Enver CAKAJ & Asqeri KOXHAJ/ Atje ku shtypeshin traktet e luftës

946
Sigal

Nishova, fshati i mbështetur në shpatullat e Tomorit, atje ku Dodona pati folenë e saj, të ngjan si një ballkon, ku syri të zë tërë zonën e përtejme, në Tendën e Qypit, atë vend që gjaku dhe toka me dëborën u nakatosën e u bënë flamur. Nishova ishte një nga bazat kryesore të luftës, ku formacionet partizane jepnin dhe merrnin informacione. Aty, mes fshatit të vogël me histori të madhe, dallohet një shtëpi, që në ballinën e saj ka një pllakë përkujtimore, që të duket si dekorata në gjokset e heronjve të luftës. Ajo shtëpi u përket vëllezërve Ismail e Iljaz Çela. Atëherë ishte luftë dhe kjo familje i hapi dyert teknikës së Partisë së Qarkut Berat, pa menduar se një ditë do të vihej kjo pllakë me mbishkrimin: “Këtu nga fillimi i vitit 1943 deri në çlirimin e plotë të vendit,ka punuar teknika ilegale e Shtabit të qarkut Berat.”. Si erdhi deri në këtë shtëpi kjo teknikë dhe përse familja pranoi të rrezikohej, por dhe të ngushtohej me banim? Më ngushtë dhe të rrezikuar se ishin nga pushtimi fashist e nazist, nuk do të ishin nga ata djem nënash, që punonin pa pushim për ta larguar nga vendi atë murtajë, që i vriste njerëzit çdo ditë e nga pak. Ata njerëz e morën përsipër edhe vdekjen familjarisht dhe bënë atë që i takonte çdo shqiptari të vërtetë për vendin e tij. Ata e dinin se ajo teknikë do t’i shpinte në destinacion vetëtimthi informacionet e traktet, që lufta të përshpejtohej. Që nga ajo shtëpi e thjeshtë do të shpërndaheshin në të gjithë krahinën traktet, që i bënin thirrje popullit të shtonte radhët e formacioneve partizane,që asnjë familje të mos ndihej e rrezikuar dhe e varfër. Nga erdhi dhe si erdhi kjo teknikë deri në Nishovë? Nusret Mehqemeja tregonte: “Po bisedonim me Kristaq Capon e shokë të tjerë për gjetjen e një shaptilografi. Kishim diktuar se në zyrat e fashizmit në qendër të Beratit ishte një i tillë. Aty kisha punuar një kohë të shkurtër. Me që unë e dija vendin,mora me vete Konstandin Lekën dhe morëm përsipër aksionin për marrjen e tij. Fillimisht biseduam me pastruesen e zyrave Konxhe Gjeçin, që njërën nga dritaret të mos e zinte nga brenda. Zgjodhëm një natë dimri me shi të dendur. Bëmë disa xhiro rreth pazarit dhe u afruam te dritarja, ku pastruesja e kishte bërë punën e saj. Pastaj u afruam rreth zyrave dhe iu afruam dritares. Ishte ora 21 e mbrëmjes. Roja nuk ndihej gjëkundi. Konstandini ulet gjoja të lidhë këpucët, unë mora thesin dhe me revole në dorë hyra brenda. Edhe pse ishte errësirë e gjeta shaptilografin, e futa me zor në thes dhe u afrova tek dritarja, ku Konstandini e rrëmbeu me shpejtësi dhe shkuam tek shtëpia e Nexhip Berberit, një bazë e sigurt e caktuar nga Kristaq Capo. I zoti i shtëpisë priste dhe del shpejt kur dëgjon trokitjen në derë dhe e merr shaptilografin brenda. Ne u larguam për të mos rënë në duart e fashizmit, që mund të na ndiqnin.” Në mëngjes në zyrat e fashos kishte nisur alarmi. Por tmerrin e ndjenë kur mbi tryezën e zyrës, në vend të shaptilografit, gjetën këtë letër” “Sinjor tenente! Po të doni ju presim në mal. Vdekje fashizmit! Liri popullit!”