Pallati i Kulturës “Naim Frashëri” nuk u mposht, por asgjësoi dhe triumfoi edhe ndaj ndërhyrjeve të Greqisë

1030
-Vijon nga numri i kaluar –
-Pra ju kërkoni vetëm zbatimin e ligjit?
Po të zbatohet ligji, që është një për të gjithë, s’ka dhe as krijohen probleme e konflikte midis shtetit dhe institucioneve të kultit si dhe midis vetë institucioneve të kultit në Përmet. Në letrën e Komunitetit Bektashian të Përmetit, datë 10 prill 2006, drejtuar ish Kryeministrit, Z. Sali Berisha, ndër të tjera thuhet: “Shtëpia e Kulturës “Naim Frashëri” është ngritur nga themelet nga shteti … Shkolla e Mesme “Sami Frashëri” në Përmet është ngritur po nga themelet nga shteti dhe mbi 50% të truallit mbi të cilën ajo ngrihet është pronë e Komunitetit Mysliman, kurse Pallati i Sportit po në qytetin e Përmetit është ngritur gjithashtu nga shteti mbi një truall me sipërfaqe 100%, që është e Komunitetit Mysliman …. Ligji është një për të gjithë dhe …nuk ka pse kundër ligjit … të bëhen përpjekje nga pushtetarë e klerikë që Shtëpia e Kulturës të kthehet në Kishë. Po u bë kjo … atëherë edhe ne do të kërkojmë që, edhe pse s’është ligjore, të kthehen në Teqe apo Xhami edhe Shkolla e Mesme “Sami Frashëri” si dhe Pallati i Sportit në Përmet”. Pra, vetëm mbi 4.28% të truallit të Kishës Shën Mëria e Pazarit, u ngrit më 1962 Pallati i Kulturës “Naim Frashëri”, Shkolla e Mesme “Sami Frashëri” u ngrit më 1969 ne mbi 50% të truallit dhe Pallati i Sportit u ngrit më 1984 saktësisht mbi 97% të truallit mbi të cilat ngrihej dikur Xhamia, e njohur me emrin Xhamia e Qendrës së Përmetit apo Xhamia Mbretërore ngritur më 1481. Sot, mendoj se nuk ka përse të ngrihet ideja dhe të punohet nga “Dikush” që të prishen Shkolla e Mesme “Sami Frashëri” dhe Pallati i Sportit dhe të ngrihet Xhamia Mbretërore, ashtu si u punua dhe punohet nga Hirësia e Tij, Anastas Janullatosi, që edhe sot kërkon të prishet Pallati i Kulturës “Naim Frashëri” dhe në vend të saj të ngrihet Kisha Shën Mëria e Pazarit, kur një mendim e veprim i tillë është në kundërshtim me Ligjin e Shqipërisë. Këto tre institucione përbëjnë sot fytyrën e bukur të Përmetit. Ricilësoj se, në qytetin e Përmeti, në zonën që u vlerësua dhe u shpall me të drejtë nga Këshilli i Ministrave më 18 janar 2017 “Qendra e Mbrojtur Historike e Përmetit”, ndodhen edhe Kisha e Shën Kollit ku, për 45 vjet, në vitet 1917 – 1962, u preh trupi pa kokë i At Stath Melanit, dëshmorit të Shqipërisë si dhe Kisha e Shëne Premtes, ku më 1920 u këndua për herë të parë Ungjilli Shqip nga Fan Stiljan Noli dhe ku, më 1991, u vizitua edhe nga At Artur Liolini. Me vlera të veçanta në trevën e Përmetit janë Kisha e Shën Mërisë në Leusë, e shek. XVIII, me ikonostase e afreske nga më të bukurit në Evropë dhe Kisha e Shën Mërisë në Kosinë, e shek. XII, edhe kjo nga më të vlerësuarat në Evropë. Pallati i Kulturës “Naim Frashëri” nuk u mposht, por asgjësoi dhe triumfoi edhe ndaj ndërhyrjeve të Greqisë për ta helmuar e asgjësuar këtë institucion të identitetit kombëtar e kulturor të Përmetit. Ndërhyrjet greke janë të shumta, ndaj po sjell vetëm disa nga ndërhyrjet e papranueshme dhe absurde të Greqisë në punët e brendshme të Shqipërisë. Deklarata e 19 gushtit 2013 e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Greqisë, e cila është kundër Vendimit të Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë për Pallatin e Kulturës “Naim Frashëri”. “E palejueshme ishte deklarata e Qeverisë Greke, e Ministrisë së Jashtme … në asnjë vend nuk do të mund ta bënte Greqia këtë gjë nëse një ngjarje e tillë do të ndodhte në një vend tjetër evropian apo SHBA” – thotë poeti e politikani Besnik Mustafai. Greqia për problemin e Pallatit të Kulturës “Naim Frashëri” thirri në Athinë ambasadorin e Shqipërisë. Ministria e Punëve të Jashtme të Greqisë lëshoi përsëri deklaratë më 25 gusht 2013 dhe erdhi në Përmet konsulli grek i Gjirokastrës më 23 gusht 2013. Federata Panepirote e Amerikës përmes një deklarate për shtyp i kërkoi administratës së Presidentit Barak Obama dhe Kongresit Amerikan që të ushtronin presion mbi Qeverinë e Shqipërisë për tjetërsimin e Pallatit të Kulturës “Naim Frashëri”. Athina e ngriti problemin e Pallatit të Kulturës “Naim Frashëri” në Parlamentin e Greqisë dhe deputetë grekë kërkuan që Greqia të ndërhynte në institucionet e BE-së për të penguar procesin e pranimit të Shqipërisë. Deputet e eurodeputet grekë problemin e Përmetit e ngritën edhe në Asamblenë e Partive Popullore Evropiane në Bruksel. Ndër të tjera, neonazistët e “Agimit të Artë”, në protestat e tyre pranë kufirit shqiptaro-grek, siç ishte protesta e Kapshticës, organizuar më 01.09.2013, lëshuan thirrjen: “Atje, atje në Përmet, do të ngremë lart flamurin e Greqisë”. “Në Përmet është në lojë sot dinjiteti i shtetit shqiptar përballë Greqisë”, – shkruante më 2013 – in gazetari e studiuesi Mentor Nazarko, ndërsa studiuesi e diplomati Shaban Murati, më 2 tetor 2013 shkruante “Përmeti …Është hera e parë që dilet hapur nga diplomacia me pretendimin e proteksionit të Greqisë mbi ortodoksët e Përmetit”.

