Meto Kondi: Sigurimi i Shtetit e përcolli Bilal Xhaferrin deri sa kaloi në kufirin grek

1038
Gjithçka, nga e cila kemi pasur më shumë frikë na ka ndodhur. Në këtë vend, ku diktatorët i kemi trajtuar si njerëzit më humanë në botë, ka ndodhur shpesh që karikaturat e spiunëve i kemi trajtuar për disidentë dhe servilët e letërsisë komuniste, si kundërshtarë të regjimit. Ky vend i dashur për ne, më në fund na ka mësuar se falsiteti dhe gënjeshtra kanë ngritur perandorinë e vet, nëpërmjet autocensurës sonë dhe demagogjisë shtetërore. Megjithëse, vetë Meto Kondi gjatë intervistës së dhënë për “Telegraf” nuk pranoi të bëjë asnjë koment, faktet rrëqethëse që tregon ai, hedhin dyshime të forta mbi pyetjen nëse, shkrimtari i madh Bilal Xhaferri u arratis si kundërshtar i regjimit, apo iku me detyrë të posaçme shtetërore, i ngarkuar nga Sigurimi i Shtetit shqiptar, për kundërzbulimin tonë. Gjatë gjithë rrëfimit të tij, ish- komandanti i kufirit asnjëherë nuk e vë në dyshim respektin e tij, ndaj figurës gjigande të Bilal Xhaferrit, i cili në të gjitha rastet ishte dhe mbeti një kontributor i shquar për patriotizmin e vërtetë shqiptar. Por pyetja që shtrohet në këtë rast është disi tronditëse dhe e pazakonshme: A ishte Bilal Xhaferri një individ i rekrutuar nga Sigurimi i Shtetit apo jo? Në fakt, siç e thamë më lart, ish-komandanti i kufirit, Meto Kondi nuk pranon të japë asnjë përcaktim përfundimtar. Por ai deklaron vetëm kaq: “Natën e arratisjes së Bilal Xhaferrit, ish-komisari i Postës Kufitare hoqi qëllimisht njësitin e rojeve, pikërisht në vendin ku pak më vonë kaloi Bilal Xhaferri”. Për këtë shkak, vetë Meto Kondi në intervistën për “Telegraf” u ankua pranë strukturave të larta shtetërore, duke e denoncuar këtë veprim tinëzar, por askush nuk ia vuri veshin atij. Dhe megjithëse zhurma qeveritare për arratisjen e Bilal Xhaferrit ishte e madhe, askush nga drejtuesit e kufirit nuk pësoi gjë. Kjo intervistë e sotme duket se prish shumë parametra të piedestalit të një shkrimtari disident, i cili pa asnjë dyshim deri në atë kohë ishte sulmuar ashpër nga diktatura. Madje, ajo diktaturë i kishte pushkatuar Bilal Xhaferrit edhe babanë. Ndërkohë, nuk e dimë saktësisht nëse më vonë, Xhaferri ishte i rekrutuar nga Sigurimi, apo jo? Njerëzit gjatë gjithë jetës së tyre jetojnë shpesh mes gënjeshtrave dhe vdesin duke i besuar ato. Ndërsa e vërteta shpesh krijon reaksione dhe nuk pranohet me lehtësi. Në këtë mënyrë të gjitha dyshimet do të vërtetohen pasi të hapen dosjet, por deri atëherë secili prej atyre që di diçka, duhet të ballafaqojë faktet e tij, me historinë e cila është shtruar në tryezë për t’u rishkruar. Me vërtetësi dhe ndonjëherë me trauma të mëdha. Natyrisht, të gjitha këto nuk e ndryshojnë dot faktin e dukshëm se letërsia e Bilal Xhaferrit është e mrekullueshme. 
Si e morët vesh mbërritjen e tij, për a faktin se ai kishte ardhur në fund të gushtit, në zonën kufitare? 
Këtu qëndron edhe hileja e kësaj historie. Sepse unë nuk e mësova ardhjen e tij më 30 gusht, por më 2 shtator.
Ç’domethënë kjo?
