë cimat mbi vaporin “Mati”, por nuk po del askush që t’i lidhë me vaporin, sepse me sa duket dallgët e forta e flakin njeriun në det, kështu që rimorkiatori u largua ca nga vapori, se rrezikohet nga ndonjë përplasje me të dhe pret që të dalë dikush nga ekuipazhi i vaporit, t’i bëjë shenjë që t’i afrohet përsëri vaporit për të hedhur e lidhur cimat. Pas rreth një çerek ore kapitaneria njoftoi se vaporit “Mati” në mënyrë të menjëhershme iu fikën të gjitha dritat dhe nuk jep asnjë shenjë jete, nuk ka asnjë dritë të ndezur. Ndërkohë errësira e natës kishte pllakosur krejt portin. Ky njoftim na helmoi dhe na tronditi të gjithëve, duke menduar se ç’mund të ketë ndodhur me vaporin, me njerëzit, si nuk doli njëri të lidhte cimat dhe pse u fikën dritat në mënyrë të menjëhershme.

Biseda me Adil Çarçanin

Tashmë ora kishte shkuar 21 e 30. Unë këtë njoftim ia transmetova zëvendësministrit Llambi Leka. Në det nuk dukej asgjë, vetëm errësirë e tmerrshme. Pas pak minutash më morën përsëri në telefon nga Tirana, centralistja me tha: “Shoku Nesip: foli këtu një shoku. E mora me mend se mund të jetë ndonjë nga udhëheqja e lartë. Shoku ambasador,- me tha – Adil Çarçani jam. Dhe menjëherë më pyeti se ç’po bëhet për të shpëtuar jetën e njerëzve tanë sepse njoftimet që na dhatë nëpërmjet shokut Llambi tregojnë se jeta e ekuipazhit të vaporit “Mati” është vënë në rrezik të madh prandaj, kërkoni nga qeveria rumune që të bëhet ç’është e mundur, të dërgohen helikopterë nga ajri, për të shpëtuar jetën e njerëzve tanë. Ndërhy në instancat më të larta për të nisur sa më parë helikopterë për të nxjerrë ekuipazhin në tokë, në të kundërt, në bazë të konventave ndërkombëtare të detit, gjithë përgjegjësia bie mbi qeverinë rumune, se vapori ynë është vapor linje Durrës-Konstancë dhe është në portin e tyre, e kanë të dera e shtëpisë dhe nuk mund të pranohet një indiferencë e tillë e tyre për jetën e njerëzve tanë. Për çdo zhvillim na njofto, me tha ai. Adil Çarçani, atëherë ishte zëvendëskryetar i parë i Këshillit të Ministrave, Kryeministër ishte Mehmet Shehu.

Kërkesat për ndihmë

Pas kësaj bisede telefonike me Tiranën, nga zyra e Drejtorit të Përgjithshëm të Portit të Konstancës dhe në pranin e tij, iu luta të më lidhnin me Ministrinë e Punëve të Jashtme Rumune në Bukuresht, ndërkohë ora po shkonte 22:00 dhe në këtë orë nuk ka njeri në zyra, por për fat u ndodh në zyrë një nga zëvendësministrat e Jashtëm, Kornel Pakosta, të cilit Osmani, në emrin tim, i shpjegoi problemin dhe i kërkoi që të ndërhyhej me helikopterë për të nxjerrë njerëzit tanë nga anija në tokë. Në qoftë se kjo ndërhyrje nuk varej nga Ministria e Jashtme, i kërkova të më lidhte me ministrin e Mbrojtjes, Jon Koman. Zëvendësministri i Jashtëm me tha se do merrem vetë me këtë punë dhe do të të njoftoj rezultatin. (Më pas mësova se Kornel Pakosta kish punuar edhe në Shqipëri në ndërtimin e hekurudhës Tiranë-Durrës me brigadën rumune vullnetare të rinisë.)

Alarmi

Pas disa minutash zëvendësministri i Punëve të Jashtme më telefonoi dhe me tha se ishte lidhur me komandantin e forcave ajrore të Konstancës dhe ai i kishte thënë se, kjo punë sonte natën kurrsesi nuk mund të bëhet sepse jemi në stërvitje ushtarake në kuadrin e Traktatit të Varshavës, është dita e tretë dhe për arsye se Rumania nuk pranon të hyjë në territorin e saj trupat ushtarake sovjetike, por vetëm shtabet e stërvitjes, është vendosur që nga ora 18 deri në orën 6 të mëngjesit të mos ngrihet në ajër asnjë helikopter apo avion ushtarak nga të dy palët, ndryshe do të goditen nga artileria kundërajrore, anijet luftarake sovjetike me trupa janë në ujërat ndërkombëtare para Konstancës dhe ne nuk mund të krijojmë incidente. Këto më tha zëvendësministri Kornel Pakosta dhe shprehu keqardhje për sa kish ndodhur në vaporin tonë. Në këto rrethana, i thashë, si do bëhet për të nxjerrë ekuipazhin e anijes nga deti dhe menjëherë i kërkova ose të fliste vetë ai me ministrin e Mbrojtjes Jon Koman ose të më lidhte mua me të me telefon se situata nuk pret. Po, tha ai dhe për pak minuta Ministria e Jashtme më lidhi me telefon me ministrin e Mbrojtjes Jon Koman në shtëpi.