Panteoni në Natyrë i Përmetit.
“Atdheu … skalitet mbi monumente”, – ka shkruar dijetari francez Chevalier de Jacuort dhe se “Universalja është lokalja pa mure”, – ka thënë poeti portugez Miguel Targa.

“Hapësira e bukur në hyrje e zemër të qytetit të Përmetit, “Ballkoni Natyror i Përmetit”, ku gati në qendër të së cilit lartësohet Pallati i Kulturës “Naim Frashëri”, si dhe hapësira e shëtitores “Odise Paskali” dhe hapësira e sheshit “Abdyl Frashëri”, mendoj se duhet të kthehen apo në këto hapësira të ngrihet Panteoni i Artit në Natyrë i Përmetit, kryesisht me vepra arti në skulpturë, me monumente e statuja, me buste e me portrete si dhe basorelieve, kushtuar figurave të shumta madhore të trevës së Përmetit”, – i shkruaja Kryeministrit, Z. Edi Rama, më 5 maj 2015.

Patriotizmi tregon vlerën e njeriut”, – thotë Sami Frashëri dhe se “Virtyti i parë është dashuria për atdhe”, – thotë Napolon Bonaparti dhe se “Shqiptarët duan para së gjithash dritën e mendjes dhe diellin”, – thotë Faik Konica.

Vëllezërit Frashëri kanë bërë Shqipëri. Abdyli, udhëheqësi dhe burri i shtetit, të cilit, siç ka shkruar Gjergj Fishta “M’i bëjnë të gjithë tungjatjeta” se “Faqe t’bardhë i la Shqipërisë”. Naimi , poeti, edukatori i kombit, “Zemërgjerësia dhe urtësia” e të cilit, siç thotë Dritëro Agolli, – “i ngjan Krishtit”, Samiu, dijetari i madh enciklopedist, truri i Rilindjes në Shqipëri.

