“MOSMARRËVESHJA” / RAMIZEJA, PUSHKATIMI I “YLLIT” TË BRIGADËS SË PESTË

334

Ramize Gjebreja, ja shkaqet e ekzekutimit mafioz

HISTORIA/ Nga vëllimi “Mosmarrveshja” e shkrimtarit të shquar shqiptar Ismail Kadare

Si e sulmuan gruan e bukur njerëzit e ditur dhe e mbrojtën ata pa shkollë

Viti 1943 ishte viti i parë i këtij krimi. Vrasjet pas krahëve ishin motërzimi ballkanik i terrorit rus. Nako Spiru, një nga shefat kryesorë komunistë të Luftës, qysh në atë kohë, në një letër drejtuar shefit kryesor, Enver Hoxhës, i shkruante, ndër të tjera, për ca vrasje të dyshimta. Ndër emrat e të vrarëve përmendet Zaho Koka. Nako Spiru e ka shkruar këtë letër fill pas pushkatimit prej vetë shokëve të tij komunistë të të fejuarës së tij: R. Gjebrea, me nofkën “Ramona”, një vajzë partizane me një bukuri të rrallë, ardhur në mal nga qyteti. Vrasja e saj, që tronditi në atë kohë gjithë Shqipërinë, ende sot në kohën që po shkruhen këto radhë, ka mbetur e errët. Pyetjen “përse?” e ka bërë e para ajo vetë, sipas dëshmitarëve të shumtë, e lidhur siç qe, në një qilar të pistë, në katundin Ramicë të Vlorës. Pyetjen e ka përsëritur, fill pas viktimës, njeriu më i afërt i saj, Nako Spiru, i fejuari i vajzës. E ndonëse shefi kryesor komunist, në fillim as ai s’merr veçse një përgjigje të mjegullt. Lihet të nënkuptohet se shkaku i dënimit ka qenë i tillë që është vështirë të thuhet, për të mos plagosur shpirtërisht shefin e rëndësishëm. Shumë shpejt shkaku merret vesh: Ramona, njëzetenjëvjeçarja me inteligjencë dhe bukuri të rrallë, qenka dyshuar për lidhje dashurie me njëfarë Zaho Koka. Rrjedhimisht, “gjyqi partizan” paska mbrojtur, veç të tjerash, nderin e një prej shefave të lartë të tij! Dyshimi, sa vete rritet, sidomos pas vrasjes së vetë Zaho Kokës, çka e tregon qartë letra e dërguar shefit të madh, E. Hoxhës. N. Spiru është i pari dhe i fundit që, jo vetëm shkruan se “rivali” i tij është vrarë pas shpine, por guxon ta pyesë E. Hoxhën përse ka ndodhur kjo! Çështja e vrasjes pas shpine lidhet me diçka tjetër: Nëse joshësi i Ramonës është vrarë në këtë mënyrë, kjo do të thotë se ai duhej të merrte në varr një të fshehtë. E fshehta lidhej me pyetjen që do të përsëritet qindra herë, nga mijëra njerëz, në dhjetëra vite: Nëse u besua vërtet si një faj pasional, që dëmtonte çështjen e moralit në Luftë, me fjalë të tjera, disi i përligjur, ndonëse tepër i ashpër, rrjedhimisht i dënueshëm, atëherë përse u dënua me pushkatim vetëm ajo, “femra”, dhe jo tjetri, “mashkulli”? Në një vështrim të parë duket si një njollë e zezë që i vihet atij që është himnizuar shpesh si virtyti kryesor, si shenja e parë identitare e shqiptarëve: “burrnia”. I ashtuquajturi gjyq partizan i Vlorës, bëhet, në këtë rast, simbol i urryer i maskilizmit shqiptar, atij që burrninë e kthen në të kundërtën e vet. Problemi, ndërkaq, ngjan shumë më i thellë. Vetë vrasja, por sidomos fshehja e së vërtetës për të, e sidomos shndërrimi