Mustafa e Shaho Luçi, atdhetarë e model frymëzimi

Veledin ABAZI

Jeta është e çuditshme. Shpesh njerëzit lidhen me njeri-tjetrin dhe krijojnë marrëdhënie të tilla që është vështirë t’i kuptosh pa njeri-tjetrin, apo të flasësh për njërin e të lesh mënjanë tjetrin. Të tillë kanë qenë edhe Mustafa e Shaho Luçi. Një jetë të tërë u gëzuan dhe u pikëlluan së bashku. E së bashku u vlerësuan dhe u lartësuan nga fshatarët e miqtë që i kanë njohur. Mustafai ishte mësues e nuk e kuptonte dot jetën pa nxënësit e tij. Po edhe Shahua në një farë mënyre ishte mësuese, jo vetëm se rriti dhe edukoi shtatë fëmijë, po edhe si nënkryetare e organizatës së gruas ANÇ në fshat apo anëtare e kryesisë në vitet e më vonshme ka bërë një punë të lavdërueshme për mobilizimin e popullit në luftën për liri dhe në plotësimin e detyrave të kohës. Mustafai ishte edhe rapsod popullor. Vjershat e tij i këndonin nxënësit e tij gjatë LANÇ dhe, jo pak linin bankat e shkollës e shkonin në rreshtat partizane. 

“Kurvelesh, kryet ngrini
i madh e i vogël dilni
burra e gra hasmit i bini
vjen dushmani po t’i bini
asnjë të gjallë mos lini...”

Janë disa vargje që u bënë aq të njohura në atë kohë. Shahua nuk ishte më pak. Në raste gëzimesh apo pikëllimi ligjërimet e saj ishin poezi dhe të gjithë hapnin veshët e dëgjonin: “Kur luftohet dhe do vriten në çdo prag/se liria është e shtrenjtë,themelet i ka në gjak/Vdiq Jashari,djali ynë jo liria/vdiq Jashari ynë i bukur që të çlirohet Shqipëria...”Kështu vajtoi Shahua djalin e saj, Jasharin,që ra në ballë të luftës për liri. Kështu vajtoi edhe djalin tjetër, Nuriun-Hero i Popullit- që ra në përpjekje me bandat që donin të përmbysnin pushtetin që populli e fitoi me gjak e sakrifica. Fshati mbajti një vit zi për Nuriun. Në dasma e gëzime për një vit rresht nuk bëhej këngë. Po ende pa u mbushur viti, zinë e prishi Shahua. Në ceremoninë e organizuar për Ditën e Çlirimit, ajo hodhi vallen e para. “Gëzimi për fitoren e lirisë është më i madh se helmi që kemi”, tha ajo gjithë krenari për fitoret. Mustafai nuk rrinte dot pa nxënësit e tij. Edhe në çastet e pushimit ata i grumbulloheshin dhe dëgjonin prej tij histori e ngjarje nga jeta. Me bisedat e tij gjithë qetësi e maturi i bënte për vete, jo vetëm fëmijët, po edhe të rriturit. Po edhe Shahua e mbushte shtëpinë plot me vajza që u mësonte të qepnin e të qëndisnin. Mustafai punoi si mësues e drejtues në Kuç së bashku me Thoma e Vasiliqi Papadhopullin, me Nuredin Xhemalin e Veledin Zenelin,Ymer Luçin etj, po edhe në Delvinë, Mallakastër, Vlorë, Gjirokastër, Konispol e gjetkë. Ai që në fillim të karrierës së tij si mësues u njoh me atdhetarë si Luigj Gurakuqi, Halim Xhelo, Jani Minga që i dhanë kurajë të përballonte vështirësitë e jetës e të punës. Kur regjimi i Zogut ngulmonte që t’i thureshin lavde mbretit, Mustafai në mes të mbledhjes e në prani të autoriteteve të kohës deklaron “Ne djemve do t’u themi të vërtetën e ngjarjeve që ndodhin në këtë vend. Ata janë e ardhmja e kombit.” E transferuan, po nuk e gjunjëzuan. Në vitin 1943, ndër të parat shtëpi që dogjën italianët ishte ajo e Mustafait, një shtëpi dykatëshe e posa ndërtuar. Tek shikonte gjuhët e flakëve që e përpinin shtëpinë, ai gjithë pikëllim, po edhe me besim në rrugën që vendi kishte nisur, u shpreh “U dogj shtëpia, po do të vijë liria. Rroftë djalëria!” Kurajoze dhe burrëreshë ishte edhe Shahua. Teksa mori vesh vrasjen e Jasharit në prill 1944 e vajtoi, aq më tepër që u varros atje ku ra e ajo nuk mundi ta puthte për të fundit herë dhe varrin nuk e kishte parë. Ndjenjat e saj si nënë, po edhe guximi i saj i kalojnë kufijtë e realitetit. U nis me këmbë dhe vajti të shikonte varrin e të birit në Vergo të Delvinës. E zbuloi pak. Dora i vajti në ballë ku e kishte marrë plumbi. Dhe kështu, zemërpërvëluar, me lotët çurg e buzët që i dridheshin, vetëm dy fjalë mundi të thoshte “Hallall gjiri,o bir!” Vetëm dy fjalë tha nëna, po ato flisnin shumë. Ishin dashuri prindërore dhe atdhetarizëm, pikëllim dhe kushtrim për liri. 

“...Dhe mori nëna ca fije floku
dhe kapelen me yllin në ballë
dhe çantën me kujtime te blloku
i mbajti pranë të nxirrte mallë...”.

Reliktet e djemve dëshmorë, gjenden në dhomat e shtëpisë të shndërruar në muze. Nuk kishte njeri që e vizitonte atë shtëpi e të mos emocionohej tek shikonte atë Muze-një pasuri e vyer e traditës sonë. Dhe kështu ballëndritur ecën të dy në rrugët e jetës edhe pas çlirimit të vendit. Detyrën e mësuesit Mustafai nuk e ndau nga puna për grumbullimin e fjalëve të rralla kur përgatitej Fjalori i Gjuhës Shqipe dhe mbledhjen e sistemimin e folklorit popullor të zonës. Këto i sistemuan dhe i botuan në një vëllim dinjitoz Hasan dhe Lena Luçi. Titulli “Mësues i Merituar”, akorduar nga Presidiumi i Kuvendit Popullor është kurorë nderi e lavdie për të dhe nder e krenari për fshatin. Ai u nda nga jeta 45 vjet më parë dhe Shahua 26 vjet më parë, por emri dhe vepra e tyre jetojnë në këngët e popullit, në kujtimet e bashkëkohësve, në gjurmët që lanë në jetë.