Marrëdhëniet ndërmjet Petrit Dumes, Mehmet Shehut dhe Feçor Shehut

281

Albert Kotini

Vijon nga numri i kaluar….

Përgatitur për botim, më 2008-n

Shefit shtabit përgjithshëm, Shokut Petrit Dume!

Urdhrin tuaj transmetuar nëpërmjet oficer Kocit “Për të parë mundësinë e dërgimit në territorin e konvaleshencës Durrës të disa mëzave të racës e zbatova menjëherë. Meqenëse nuk munda tua përcillja me njeri, shokun Bashkim, që t’jua thoshte ju mendimin tim po ju shqetësoj me këtë letër.

Unë mendoj se territori në konvaleshencës mbi vijën e ndërtesave që radhiten me korpusin kryesor mund të shfrytëzohet për kullotën e 15-20 mëzave 1 – 2 vjeç race për një muaj, deri në 10-15 qershor kur edhe shtohet atje aktiviteti. Kjo kohë, sado e vogël, është e bollshme me u dhënë atyre një impuls ose si thotë Populli “gjak” Kjo mund të bëhet pa shpenzime

Në qoftë se me BPSh për shembull me shokun Tonin Jakova që të shfrytëzohet edhe territori i kampit të pionierëve “Qemal Stafa” aty afër sepse dhe atje nuk bëhet asnjë dëm do të rritet vlefta e kullotës e do të shtohet sasi e mëzave. Akoma më mirë do të qe sikur vetëm për natën të kullotej edhe territori ku është vendosur Garda e RPSH. Edhe këtu nuk bëhet absolutisht ndonjë dëm.

Unë u konsultova edhe me specialistë nga të pyjeve, bile sikur të qe e mundur të shfrytëzohej fusha e Dajtit në 3 – 4 muaj e verës vetëm me tufën e racës. Do të qe një fitore e madhe dhe pa kurrfarë dëmi por kjo kërkon leje nga shoku Piro Dodbiba.

Tani unë e shikoj që e kam “tepruar” duke ju preokupuar ju me këto çështje, por kam bindje që edhe Ju e kuptoni se në luftën për zhdukjen e koncepteve negative për kalin ne pa ju, jo që nuk do të kishin arritur ku jemi, por do të qemë zhdukur fare megjithëse herë herë “indirekt” ndihen rreziqe.

Presim urdhrat tuaja lidhur me këto çështje.

Me nderime Ushtarake

Shefi i SQ Veterinar

Reshit Shtepani

* * *

Shefit Shtabit të Përgjithshëm

Shokut Petrit Dume

Kam dëgjuar se po bëhen studime ndër të tjera dhe për fuqinë e punës me kafshë në zonat kodrinore e malore.

Pa parë ndonjë material e pa ditur hollësira, sikur më është fiksuar që çështja e shumëzimit të njëthundrakëve, e cila siç e dini ka marrë keq tatëpjetën, do mbetet përsëri e pa përcaktuar. Sipas mendimit tim, për ekonominë bujqësore në kushtet e sotme, një kthesë rrënjësore si e lyp gjendja aktuale, është e vështirë të bëhet pa “reaksion” . Këtë javë ju na e keni mësuar se hallet e mëdha që ka blegtoria sot e vështirësojnë një gjë të tillë. “Ngushëllim” se me këtë punë po merret ushtria si thonë, mendoj se nuk është e drejtë e nuk ndikon në zgjidhjen e problemit, sepse nga sa kam dëgjuar shokun Ministër dhe ju në ushtri me punën tonë të disa vjetëve mbrojmë veten shumë pak nevojat e organikave të kohës së luftës, prandaj mendoj se problemin e shtimit e të përmirësimit të njëthundrakëve në vendin tonë si edhe për të tëra problemet e tjera ekonomike, nuk duhet të zgjidhet jashtë ekonomisë popullore e, në radhë të parë, jashtë asaj bujqësore, sepse siç mendoj unë këtu mpleksen shumë faktorë që përsëri ushtria nuk i përballon dot.

