Prof. Dr. Flamur Tartari/ Vepra e ndritur që la pas Prof. Myzafer Janina

1188
Myzafer Janina ka lindur në Berat, më 18 shkurt 1928, ku mbaroi shkollën fillore dhe shtatëvjeçare. Duke qenë se mbaroi me rezultate shumë të mira, ai më 1948 fillon shkollën pedagogjike në Tiranë, ku mori medaljen e artë. Dëshira e tij ishte që të bëhej mjek dhe bëri një kërkesë, të cilën Ministria e Arsimit ia plotësoi duke i akorduar një bursë studimi në Universitetin e Budapestit në Hungari. Edhe atje ai me të drejtë u dallua si një student i shkëlqyer dhe mori diplomën më 21 tetor 1955. Gjithashtu, Ambasada e jonë e njoftoi se duhet të qëndronte për t’u specializuar për Kirurgji dhe kryesisht për Urologji. Por ai për arsye familjare nuk e pëlqente dhe nuk e pranoi këtë specializim, pasi dëshironte të kthehej në Tiranë, dëshirë e cila ju aprovua. Menjëherë emërohet Drejtor i Qendrës Sanitare Epidemiologjike. Ai qëndroi në këtë detyrë rreth tre vjet dhe më 1.04.1958 emërohet Drejtor i Shërbimit Shëndetësor të Rrethit të Durrësit, ky një rreth i madh dhe që vinte pas Tiranës. Ai qëndroi në Durrës në këtë detyrë deri në 1963. Më vonë ai u transferua në Tiranë në klinikën e propedeutikës dhe si kardiolog së bashku me shumë pedagogë të shquar të kardiologjisë shqiptare përgatitën jo vetëm studentët e mjekësisë, por edhe një plejadë të tërë mjekësh kardiologë të vendit ku një meritë ka edhe dr. Myzafer Janina. Gjithashtu, ai më 1990 bëhet pjesëtar i hartimit të tekstit si libër i parë “Kardiologjia”, i cili u shërben edhe sot në shtimin e dijeve mbi këtë lëndë të rëndësishme të mjekësisë. Ja çfarë kujton ai për këto vite pune drejtuese për shëndetësinë e këtij rrethi: Qendra Sanitare Epidemiologjike dhe Drejtoria e Shërbimit Shëndetësor përbëhej në strukturën organike nga një mjek drejtor, një inspektor sanitar i cili ishte dr. Agim Drita, që kishte mbaruar Fakultetin e Mjekësisë në Tiranë dhe një mjek dr. Fiqeri Lila, i cili gjithashtu kishte mbaruar Fakultetin e Mjekësisë në Budapest me 1955. Ndërsa në përbërje kishte edhe shumë nëpunës të tjerë, infermierë dhe ndihmës inspektorë sanitarë. Ndihmësit inspektorë sanitarë drejtoheshin nga dr. A. Drita, i cili ishte shumë rigoroz në detyrë por shumë i përpiktë dhe rezultativ. Higjienën ushqimore e kontrollonte çdo ditë ndihmësi inspektor shëndetësor Dhori Zëri, një kontrollor aktiv, i papërtuar dhe shumë kërkues. Ai kontrollonte të gjithë rrjetin e tregtisë të Durrësit, Kavajës, Shijakut dhe të lokaliteteve të tjera të rrethit. Pranë Qendrës Sanitarë ekzistonte laboratori bromatologjik, ku analizonte çdo ditë shumë analiza ushqimore. Fillimisht këtë laborator e drejtonte laborantja me arsim të lartë Antoneta Sherko e aftë në këtë drejtim dhe më vonë erdhi Tefta Kadiu me arsim të lartë e profilizuar për këtë specialitet. Më kryesorja ishte që të gjithë punonjësit e zbatonin ligjin me rigorozitet, ishin të ndërgjegjshëm për punën që bënin. Ndërsa ndihmës inspektori Fiqret Rruga në mënyrë të përditshme kontrollonte si rregull Higjienën në të gjithë ndërmarrjet, hotelet, shkollat, çerdhet e kopshtet e fëmijëve si dhe personelin përkatës të tyre që ishin të pajisur me libreza shëndetësore. Higjiena Komunale kontrollohej nga ndihmës inspektori Zef Nezha. Ky ishte një sektor me shumë rëndësi dhe me përgjegjësi, sepse më e rëndësishme ishte kontrolli i ujit të pijshëm si dhe higjiena e plehrave për qytetin etj. 

Ujësjellësi i Durrësit. 

