Prof.dr Bardhosh Gaçe/ Ali Spahiu, figurë e heshtur e shpirtit kombëtar

448
Skrapari, si një nga trevat zëmëdha në luftrat dhe përpjekjet e shqiptarëve për lirinë dhe pavarësinë e Atdheut, përherë ka nxjerrë nga gjiri i vet mëmëdhetarë e intelektualë që kanë dritësuar jetën shqiptare. Dekada më pare, më 1937, me rastin e 25 vjetorit të Pavarësisë, Bashkia e Vlorës i kërkonte kryeplakut të fshatit Malind disa të dhëna mbi jetën dhe veprimtarinë e Ali Spahiut, i cili në vitet 1903-1908 kishte shërbyer si kryetar i Bashkisë (Beledies) në Vlorë dhe kishte ndihmuar lëvizjen kombëtare në këtë qark. Por përgjigja e kryeplakut ishte e thjeshtë. “Ai punoi për Shqipërinë”. Këto fjalë më kanë vënë përherë në mendime për këtë intelektual, emri i të cilit rronte gjer vonë në memorien e mjaft bashkëkohësve të tij. Ali Spahiu u lind në Malind të Skraparit më 20 qershor 1853. Gjyshi i tij Ylviu, i cili kishte rrahur dherat në Selanik, Stamboll e Kajro kishte kryer shërbimin ushtarak në viset e largëta të perandorisë otomane, deri në Alep të Sirisë dhc Kajro të Egjiptit. Kishte zotëruar persisht, turqisht e frengjisht, pasi ishte edhe një armëtar i njohur. 
Në kryengritjet antiturke
Në kryengritjet antiturke 1834 dhe 1847, si dhe Besëlidhjen e Beratit, mori pjesë gjallërisht, duke luftuar për çlirimin e Beratit. Ali Spahiu, qysh në fëmijërinë e tij, nën ndikimin e gjyshit dhe atdhetarëve të tjerë skraparllinj, nisi të mësojë persisht e turqisht, duke patur një ndikim të fuqishëm edhe nga poetët më në zë persë Shirazi e Rumi dhe fryma bektashiane për dinjitetin njerëzor. I ati, duke parë zgjuarsinë dhe përkushtimin e Aliut, fillimisht e çoi tek miqtë e tij të familjes Resulaj në Berat, ku ndoqi mësimet në medrese. Më pas vijoi studimet në Gjimnazin “Zosimea'” të Janinës, ku u njoh dhe u miqësua me vëllezërit Frashëri dhe sidomos me Halit Berzheshtën e Hamdi Filatin, me të cilët bashkëpunoi edhe kohë më pas, në lëvizjen kombëtare. Janina, aso kohe, ishte një nga qendrat e mëdha kulturore, tregtare të Shqipërisë së Jugut. Ali Spahiu sapo kishte mbushur 18 vjeç dhe nën ndikimin e Halit Berzheshtës dhe Mehmet Frashërit, u përfshi në veprimtarinë e gjerë të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, për mbrojtjen e kufijve jugorë të vendit nga synimi shovinist grek. Ali Spahin u gjend në Stamboll, sapo kishte fituar konkursin në Fakultetin e Shkencave Politike – Juridike – Administrative, kur në gazetat e kryeqytetit të Peranorisë Otomane, mësoi për masat e rrepta dhe të përgjakshme të Portës së Lartë kundër Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, arrestimet dhe burgosjen e krerëve të saj si Abdyl Frashëri, Mustafa Pashë Vlora, e qindra të tjerë nga Kosova dhe Çamëria. Në një letër që i shkruante në qershor 1881 mikut të tij Hamdi Filatit, që ndiqte mësimet e larta në shkollën ushtarake detare të Selanikut, midis të tjerash shënonte se: “njëdizaj. në Shkup kanë mbyllë ndë bodrum kryeshqiptarët e Shkupit. Janë nisë për atje taborre të tjera katër a pesë për të bërë gjak me shqiptarët e për të shuar të ngriturit krye për autonomi. Fletoret thonë se në Kosovë është bërë luftë e gjakshme…”. 