Më 2 shtator të vitit 1979, më merr në telefon një shok me funksion të pushtetit lokal e më thotë: -Komandant, a keni dijeni juve që në fshat te ne, ka ardhur BXH-ja? Pra, ky ishte shkurtimi, ose pseudonimi për Bilal Xhaferrin. 
Po ju çfarë i thatë?
Unë s’dija gjë. Në moment u nisa dhe mora kontakt me të. E pyeta dhe ai më tha: Po Bilali që nga data 25 deri në datën 30 gusht ka qenë këtu, pse nuk e di ti? Dhe më 30 në mëngjes ka marrë kunatin edhe një bashkëfshatar tjetër dhe janë nisur për në Tiranë. Mirëpo, ne na shqetëson fakti se pse nuk janë kthyer dy të tjerët, po mirë ai. Se ai në Tiranë do shkonte. Kurse ata duhet të ishin kthyer.
Si vepruat ju, në atë çast?
Unë e ndërpreva bisedën dhe shkova në Degën e Punëve të Brendshme.
Kë takuat aty?
Aty takova nënkryetarin e degës dhe e pyeta si është puna, a di gjë ti? Po, -më tha ai. Unë u fyeva shumë dhe i thashë: po unë çfarë jam këtu përse nuk më keni vënë në dijeni? Ai më tha,- i kam thënë shefit të seksionit. Por pastaj më tha se: e lashë të vinte punëtori operativ dhe ai të thoshte ty që të kishe kujdes.
Po ju çfarë i thatë?
Unë i thashë se nuk kisha punë me punëtorin operativ. Ti ke punë me mua pse nuk më njoftove mua që Bilali ndodhej aty? Ai nuk foli dhe atëherë unë i thashë: tani mbaj opingat e tij se ai ka kërcitur e ka ikur”. Po atë ditë më datën 2 në drekë. organizova kontrollin e kufirit.
Çfarë u gjet nga ky kontroll?
Në fillim të kontrollit nuk e gjet gjë. Asnjë gjurmë. Ndërsa në datën 3 njësiti i shërbimit të kontrollit gjeti diçka të veçantë. 
Çfarë gjeti?
Gjeti një letër të palosur rreth gjashtë herë dhe kjo letër ishte lëne në brezin e butë të kufirit. Por më parë dua të them diçka tjetër.
Çfarë?
Më datën 30 gusht, Bilali ishte arratisur, ndërsa në datën 1 në mëngjes, komisari i postës dërgoi ushtarë që ta ripunonin brezin e butë të kufirit. Dhe i dërgoi që në mëngjes. Por letrën nuk e kishin zbuluar. Madje, punëtorët e mëngjesit e kishin mbuluar me baltë dhe dukej vetëm cepi i letrës, së mbuluar nga pluhuri. Kështu më datën 3, atje shkon njësiti dhe shikon letrën. Në fakt, njësiti kontrolloi me imtësi se kishte dy ditë që nuk po gjendej asnjë gjurmë. Si kishte mundësi që të bëhej një shkelje dhe të mos lihej asnjë, gjurmë, qoftë edhe në brezin e butë të kufirit. Dhe kështu njësiti e gjeti këtë letër. 
Çfarë ishte kjo letër?
Ajo ishte letra e shkruar nga dora e Bilal Xhaferrit. Sapo u gjet letra mua më njoftuan urgjentisht dhe shkova atje me një frymë. 
E morët ju në dorë atë letër?
Po askush nuk e hapi atë letër para meje dhe ma dhanë mua në dorë. 
Çfarë shkruhej atje. 
Aty shkruhej: “Për arsye se nuk më janë botuar shkrimet e mia dhe jam injoruar nga Lidhja e Shkrimtarëve, prandaj, duke shprehur pakënaqësi se, jam në ndjekje nga organet e Sigurimit unë sot po arratisem nga Shqipëria. Por megjithëse, arratisem, përsëri atdheun nuk do ta mohoj dhe as nuk do ta tradhtoj. Kjo ishte me pak fjalë, përmbajtja e letrës së Bilal Xhaferrit. Dhe tani është rasti ta them plotësisht se ai ishte një patriot që atdheun e tij, nuk e tradhtoi kurrë. 
