Sigal

SPECIALE/ Ja si vijnë të gjitha ndeshjet e grupeve në Botërorin “Rusi 2018”, detaje nga takimet me të veçantat që sollën skuadrat, çfarë do të ndodhë nga sot në ndeshjet e 1/8 të finaleve

Nga Bedri ALIMEHMETI

Turi i ndeshjeve në grupe e ka ulur siparin. Në 48 takime u shënuan 122 gola me 2,54 gola në ndeshje, një shifër e kënaqshme. Festa e futbollit të madh startoi në “Luzhniki Arena” të Moskës me takimin Rusi-Arabi Saudite 5-0 (Gazinskij 12′, Sherishev 43′, 90’+1, Dziuba 71′, Golovin 90’+4). Hapje madhështore për botërorin, nën tingujt e balalajkës, rusët u treguan të pandalshëm në “Kazaçokun” e tyre. Të nesërmen, në festën e Fiter Bajramit, Egjipt-Uruguaj 0-1, shënon Jimenez 89, ndërsa Mohamed Salah asgjë për skuadrën, edhe pse i rikuperuar ka ngrohur stolin! Me një autogol spektakolar në portën e tij në 90+5’, marokeni Bouhadouz i jep zgjidhje derbit të “vuvuzelave” Marok-Iran 0-1. Autogoli i parë, Irani me fat. Ndeshja më e mirë e Botërorit, Portugali-Spanjë 3-3; Ronaldo 4′ (11m), 44′, 88′, Diego Kosta 24′, 55′, Naço 58′. Përtej ndonjë problemi në gjykim të italianit Roki te rasti penalltisë së Ronaldos, dhe golit të parë të Diego Kostës, gjithçka tjetër e kishte të garantuar spektaklin. VAR shpëton Francën. Francë-Australi 2-1 (Grizman 58′ (p), Jedinak 62′ (p), Pogba 81′). S’ishte kjo Franca që pritej, ndërsa Islanda nuk tutet përballë Argjentinës së yjeve.

Start zhgënjyes për Mesin, Herri Kejn dhe Lukaku shkundin rrjetat

Argjentinë-Islandë 1-1 (Aguero 19′, Finbogason 23′). Barazim historik i Islandës, pasioni e talenti bën mrekullinë mbi yjet e botës. Zhgënjen Mesi me shokë. Danimarka i falet golit të Poulsen 59′, Pruja humbet për mendtë e kokës. Kroacia triumfon 2-0 ndaj Nigerisë (Etebo 32′ autogol, Modric 71′ (11m). Eurogol i Kolarov në 56′, Kosta Rika – Serbi 0-1. Goli i lojtarit të Romës i shtohet golave spektakolar të Golovinit dhe Ronaldos. Historike fitorja e Meksikës ndaj Gjermanisë. 1-0 gol i Lozanos 35′. Gjermania me petkun e kampiones së botës, por disi e vjetruar sidomos në mbrojtje. Brazil-Zvicër 1-1 (Kutinjo 19′, Zuber 50′). Brazili besoi shpejt se e fitoi ndeshjen. Merita i mbetet e gjitha Zvicrës. Suedia e bën mirë detyrën, edhe pse minimalisht fiton 1-0 me Korenë e Jugut. Shënon Grankvist 65′ (11m). Dopietë e Lukakut, Belgjikë-Panama 3-0 (Mertens 47′, Lukaku 69′, 75′). Për emrat që kishte në përbërje, Kolumbia duhet të ishte tjetër, ndërsa Japonia diti t’ia marrë me zgjuarsi fitoren. Madje për cilesinë e lojës, është skuadra më e mirë aziatike në Botëror. Kolumbi-Japoni 1-2 (Kuintero 39’/Kagava 5′(p), Osako 73′).