i saj në një histori të rrejshme dashurie, për gati shtatëdhjetë vite rresht, dëshmonte për diçka të paparë në historinë shqiptare. Më saktë se ligjërimet e kohës, se përplasja e ideve dhe profecitë e ndërluftuesve, ai krim paralajmëroi një gjysmë shekulli zi dhe mjegull, në historinë aspak të kthjellët shqiptare. Është kjo arsyeja që gjithsesi e përligj zhbirimin e hollësishëm të asaj që ndodhi në shkurtin e egër të vitit 1944, në Ramicë të Vlorës. Qysh pas pushkatimit të Ramonës përpara brigadës partizane, pyetja e pashmangshme, se ç’është kjo që ka ndodhur: Gjyq partizan apo sheriat arab?, s’ka reshtur asnjëherë. Nëse kanë kryer mëkat, atë e kanë kryer së bashku. Se i tillë ka qenë gjithmonë dhe kurrsesi ndryshe mëkati i dashurisë. Bashkë me lajmet që vijnë nga Shtabi i Përgjithshëm, ku Zaho Koka paska shkuar të japë shpjegime, dyshimet shtohen. Jo vetëm s’ka dënim për ‘donzhuanin’ e dyshimtë partizan, por atij i qenkan kthyer armët dhe gradat. Dhe, për më tepër, i qenka dhënë edhe një qese me flori… Kjo e fundit ngjan me një trillim të sajuar enkas për ta poshtëruar atë farë trimi. Për një habi të madhe, dëshmia e mësipërme jepet jo nga ndonjë dashakeqës, por nga një adhurues i Zaho Kokës, profesorit komunist Sofo Lazri, në vitin 2002! E vetmja gjë që sqarohet është, se qesja me flori s’qenkësh ndonjë shpërblim për tradhtinë që i ka bërë të dashurës, siç pëshpëritin smirëzinjtë, por për një mision sekret të ardhshëm, çka tregon se sa fort e çmojnë Z. Kokën shokët “atje lart”. Është po ky profesor stërkomunist, që dëshmon “padrejtësinë” tjetër që i bëhet trimit të vetmuar Z. K., përçmimin që vendasit tregojnë për të kur kthehet në katund. Nuk i flasin, ndoshta pështyjnë në tokë, e ndoshta murmuritin nëpër dhëmbë fjalën “judë”. Nga shtabi “andej lart”, mbërrijnë, ndërkaq, udhëzime të rrepta: Të mos flitet më për R. Gjebrenë! Të harrohet Ramona bashkë me historinë e saj! Sipas anketuesit V. Baruti, Enver Hoxha vetë paskësh pranuar se kishte qenë gabim pushkatimi i saj, megjithatë, shefi i madh mendon, se mjaft u fol për të. Ka ardhur ora e heshtjes. Por as ora, as dita e heshtjes nuk vjen. Përkundrazi, jehona sa vete merr dhenë. Legjenda e yllit të bukurisë, e zanës së maleve, princeshës flokëverdhë kthehet në njëfarë elegjie kombëtare. Hidhen trakte për të nga kundërshtarët politikë, nga mbretërorët, nga nacionalistët, s’do të ishte çudi nga vetë gjermanët. Të gjithë e duan për vete. S’ishte komunizmi i përshtatshëm për qenie të tilla të epërme. Princesha ka gabuar kur është bashkuar me të. Komunistët e kuptojnë se betejën e heshtjes e kanë humbur. Të mundur, heqin dorë prej saj. Në pamundësi për ta fashitur gojëdhënën përpiqen t’i ndërrojnë drejtim. Ta kthejnë në favor të Zahos, kundër Ramonës. Ramona duhet të poshtërohet. Madje, me ngut. Me të gjitha mjetet që njihen aq mirë prej shekujsh. Zhdrivillimi i dosjes R. Gjebrea, nga faza e parë, ajo e heshtjes, hyn në një