Studimet në Stamboll
Në vitet 1880-1884, Ali Spahiu në Stamboll ndoqi me zell të madh studimet e larta, por shpesh herë shkonte edhe në klubin e shqiptarëve, ku mblidheshin herë pas here të premteve për të kuvenduar për hallet e Shqipërisë. Shoku i tij i shkollës, Haziz Gjirokastra, me anën e “Alfabetaria e gjuhës shqipe” të Sami Frashërit, i nxiti Ali Spahiun dhe studentë të tjerë shqiptarë, të mësonin shkrimin dhe leximin e shqipes. Nuk kishte kaluar veç një vit dhe Ali Spahiu, me mallin e pashuar për mëmëdheun dhe brigjet e malet e vendlindjes, nisi të lexonte shkrimet e Sami Frashërit, Pashko Vasës dhe Jani Vretos, për historinë dhe gjeografinë e Shqipërisë, për gjuhën shqipe dhc lashtësinë e shqiptarëve. Thuhet se nga Stambolli ai pati dërguar në vendlindje, në Skrapar, edhe 5 Alfabetare të Shoqërisë së Stambollit dhe shkronja e Këndime. Me përfundimin e studimeve të larta, Ali Spahiu u emërua stazhier në Beledijen e Bolusës, një qytet mjaft interesant në Turqi, vendbanim antik me parqe arkeologjike e rënoja të qytetërimeve lë hershme. Puna e lodhshme e administratës, për organizimin e tregjeve të drithit dhe bulmetit, kultivimi i orizit për të furnizuar ushtrinë detare turke, si dhe ndërtimi i ujësjellësit të ri të qytetit, i dhanë një përvojë të re në jetën e tij. Duke parë zotësinë e Ali Spahiut, Porta e Lartë e ngarkoi me detyrën e inspektorit për organizimin e kavalerisë së Bolusë. Aso kohe, rrugët moçalore dhe katundet turke nga Boluja në Ankara, Izmir e qytete të tjera bastiseshin nga çekrezët dhe hajdutë të tjerë. Në vitet 1887-1890, veprimtaria e tij administrative e ushtarake, u përgëzua edhe në gazetën “Terxhuman-i shark”.
Miqësia me Shahin Kolonjën
Rreth vitit 1897, emri i Ali Spahiut shënohet në administratën e Beledijes së Selanikut, ku ai u njoh e u miqësua edhe me Shahin Kolonjën, i cili ishte emëruar kryetar bashkie në Malin Athos. Miqësia me Shahin bej Kolonjën, i dha aspirata të reja shpirtit të tij atdhetar. Shpesh ai mori pjesë në takimet e kuvendimet e Shahin Kolonjës me Tajar Ziaun, te cilët ishin ndër organizatorët e Lëvizjes Kombëtare në kazatë shqiptare. Çerçiz Sihati, i cili kryente shërbimin ushtarak në Selanik, në vitin 1899 shkruan se: “atë kohë, disa nga ne rekrutët shqiptarë që dinim mirë edhe gjuhën turke e atë greke, në Selanik takoheshim e kuvendonim edhe me Shahin Kolonjën, Memo Meton, Ahmet Lepenicën (Cane) dhe Ali Malindin. Në bodrumin e Selanikut kishin shtirë 14 kosovarë nga Peja, pasi kishin marrë pjesë në shoqërinë ‘Besa –Besë’ të Kosovës dhe i kërkonin Stambollit autonomi dhe administrate shqiptare në tokat e tyre. Me ndërhyrjen e Shahin beut e Ali Malindit ata u liruan…”. Veprimtaria kombëtare e Shahin bej Kolonjës dhe miqësia e Ali Spahiut me të kishin rënë në sy te Portës së Lartë prandaj në vjeshtën e vitit 1900, Shahin Kolonja u transferua si kryetar i Beledies në Vlorë, ndërsa Ali Spahiu u emërua në administratën turke të Janinës; si inspektor për doganat në Sarandë, Prevezë dhe Korfuz. Në vitin 1903, ai u emërua kryetar i Bashkisë së Vlorës. Në kujtimet e tij, Kolë (Nikollë) Karbunara sjell një dëshmi interesante për veprimtarinë kombëtare të Ali Spahiut në fillimte shek.. XX: “Në beledien e Vlorës u emërua Ali Ylviu (Skrapari), miku i Shahin Kolonjës dhe Dush Stratit. Unë e njoh në ato mote të vështira, pse me anën e tij që ishte inspektor i doganave, ne vlonjatët, beratasit, gjirokastritët e të tjera, na ndihte të sillnim librat e fletoret shqipe nga kollonitë e mërgimit, nëpërmjet na vëllave dhe kushullës Austro-Hungarese”.