Për të ndihmuar në zgjidhjen e këtij problemi në kushtet konkrete, duhen studime komplekse për të cilat kam këtë mendim:

Puna që po bëjmë ne ushtria në drejtim të rritjes së njëthundrakëve le të mbetet si punë eksperimenti dhe udhëheqëse, por në këtë punë duhet të tërhiqet detyrimisht edhe ekonomia bujqësore. Eksperienca e jonë 8 – 9 vjeçare në rritjen e njëthundrakëve në kushte stallore e gjysmë stallore është shumë e saktë dhe e plotë, prandaj ju propozoj që pranë Ministrisë së Bujqësisë të dërgohet një nga kuadrot e ushtrisë që ka më tepër eksperiencë në këtë drejtim, i cili të punojë e të studiojë tok me specialistët e bujqësisë edhe në terren këtë problem. Kam bindjen se nëpërmjet një veprimi të tillë më afër e më konkret do të lidhen dy dikasteret për këtë problem kaq me rëndësi e me kohë vazhdim të gjatë.

Ky person që sigurisht do ketë detyra e të drejta, do të studiojë me hollësi nga afër e nga brenda disa nga problemet e shumëzimit të njëthundrakëve disa forma e mundësi shpërndarje popullimit të njëthundrakëve dhe do t’i japi Ministrisë Mbrojtjes Popullore të dhëna ekzakte në çdo kohë mbi zhvillimin e procesit.

Po të qe se mendimi i jem ju duket me vend, me orientimin tuaj mund të përpiloj në formë të shkurtër, detyrat dhe të drejtat e këtij ushtaraku që do të dërgohet nga Ministria e Mbrojtjes Popullore në Ministrinë e Bujqësisë.

Qëndrimi i këtij kuadri atje mund të jetë aq sa do ta lypë koha. Mirë do të qe që personi, i cili do të ngarkohet me këtë punë të mbajë lidhje në fillim direkt me ju ose zëvendësit tuaj dhe me Ministrinë e Bujqësisë në mënyrë që sa të marrë rrugë puna çështjen ta drejtoni ju. Në vonë si thotë populli “Duke parë e duke bërë”.

Me këtë mendim apo variant mendoj se mund t’ju ndihmoj në gjetjen e një rruge nga shumë që dini ju për zgjidhjen e problemit të shumëzimit e përmirësimit të njëthundrakëve.

– Përsa i përket se cilën racë, kryqëzim apo tip kali e mushke do të kultivojmë, gjithashtu mendoj se janë pjekur kushtet për të bërë një konsultë të nivelit të lartë, po ju lutem që atë, në qoftë se e aprovoni që duhet bërë ta drejtoni ju personalisht. Sa më parë që të organizohet një konsultim i tillë aq më mirë do të jetë. Thonë se janë bërë konsulta e janë marrë mendime, por unë mendoj se në këto çështje disa shokë kanë mendime subjektive e të pa bazuara në realitetin objektiv. Sipas meje, për këtë problem duhen studime e sanksionime me dokumente kolegjiale e zyrtare, sepse problemi është shumë delikat.

Me nderime ushtarake

Reshit Shtepani

Mjek Veterinar

Informacionet post-mortum të “besnikëve”