A u verifikua se i kujt ishte ky shkrim?
Po u verifikua nga organet përkatëse dhe u konfirmua se shkrimi i letrës ishte i Bilal Xhaferrit. Sipas ekspertizës. Por sipas mendimit tim, kjo letër nuk ishte shkruar në momentin e arratisjes, se aty ishte natë terri. Letra ishte përgatitur më parë nga Bilali dhe u hodh aty në momentin e fundit të largimit. 
Kur është arratisur Bilal Xhaferri, saktësisht?
Ai është larguar natën e 30 gushtit…
Kujt ua dorëzuat letrën, pasi e lexuat?
Unë letrën ua dorëzova bashkë me procesverbalin e ngjarjes organeve përkatëse. Sipas të gjitha hetimeve arrihet në konkluzionin se ai duhet të ketë ikur në datën 30 në mbrëmje, pasi i është garantuar se rruga është e lirë. Për arsye se në bazë të informacioneve të vlerësimit që u dhanë më pas rezultoi se ai deri në orën 20.00 ai ka qenë në mitingun dhe darkën e organizuar për këtë festë. Por arratisja e atyre ka qenë e organizuar.
Si mund të arrini në konkluzionin se arratisja e tyre ka qenë e organizuar?
Këtu janë shumë faktorë- tha ai për Telegraf. Dhe unë isha komandant i kufirit që kisha mbaruar në Moskë. Mua nuk mund të ma hidhte kushdo, qoftë ky edhe institucioni i Sigurimit të Shtetit. 
Cilat ishin faktorët kryesorë që juve ju ngjallën dyshime të forta.
E para e punës sipas rregullores së shërbimit në kufi, njësiti i shërbimit as nuk ndërrohet as nuk zëvendësohet dhe as nuk spostohet pa urdhrin e atij që ka dhënë këtë detyrë. Pra, nëse ju si Komandant Poste jepni një detyrë luftarake për patrullim këtu, as ministri i Brendshëm, nuk kishte kompetencë ta heqë që aty. Ndërsa atë natë Komisari i Postës në orën 11:00 të natës mori një ushtar dhe shkoi atje ku ishte shërbimi i njësitit. Dhe shkoi pikërisht atje ku rezultoi se, më vonë kaloi Bilal Xhaferri me grupin e tij. 
Çfarë i tha komisari njësitit të patrullës.
Komisari i tha: shkoni atje përtej, nja 500 metra më tutje dhe mos patrulloni këtu, se unë do të qëndroj vetë sot në detyrë. “Mirë i thanë ushtarët e njësitit”. Komisari aty ka qëndruar rreth një orë. Nga ora 11:00 deri në 12:00 të natës. 
Ç’domethënë sipas jush kjo ngjarje?
Sipas meje, si komandant i kufirit kjo domethënë që komisari e priti atje Bilal Xhaferrin dhe i uroi atij rrugë të mbarë?
Fakti i dytë është ky në analizën e bërë disa herë për këtë problem unë jam ballafaquar personalisht disa herë me Rexhep Kollin. Ish- zëvendësministri i Brendshëm për Zbulimin, pra për këto probleme. Dhe kur erdhi puna unë i tregova atij gjithë rrjedhën e ngjarjes dhe i thashë këto fjalë: “Më vjen shumë keq shoku zv/ ministër, unë jam komandant i batalionit dhe partia më ka besuar detyrë të rëndësishme, të cilën jam në gjendje ta konceptoj e ta realizoj. Por që të luajë me mua dhe me dinjitetin tim nuk e pranoj. 
Çfarë ju tha ai?
Ai më tha: -“Ku e ke fjalën”. Dhe unë i thashë: nëse kjo ikja e Bilal Xhaferrit ka qenë e organizuar atëherë ju nuk keni besim tek unë. 
Po ai çfarë të tha?
Ai u qetësua pastaj më tha: jo more se të njohim ty neve, por ik se nuk ka problem. Dhe unë i ngrita nga tavolina sepse kaq ishte muhabeti. Pra, aty pyeta veten përse kaq butë ky njeri, kur ngado ishte bërë nami. Prandaj unë nuk e ngava këtë plagë se Sigurimi kishte punën e vet dhe unë kisha punën time.