fazë të dytë, atë më të rrezikshmen. Poshtërimi i një femre ka qenë gjithmonë më i lehtë se poshtërimi i një burri. Gjithçka e brishtë, e bukur, e sinqertë e vajzës, mund të kthehet lehtësisht kundër saj. Ajo vjen nga qyteti i largët me hije aristokratike i Gjirokastrës, nga shtëpia e madhe e Gjebrenjve, me dritare të mëdha, me qiellzana të gdhendura e doke të fisme. Ashtu si zonjusha tjetër e brishtë Musine Kokalari, nga shtëpia e Kokalarëve, që do të ketë një fat të ngjashëm. Këto janë zonjusha të kohës, asaj që mund të quhet “belle epoque”, version ballkanas, me shumë sqimë, me trille natyrisht, me gjuhë të huaja (Ramona, përveç italishtes, që ishte në modë, dinte anglisht dhe frëngjisht e Musineja gjithashtu). E kështu me radhë, me Dante Aligierin, të mësuar gati përmendsh, me Nietzsche-n dhe Schopenhauer-in, me maniera të sjelluri fine dhe, mbi të gjitha, me pamje të bukur, tepër të bukur. Të gjitha këto mund të kthehen, ashtu siç u kthyen, kundër tyre. Ja Ramona, në mbrëmjet e ftohta, pranë zjarrit, iu reciton partizanëve këngën e pestë të “Ferrit” të Dantes, atë të dashurisë tragjike midis Françeska da Riminit dhe Paolo Malatestës. E reciton italisht, pastaj shqip, çastin e puthjes së parë midis tyre, çka do të jetë një vërtetim i akuzës që do t’i bëhet si nxitëse e shthurjes morale. Ashtu siç do të quhet e tillë, këtë herë prej Zaho Kokës vetë, këshilla e vajzës që të përdorë furçë e pastë dhëmbësh, për gojën e tij problematike. Të dyja këto, Kënga e pestë e Dantes dhe higjiena e gojës, meqenëse lidhen me puthjen, janë fakte të mjaftueshme për gjyqin partizan, që vërtetojnë akuzën, që çon drejt vdekjes. (Duhet të jetë hera e parë në historinë mijëvjeçare të gjyqësisë botërore, që furça dhe pasta e dhëmbëve, bashkë me një poemë të Mesjetës, të merren si dëshmi krimi prej një gjyqi, në përbërjen e të cilit ka një komunist që ka studiuar për drejtësi në Francë!) Merret me mend interpretimi që u bëhet gjesteve të përditshme të Ramonës, krehjes me kujdes të flokëve, që ajo nuk e harron kurrë, pastërtisë trupore, buzëqeshjeve, përqafimit që komisarja e re iu bën partizanëve kur nisen për aksion ose kthehen prej tij, ledhatimi i flokëve të tyre e gjer tek e qara shumë ditë rresht për heroin e vrarë në Tiranë, Misto Mame, vërtetim i mjaftueshëm për disa, se paska qenë e fejuara e tij e fshehtë, përpara se të fejohej me Nako Spirun… Të gjitha këto, agjentët e Sigurimit famëkeq shqiptar, të porsathemeluar më 1943, i shpërndanë anembanë me atë zell që e dinin veç ata. E megjithatë, një mrekulli e madhe po ndodhte, e ky ishte i vetmi lajm i mirë: balta nuk zinte mbi vajzën. Ishte një gjë e rrallë, pa dyshim, njerëzit ishin mësuar me shprehjen se “plumbi nuk zinte”, por jo balta. Dhe jo vetëm kaq. Balta jo vetëm nuk zinte, por pas çdo hedhjeje të saj, vajza ndritte më fort. Heqja dorë nga përbaltja e Ramonës ka qenë faza e tretë e procesit të habitshëm të pasvdekjes së saj.