Për Petrit Dumen është shkruar dhe folur mjaft si në shkrimet e mëparshëm. Çështë e vërteta si ish- skëndërbegas që kam qenë në vitet 1958-1962 për Petrit Dumen që të gjithë e kanë patur si idhullin e tyre, midis tyre edhe unë për atë kohë. Ashtu si prisnin fëmijët “plakun e vitit te Ri” për dhurata ashtu e prisnim edhe skënderbegasit ardhjen e tij në shkollë. Bënte çmos të na e plotësonte të gjitha kushtet dhe në të vërtetë e bënte. Ne e donim aq shume sa e idealizonim mbi Beqir Ballukut dhe cdo oficer tjetër madhor në aftësitë dhe kompetencat e tij. Kjo xhelozi në disa aspekte u reflektua edhe në ngjarjet mëvonshme që ndodhën në ushtri. Petrit Dume vinte i qeshur midis nesh mjaft i shkujdesur dhe bile luante futboll me ne. Sherif Ciciku na organizonte të tilla ndeshje të bukura aq sa rrallë shkollë tjetër bënte. Për Shkollën Skënderbej ruaj kujtimet më të bukura edhe për faktin se pedagogët dhe pedagoget e asaj shkolle jo vetëm që ishin të zgjedhur nga aftësia por mbi të gjitha edukatorë të shkëlqyer . Nuk do të rri pa mbajtur të gjallë nostalgjinë e asaj shkolle për shumë arsye por për cështje më thelbësore. Por ajo që ka të bëjë me Petrit Dumen e sjellur ndër mend realisht tek une sic ka qenë ( por jo siç e trajtojne pas vitit 1974) ka të bëjë edhe me anën tjetër të tij. Perit Dume aq sa na “perkedhelte” si skënderbegas por aq edhe na testonte ne karakter. Vetëm një aspekt nga 10 të tilla. Në vitin 1962 ishim maturante dhe dikush i kishte futur ndër mend Petrit Dumes të bënte një eksperiment me ne. Kështu me skëndërbegasit maturantë na futën në stërvitje që organizohesh në Shqipërinë verilindore Pukë Kukës Tropojë. Dhe për 15 ditë do të merrnim pjesë ne 18 vjecarët nisur me një marshim në këmbë nga Tirana e deri në Kukës. Eksperimenti konsistonte që për 24 orë të hanim vetëm 2 – 3 galeta një pagur me ujë dhe asgjë tjetër për të treguar sa reziston trupi i njeriut me këtë ushqim dhe sasi uji. Për të treguar se çkemi hequr nuk dua tju lodh sepse të tjerë kanë treguar shumë vështirësi në të tjera kushte por, ne mbasi marshuam nga Tirana në këmbë vajtëm dhe ramë si të vdekur në hyrje të Pukës duke u gdhirë mbi varrezat e atij vendi. Dhe kur fillonte detyra stërvitja sa shikonim në majë të një kodre ndonjë thanë vraponim me shpejtësi jo për të kapur e luftuar armikun, por për të ngrënë një kokër thanë që të shuanim etjen. Unë isha së bashku me djalin e gjeneral Vehbi Hoxhës, Mumin e quajnë dhe së bashku mbanim në kurriz një kundërtank plus tre kg peshë . Sa herë ngjiteshim majë kodrës po të mos kishte ndonjë pemë ku të kapeshim dhe po të mos kapeshim në ndonjë pemë ktheheshim në rrëzë të kodrës. Duke u ngjitur me zorr pamë të jatin e vet gjeneral Vehbi Hoxhën me gazin 69 . Për gjeneralin Vehbi Hoxhën kam një konsideratë të vecantë si për aftësi dhe karakterin e tij për të cilin mund të them ishte një nga gjeneralët më të respektuar për mua dhe për mjaft të tjerë. Por cështja në fjalë ishte këtu. unë ju luta Mominit që të ndalonte makinën e babait dhe të na ndihmonte peshën e madhe që kishim në kurriz ose të na jepte dicka për të ngrënë se po vdisnim urie dhe për ujë. Gjeneral Vehbi Hoxha ndaloi dhe shumë ashper pasi dëgjoi të birin i tha: Turp të kesh shko si gjithë të tjerët në detyrë. I tha edhe të tjera gjëra tepër të ashpra si gjeneral dhe jo si baba. Çështje që kanë të bëjnë me karakterin dhe vërtet gjenerali i tillë ka qenë për fëmijët e vet. Ikëm si të thuash me bisht në shalë dhe sot them mirë na e bëri. Në atë stërvitje “luftarake” si kundërshtar kishim forcat rezerviste na Kukësi të cilëve nuk u ishte shpjeguar që ne ishim fëmijë për ata dhe ata me tërë mend dhe seriozisht e kishin marrë që ne ishim ” armiq”. Kjo ishte aq e vërtetë sa kur ne na takonte të clironim vendin ku ata ndodheshin si armiq se kështu e donte loja jo vetëm që nuk u larguan por Kico Mustaqes që ishte komandant toge për ne desh i shpuan barkun me bajonetë.. Nejse këto histori nuk kanë vend për tu zgjatur por në faktin që ne për 15 ditë sipas këtij eksperimenti u dobësuam mbi 10 kg sejcili… Erdhi Petrit Dume në fund të stërvitjes dhe ne u turrëm rreth tij duke u ankuar dhe kërkuar pse na e bënë këtë gjë. Ai duke qeshur dha detyrën që te trajtoheshim një javë pa u kthyer në shtëpi me ushqim special për të na sjellë në gjendjen e mëparshme. Mirëpo kuptohet që ne nuk ishim gjela deti me gjithë të mira që na dha përpara që nuk mund të shëndosheshim jo për 10 kg e humbura por as moralisht dhe fizikisht. Morëm vesh më vonë që eksperimenti ishte tip allakinezçe. Atëhere kur neve e quanim idhull Petrit Dumen ndërsa në një letër që do të botohet këtu poshtë i adjutantit të tij personal të vjen keq që shkruhet për Petrit Dumen në këtë mënyrë. Dihet që adjutanti i Petrit Dumes respektohej e dëgjohej nga vetë Petriti shumë dhe ai isht që na i conte shumë dëshirat tona tek Petriti. Me një fjalë adjutantin e tij Petrit Dumja e trajtonte si djalë. Kuptohet që sigurimi i shtetit mbas vrasjes së Mehmet Shehut dhe Kadri Hazbiut vijonte gjueti dhe mbledhjen nga njerëz të afërt të tyre të çdo gjëje që të rëndonte dhe justifikonte fajin e eleminimit të tyre fizik. Bile i dënonin njerëzit e afërt si në rastin tonë adjutantin e Petrit Dums fillimisht përjashtim nga Partia pastaj e linte pa punë dhe këtu fillonte dhe vilej informacioni që i duhej në kushte të tilla të vështira e të rënda nga ana e adjutantit edhe për Petrit Dumen. Pa e zgjatur eshte në moralin e cdo njeriu i cili ka qenë afër këtyre njerëzve të mëdhenj që kanë gëzuar të gjitha të mirat e tyre të mos shkruajnë kështu sepse ata kanë gëzuar reputacion dhe respekt si “besnike” te tyre qoftë edhe pse e pësuan më vonë. Me një fjalë personaliteti i njeriut duket në të tilla raste. Le të gjykojmë së bashku për njerëz të tillë që mbushën ndaj këtyre “grupeve armiqësore legjenda e mite të kësaj natyre për të shpëtuar sadopak veten e tyre. A janë të moralshme këto:

 

INFORMACION

Disa gjëra që më kujtohen për marrëdhëniet ndërmjet Petrit Dumes, Mehmet Shehut dhe Fecor Shehut

Petrit Dumja e donte me shpirt Mehmet Shehun dhe mezi e priste rastin që të takohej me të. Në stërvitjen me trupa që është bërë në Peqin të Elbasanit mbaj mend që Petrit Dumja u interesua deri se si do të flinte Mehmet Shehu, ku do të flinte dhe të merreshin masa. Kur erdhi Mehmeti, Petrit Dumja tha ” se erdhi i llahtarisuri i ushtrisë” dhe do ta kemi pisk me të se nuk te fal kusuret.

Në një udhëtim që është bërë nga Gramshi dhe dolën në qafën e Gjarprit, Petrit Dumja u ngrit natën dhe më zgjoi nga gjumi edhe mua që të përzija qentë që lihnin se mos zgjonin Mehmetin dhe në mëngjes Mehmet Shehu u ngrit fare i qetë e kur e pyetën si fjete, u përgjigj se kishte fjetur mirë kurse Petriti i tha se kishin patur merak se mos i ishte bërë zhurmë natën.

Në një udhëtim tjetër nga veriu ku ka qenë edhe Beqir Balluku, Petrit Dumja rrinte para Mehmetit sikur të ishin të barabartë dhe kjo gjë u bënte përshtypje të gjithëve për mos kokëcarjen e tij por një herë në valbonë Mehmet Shehu e pyeti Petrit Dumen si quhet ajo maja atje, Petriti filloi të bënte shaka dhe Mehmeti i tha se ti Petrit i merr gjërat me shaka në atë kohë Beqir Balluku i tha Mehmet Shehut s’e ashtu bën kur nuk i di gjërat.