Në lëvizjen kombëtare në Vlorë 
Në dorëshkrimet dhe kujtimet e botuara dhe të pabotuara të atdhetarëve Hamza Isai, Jorgo Koleka. Beqir Velo, Ibrahim Abdullai e Kristo Karbunara, sillen mjaft fakte e dëshmi të ndihmës së Ali Spahiut në lëvizjen kombëtare në Vlorë 1905-1908, si dhe përhapjen e librave dhe abetareve për mësimin fshehurazi të gjuhës shqipe. Në njërën prej këtyre dëshmive, atë të atdhetarit Beqir Velo Kanina thuhet se “me ngrehjen e shoqërive për çeljen e shkollave shqipe në Kaninë, Himarë e Vlorë, na ndihmoi edhe Ali Ylviu (Skrapari). Ai shpëtoi nga internimi e burgosja mjaft vlonjatë që punonin për vatanin…”. Në qytetin e Vlorës ai bashkëpunoi ngushtë me atdhetarët: Jani Minga. Hamit Lumi, Xhemil bej Vlora, Kristo Karbunara, Musa Çakërri, Hamza Isai dhe Ibrahim Abdullai. Kishte letërkëmbime e bashkëpunim me Ismail Qemalin në Francë dhe më pas në Stamboll. Gjatë qëndrimit në Vlorë, Ali Spahiu u ndesh me kundërshtimin e klubit ”Bashkim e Përparim” të xhonturqve, të cilët e paditën te Valiu i Janinës, se, krahas përhapjes së librit shqip në Vlorë e Kaninë, ai kishte marrë edhe një letër nga Ismail Qemali, ku e këshillonte të gjente 7- 8 djem per t’i çuar në normalen e Korfuzit e për t’u përgatitur për mësues të shqipes. Në prill të vitit 1907 Ali Spahiu pushohet nga puna si kryetar i Bashkisë së Vlorës dhe emërohet në Manastir. Para se të largohej nga Vlora, ai kishte qenë në Stamboll, prej nga u solli atdhetarëve vlonjate këshillat për organizimin dhe çeljen e shkollës shqipe të Muradies. Në kujtimet e Kristo Karbunarës mësojmë se “të larguarit e Ali Ylviut (Spahiut) nga Vlora ndë Manastir, na brengosi, por motin tjatër, ai na thirri për t’u pjekur me Gjergj Qiriazin e Feim ben (Zavalani), e ashtu zumë të ngjallim më çpejt klubin ‘Labëria’ të Vlorës”. Veprimtaria atdhetare Ali Spahiut në Manastir në shërbim të çështjes kombëtare dhe klubit “Bashkimi” portretizohet qartë edhe në marrëdhëniet e tij me Gjergj Qiriazin, Feim Zavalanin, por edhe në Komitetin “Për lirinë e Shqipërisë” si dhe organizimin e Kongresit të Manastirit 1908. Sipas shënimeve të Hamdi Filatit, Ali Spahiu kishte njohje e letërkëmbime me Kristo Meksin dhe kolonine shqiptare të Bukureshtit, me Nikolla Kasnecin e Jani Vruhon në Kajro, Hazis Gjirokastrën në Stamboll, Mit’hat Frashërin në Selanik, Josif Begerin në Sofje etj. Në ditët e fundit të korrikut 1914, në Vlorë mbërriti zonja angleze Edit Durham, e cila pasqyronte në shtypin e Europës fatin dramatik të shqiptarëve në veri e jug të vendit nën pushtimin e ushtrisë serbe dhe greke. Nga viset jugore, nga Skrapari, Përmeti, Kurveleshi, Tepelena, mijëra fshatarë kishin braktisur fshatrat e tyre të djegura nga andartët grekë. Mis Durhami, e shoqëruar nga kryekatundari i Vlorës Ibrahim Abdullai, Ali Spahiu, Mehmet Selim Mallkeqi dhe Xhelal Koprencka. shkuan në Vllahinë, ku çuan ushqime e veshmbathje për muhaxhirët. Ata e shoqëruan Mis Durham edhe në spitalin e Shkozës dhe në frontin e luftës në Dhëmblan të Tepelenës. Në vitet 1913-1914 Ali Spahiu pati një bashkëpunim të ngushtë me Xhelal Koprenckën, zëvendës ministër i Luftës të Qeverisë së Ismail Qemalit. Ata të dy kishin qenë shokë të ngushtë edhe në Selanik e Janinë, por edhe në organizimin e frontit të luftimeve knndër andartëve grekë në Skrapar, Berat e Kolonjë, më 1913. 