Çifti mitik: Gjyqi, ja qëndrimet e Shefqet Peçit e Hysni Kapos

Komunistët binden se duhet përmbysur me ngut kjo gjendje. Duke pranuar humbjen, ata rreken të vendosin një drejtpeshim midis të dyve: Ramonës dhe Zahos. Të sajojnë një çift mitik sipas modelit të Romeos dhe Zhulietës. Por çifti qëllon i vështirë. Ramona ka një përparësi ndaj tjetrit: vdekjen. Ashtu siç Zahoja ka një mungesë: jetën. Që të vihen në kushte të barabarta, siç e kërkon ky model legjende, duhet që së paku ai të vdesë. Nuk janë vetëm ligjet e legjendës që e kërkojnë këtë. Në radhë të parë, e kërkon logjika e terrorit, ajo që Dostojevski e kishte zbuluar një shekull e gjysmë më pare. Zaho Koka duhet të vdesë, për të mos u marrë vesh enigma e Ramonës. Dhe kështu vendoset që ai të vritet. Me plumb pas shpine, siç e dëshmon Nako Spiru. Siç e kërkon logjika. Por kurrsesi legjenda. Legjenda kërkon një vdekje romantike. Skenarin e kësaj vdekjeje, sipas V. Barutit, e sajon N. Xhuglini, e fejuara e Hoxhës, më pas gruaja e tij. Gjithmonë sipas anketuesit, motivi kryesor për vrasjen e Ramonës ka qenë xhelozia femërore. Një tjetër motiv, edhe më i fshehtë, rreh të shfaqet aty-këtu, si dritëza e zbehtë në fundin e një pusi. Sidoqoftë, skenari i epilogut vihet në jetë shumë shpejt. Vrasja e donzhuanit të hamendësuar partizan ndodh vërtet tek oborri i një kishe. Veç ndryshe në jetë e ndryshe në skenar. Në jetë me plumb pas shpine, siç thotë Nako Spiru. Kurse në skenar, sipas Xhuglinit, mortin e ka romantik, alla Romeo, në dramën e Shekspirit. Helm e pikë nga humbja e Zhulietës së tij, s’e do më jetën, ndaj si trim i marrë nxjerr gjoksin përpara gjermanëve, që t’i japë fund asaj. Suksesi i shfaqjes është i plotë. Kaq shumë ka punuar regjimi komunist nga viti 1944 gjer më 2010, saqë për shtatëdhjetë vjet rresht miti i rrejshëm e mbulon plotësisht të vërtetën. Shpifes të rëndomtë, korrierë partizanë, poetë, muzikantë, akademikë, historianë, spiunë, arkivistë, arrijnë të sajojnë një version të ri rozë të historisë së Adamit e të Evës, përzier me pak Shekspir e shumë gënjeshtër. Këngë, poema, drama, romane, kantata, kujtime, s’kanë të sosur. E të gjitha këto për një hero të rremë, në të vërtetë, për një burracak që e shiti të dashurën që, me sa duket, s’e ka pasur kurrë, veç në ëndërrime, sëmundje e njohur e meshkujve ballkanas. Për të kapur diçka më shumë nga ky kryengulth makabër, le të kthehemi prapë te nata e ftohtë e shkurtit të vitit 1944, në Ramicë të Vlorës. E lidhur me litar, midis baltës, bagëtive dhe pisllëkut, në haurin ku mezi bën dritë një kandil i zbehtë, Ramona e brishtë, shumë here do të ketë sjellë në kujtesë gjyqtarët e saj, ndërsa shpresa për mëshirë do të zhvendoset nga një fytyrë te tjetra. Ja Hysni Kapo, shefi i tyre, ka gjasë që edhe po t’u besojë pëshpërimave, të mos ia quajë për të madhe “mëkatin”, ngaqë ai vetë e ka lënë gruan e dhënë me mblesëri, në katund, për një tjetër, marrë me dashuri. Dhe ja i dyti, Manush Myftiu. Kthyer nga Italia, ku ajo ka qenë gjithashtu për studime, e sidomos student i mjekësisë, s’ka si të kërkojë dënimin e saj. Aq më tepër, të tretit, Bilbil Klosit, ardhur nga Franca, ku ka studiuar për drejtësi, e gjithë kjo s’mund t’i duket veçse groteske. Sa për të katërtin, Dushan Mugoshën, serb nga Jugosllavia, atje ku flirtet dashurore nuk mallkoheshin aq fort, e për më tepër i dërguar i Kominternit famëmadh, do të duhej t’i ngjallte më fort shpresën, sikur një dyshim i errët të mos e gërryente. Pastaj, me radhë, fytyra të rëndomta, për të cilat s’di ç’të mendojë, gjer te komandanti puritan e kokëshkretë i brigadës, Sh.Peçi, dhe ndihmësi i tij, D. Hekali, një djalë i ri, ish-ngarkues- shkarkues porti, në Durrës, që e adhuron komandantin e vet hijerëndë. Prej këtyre të dyve ka gjasë të ketë frikë, e sidomos tek ish-punëtori i portit, që pothuajse nuk e njeh.

*Titujt dhe nëntitujt janë të redaksisë

Nesër lexoni

Skuadra e vajzave si u ndërsye të vrisnin shoqen e tyre

Si u vra pas shpine, komanduesi që nuk donte ekzekutimin e Ramizesë

Skuadra e vajzave që pushkatuan Ramizenë, Nako Spiro, roli Nexhmijes dhe ballafaqimit të Ramonës dhe Zaho Kokën