Sipas jush nëse Bilal Xhaferri do të ishte agjent i Sigurimit përse duhet të hidhte letrën në kufi?
Kjo u bë për të na mbushur mendjen neve, se ai ishte arratisur
Çfarë ishin dy të tjerët që u arratisën me Bilal Xhaferin?
Për ata nuk u fol shumë.
Në fakt u bë shumë bujë, u bë. Për shembull u tha se ka ikur një shkrimtar, u arratis Bilal Xhaferri, etj., por për ata nuk u fol fare, por për ata dy të tjerët unë që atëherë e deri më sot nuk kam dëgjuar asnjë fjalë. Unë ndonjëherë pyes veten se si ishte e mundur që një njeri i tillë me atë energji që kishte qoftë mendore, apo edhe fizike ai vajti jashtë shtetit, ku më vonë, vdiq në Amerikë. Por unë nuk dua të merrem me shkaqet e vdekjes së tij. Ndërsa kunati i tij ka ardhur këtu pas viteve të demokracisë. Madje, edhe e motra e Bilalit ka shkuar për ca kohë në Amerikë, me Selfon.
Çfarë mendoni ju për bustin e Bilal Xhaferrit në Sarandë?
Unë mendoj se ai e meritonte këtë bust-thotë ai për “Telegraf”. Në një kuptim ai ishte vërtet një patriot që ia kushtoi jetën Shqipërisë dhe interesave kombëtare. Por në anën tjetër ai ishte viktimë e sistemit të asaj kohe dhe viktimë e Sigurimit të Shtetit. Sepse ai ishte shumë i nevojshëm të kontribuonte në letërsi se sa diku tjetër. Sepse ai ishte një talent i madh në letërsi. Dhe përderisa ai ka pasur kurajën të kritikojë Ismail Kadarenë, Dritëro Agollin, etj., merret me mend që ai ishte në kulmin e lartësive letrare. 
Ju atëherë e dinit që Bilali kishte kritikuar Kadarenë, për romanin “Dasma”?
Jo as më kishin interesuar këto gjëra. Unë dija vetëm që atij nuk i botonin librat. 
Çfarë ndodhi pas arratisjes së Bilal Xhaferrit?
Pas arratisjes së tij, puna e Bilal Xhaferrit u ngrit deri në Komitetin Qendror të PPSH-së. Atje u bë sherri i madh duke diskutuar se si u arratis nga doli, ku shkoi, çfarë bënë forcat e kufirit, etj.. Kjo natyrisht, bëhej për të krijuar bindjen se Bilali ishte arratisur. Dhe unë e kuptoja shumë saktë.
A ka mundësi që këtë idenë e agjenturës së Sigurimit, ti personalisht, mund ta kesh krijuar ngaqë ishe i bindur se, batalioni i ushtarëve të kufirit ishte korrekt dhe askush nuk mund të kalonte kufirin?
Unë e them e dhe tani Bilal Xhaferri nëse nuk do të ishte përcjellë matanë kufirit me manovrimet e Sigurimit të Shtetit, ai do të ishte vrarë në vend. Unë kam qenë i bindur, jam i bindur dhe do të jem deri në fund i bindur që atë ditë, pranë përroit, njësiti kufitar është hequr me qëllim dhe paramendim. Ndryshe, kufiri ruhej me kujdesin më të madh dhe askush nuk mund të kalonte. Po ua them me bindje: Atë natë Bilal Xhaferri do të ishte asgjësuar patjetër. Ata të dy të tjerët edhe mund të kishin shpëtuar se do të manovronin për shkak të njohjes së terrenit, por Bilali nuk mund të shpëtonte dot. Aty kishte edhe diçka interesante. Sepse njësiti që u hoq qëndronte pikërisht, te përroi që ishte në krah të klonit. Aty ishte mundësia më e madhe e kalimit. Dhe komisari atë natë e hoqi njësitin që andej duke e marrë përsipër vetë, mbrojtjen e territorit për një orë. Dhe gjatë asaj ore ndodhi kalimi i kufirit nga Bilal Xhaferri. 
