Masat fortifikuese në Luftën e Shkodrës, 1912-1913

1109
Prof. Asoc. Dr. Bernard Zotaj

(Në kuadrin e 105-vjetorit të Luftës së Shkodrës)

Fortifikimi i teatrit të luftimeve
Një ndër shkaqet e qëndresës së pamposhtur të forcave mbrojtëse të qytetit të Shkodrës (rreth 20.000 luftëtarë shqiptarë dhe 4.000 ushtarëve turq) gjatë rrethimit 6 mujor nga trupat e 7 divizioneve serbo-malazeze në Luftën e Parë Ballkanike, 1912-1913, sipas pjesëmarrësve në këtë luftë dhe studiuesve, ishte fortifikimi i teatrit të luftimeve. Shtabi i Përgjithshëm i ushtrisë turke, duke u nisur nga ideja e një lufte të mundshme me Rusinë dhe vendet ballkanike, filloi të mendojë për nevojën e një planizimi të ri luftarak, i cili do t’i përgjigjej situatave kërcënuese që po përvijoheshin. Në fillim të vitit 1912, Shtabi madhor turk, duke parë dhe përgatitjet e Bullgarisë, Greqisë, Serbisë e Malit të Zi, përfundoi në vija të përgjithshme planëzimin luftarak. Detyra e garnizoneve turke të dislokuara në këto dy kryeqendra, njëra e Shqipërisë së Veriut dhe tjetra e Shqipërisë së Jugut, ishte që t’i mbronin ato me këmbëngulje e me çdo çmim për të penguar suksesin ushtarak dhe politik të Malit të Zi dhe të Greqisë deri në ardhjen e forcave kryesore osmane. Për këtë qëllim shtabi suprem kishte urdhëruar që Shkodran dhe Janina duhej të fortifikoheshin aq sa të ishin në gjendje, që në mënyrë të pavarur. (edhe në rrethim) të mbroheshin për një muaj e gjysmë. Më vonë, ky afat u zgjat deri në 6 muaj. Fortifikimi i Shkodrës, u ndërtua në përshtatje me veçoritë e terrenit malor, kodrinor, e fushor, e sidomos me pengesat e mëdha ujore, me të cilat është i pasur ky qytet si; liqeni, lumenjtë e Drinit, Bunës e Kirit. Mbi këtë bazë u ndërtua edhe sistemi i fortifikimit, i ndarë në zona. Zona e Shtojit që fillonte nga liqeni (Bishti i Qenisë e deri tek Ura e Mesi; zona e Kirit që ishte në të vërtetë Bardhaj i Madh dhe i Vogël, midis lumit të Kirit dhe të Drinit, zona e Bërdicës midis Drinit dhe Bunës; zona e Taraboshit midis Bunës dhe liqenit të Shkodrës.