Më e rëndësishme për seksionin e kontrollit ishte furnizimi me ujë të pijshëm i qytetit të Durrësit. Ujësjellësi i ndërtuar më 1955 furnizonte vetëm dy herë në ditë qytetin me orë të fraksionuara, ndaj kishte shumë rëndësi ky kontroll. Më e rëndësishme ishte edhe dezinfektimi dhe spërkatja e plazhit dhe lagunës së Durrësit nga mushkonjat si vatra të hershme të mushkonjave në sëmundjen e malaries. Këtu një punë të madhe kanë bërë qendra e Ministrisë së Shëndetësisë me në krye profesorin e shquar Anton Ahten, i cili vinte disa herë në javë në Durrës, për kontroll dhe për ndihmë. Pra ruajtja dhe kontrolli ishin përparësi të shëndetësisë në Durrës, Kavajë dhe Shijak dhe kudo në këtë rreth. Një punë shumë të madhe kontrolluese, organizuese ka bërë dhe Ndihmës inspektori Vangjel Kalemi, i cili kishte një aftësi të veçantë kontrolli shumë planesh për të gjitha institucionet shëndetësore të rrethit. Ai ishte rigoroz gjatë punës, njeri me karakter dhe shumë i aftë duke i respektuar shumë kuadrot mjekësore të afta dhe që punoni me ndërgjegje. Shumë e rëndësishme në atë kohë ishte edhe kontrolli higjenik i portit të Durrësit ku fillimisht bëhej nga dr. M. Janina dhe dr. Fiqiri Lila, sidomos për ngarkesat e llojeve të ndryshme të ushqimeve. Inspektoriati Epidemiologjik udhëhiqej nga dr. F. Lila, i cili kishte mbaruar si mjek në Budapest dhe e ushtronte profesionin e tij me shumë kompetencë. Ishte shumë, rigoroz dhe shumë i ndërgjegjshëm. Ai i kushtonte rëndësi të madhe zbulimit të vatrave të infeksionit, kontrollit të vazhdueshëm dhe izolimin e shumë rasteve ku dyshohej. Kjo mënyrë organizimi e bënte këtë inspektoriat shumë eficent me rezultate shumë të mira. Suksesin e kësaj pune e vlerësuan shumë edhe kontrolli i organizatës së shëndetësisë botërore që erdhën në rrethin e Durrësit së bashku me të dy mjekët e shquar si përfaqësues të Ministrisë së Shëndetësisë, prof. Anton Ashta dhe prof. Jorgji Adhami. Ekipi i Byrosë Ndërkombëtare të luftës kundër Malaries përbëhej nga Kryetari që ishte një mjek nga Brazili, një rus dhe një anglez. Ata pasi kontrolluan gjithçka në rrethin e Durrësit vërtetuan punën e madhe kolosale që ishte bërë dhe shpallën zyrtarisht zhdukjen e Malaries në këtë rreth. Ky ishte një sukses i madh për ne dhe vendin tonë. Në luftën antimalarike padyshim luajtën rol të gjithë punonjësit e shëndetësisë të rrethit ku spikat edhe infermieri me shumë përvojë, Ismail Gorana që së bashku me ekipin e spërkatjes shkonin kudo në çdo vatër që zbulohej duke bërë një punë shumë të madhe me kujdes dhe ndërgjegje. Krahas këtyre bëhej edhe një luftë e madhe kundër TBC nga dr. Mustafa Cara me ekipin e tij, ku në mënyrë të veçantë spikaste ndihmës mjeku Veniamin Decolli. Gjithashtu bëhej edhe lufta kundër shumë sëmundjeve infektive për fëmijët dhe të rriturit ku asnjëherë nuk mungoi ndihma edhe e prof. Nikolla Dushnikut. Sëmundjet veneriane i ndiqte dermatologjia që udhëhiqej nga prof. Kadri Kërçiku që vinte nga Tirana dhe e kishin caktuar deri sa erdhi dermatologu, Veli Struga shumë i aftë dhe i kujdesshëm, sidomos më kontrollin e rreptë të portit dhe anijeve që vinin nga jashtë në Durrës. Bëhej pra një punë e organizuar dhe e kontrolluar mirë sidomos në ambulancën e portit. Më eficent depistimi, zbulimi dhe mjekimi i këtyre sëmundje u bë kur në Durrës erdhi dermatologu i shquar Dr. Mantho Nakuci, i cili më vonë u bë një nga zëvendësuesit e denjë të K. Kërçikut. Në Qendrën Shëndetësore Epidemiologjike funksiononte edhe Laboratori Bakteriologjik, ku një rol të madh ka luajtur dr. Koço Floqi dhe më vonë shumë mjekë të tjerë M. Picari, Mikel Muka etj, që kanë dhënë një kontribut shumë të madh në këtë specialitet në Durrës. Krahas shumë specialiteteve dua të përmend edhe punën e madhe të ndihmës mjekut Petrit Ismailati, i cili përgjigjej për sektorin e propagandës shëndetësore për rrethin. Ndërsa për sektorin e Farmacisë punuan shumë vite, Hajdar Delvina dhe TH. Bakëllbashi, i cili më vonë shkoi vazhdoi në shkollën e përgatitjes së infermierëve. Që të flasësh për Durrësin, Kavajën, Shijakun etj. duhen shkruar shumë volume, por më mirë t’i shtjellojmë duke u dhënë portretin dhe punën e madhe kolosale që kanë kryer këta punonjës në këtë rreth. Këto janë shembull i qartë i humanizmit mjekësor shqiptarë, shembull që duhet ta marri i gjithë personeli aktual, pavarësisht se ata punuan gati një gjysmë shekulli më parë, por qëllimin e tyre, punën e kryer, duhet ta njohin mirë, sepse edhe sot çdo gjë është aktuale kur bëhet fjala për shërbim ndaj njeriut.Pra, e përsëris është gjithmonë e domosdoshme dhe aktuale për një personel mjekësor që të mos harrohet asnjëherë Myzafer Janina, sepse ai ka lënë gjurmë të mëdha në mjekësinë shqiptare. 
Sigal