A e pyetet ju Komisarin e Postës se përse e kishte hequr njësitin gjatë mesnatës?
Nuk kishte përse ta pyesja, sepse unë për këtë gjë pyeta instancat e larta, deri te Rexhep Kolli që ishte zëvendësministër. Dhe ata më thanë: ne të njohim ty, prandaj mos u mërzit”. Tani po ju them skemën e saktë. Gjatë gjithë gjatësisë ishte kloni, që nuk kalonte dot e njeri. Ndërsa më poshtë ishte përroi, ku kishim njësitin tonë që kontrollonte me vigjilencë. Por ky njësit u hoq atë natë dhe Bilal Xhaferri u përcoll matanë nën kujdesin e Komisarit të Postës Kufitare-tregon ai për “Telegraf”. Kjo gjë u bë për interesat e mëdha kombëtare të kundërzbulimit, por mua më mbeti përgjegjësia për shkeljen e kufirit. Se mua nuk më thanë gjë dhe prandaj më mbeti ky turp. Po të më kishin thënë, unë do të merrja masat që ai të kalonte me komoditet të plotë. Dhe kjo bisedë do mbyllej që atëherë. 
Ç’punë kishte komisari i postës të ndryshonte vendndodhjen e njësitit tuaj?
Asgjë nuk mund ta justifikonte komisarin për këtë gjë. Ai meritonte padyshim gjyqin ushtarak. Përveç urdhrit të Ministrisë së Brendshme, nga ana e Sigurimit të Shtetit. 
Çfarë iu ngarkuan juve si përgjegjësi për shkeljen e kufirit?
Zhurma që u bë ishte e madhe, por askush nuk mbajti përgjegjësi ligjore për këtë rast. Askush nuk u bë fajtor për shkeljen e kufirit, e cila në një rast tjetër do të përfundonte gjyq ushtarak. Pra, u bë zhurmë për të bindur dikë që nga Shqipëria është arratisur një disident dhe një armik i pushtetit komunist. Por për hir të së vërtetës ne në atë kohë nuk e publikun shumë letrën e tij që ishte vendosur në vijën e butë të kufirit. Ajo letër dukej sikur ishte shkruar në kushte laboratorike dhe jo në një emergjencë rreziku. 
Ju vetë duket sikur jeni i dëmtuari më i madh për këtë arratisje?
Po moralisht unë u dëmtova shumë para vetes sime. Sepse i kisha marrë të gjitha masat për të ruajtur kufirin jugor të Republikës shqiptare. Por manipulimet që m’u bënë ishin të paparashikuara. 
Ju vetë a keni besuar se Bilal Xhaferri është arratisur nga territori shqiptar si kundërshtar i regjimit?
Nëse do ta kisha besuar këtë do të kisha dhënë dorëheqjen që në atë kohë. Unë gjithmonë kam menduar atë që thashë më lart. Që Bilal Xhaferri ishte një patriot dhe një intelektual i madh i Shqipërisë. Por nga na tjetër, ai ishte edhe një viktimë e pushtetit komunist, si edhe e Sigurimit të Shtetit. Megjithatë, kam besuar dhe besoj se ai gjatë gjithë jetës ka punuar për interesat e kombit shqiptar.-përfundon ai intervistën për “Telegraf”
Kush është Bilal Xhaferri?
