RRËFEN IKONA E KULTURËS PËRMETARE PROF. KASTRIOT BEZATI

109
Albert Z. ZHOLI

Kur i vura 9 Pranvera Hoxhës, gjithë klasa shpërtheu në habi
INTERVISTË/ Flet Prof. Kastriot Bezati, ish-drejtor për 36 vjet i Kulturës dhe muzeve në Përmet
-S’e dija që Pranvera ishte vajza e Enver Hoxhës, por s’më bëri përshtypje
– Kur u inaugurua muzeu i vëllezërve Frashëri, Naimja, vajza e Nevrezit, mbesa e Naim Frashërit, rrinte e vetmuar
– Aleks Buda dhe ministri Arsimit, Thoma Deliana, më thanë t’i flisja të vinte brenda në muze
– Naimja kishte kushëri të parë Mithat Frashërin, armikun e Enver Hoxhës
Në përurimin e busteve të vëllezërve Frashëri në Frashër të Përmetit, ku ju ishit organizator dhe nismëtar i vendosjes së tyre kush nga autoritetet shtetërore erdhi në inaugurim? Çfarë të veçantash kishte ai inaugurim?
Inaugurimi i busteve të vëllezërve Frashri në Frashër të Përmetit u bë më 16 qershor të vitit 1974. Për mua mbetet një nga ditët më historike të jetës sime, pasi shtëpia e tyre u kthye në muze dhe u vendosën bustet e tyre aq të bukur. Një peizazh i rrallë, një inaugurim madhështor dhe një respekt i madh për këta rilindës kaq të mëdhenj që luftuan në mënyrën më të bukur që Shqipëria të bëhej shtet më vete. Në këtë datë historike nga Tirana kishte ardhur Kryetari i Akademisë së Shkencave Aleks Buda dhe ministri Arsimit Thoma Deliana. Ajo ditë u kthye në një festë madhështorë. Kishin ardhur njerëz nga të gjitha fshatrat e Përmetit madje edhe nga Tepelena dhe Gjirokastra. Një ditë e madhe për rilindësit e mëdhenj. Fjalën e hapjes e mbajta unë pastaj folën Kryetari i Akademisë së Shkencave Aleks Buda dhe ministri Arsimit Thoma Deliana. Fjala e tyre u prit me duartrokitje të mëdha. Secili foli me gjuhën e vet duke sjell të reja nga jeta dhe veprimtaria e vëllezërve Frashëri. Po ajo që më bënte përshtypje në atë ditë ishte se në oborrin e shtëpisë, kur ne u futëm të shikonim brenda shtëpinë muze, qëndronte Naime Rusi, nëna e ish-volejbollistit të madh Asllan Rusi. Ajo thuajse qëndronte e vetme në oborr dhe e tërhequr. E pashë nga dritarja disa herë dhe më vinte keq..
Po përse të vinte keq? Kush është në fakt Naime Rusi që ju ka bërë aq përshtypje vetmia e saj?
Po! Naime Rusi është nëna e Asllan Rusit volejbollistit të madh. Por nga ana tjetër ajo është vajza e Nevrez dhe Shahin Kolonjës. Nevrezi ishte vajza e Naim Frashrit. Ndërsa Shahin Kolonja ishte një patriot i shquar shqiptar, aktivist i përpjesëtimeve kombëtare, me kontribut të jashtëzakonshëm për Rilindjen shqiptare. Ka lindur në vitin 1865 në fshatin Starje, të rrethit të Kolonjës. Ka mbaruar arsim fillestar në Korçë arsim të mesëm dhe shkencë juridike në Stamboll në vitin 1895. Merita më e madhe e Shahin Kolonjës për Rilindjen shqiptare ishte puna e tij si botues dhe kryeredaktor i gazetës “Drita” nga viti 1901 deri në vitin 1908, që dilte nën moton “Shqipëria e shqiptarëve”. Ajo ishte një gazetë demokratike dhe patriotike dhe luajti një rol të madh për aktivizimin e lëvizjes Nacional-Çlirimtare shqiptare. Duke mbajtur lidhje me aktivistë të shquar në Shqipëri dhe në kolonitë shqiptare në vende të ndryshme Shahin Kolonja në faqet e gazetës “Drita” pasqyronte luftën dhe përvijonte detyrat që qëndronin para patriotëve