Sigal

Prof. Asoc. Dr. Bernard Zotaj

Misioni anglez pohonte se partizanët ishin luftëtarë

Misionet ushtarake që erdhën në Shqipëri gjatë LANÇ-it u vendosën pranë Shtabit të Përgjithshëm, si dhe më pas edhe forcave të Ballit Kombëtar dhe Legalitetit. Misioni anglez që u përfaqësua nga Julian Emery me Bill Maclinin, u vendosën pranë Ballit Kombëtar dhe Legalitetit. Detyra e tyre ishte të rimëkëmbnin Legalitetin dhe reaksionin e brendshëm shqiptar, ti kundërviheshin LANÇ-it, dhe të ruanin pozitat e tyre kur të merrnin pushtetin pas luftës. Nicolas Bethel shkruante se Emery beson se Britania, e kishin kuptuar ngurimin e nacionalistëve dhe vlerësonte më gjerë interesat britanike dhe jo t’i ngushtonte ato me thënien e thjesht për të “vrarë gjermanë”. Është e diskutueshme të themi, se partizanët komunist ishin luftëtarë më të mirë. Megjithatë perëndimorët niseshin jo nga vlerësimet ushtarake, por nga vlerësime politike. Kur ishim duke humbur luftën, misionarët anglezë rekomandonin fuqishëm se duhej mbështetur te komunistët. Nga mesi i vitit 1943, pas betejave të El Alemeinit dhe Stalingradit, u bë e qartë se koalicioni antifashist do fitonte luftën. Rëndësi për anglezët kishte kush do merrte pushtetin në vendet e pushtuara pas tërheqjes së gjermanëve. Ndaj dhe dilnin në përfundim për të treguar, mirëkuptim me Ballin dhe Legalitetin që hezitonin të hidheshin në luftë kundër gjermanëve dhe të ruanin forcat për çastin vendimtar të marrjes së pushtetit. Ballafaqimi me misionarët anglezë del në disa momente kulmore, sidomos në verë e vjeshtë të 1944. Komanda Aleate e Mesdheut në Kajro, duke vepruar si zëdhënëse e qeverive të SHBA dhe Anglisë, i dha ultimatumin Shtabit të Përgjithshëm që të ndalte mësymjen e Div. I S në Shqipërinë e Mesme dhe të Veriut. Ajo theksonte se anglezët, nëpërmjet nënkolonel Palmerit, kërkuan të mos e godasim Bazin. Shtabi i Përgjithshëm iu përgjigj se me tradhtar do luftojmë deri në fund dhe urdhëroi Komandën e Div. I S të goditej me ashpërsi Bazi dhe se krerët e Dibrës të goditen. Për mësymjen e Div. I S në veri, Juliano Amery theksonte se lajmi i ofensivës së partizanëve bëri që mbledhja jonë të mos kishte fare gjallëri. Abaz Kupi, Muharem Bajraktari, Seit Kryeziu, Maklini, Smajli dhe unë ishim ulur për të biseduar. Këta kërkonin që misionarët anglezë të ndërhynim pranë partizanëve për të arritur një armëpushim. R. Hibbert shkruante se lajmi që na mbërriti ishte se një divizion partizan kishte kapërcyer lumin Shkumbin, kishte dëbuar forcat zogiste nga Shëngjergji e po sulmonte drejt veriut.

 

Shqiptarëve ju takon të japin gjykim vendimtar për rezultatin

Kryesia e Këshillit të Përgjithshëm të Frontit Nacionalçlirimtar analizoi problemin e ultimatumit të anglezeve, dhe orientoi forcat e Div. I S të zbatonin urdhrin e Komandës në Përgjithshme të UNÇSH-së. Divizioni të vazhdonte mësymjen në Veri për çlirimin e Shqipërisë së Mesme dhe të Veriut dhe të mos lejonin anglezët të ndërhynin, të përdoret shpejtësi dhe befasi në operacione dhe nuk duhet të hyni në bisedime me oficerët anglez, por këta të bisedonin me Shtabin e Përgjithshëm. Ndërhyrja e anglezëve në punët e brendshme të Shtabit dështoi, por dhe përpjekja e tyre për të ndërhyrë ushtarakisht. Ata kërkonin zbarkimin e trupave komando në brigjet shqiptare, për ndjekjen e trupave gjermane në tërheqje. Shtabi i Përgjithshëm i UNÇSH mbajti qëndrim krejt ndryshe nga Lëvizja Nacional Çlirimtare greke (EAM), qëndrim që iu përmbajtën deri në çlirimin e plotë të vendit. Pjesëmarrja e popullit tonë në radhët e Koalicionit të Madh Antifashist Botëror, ka qenë një përvojë pozitive jo vetëm për çlirimin e vendit, por dhe për arsye se LANÇ-i u lidh me Aleatët si, forca më përparimtare në luftën kundër nazifashizmit botëror. R. Hibberti thekson se në realitet procesi në të cilën kam qenë dëshmitar më 1943-1944 ishte shumë kompleks. Ngjarjet ishin të rëndësishme për Shqipërinë dhe tani mund të thuhet se kanë qenë të rëndësishme edhe për fqinjët e Shqipërisë. Sepse misionarët anglo-amerikanë nuk arritën dot ta futin LANÇ-in nën influencën e tyre siç bënë në Greqi dhe Jugosllavi. Kjo për meritë të Shtabit të Përgjithshëm dhe të udhëheqjes se PKSH. Lordi anglez Sir Rexhinald Hibbert misionar ushtarak pranë forcave të UNÇSH-së në librin e tij me kujtime “Fitoria e Hidhur” shkruan se mbetet fakt që ishin shqiptarët ata, që përcaktuan fatin e vendit të tyre dhe në fund të fundit do të jenë shqiptarët ata të cilëve u takon ta japin një gjykim vendimtar për rezultatin.