Me rastin e një përvjetorit të Brigadës së Parë u bë një marshim për në Vithkuq dhe Petrit Dumja e shoqëroi brigadën gjatë rrugës Elbasan Vithkuq dhe kur mbërriti atje Mehmet Shehu i tha si i cuditur ti Petrit me brigadën erdhe? por u përgjigj Petriti po çbën kështu more derzi i tha Mehmeti ti nuk je më djalë i ri që të bredhësh majë kalit nëpër male – kalitje, kalitje shoku Mehmet i tha Petrit Dumja.

Me rastin e 50- vjetorit të Petrit Dums Mehmeti i bëri vizitën në shtëpi dhe mbas largimit i dha alarm Garnizonit të Tiranës dhe shtabit të Përgjithshëm. kur vajti për kontroll në vendin e dislokimit të shtabit Mehmet Shehu i tha Petrit Dmes:”kështu bëhet 50 -vjetori i një gjenerali jo ashtu sic bën ti prit e përcill në furrik”.

E shoqja Petrit Dumes, Dodona Dume, thoshte se po t’i vinte Mehmeti për darkë nuk i vinte keq edhe po të ahrxhonte 50 mijë lekë.

Në një rast në Pogradec kur ishin me pushime Mehmet Shehu, Beqir Balluku, Koco Theodhosi, Avdyl Këllezi, Petrit Dumja u tha se vend më të mirë se Pogradci për të pushuar nuk ka, prandaj këtu duhet që të vinë cdo vit e ta bëni si Petriti se ai vjen këtu gjithmonë, po t’i Petrit jo të vish këtu dhe të bredhësh maleve se kam marrë vesh që nuk rri urtë dhe me ata kuajt kujdes hendeqeve.

Kur u kthyem nga Kina Mehmet Shehu e ka pritur në Rinas delegacionin dhe nga Rinasi në Tiranë Petrit Dumja udhëtoi në një makinë me Mehmet Shehun kur unë cova plackat në shtëpi të Petrit Dums, ai tha i krekosur se i raportoi Mehmetit për të gjitha gjërat po më gjatë nuk tha llafe të tjera.

Edhe Fecori kishte marrëdhënie të mira me Petrit Dumen, ata shpesh takoheshin dhe bisedonin gjatë po si rastësisht. Për shembull kur delte nga zyra në kohë të mirë Petrit Dumja ikte në këmbë dhe pa bërë as 100 metra nga ministria dhe të shikoje të afrohej Fecorr Shehu dhe me zë të lartë i merrte leje nëse mund ta shoqëronte apo jo dhe Petrit Dumja me “thjeshtësi” pranonte të shoqërohej me të kur vinin tek dera e shtëpisë së Petrit Dumes mbasi bënin edhe ca muhabet ndaheshin ose në mëngjez kur vinte në punë Petrit Dumja dhe bënte rrugën në këmbë prapë jo rrallë do të dukej Fecorri për ta shoqëruar. Edhe në zyrë i shkonte Fecorri Petrit Dumes dhe në ato raste kur ka qenë bisedat vazhdonin rreth një orë, kur dilte Fecorr Shehu nga zyra e Petrit Dumes thoshte ” ky është operativ në zgjidhjen e problemeve”.

Ndërsa Bato Karafili që kur ka qenë sekretar i parë në Përmet më kujtohet se e shoqëronte kudo vetë dhe nuk linte rast pa i shtruar dreka ose darka sa herë që shkonte Petrit Dumja. Kur kishte në Ministrinë e Brendshme Bato Karafili unë mbaj mend vetëm dy tre takime të tyre kokë më kokë por jo të gjata si me të tjerët.

Këto ishin deri në kohën që unë punova si shoqërues i Petrit Dumes.