Uruguai “shemb” të zotët e shtëpisë, CR7 humbet penallti

Zhgënjen Polonia, nuk rezistoi ndaj Senegalit, që e merìtoi fitoren për atë që dha. Polakët me gjasa në dukje për t’i larë duart me Botërorin. Poloni-Senegal 1-2 (Krushoviak 86’/Cionek 38′ autogol, Niang 60′). Herri Kein shpëton Anglinë, shënon inextremis. Tunizi-Angli 1-2 (Sasi 35′(p)/ Kein 11′, 90’+1). Fitore e vuajtur e Anglisë. Kjo ishte me pak fjalë ekspozeja e përballjeve të para, ku 32 skuadrat shpalosën konfigurimet strukturore, rreshtimet e reparteve, veprimet në sulm, mesfushë e mbrojtje. Ndërkohë u evidentuan edhe plot elementë në bashkëveprimet kombinative në manovrat ofensive dhe difensive. Dukuri interesante që sollën plot kulminacione në takimet e tjera. Kështu “fenomeni” Salah lë Botërorin vetëm me një gol (p) ndaj Rusëve, që edhe pse tregohen të papërmbajtshëm me Egjiptin 3-1, në ndeshjen e fundit në grup i “këputen” të tria telat e balalajkës 0-3 nga Uruguaj i Kavanit. Surpriza në grupin B, Portugali-Iran 1-1 (Kuarezma 45’/Ansarifard 90’+3 (p), ku CR7 humbet penallti. Spanjë-Marok 2-2 (Isko 19′, Aspaz 90’+3/Butalb 14′, El Nesiri 81′), dhe Francë-Danimarkë, një ndeshje për t’u harruar. Kroacia shfaqet skuadër e madhe, a thua se janë në fushë Shuker, Boban, Prosineçki, Boksiç, etj. Skuadër ëndrrash, ndërsa Argjentina një turp i madh. Kroaci-Argjentinë 3-0 (Rebiç 53′, Modriç 80′, Rakitiç 90’+1). Në Kaleningrad, Zvicra e shqiptarëve gjunjëzon Serbinë, Xhaka e Shaqiri vlejnë tri pikë për Zvicrën.

 Sfidat në 1/8, historia dhe realiteti i tyre

Më tej, nga sot “beteja” të një specifike krejt tjetër nisin. Evropa është në maxhorancë me 10 ekipe në 1/8, Amerika Latine 5 ekipe, minoracë e papërfillshme, ndërsa Azia vetëm me 1 ekip. Vështirë të parashikosh, sepse të gjithë kanë në dispozicion vetëm 90 minuta. Po u mbyllën në barazim, kemi 2X15 minuta, dhe në fund penalltitë. Më 30 qershor ora 16:00, Francë-Argjentinë, figurativisht kush fiton: Kulla Ejfel apo tango argjentinase? Dhe po më 30 qershor ora 20:00, Uruguaj-Portugali, dy herë kampionët e Botës (1930,1950), apo kampionët në fuqi të Evropës? Më 1 korrik ora 16:00, Spanjë-Rusi, një herë kampione e Botës e dy herë e Evropës, apo një herë kampionia Evropës (1960)? Më 1 korrik ora 20:00, Kroaci-Danimarkë, futbolli ballkanas apo i vendeve të ulëta? Në datën 2 korrik ora 16:00, Brazil-Meksikë, samba braziliane 5 herë kampion Bote apo sombrerot aczteke? Më 2 korrik ora 20:00 Belgjikë-Japoni, “Djajtë e kuq” apo samurajt e Azisë? Datë 3 korrik ora 16:00 luhet Suedi-Zvicër, vikingët skandinavë apo alpinët helvet? Më 3 korrik ora 20:00, Kolumbi-Angli, shqipja e Andeve apo atdheu i futbollit 1 herë kampion Bote (1966). Enigma të shumta. Nga sot në Soçi, Kazan, Moskë, Novgorod, Samara, Rostov, San Petërsburg, Moskë luhet gjithçka për gjithçka