. Pas disa ditësh Nusretin dhe Konstandinin i dërguan me detyra në Perondi dhe Sheqëz të Beratit. Aty do të niste të prodhonte traktet e para ai shaptilograf i rrëmbyer në atë kiamet shiu. Pas disa ditësh vete një partizan me mushkë dhe u dorëzon një letër të Shtabit të Qarkut, e cila bënte fjalë për largimin në një bazë më të sigurt. Urdhri ishte luftarak dhe nuk diskutohej. Të dy militantët dhe partizani marrin makinën e shkrimit me shaptilografin dhe rrugë pa rrugë arrijnë në Nishovë. Sigurinë dhe mbrojtjen e teknikës e mori në mbrojtje familja Çela. Atëherë nuk bëheshin pazare, më jep të jap, e gjithë familja dhe fshati u vunë në shërbim të teknikës vullnetarisht. Shpërblim për ta do të ishte liria sa më e shpejtë. Shtëpia e Çelajve nisi të popullohej me ilegalë. Korrierët në fshehtësi, natën e në kohë me shi, hynin,merrnin trakte e sillnin materiale për të mos mbetur teknika pa punë. Nëpër natë korrierët e Qarkut, Hekuran Koxhaj, Shyqyri dhe Hasan Çela, zbrisnin në Berat ilegalisht,ku shpinin e merrnin informata. Natyrisht këta djem të nënave e kishin marrë në sy vdekjen, sepse e dinin që vepronin nën mbikqyrjen e pushtuesve. Dhe një ditë ndodhi ajo që i ishin ruajtur. Ishte qershori më të dalë i vitit 1943. Konstandin Leka u përcoll nga nëna, siç bënte çdo ditë,se nuk dihej a kthehej më,dhe u nis në drejtim të fushës së sportit në Berat. Kaloi lumin Osum dhe mori të përpjetën e kodrave të Bilçës për të kryer detyra të reja. Fashistët e kishin përgjuar disa herë itinerarin e tij dhe u vunë në ndjekje të tij. Ai u kishte shpëtuar disa herë përpjekjeve të tyre për ta vrarë,por këtë herë,i vetëm,luftoi aq sa mund të përballojë një njeri dhjetëra fashistë, të cilët e qëlluan për vdekje dhe trimi mbeti atje duke rrojtur pak, por jetoi shumë. Në shtëpinë e Çelajve në Nishovë teknika punonte me një njeri më pak. Por partizanët ishin të gjithë të gatshëm ta zëvendësonin dhe në çast atje shkoi Dhosi Odriçani. Shtëpia e Çelajve mblidhte shumë ilegalë, por dhe punonjësit e teknikës lëviznin nëpër fshatrat përreth që bënin takim me të rinj, të cilëve u flisnin për të shtuar radhët e formacioneve partizane. Por ajo që shuante dyshimet e vendndodhjes së asaj teknike, ishte e zonja e shtëpisë Nazime Çela, që mbushte tundësin me ujë dhe bënte sikur tundte kos, që të mos dëgjohej zhurma e makinës së shkrimit. Dhe ajo bazë e rëndësishme nuk u zbulua kurrë edhe pse punonte nën hundën e tyre. Kaluan vite dhe në atë shtëpi nuk lodhet më së tunduri ujë ajo nënë heroinë, por ata djem nuk harruan të riktheheshin,që të çmalleshin me ata njerëz, me të cilët punuan të sigurt. Nëna ishte atje, por teknika kishte zënë vend tek ato relike të çmuara të luftës, në muzeun e rrethit. Aty panë vetëm një ndryshim. Në ballinën e shtëpisë ishte vendosur një dekoratë,që tregonte veprimtarinë e çmuar të asaj familje. Atëherë unë im at, Petref Koxhaj, që shërbente për ta mbrojtur atë bazë,e ftoi në shtëpi Nusret Mehqemenë dhe unë përfitova e i mora këto kujtime, që i ruaj në dosje të veçantë dhe sot i bëmë publike me këtë shkrim.