Prof. Kastriot Bezati: Çlirimi i Përmetit nga pushtuesit pas 1615 ditëve

604
Sigal

Qëndroi i pushtuar dhe luftoi me pushtuesit 1615 ditë

 

(78-vjetori i çlirimit)

 

Në hapësirën e viteve 1939 – 1943, midis përfaqësuesve të PKSH dhe të Ballit, u bënë kontakte, u zhvilluan biseda, por nuk u arrit bashkëpunimi, nuk u evitua as konfrontimi, por u kalua në konfrontim që, në fillim, ishte politik, si për shembull në Goricë të Dëshnicës, ku u vunë përballë më 21 mars 1943, Mustafa Matohiti dhe Ali Këlcyra, në Soropull të Dangëllisë, më 25 mars 1943 u vunë përballë Skënder Çaçi, Sulo Kozeli e Minella Bulka me Safet Butkën, Avni Radovickën e Myslim Zavalanin dhe në Gosnisht të Ceries, më 10 prill 1943 u vunë përballë Dashnor Mamaqi e Dhimitër Lamani me Veli Zleushën e Xhevdet Meçanin. Rrjedha e LANÇ-it rriti prestigjin e Frontit Antifashsit Nacionalçlirimtar dhe kompromentoi atë të Ballit Kombëtar. “Populli e urren mjaft organizatën e Ballit”, – i raportonte qendrës së tij në Tiranë më 28 shtator 1943 Ali Këlcyra, i cili kishte nënshkruar disa muaj më parë, më 15 mars 1943, marrëveshjen me gjeneralin Dalmaco, ku Balli ndër të tjera e siguronte komandantin e trupave pushtuese italiane në Shqipëri se “asnjë lëvizje kryengritëse me karakter të përgjithshëm nuk do të ngjajë në Shqipërinë Jugore”, – thuhet në Fjalorin Enciklopedik të Shqipërisë.

Në pranverë dhe verë të vitit 1943 krijohen çetat partizane si dhe ato të Ballit. Më 16.03.1943, në Badëlonjë, krijohet çeta partizane “Musa Fratari”, me komandant Feti Bubësi e komisar Dashnor Mamaqi, më 13.05.1943, në Biovizhdë të Rëzës, krijohet çeta e “Rrëzës”, me komandant Riza Çaçi dhe komisar Minella Bulka, më 15 prill 1943, në Radovickë të Dangëllisë, krijohet çeta “Naim Frashëri”, me komandant Feti Radovicka dhe Komisar Petrit Radovicka, më 20 qershor 1943, në Kajcë të Dëshnicës, krijohet çeta “Dëshnica”, me komandant Et’hem Xhaferaj dhe komisar Lumo Pavari, më 18 korrik 1943, në Fratar të Dëshnicës, krijohet çeta “Riza Velçishti”, me komandant Muharrem Çaçuli dhe komisar Neim Guri, më 16 shtator 1943, në Vinokash II të Dëshnicës, krijohet çeta “Çlirimi”, me komandant Rustem Tahiri dhe komisar Minella Bulka. Në këtë hapësirë kohore kemi edhe formimin e çetave balliste: në Dangëlli çetat e Avni Radovickës e Myslim Zavalanit, ne Cerie çeta e Veli Zleushës, ndërsa në Dëshnicë çetat e Karafil Zhepovës, Tahir Seniçanit dhe Xhemal Gurit. Midis çetave partizane dhe çetave balliste konfrontimi politik do të kalojë më vonë edhe në konfrontim ushtarak dhe këtë e shikojmë sidomos gjatë Operacionit armik të Dimrit 1943 – 1944 dhe operacionit nazist të Qershorit 1944 në Cerie, në Dëshnicë e në Dangëlli, në pika të tjera të rrethit të Përmetit dhe se në luftimet me pushtuesit marrin pjesë forcat e UNÇSH. Më 7 tetor 1943, kur gjermanët kishin pushtuar Shqipërinë, Mit’hat Frashëri, kryetari i Ballit, u shkruante komiteteve krahinore të Ballit: “Të pezullohet çdo operacion luftarak kundra forcave gjermane”. Nojbaheri, nazist i rangut të lartë që drejtonte trupat gjermane në Shqipëri, shkruante: “Burrat e Ballit Kombëtar, kurrë nuk u ndeshën me forcat tona… Ata na mbronin nga partizanët”, ndërsa gjenerali Deivis, në ditët e para të janarit 1944, shkruante: “Qeveria e Britanisë duhet të denoncojë Këshillin e Regjencës, Ballin Kombëtar dhe Zogistët, të cilët(sipas informatave) po bashkëpunojnë plotësisht me gjermanët kundër LANÇ”.