Një moment tjetër që dua të përmend është edhe ai i përjashtimti tim nga Partia. Në mbledhjen e Komtitetit të Partisë të MPB mua mu bënë shumë pyetje dhe ato ishin të drejta që të bëheshin kur unë jepja ndonjë përgjije që u pëlqente Fecorrit ose Batos ato menjëherë më thoshin vazhdo, vazhdo se kështu është mirë dhe e shikonin njëri tjetrin në sy ose i luanin kokën njeri tjtrit.

Një nga pyetjet që mbaj mend ishte edhe kjo: Ti Bashkim ke punuar kaq kohë afër me Petrit Dumen si nuk munde që ta zbulosh këtë veprimtari të tij? Unë u përgjigja se kam patur besim dhe nuk do të më vinte mendja kurrë për një gjë të tillë. Po mirë më thanë të gjitha këto që na the neve nuk të bënin përshtypje ty? Unë i thashë se këto që u tha shumë nga juve i dinit sepse unë kam informuar që më parë vetëm me një ndryshim që nuk i kam ngritur me këtë sy që shikohen sot, pastaj dhe në zbulimin e veprimtarisë kur ti Fecorr Shehu nuk i zbulove që ishe në të gjitha drejtimet shumë më superior nga unë cne unë që jam fëmija jote si nga mosha eksperienca nga horizonti e nga cdo drejtim. Po, tha Bato po ti ke qenë shumë afër- po i them unë kam qenë afër por për ruajtjen fizike se ndonjë detyrë tjetër ose sinjalizim për ta parë me drejtime të tjera jo vetëm që nuk kisha por përkundrazi nuk duhej të afrohesha afër kur kishte ndonjë njeri që bënte muhabet, pastaj ju keni qenë më afër se unë, sepse jeni më të ditur.

Kam parasysh një tundje koke të Fecorr Shehut në drejtim të Lirim Pëllumbit mbas një përgjigje time të cilën nuk e mbaj mend si dhe shikimin e Batos po në këtë moment në drejtim të Fecorr Shehut. Këto që shkruajta më lart ia kam thënë Partisë në disa drjejtime po një letër që i kam drejtuar me poshtë Sekretariatit të KQ më bën përshtypje si nuk mori njoftim nëse e morën apo jo?!

Ndofta këto nuk kanë ndonjë rëndësi, vlerësimin nuk e bëj dot unë nga jashtë vec më rëndon shumë që jam quajtur i pasinqertë dhe nuk dua në asnjë mënyrë që të jem i tillë me asnjë njeri e jo më me partinë që se imagjinoj dot si mund t’i mbaj të fshehur ndonjë fjalë të vetme.

Do të kisha dëshirë që të merrja përgjigje nëse vlejtën ose jo dhe në radhë të parë i morët apo jo. Kam edhe një problem tjetër i cili më shqetëson dhe dua ta zgjidh: Në qoftëse është kështu si mendoj unë tani që përjashtimi im nga radhët e kandidatëve për anëtar partie është bërë me qëllim për tu maskuar në veprimtarinë e tyre të fëlliqur ata që bënin ligjin në atë kohë si Fecorr Shehu me shokë pse të mos shikohet mundësia e rehabilitimit tim.

Në qoftë se jo atëhere të më jepet mundësia ta rifilloj stazhin nga e para sepse kam që më 1975 që punoj vetëm për këtë punë në radhë të parë. Ju do të thoni qe ta filloj sic janë rregullat dhe kjo ësht-ë e drejtë po e shikoj që ka hezitim, sepse njerëzit mendojnë që ky ka qenë me armikun Petrit Dume dhe sado mirë qëtë punoj unë prapë fjalë të mira po veprim praktik nuk ka.

Për këtë problem u takova me shokun Pilo Peristeri dhe më tha ti bëj dokumentet, po në Komitet të Partisë të rajonit nr.3 nuk ka asnjeri dijeni dhe gjendja mbetet po ajo.

Do tu lutesha të më ndihmoni për zgjidhjen e këtij problemi tepër shqetësues për mua dhe njerëzit e mi. Në qoftëse keni mundësi më thoni si të veproj

Me nderime e respekt, besnik deri në vdekje i partisë B.A