Punime fortifikuese solide
Krahas këtyre, në murin mbrojtës (ledhin) për të penguar përmbytjet) të ndërtuar në anën e djathtë të Kirit ishin kryer punime të mëdha me qëllim që ky mur të shfrytëzohej për mbrojtje. Ndërsa brenda në qytet ishin bërë punime fortifikuese në lagjet Ajazëm e Tepe (afër kalasë) e që ndodhet në lartësinë e Tepes. Fortifikata të ndërtuara me ngut vitin e fundit dhe që, tashmë, ashtu siç pritej, ishin gati të përballeshin me zjarrin e luftës. Në mesditë gjithçka ishte gati. Forcat e mbrojtësve të Shkodrës, sidomos në Bardhaj e Bërdicë, ishin të detyruara që të plotësonin boshllëqet e krijuara duke vazhduar punimet fortifikuese edhe nën zjarrin e armikut, veçanërisht të artilerisë. Në këtë mënyrë komanda e Garnizonit të Shkodrës mori masa që qytetin ta mbronte me një varg punimesh fortifikuese solide, duke filluar nga pjesa veriperëndimore e jugperëndimore, të mbështetur tek pengesat ujore si liqeni lumenjtë Drini dhe Buna, mali i Taraboshit dhe lartësitë që rrethojnë Shkodrën, të cilat mbyllin pjesën më të madhe të kalimeve drejt qytetit. Të gjitha punimet e kryera iu përshtatën shumë mirë terrenit. Pikëmbështetjet kishin specifikat e tyre, në fushë (Shtoj) ato ishin ndërtuar e përqendruar në të tilla distanca për të mbyllur me forca të pakta hapësirat, ndërsa në Tarabosh, Bardhaj e Bërdicë ato ishin ndërtuar në pikat dominuese. Pozicionet e para ishin ndërtuar në atë mënyrë që të shfrytëzohej me efikasitet dhe maksimalisht zjarrin e të gjitha armëve, të pushkëve, mitralozave dhe artilerisë. Gati të gjitha pikëmbështetjet ishin të përforcuara me pengesa teli të vendosur në atë formë që të siguronin mbrojtjen nga këmbësoria e armikut. Gjerësia e këtyre pengesave varej nga rëndësia e drejtimit. Në Bërdicë konfiguracioni dhe ekzistenca e terreneve moçalore kishte lejuar ndërtimin e gropave “thithëse” dhe llogoreve e mbushur me ujë. Duhet theksuar se, falë përparësive që jepte për mbrojtje terreni përreth Shkodrës, këto punime fortifikuese edhe pse në pjesën më të madhe ishin të karakterit fushor, kishin arritur qëndrueshmërinë e objekteve gjysmë të përhershme. Gjithashtu rajonet e mbrojtjes kishin një sistem te ngurtë ndërlidhje me telefon dhe me anë të dërgimit të sinjaleve me mjete të tjera, si dhe me korrierë. Në Tarabosh ishin instaluar disa aparate me pasqyra (taliografë) që komunikonin dhe jepnin urdhra sinjale për rajonet e tjera të mbrojtjes. Strehimet për këmbësorinë në sistemin e brendshëm të transheve e hendeklidhjeve ishin ndërtuar vetëm në pikëmbështetjet Nr. 2 dhe Nr. 5 ndërsa tek të tjerat ishin në tokë. Strehimet ishin të mbuluara me llamarinë të valëzuar, me pllaka hekuri dhe me thasë me rërë për tu mbrojtur nga zjarri i artilerisë së kalibrit të vogël.