Aksioni i Kuqarit dhe Përmetit, 1 – 6 korrik 1943. Djegia e parë e Përmetit, më 6 korrik 1943

Sulmi i kombinuar i Kuqarit dhe i Përmetit, 1 – 6 korrik 1943. Nisur nga numri i forcave partizane, që morën pjesë, nga hapësira e territorit ku u zhvilluan luftimet dhe nga madhësia e kombinimit taktik të veprimeve luftarake, Lufta e Kuqarit dhe e Përmetit është aksioni më i madh që kishin zhvilluar deri në atë kohë repartet partizane në mbarë Shqipërinë. Morën pjesë 12500 partizanë nga qarku i Korçës, i Gjirokastrës dhe i Beratit dhe luftimet u zhvilluan në Kuqar, në Përmet, në Qafën e Kiçokut, në Grykën e Këlcyrës, në Zonën e Çarshovës dhe në Shkallën e Barmashit. U drejtua nga një Shtab i Përbashkët Operativ me anëtarë nga tri qarqet: nga qarku i Korçës – Nexhip Vinçani, Pëllumb Dishnica, Teki Koloneci, Raqi Themeli, Petrit Dume, Misto Treska, nga qarku i Gjirokastrës – Islam Radovicka, Tahir Kadareja, Behxhet Mema, nga qarku i Beratit – Zylyftar Veleshnja, Mestan Ujaniku, Xhelal Staravecka, Neshat Hysi, Ramiz Aranitasi. Nga Përmeti në këtë shtab ishte Alqi Kristua. Komandant i operacionit u caktua Nexhip Vinçani. Shtabi i Përbashkët Operativ u vendos në Velçisht, në shtëpinë e atdhetarit të njohur Riza Velçishti. Luftimet kudo u zhvilluan të ashpra dhe me humbje të mëdha për fashistët e Musolinit. Në luftimet e Mezhgoranit, më 2 korrik 1943, ra heroikisht Asim Zeneli, biri i madh i Progonatit të Kurveleshit, komisari i çetës “Hajrdin Tremishti”. Më 5 korrik 1943, mbas tërheqjes së partizanëve, autokolona fashiste e shoqëruar me tanke e autoblinda, e ardhur nga Berati, doli në Qafën e Kiçokut dhe u drejtua për në Këlcyrë e Përmet. Fashistët e autokolonës, dogjën dyqane në Ballaban e në Sukë dhe, po atë ditë, në mbrëmje, dogjën 60 dyqane dhe 20 shtëpi në tregun e Këlcyrës.. Më 6 korrik 1943, autokolona ushtarake fashiste, pasi ndaloi pak në Kuqar, në orën 6 të mëngjesit hyri në kazermat e Përmetit dhe, gjysmë ore më vonë, dogji 177 dyqane (të tregut) dhe 125 shtëpi (të lagjes Varosh) të qytetit të Përmetit. Aksioni i Kuqarit dhe Përmeti është aksioni më i madh i zhvilluar nga forcat partizane e forcat territoriale antifashiste jo vetëm në trevën e Përmetit, por edhe në Shqipëri. Më 11 korrik 1943, ditë e diel, fashistët e Musolinit, kryejnë masakra në fshatrat Zhepë e Draçovë të Rëzës së Përmetit. Vranë 32 burra dhe djem në Zhepë dhe 28 burra e djem në Draçovë. Pas masakrës në njerëz të pafajshëm nazistët gjermanë u vunë zjarrin 48 shtëpive në Zhepë dhe 26 shtëpive në Draçovë.

Çlirimi i Përmetit, më 13 shtator 1943

Qyteti i Përmetit u çlirua më 13 shtator 1943. Qëndroi i pushtuar dhe luftoi me pushtuesit 1615 ditë. Më 8 shtator 1943 kapitulloi Italia fashiste. Ishte ky një lajm i gëzueshëm ndaj dhe u prit me entuziazëm, si kudo edhe në Përmet. U kremtua sipas traditës me të shtëna pushkësh. Të nesërmen batalioni partizan “Naim Frashëri” u vendos mbi kodrat e Përmetit në pritje të urdhrit për të sulmuar e marrë qytetin e Përmetit. Gjithashtu po atë ditë u vendosën dhe disa ishin në rrugë e sipër për t’u vendosur përreth Përmetit edhe forcat territoriale të Qendrës së Përmetit, çeta partizane e forcat territoriale të Dangëllisë si dhe forcat territoriale të krahinës së Malëshovës. Fashistët e garnizonit ose do të tërhiqeshin pa luftë nga qyteti ose do të sulmoheshin nga luftëtarët e UNÇSH. Qëndrimi i mëtejshëm i garnizonit u bë i rrezikshëm dhe vdekjeprurës për vetë garnizonin ndaj ditën e gjashtë, më 13 shtator 1943, ai u largua nga qyteti dhe po atë ditë u veprua kështu edhe nga garnizoni i Kuqarit. Në Përmet hynë forcat e UNÇSH. U çlirua kështu qyteti i Përmetit. Edhe pas kësaj dite pushtuesit hitlerianë kanë hyrë e qëndruar në qytetin e Përmetit, e kanë riokupuar edhe tri herë të tjera në kohë të ndryshme, por vetëm për disa ditë, më 2 nëntor 1943, vetëm 1 ditë, më 28 janar deri më 2 shkurt 1944, vetëm 6 ditë dhe, herën e tretë, më 11 qershor 1944 deri më 29 qershor 1944, domethënë 19 ditë, pra në të tri herët ata me vështirësi qëndruan 26 ditë në qytetin e Përmetit. Edhe pse jemi para një fakti të tillë, dita e çlirimit të qytetit të Përmetit është 13 shtatori 1943 dhe jo 29 qershori 1944. Pse? Sepse pas 13 shtatorit 1943, gjatë ditëve që u okupua, nazistët hitlerianë nuk mundën të ngrejnë pushtetin dhe administratën e tyre në qytetin e Përmetit, ata qëndruan në këtë qytet në ecje e sipër gjatë operacioneve të tyre ushtarake që ata ndërmorën për të asgjësuar LANÇ dhe shkatërruar UNÇSH në Shqipërinë e Jugut.