 

FJALËT E ADIL ÇARÇANIT

“Ç’po bëhet për të shpëtuar jetën e njerëzve tanë sepse njoftimet që na dhatë nëpërmjet shokut Llambi tregojnë se jeta e ekuipazhit të vaporit “Mati” është vënë në rrezik të madh prandaj, kërkoni nga qeveria rumune që të bëhet ç’është e mundur, të dërgohen helikopterë nga ajri, për të shpëtuar jetën e njerëzve tanë. Ndërhy në instancat më të larta për të nisur sa më parë helikopterë për të nxjerrë ekuipazhin në tokë, në të kundërt, në bazë të konventave ndërkombëtare të detit, gjithë përgjegjësia bie mbi qeverinë rumune, se vapori ynë është vapor linje Durrës-Konstancë dhe është në portin e tyre, e kanë të dera e shtëpisë dhe nuk mund të pranohet një indiference e tillë e tyre për jetën e njerëzve tanë. Për çdo zhvillim na njofto”

TELEFONATA ME MINISTRIN E MBROJTJES

Si u mobilizua shteti rumun në ndihmë të shqiptarëve

Ministrit të Mbrojtjes Jon Koman, Osmani i tha se ju flasim nga Konstanca në emër të ambasadorit të Shqipërisë nga zyra e Drejtorit të Përgjithshëm të portit gjeneralit Hirjeu dhe pasi i shpjegoi problemin, i kërkoi të urdhëronte nisjen e helikopterëve për nxjerrjen e njerëzve tanë nga deti. Gjendjen dhe situatën e vaporit shqiptar, tha ai, e di, se me ka informuar zëvendësministri i Jashtëm Pakosta, por kjo kërkon pak kohë sa të njoftojmë partnerët tanë të jashtëm në stërvitjen ushtarake, që po zhvillohet në atë rajon, që t’i shpjegojmë motivet e ngritjes së dy helikopterëve tanë për t’i shkuar në ndihmë vaporit shqiptar, që ka dhënë “SOS”. Sa të kryhen këto veprime, që nuk e përcaktojmë dot sa kohë duan, se momenti nuk është i volitshëm, është pothuaj mesnatë dhe nuk dihet ç’përgjigje do marrim nga komandanti i luftanijeve sovjetike, do të jetë më e shpejtë ndihma për anijen tuaj, -tha ministri i Mbrojtjes Jon Koman, po të ndërhyhet me mjete nga deti me rimorkiatorët e portit. Dhe në moment kërkoi të fliste vetë me Drejtorin e Përgjithshëm të Portit, gjeneralin Hirjeu. Pasi foli me gjeneralin, ministri i Mbrojtjes Koman e mbylli telefonin. Për ndërhyrjet pranë autoriteteve rumune nga Konstanca vura në dijeni me telefon zëvendësministrin Llambi Leka si dhe ministrinë tonë të Punëve të Jashtme. Duhet theksuar se këto dy ministri nga Shqipëria mbanin lidhje me telefon me ambasadën tonë në Bukuresht, ku ishin në ndjekje të problemit këshilltari tregtar Simon Poreci dhe sekretari i parë Idriz Shehu si dhe me mua dhe Osmanin në Konstancë. Ndërkohë kapitaneria e portit njoftoi se nga deti kanë dalë dy persona të huaj dhe janë kapur nga roja bregdetare e ushtrisë, të cilët i kanë vendosur në zyrat mbikëqyrjes të sigurimit të ushtrisë, asnjeri prej tyre nuk flet rumanisht dhe gjatë kapjes nuk kanë bërë rezistencë. Ne na shkoi mendja se mos ishin marinarë të anijes “Mati” dhe i thamë gjeneralit të shkonim t’i shikonim, por ai na tha se nuk e besoj, mund të jetë tjetër gjë, mund të jenë agjentë të futur nga zbulimi i ushtrisë sovjetike, me të cilët kohët e fundit kemi pasur grindje për arsye se nuk kemi pranuar t’i lejojmë të hynë me trupa në territorin tonë për stërvitje, por vetëm me shtabe, se ata po u futën vështirë se dalin, na kanë kërkuar të vendosin një bazë ushtarake të tyren në Rumani, por Çaushesku e ka refuzuar kategorikisht. Por, – tha gjenerali, – po të doni i shikoni dy personat e kapur nga roja bregdetare e ushtrisë.