shqiptarë. Jepte shumë ide dhe propozime të reja. Personalisht Shahin Kolonja mori pjesë në veprimtarinë e patriotëve shqiptarë në Shqipëri ose në vendet fqinje. Ai luajti një rol udhëheqës në klubin “Bashkimi” në Manastir, krahas Gjergj Kirijazit. Bashkë me Vëllezërit Topulli dhe patriotë të tjerë shkoi në Shkup “për ta propaganduar idenë kombëtare”. Gjatë vitit 1905 Shahin Kolonja merrte pjesë aktive në themelimin e komitetit “Për lirinë e Shqipërisë”. Ai vizitoi Bukureshtin, Kjustenxhën dhe Egjiptin për t’i bindur bashkatdhetarët e tij që të hyjnë në këtë Komitet ose ta ndihmojnë veprimtarinë e tij. Jo rastësisht gazeta “Drita”, e importuar në mënyrë ilegale në Shqipëri, kishte një ndikim të veçantë mbi patriotët shqiptarë atje. Mbi çështjet më të rëndësishme të Lëvizjes nacionaliste ai zinte pozitë të drejtë – luftë kundër armikut kryesor – pushtuesit osman dhe mbështetësve të tij. Ndërsa Nevrezi është vajza e Naim Frashërit. Por nga ana tjetër Nevrezi kishte djalë xhaxhai Mit’hat Frashërin, i cili kishte pasur divergjenca të mëdha me Enver Hoxhën. Mit’hati ishte i biri i Abdyl Frashërit dhe nipi i Sami Frashërit dhe Naim Frashërit. Ai e njohu shumë pak babain e tij dhe u rrit nën kujdesin e Samiut dhe Naimit. Edukimin akademik e mbaroi në Stamboll. Pas mbarimit të shkollës, deri në vitin 1905, punoi në administratën osmane dhe më pas kaloi në administratën shtetërore në Selanik. Ka qenë pjesëtar i klubit të Selanikut. Nisi të aktivizohet në politikën shqiptare që në fund të shekullit XIX. Një nga figurat më të spikatura në politikën shqiptare në gjysmën e parë të shekullit XX. Në vitin 1908, ai fillon botimin e gazetës “Liria” në Selanik. Gjatë kësaj periudhe bashkëpunoi ngushtë me Kristo Luarasin, i cili drejtonte shtypshkronjën/shtëpinë botuese “Mbrothësia”. Ai mori pjesë në Kongresin e Manastirit më 14 nëntor – 22 nëntor 1908. Mit’hat bej Frashëri u zgjodh kryetar i Kongresit dhe nënkryetar i Komisionit për hartimin e alfabetit, kryetar i Komisionit ishte Gjergj Fishta. Në moshën 32-vjeçare u largua përfundimisht nga Stambolli dhe udhëtoi për në Shqipëri duke kaluar nga Kosova në Shkup dhe pastaj në Elbasan. Në vitin 1912, në Qeverinë e Shqipërisë e krijuar nga Ismail Qemali ai u zgjodh ministër i botores. Më 30 mars 1913, dha dorëheqje nga detyra prej indinjatës kundrejt qëndrimit të kryeministrit ndaj rrethimit të Janinës. Më 20 janar 1914, në një letër që i dërgoi gazetës “Përlindja e Shqipëniës”, së bashku me G. Cilka e Taq Buda, shkruanin: “…duam të blejmë një kalem të florinjtë që t’ia dhurojmë zj. Edith Durham si kujtim për shërbimet që i ka bërë kombit tonë me shkrimet dhe botimet e saj”. Këtë nismë të Mit’hat Frashërit, për blerjen e kalemit të artë, kjo gazetë e pati botuar më herët, në dy letra, përkatësisht më 7 dhe 10 janar. Mirëpriti ardhjen e Princ Vidit në Shqipëri dhe ndihmoi në Ministrinë e Punëve të Jashtme. Pas largimit të Princ Vidit, Mit’hat Frashëri u largua nga Shqipëria dhe deri në vitin 1918 jetoi në disa shtete të Ballkanit. Botoi në Sofje librin “Shënime mbi një udhëtim në Zvicër” më 1915. Në vitin 1916 u vendos në Bukuresht ku u arrestua nga policia dhe u internua në Moldavi. Në vitin 1918, me mbarimin e Luftës së Parë Botërore, u lejua të