Përkrahës i flaktë i Kongresit të Manastirit
Ali Spahiu ishte një nga përkrahësit e flaktë të Kongresit të Manastirit dhe shkrimit të gjuhës shqipe me gërma latine. Ai do t’i shkruante më 16 janar 1909 mikut të tij A. Resuli në Berat se: “me gazmend të dërgonj haber se Kongresi ndë Manastir ka venduar njohjen e kombësisë tënë, çeljen c shkollave amtare dhe alfabetin shqip me gërma latine, të cilat do t’i ndritin shpirtin dhe mejtimin çdo shqiptari…”. Ali Spahiu, edhe pse u bë përkrahës i zjarrtë i Turqve të Rinj dhe mbështeti revolucionin për përmbysjen e regjimit absolut të Sulltanit, shpejt u zhgënjye prej politikës së tyre në dëm të interesave kombëtare të popujve të vegjël. Çerçiz Sihati në kujtimet e tij shkruan: “pas komplotit kundër Ismail Qemalit, në prill 1909, Feim Zavalani e Ali Spahiu na thirrën një mbrëmje në takim në hanin e T. Tetovës dhe na thanë: mundimet e shqiptarëve vajtën dëm se xhonët dolën të pabesë. Zunë e u mbylltën klubet patriotike, na tha Ali Spahia e Konstitucioni zu lë qelbet, duke degdisur e burgosur të mjerët kombiarë në Alep të Sirisë e budrumet e Janinës e të Stambollit”. Në vjeshtën e vitit 1910, Ali Spahiu u emërua përsëri në vilajetin e Janinës si inspektor i transportit detar dhe tokësor. Aktiviteti i tij shkaqet përsëri, sidomos në kryengritjet shqiptare të viteve 1911-1912, herë në Çamëri, Korfuz, Gjirokastër e Berat, duke bashkëpunuar me atdhetarët e njohur: Fazil Toptani, Kadri Gjata, Ibrahim Selimi, Muharrem Rushiti, Leonidha Naçi, Namik Delvina, Ismail Lesko Progonati, Isuf Bushi, Xhelal Koprencka dhe klubin shqiptar “Bashkimi” të Janinës. Një kontribut të veçantë Ali Spahiu dha edhe në organizimin e luftëtarëve vetdashës të Labërisë, Çamërisë e krahinave të tjera për mbrojtjen e trojeve shqiptare dhe vetë qytetit të Janinës nga shovinistët grekë. Miku i tij Çerçiz Sihati shkruan: “në llogoret e istikamet e Bizhanit e kodrat rreth Janinës u vranë mjaft luftëtarë shqiptarë. Ishte Isuf Bushi, Ali Spahiu e Hamdi bej Filati, të eilët u jepnin guxim luftëtarëve të mos e lëshonin frontin, duke luftuar edhe vetë në krah të tyre. Të plagosurit u mbartën për në spitalin e Shkozës, në thellësi të maleve…”. 
Në qeverinë e Ismail Qemalit
Pas rënies së Janinës, Ali Spahiu dhe mjaft luftëtarë të tjerë, shkuan në Vlorë, ku ishte krijuar Qeveria e Ismail Qemalit, e cila e ngarkoi me detyrën e organizimit të administrates së shqiptare në Lushnjë, Berat, Skrapar dhe Ballsh. Në letrën e prefektit të Lushnjës Qazim Kokoshi, vjeshtë 1913, dërguar Ministrisë së Brendshme në Vlorë thuhet se: “të dërguarit Sali Hallko, Ali Spahiu e Ymer Radhima bënë punë të shkëlqyer në Libofsh, Peqin e Mbrostar, për të krijuar zyrat e reja me njerëz të zotë…”. Në verën e vitit 1908, ashtu si të tjerë shqiptarë, Ali Spahiu u përfshi në përkrahje të revolucionit xhonturk me shpresën se Turqit e Rinj do të mbështetnin lirinë dhe të drejtat e popujve të vegjël të perandorisë. Me këto shpresa, ai udhëtoi në Elbasan, Berat, Fier e Vlorë, për të parë gjendjën, sipas këshillës që i kishte dhënë Komiteti Shqiptar i Stambollit. Në Vlorë ato ditë gushti 1908, ai u takua edhe me Abaz Mezinin, Ibrahim Abdullain, Spiro J. Kolekën, Jani Mingën e Hamza Isain, ku mori pjesë në çeljen e shkollës shqipe të Muradies. Edhe më pas, Ali Spahiu punoi në administratën shtetërore të Lushnjës dhe Beratit, sidomos për organizimin e policisë dhe të gjendjeve civile. Në vitin 1916-1917 kreu dhe detyrën e nënprefektit në Berat. Në vitin 1920 iu përgjigj Komitetit “Mbrojtja Kombtare” për mobilizimin e luftëtarëve në Berat, Skrapar e Lushnjë në epopenë e Vlorës kundër pushtuesve italianë. Edhe pse i moshuar, ai luftoi me trimëri në kodrat e Risilisë dhe të Bistrovës për çlirimin e Vlorës. Ali Spahiu, ky luftëtar i shquar. i çështjes kombëtare, vdiq në qershor të vitit 1923 në Berat, i mbuluar me heshtjen e kohës. Me rastin e 100 vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë Kombëtare, Nëntor 2012, Këshilli i Qarkut të Vlorës i dha Ali Spahiut titullin “Nderi i Qarkut të Vlorës”, ndërsa bashkia e këtij qyteti një rruge në Vlorë i vuri emrin e tij.