 

Nacionalistët ishin për veprime kundër partizanëve

Maklin theksonte se nacionalistët e të gjitha ngjyrave kishin “armikun kryesor Frontin Nacionalçlirimtar”, ndërsa R. Hibbert pohonte se “Nacionalistët i humbën shanset e tyre plotësisht sepse nuk e ngritën gishtin kundër gjermanëve, mandej as në çastin e fundit, duke i ruajtur forcat vetëm për veprime kundër partizane”. Raportet e shumta të misioneve anglo-amerikane për Londrën e Uashingtonin konfirmojnë plotësisht pikëpamjen e Frontit Nacionalçlirimtar dhe të PKSH, se Balli Kombëtar dhe Legaliteti u zhytën në tradhti. Në shkurt 1943 guvernatori i Italisë në Shqipëri F. Jakomoni emëroi kryeministër Maliq Bushatin dhe një muaj më vonë Ali Këlcyra nënshkroi traktatin Dalmato-Këlcyra. Në këtë marrëveshje Balli Kombëtar zotohej se do të ndalonte çdo veprim kundër ushtrisë italiane dhe se do ta ndihmonte atë. “Udhëheqësit e Ballit do të shkruante R. Hibberti, i kishin siguruar italianët që nuk do tu krijonin turbullira ose nuk do të pengonin përpjekjet e italianëve për të shtypur ushtarakisht LANÇ-in”. “Kupi dhe prijësit e veriut, thekson B. Fischer, si dhe Balli Kombëtar rrëshqitën gradualisht në kolaboracionizëm. Kupi, si dhe Bajraktari, me shumë gjasa nënshkroi një besë, pakt mossulmimi me gjermanët” …dhe më poshtë shkruan se “…Balli Kombëtar, dhe forcat e tij, të cilat luftonin aktivisht kundër partizanëve, ishin bërë pjesë normale e çdo force gjermane”. Balli dhe Legaliteti nuk kishin në strategjinë e tyre luftën kundër pushtuesve për çlirimin e vendit, por përkrahjen ndaj pushtuesve. Në raportet e shërbimeve sekrete dhe të ndërlidhjes (BLO) zbulohen veprimet konkrete të ballistëve kundër LANÇ-it. Në raportin e majorit Bookshall i SOE më 30.06.1944 thuhet se, “Është e provuar përtej çdo hije dyshimi se qeveria e Tiranës dhe Balli Kombëtar janë duke bashkëpunuar aktivisht me gjermanët”, …ndërsa në raportin e majorit Maklin thuhet, “Nuk duhet menduar, se kjo është një parti e organizuar (Legaliteti) në po atë mënyrë si LANÇ-i …udhëheqësit e tij …janë rreshtuar me gjermanët kundër LANÇ-it, më poshtë theksonte se, “Ballkomi dështoi në qëllimet e veta dhe tani është më larg se kurdoherë nga mundësia për ta shkëputur veten prej bashkëpunimit me gjermanët”.

 Ishin shumë të zënë me protestat kundër LANÇ-it e partizanëve

Në operacionet e Dimrit 1943-1944 dhe të Qershorit 1944, forcat ballisto-zogiste morën pjesë aktive në luftën për asgjësimin e UNÇSH. Qarkorja e Komitetit Drejtues të Ballit Kombëtar dhe M. Frashëri urdhëronin formacionet e ballit që, “Të mos merret asnjë operacion luftarak kundër gjermanëve”. B. Fischer theksonte se “Kur ofensiva gjermane e Dimrit nisi të jepte shenja suksesi, njësit e Ballit Kombëtar nisën të merrnin pjesë aktive në të, më se 10.000 nacionalistë ndihmonin gjermanët, të ndarë përafërsisht në pesëmbëdhjetë grupe, prej të cilëve gati gjysma ishin të Ballit Kombëtar”. Për legalistët, gjeneral Devis, informonte Londërn se “zogistët po bashkëpunojnë me gjermanët, po i shfrytëzojnë ata duke u dhënë armë në sasi të mëdha, duke i vënë ata të ruajnë rrugët kryesore …duke i çliruar trupat gjermane nga kjo barrë”. Bashkëpunimin e Bazit me gjermanët e dëshmojnë dhe raportet mujore të Ineligjenc Sevisit britanik e amerikan. “Asnjë figurë e vetme ndërmjet nacionalistëve, të Shqipërisë nuk e ngriti zërin e protestoi kundër gjermanëve. Ata ishin shumë të zënë me protestat kundër LANÇ-it e partizanëve”, ndërsa majori Maklin raportonte se, “Asnjë nga nacionalistët që përbëjnë shumicën në Shqipërinë e Veriut, nuk duket i prirur për të luftuar kundër gjermanëve. Në të vërtet ata bashkëpunojnë me ta”. Aleatët bënë të gjitha përpjekjet që forcat “nacionaliste” të hidheshin në luftë kundër pushtuesit, por ato me gjithë premtimet e dhëna, kurrë nuk i shkrehën armët kundër gjermanëve. Në kushtet e pluralizmit, të lirisë së shtypit dhe të informacionit, një kryqëzatë e shumëllojshme me shpifje e banalitete publicistike ka ngritur krye kundër LANÇ-it, duke arritur deri aty sa ta quajnë atë, luftë civile. Thënia e lordit anglez se “…mbetet fakt që ishin dhe janë shqiptarët që përcaktuan fatin e vendit të tyre … dhe …në fund të fundit do të jenë shqiptarët ata të cilëve u takon të japin gjykimin vendimtar, … për fatin e kombit shqiptar dhe jo bashkëpunëtorët e fashizmit.”