Figura të tjera madhore të trevës së Përmetit: shkrimtarja e publicistja Elena Gjika e njohur siç dihet me emrin Dora D’Istria, skulptori Odise Paskali, aktori Naim Servet Frashëri, këngëtarët, sopranoja Tefta Tashko Koço dhe basi Mentor Xhemali, shkrimtari satirik e pedagogu Nonda Bulka, klerikët atdhetare Baba Alush Frashëri dhe At Stath Melani, atdhetarët Fehim Zavalani, Kamber Bënja dhe Riza Velçishti, heroi i Luftës së Spanjës Musa Fratari, antifashisti, poeti, përkthyesi e publicisti Sejfulla Malëshova, heronjtë e LANÇ-it Meleq Gosnishti dhe Skënder Çaçi, fizikani dhe matematicieni Nikolla Çako, klarinetistët Laver Bariu dhe Remzi Lela, skulptorët Janaq Paço, Hektor Dule e Perikli Çuli, historianët Kristo Frashëri dhe Stefanaq Pollo, gjuhëtari Androkli Kostallari, agronomët Mentor Përmeti dhe Gaqo Tashko, mjekët, bakteriologu Refat Frashëri dhe dermatologu Mantho Nakuçi, violinistët Tedi Papavrami dhe Et’hem Qerimi, piktorët Fatmir Haxhiu e Qenan Mesareja, regjisori, aktori e dramaturgu Sarafin Fanku, kimisti Muharem Frashri, juristi, politikani e publicisti Stavro Vinjahu, veprimtari politik, historiani e publicisti Tajar Zavalani, mendimtari e bashkëpunëtori i Ali Pashë Tepelenës, Kostandin Duka, shkrimtari Kasëm Trebeshina. Janë vlerësuar e nderuar me tituj nderi nga Këshilli i Bashkisë së Përmetit edhe veprimtari politik, publicisti e përkthyesi Mit’hat Frashëri dhe kryeministrat Turhan Pashë Përmeti dhe Mehdi Frashëri, respektivisht kryeministri i 3-të dhe kryeministri i 14-të ndër 33 kryeministrat e Shqipërisë në hapësirën e viteve 1912 – 2015. Dy apo tri nga figurat e cilësuara, ne veçanti Mit’hat Frasheri dhe Mehdi Frashëri, janë figura komplekse, ndaj duhen parë me të mirat dhe me të këqijat, janë figura me dritëhije, ndaj vetëm një vlerësim objektiv evidenton, nëse lufta e tyre për pavarësi e për shtet kombëtar mbulohet apo jo nga errësira, vlerësim që duhet të bëhet nga studiuesit më të mirë të vendit të organizuar e drejtuar nga Bashkia e Përmetit, Akademia dhe Ministria e Kulturës së Shqipërisë.

Në hapësirën publike e të gjelbër ku mund dhe mendojmë të ngrihet Panteoni në Natyrë i Përmetit, nisur nga përmbajtja dhe kërkesat arkitekturore të hapësirës së këtij Panteoni, Pallati i Kulturës “Naim Frashëri” do të qëndrojë në harmoni të plotë dhe në lidhje përmbajtësore me veprat e artit në skulpturë, me monumentet e shtatoret, me bustet e portretet si dhe basorelievet dhe, mendojmë kështu se Pallati i Kulturës “Naim Frashëri”, është institucion i identitetit kombëtar dhe institucioni kryesor i kulturës në qytetin e Përmetit, mendojmë që edhe në një nga mjediset e brendshme të këtij Pallati, mund dhe ndoshta është mirë të jepen me foto, dokumente, relike dhe objekte figurat që do të ngrihen në hapësirën publike e të gjelbërt të Panteonit, mendojmë gjithashtu që, në faqen e murit të Pallatit me vështrim nga hyrja e qytetit, e cila është një hapësirë e rrafshët prej 250 m2, të trajtohen në pikturë ose mozaik dy nga ngjarjet me rëndësi të trevës së Përmetit, e para, çlirimi nga pushtuesit osmanë më 14 gusht 1912 apo Shpallja e Pavarësisë së Përmetit dhe, e dyta, çlirimi nga pushtuesit nazifashist i Përmetit më 13 shtator 1943. Brenda hapësirës publike e te gjelbër përreth Pallatit të Kulturës “Naim Frasheri”, lulishtes me trëndafila, lule e bimë tipike të Përmetit, shatërvane e stola, që me ngritjen në të ardhmen të veprave të artit në skulpturë do të kthehet në një “Lulishte Panteon”, përfshihet edhe hapësira ku ngrihet sot monumenti “Partizani Çlirimtar” i skulptorit Odise Paskali.

Atdhedashuria, e vërteta dhe e bukura mendoj se janë piedestale mbi të cilat lartësohet Shqipëria.
Sigal