Bilal Xhaferri u lind në fshatin Ninat të Konispolit më 2 nëntor 1935 dhe vdiq më 14 tetor 1986 në ShBA, ishte shkrimtar i shquar shqiptar. Bilal Xhaferi, nip i dijetarit të shquar Hasan Tahsini, u rrit jetim pa nënë e pa babë. Më 2 nëntor të vitit 1935, ai u lind në fshatin Ninat të Konispolit, në krahinën e Çamërisë. Më 1943, i vdes e ëma, ndërsa më 1945, i pushkatohet i ati si nacionalist, antikomunist. Në vitin 1948, Bilali largohet prej vendlindjes dhe nga viti 1948 deri në 1952 jeton dhe punon në Sarandë, si punëtor krahu, dhe si korrier poste, etj.. Nga viti 1954 deri në 1955 ndjek shkollën shtatëvjeçare të natës në fshatin Sukth të Durrësit. Ndërkaq, në vitin 1962-1963, boton poezitë dhe tregimet e para në gazetat “Zëri i Rinisë”, “Drita”, në revistat “Nëntori”, Ylli”, etj.. Më 1966 i botohet vëllimi me tregime “Njerëz të rinj, tokë e lashtë” që pati një sukses jo të zakonshëm. Dhe një vit më vonë, më 1967 i botohet vëllimi me poezi “Lirishta e kuqe”, i cili ndalohet nga censura komuniste. Në vitin 1967 ai shkruan romanin “Krastakraus”, që u botua më 1993-n, pas vdekjes. Nga ana tjetër, më 1968 Xhaferri shkruan skenarin për film artistik “Era shtyn mjegullat”. Dhe po atë vit, i hiqet e drejta e botimit, i ndalohen veprat e botuara, internohet në fshatin Hamalle të Durrësit, pasi ishte përjashtuar nga LSHA e Shqipërisë, me pretekstin e kritikës që i bëri romanit “Dasma” të I. Kadaresë, arratiset për në SHBA. Në vitin 1970, shkon në SHBA, në Boston dhe për dy vjet punon në gazetën “Dielli” në Boston. Ndërkaq, më 1972 nga Bostoni dërgon për botim në Ndërmarrjen Botuese “Rilindja”, në Prishtinë, romanin “Ra Berati”. Dhe më 1974, në tetor, në Çikago të SHBA themelon revistën “Krahu i shqiponjës”, si botim i Lidhjes Çame. Në vitin 1974-1986 drejton, boton dhe redakton revistën “Krahu i shqiponjës”, ku botoi shumë artikuj publicistikë, poezi, tregime, romane, skeçe, vizatime, karikatura, foto artistike, etj.. Kjo revistë ishte tribunë e mendimit të lirë që trajtonte vazhdimisht temat e problematikat e çështjes çame, çështjes kombëtare shqiptare, temat rreth diktaturës në Shqipëri e, mbas vitit 1981, më dendur problemet lidhur me Kosovën. Në faqet e revistës Bilali botonte, përveç krijimeve të tij letrare, edhe krijimtari letrare e përkthime të autorëve të tjerë shqiptarë e të huaj. Ai arriti të nxirrte 39 numra të kësaj reviste, në dy gjuhë, shqip e anglisht, deri sa vdiq në rrethana të panjohura në 14 tetor të vitit 1986. Në vitin 1975 boton fragmente të romanit “Trotuare të kundërta” në revistën “Krahu i shqiponjës” dhe në 1977 boton fragmente të romanit “Hëna e kantiereve”. Në vitin 1978 atë e plagosin disa njerëz të panjohur dhe në vitin 1981 digjet redaksia e revistës “Krahu i shqiponjës”, ku kishte dorëshkrimet e veprave letrare, studime, kërkime shkencore, përkthime, shënime politike, letra, piktura, fotografi, etj. Ndërsa, më 1986-n sëmuret dhe operohet prej tumorit. Ndërsa në 14 tetor, vdes në spital në Çikago në rrethana të panjohura. Ndërsa, më 6 maj, të vitit 1995, shkrimtari Shefki Hysa, inicioi dhe organizoi ceremonialin e rikthimit në Atdhe të eshtrave të poetit, prozatorit dhe publicistit të shquar disident Bilal Xhaferri që tanimë prehet në vendlindje, në Sarandë.
Nesër do lexoni:
Sigurimi i Shtetit e përcolli Bilal Xhaferrin deri sa kaloi në kufirin grek
– Unë e mësova ardhjen e Bilal Xhaferrit më 2 shtator dhe jo më 30 gusht kur u arratis
– Më datën 30 gusht, Bilali ishte arratisur, ndërsa në datën 1 në mëngjes, komisari i postës dërgoi ushtarë që ta ripunonin brezin e butë të kufirit 
– Në datën 3 shtator njësiti i shërbimit të kontrollit gjeti një letër të palosur rreth gjashtë herë 
– Kjo letër ishte lëne në brezin e butë të kufirit nga Bilal Xhaferri