largohet dhe vendoset në Luzern, Zvicër. Aty ai i drejtohet me një promemorie konferencës në të cilën po përgatitej krijimi i Mbretërisë Serbo-Kroate-Sllovene. Në promemorie ai deklaron “Pa zgjidhjen e problemit shqiptar nuk do të ketë as Jugosllavi të re dhe as një zgjidhje përfundimtare të kufinjve në Ballkan”. Në vitin 1920 ai u vendos në SHBA. Kurse u kthye në Shqipëri në vitin 1922. Në janar 1923 filli detyrën e Ministrit Fuqiplotë të Republikës së Shqipërisë në Athinë. Këtë detyrë e kreu deri në dhjetor 1925. Sipas Mehdi bej Frashërit: “Më 1924-1925 kishte qenë përfaqësues i Shqipërisë në Athinë, i cili interesohej tepër për gjendjen e mjerueshme të shqiptarëve në Çamëri”.Në vitin 1927, filloi të botojë sërish në Tiranë, revistën “Diturija” të cilën e kishte themeluar në Selanik më 1909 dhe më vonë në Bukuresht gjatë qëndrimit atje. Në Tiranë themeloi librarinë “Lumo Skëndo”. Ne 4 prill 1929 Mit’hat Frashri në testamentin e tij thotë:
“Çë kam pasuri të tundshme ose të patundshme, libra, mobilla, karta, plaçka etj. i lë për krijimin’ e një “INSTITUT ALBANOLOGJIE” që të jetë një qëndër e studimevet shqipëtare, të mprojë, të shvillojë, të qendrësojë dhe të udhëheqnjë studimetë që përkasin Shqipërinë dhe Shqipëtarëtë.”
Në vitin 1939, pas pushtimit të vendit nga Italia fashiste vendos të rikthehet aktivitetit politik. Pak muaj pas hyrjes së italianëve disa krerë mblidhen për të venduar një qëndresë të mundshme me bekimin e ardhur nëpërmjet Ali Këlcyrës prej stafit të Édouard Daladier. Pak ditë mbas hyrjes së italianëve nisi grupimi, dhe në shtator të 1939 nisi riorganizimi. Merr pjesë në Konferenca e Mukjes në gusht 1943. Kundërshtar i Partisë Komuniste të Shqipërisë, u detyrua në nëntor 1944, të largohet nga Shqipëria dhe të vendoset në Itali. Pra Naimja e kishte djalin e xhaxhait Mit’hatin shikohej me sy te keq nga Enveri për shkak të Mit’hat Frashërit ndaj rrinte e tërhequr atë ditë. Pra lavdia e asaj dite i takonte asaj.
-Po ju si vepruat?
Kur e pashë në atë situatë i them menjëherë Thoma Delianës dhe Aleks Budës se jashtë ishte Naimja, mbesa e vëllezërve Frashëri. Ata më thanë, ftoje brenda. Shkova dhe e ftova. Ajo shtangu. Nga sytë i rrodhën lot. Ishte një moment shumë delikat për mua, pasi kjo grua e mirë kishte marrë pjesë në Ceremoninë e ardhjes së eshtrave të Naimit nga Turqia në 2 qershor 1937. Pra mori pjesë e nderuar në kohën e Zogut dhe tani lihej në heshtje në sistemin komunist. Ndjeva se bëra një detyrim ndaj Frashërit dhe mesazhit të Frashërllinjve.
Sa muze kishte në atë kohë rrethi Përmetit?
Në atë kohë thuajse të gjitha fshatrat e mëdhenj kishin muzetë e tyre por edhe vatrat e kulturës. Kishte një jetë kulturore shumë të bukur dhe të organizuar. Në çdo të shtunë në fshatra kishte mbrëmje vallëzimi për të rinjtë dhe të rejat. Muzetë ishin të kompletuar dhe me një historik tepër të saktë. Po sot? Nuk gjen asgjë. Asnjë muze në fshatra. Për 36 vjet si Drejtor i Qendrës Kulturore dhe Muzeve në rrethin e Përmetit mund të them se tashmë jemi në rizën më të madhe të identitetit historik për shkak të prishjes së muzeve në fshatra por edhe në qytete. Nëse do hiqnim pjesën ideologjike të këtyre mund të them se ato ishin një pjesë e artë e historisë së Shqipërisë.