U ndërtuan pikëmbështetje të lidhura njëra me tjetrën me transhe
Drejtimi kryesor luftarak, sipas planit të fortifikimit të Komandës së garnizonit të Shkodrës, kalonte nga bregu i majtë i Kirit në Shpatet veriperëndimore të Bardhajt të vogël, pastaj në shpatet verilindore dhe duke u kufizuar në bregun e majtë të Kirit. Nga kjo kuotë drejtimi kryesor luftarak kalonte nëpër ullishte deri në majë e më pas zbriste aty ku Bardhaj i Madh zbret në fushë. Transhetë këtu ishin ndërtuar si në zonën e Shtojit sepse terreni ishte i njëjtë. Kjo ishte vija e transheve, të ndërprera, me qëndrimin në këmbë dhe me çerdhe zjarri të përforcuara me thasë me rërë dhe me dhe, ndërsa në vendet ku ishte e nevojshme me lesa të thurura. Direkt para transheve përfundonte ullishta dhe krijohej një hapësirë rreth 400 metra në të cilën nuk pengoheshin veprimet luftarake. Pozicionet kryesore të artilerisë në Juglindje të Taraboshit të Madh ishin ndërtuar objekte të tipit jo të përhershëm, ndërsa për pajisjet ishin ndërtuar llogore të tipit fushor, duke marrë parasysh shfrytëzimin e thasëve me rërë. Në zonën e Fushës u ndërtuan pikëmbështetje të lidhura njëra me tjetrën me transhe dhe të ndërthurura me pengesa teli me gjemba. U ndërtuan pozicione për bateritë e artilerisë. Në zonë e Malit të Taraboshit dhe kodrat e Tepes u ndërtuan pikëmbështetje togash të pajisura me transhe, përforcuara me mure dhe të pajisura me hendeklidhje. U ndërtuan pika vrojtimi e pikëmbështetje, tela me gjemba. Karakteristikë ishte se pikëmbështetjet mbulonin me zjarr mjera tjetrën, si dhe krahët për tu mbrojtur nga sulmet krahëmarrëse e shpinëmarrëse. Në zonën e Bërdicës u përgatitën 4 pikëmbështetje, 2 PZ baterish, 2 pozicione për vendosjen e prozhektorëve. U ndërtuan dhe objekte prej guri ose guri dhe dheu. U ndërtuan rrugë karrocash e dekovili për transportimin e materialeve luftarake. U ndërtuan objekte për mbrojtjen e ruajtjen e ujit të pijshëm si në Tarabosh dhe Fushën e Shtoit. Për fortifikimi e Shkodrës D. Tucoviç, shkruante: Llogoret e saj janë të maskuara, brenda në dhe e të ndërtuara prej betoni. Së jashtëmi nuk shihet gjë fare edhe me dylbitë më të mirë. Kur fillojmë luftimet nuk dihet se nga të vjen zjarri. Janë ndërtuar një sërë pengesash të ndryshme si gropa që mbushen me ujë e të thurura me tel me gjemba që lidhen me shtylla të hekurta. E tërë fortifikata mbrohet me zjarrin e këmbësorisë, por edhe me atë të topave. Fortifikimi i garnizonit të Shkodrës i ndarë në katër zona i përshtatej karakterit të terrenit. Liqeni i Shkodrës përbënte një pengesë tjetër. Nga Ura e Bunës mbrohej nga një anije e pajisur me topa e mitraloza. Kundërsulmet (daljet) nga pozicionet e fortifikuara siguronin një epërsi të madhe për forcat e garnizonit të Shkodrës.

Faktor i rëndësishëm ishte fortifikimi
Pajisja fortifikuese e pozicioneve të luftimit luajti rol të rëndësishëm në qëndrueshmërinë e mbrojtjes. Shkodran nuk u pushtua dot me luftime, sepse faktori tepër i rëndësishëm ishte dhe fortifikimi. Si përfundim, duhet theksuar se deri në fillim të veprimeve luftarake më 9 tetor 1912, ishin ndërtuar në përgjithësi rajonet e fortifikuara në Tarabosh, Shtojë e Bërdicë, por në asnjërën prej tyre nuk ishin përfunduar punimet e planifikuara. Zona e Kirit ishte më pak e fortifikuar, punimet në Bardhajnin e Madh kishin filluar, kurse në Bardhajnin e Vogël akoma. Operacionet e para të ushtrisë malazeze rreth Shkodrës, i detyruan mbrojtësit e qytetit që të intesifikonin punimet fortifikuese, të cilat u përqendruan kryesisht në zgjerimin dhe forcimin e pozicioneve të qitjes së këmbësorisë nga qëndrimi në këmbë, mjaft efikase në luftimet e zhvilluara sidomos në Shtojë e Tarabosh. Mangësitë e fortifikimit në Bardhaj të Madh e të Vogël paraqitën një rrezik të madh për qytetin edhe pse forcat kryesore të Grupimit malazes të Zetës sulmuan pikërisht në atë drejtim. Përgjatë shpateve veriore dhe jugore të Taraboshit u ndërtuan transhe të tjera, së bashku me hendeklidhjet. Meqenëse me afrimin e forcave malazeze në Muriqan rreziku më i madh vinte nga Oblika, aty u ndërtuan një brez i tërë transhesh duke u përforcuar më shumë nga ana e veriut. Krahas kësaj në anën perëndimore të Taraboshit dhe në disa kodra në jug dhe në jugperëndim të Shirokës, u ndërtuan transhe për të përforcuar mbrojtjen e kësaj ane. Në të gjithë gjatësinë e transheve në pjerrësitë e Taraboshit u vendosen pengesa me tela, me tre-katër radhë. I gjithë sistemi i fortifikimit ishte i lidhur me telefon.
Sigal