Ju keni mbaruar për histori e filozofi, kur mbaruat Universitetin ku e bëtë praktikën?
-Po, atëherë kishte praktikë për ata që mbaronin studimet. Për çudi, mua më çuan për praktikë në gjimnazin “Petro Nini Luarasi” në Tiranë. Ky gjimnaz ishte shkolla ku mësonin fëmijët e udhëheqjes. Unë shumë gjëra s’i dija dhe shkova për të dhënë mësim me atë dëshirën për të qenë korrekt dhe idealist. Një ditë çoj në dërrasë një vajzë simpatike me emrin Pranvera. Një vajzë shtatgjatë, simpatike dhe shumë e edukuar. Ajo u përgjigj mirë, por në një vend bëri një ngatërresë. Kur u ul unë i thashë, merr notën 9. Sa thashë unë 9, gjithë klasa lëshoi një uuuuuuuuuuuuuuuuuu të zgjatur. Unë i pashë i habitur por shumë serioz. Duke parë qëndrimin tim korrekt klasa heshti. Vajza u skuq paksa dhe nuk foli fare. Kur mbaroi mësimi dhe dola nga klasa, një nxënës afrohet dhe më thotë: “Profesor, ajo vajza që i vure 9, është vajza e Enver Hoxhës.” Për një moment shtanga, por e mblodha veten. Po mirë, i thashë, unë i vura notën që meritonte, nuk e fyeva.
Si ishte Pranvera, për aq kohë sa e njohe?
Pranvera ishte një vajzë shumë e sjellshme. Mësonte në mënyrë sistematike dhe kurrë nuk bënte veprime të dallohej nga shoqet apo shokët. Ishte nxënëse e mirë, studiuese dhe me shumë edukatë. Në orën e mësimit ishte shumë e vëmendshme dhe nuk bënte kurrë veprime ta pahijshme.
Nuk reagoi kurrë për 9-n që i vendose?
Jo nuk reagoi asnjëherë. Përkundrazi, sa herë më shikonte më përshëndeste me shumë edukatë. Ishte një vajzë e formuar dhe e ditur. Madje edhe shumë vite më pas, sa herë më shikonte, më përshëndeste me respekt. Ruaj kujtimet më të mira për të.
Si ishte mësimdhënia në atë kohë dhe a kishte mitmarrje?
Mësimdhënia, ora e mësimit dhe gjithë procesi mësimor në atë regjim ishte tepër korrekt dhe me nivel. Mësuesit përgatiteshin në mënyrë sistematike dhe me shumë përgjegjësi. Atëherë mësuesit ishin të detyruar të bënin dhe mësim jashtëklase për nxënësit me rezultate jo të mira. Mësuesit ishin heronj dhe shumë herë punonin dhe në kushte të vështira. Punonin në fshatrat më të thellë ku bora ishte e pashmangshme për 3 muaj. Nuk kishte fshat pa shkollë përveç të ndonjë rasti tepër tepër të rrallë. Për mitmarrje?! As që bëhej fjalë. As nuk njihej si fenomen. As i shkonte ndërmend njeriut për diçka të tillë. Më e shumta ishte një kafe dhe konjak për mësuesit e largët që nuk mundeshin të shkonin në shtëpitë e tyre por flinim 5 ditë në fshatrat e largët. Kishte një marrëdhënie të shkëlqyer nxënës-mësues-prind. Të tria palët ishin të interesuar për mbarëvajtjen e nxënësve në shkollë. Kërkesa e llogarisë ishte e madhe dhe komunikimi ishte tepër korrekt. Atëherë nuk mund të mendohej që një nxënës i klasës së 9-të të pinte cigare. Them për cigare, pasi për hashash as nuk njihej, as nuk njihej as nuk mendohej. Të pinte dikush hashash ishte sikur të përmbysej shkolla. Rregullat ishin rregulla dhe askush nuk luante me ta. Nuk njihej analfabetizmi dhe shkolla 8-vjeçare ishte e detyruar dhe ishte gati të bëhej dhe e mesmja e tillë. Librat ishin të unifikuara, të mirëkontrolluara, pa gabime dhe tepër korrekte. Prindërit kishin interes të madh për fëmijët që të mësonin dhe shkolla ishte kthyer në edukatë. Nuk mund të mendohej që të luante njeri me shkollën.