Kush e shkatërroi kopshtin 100-vjeçar të princeshës “Senije Zogu” në Korçë?!

340

Ish-kryebashkiakët abuzuan me hapësirat publike, asnjë hetim ndaj tyre

Korça kishte dy kopshte (lulishte) ose siç i quanin në atë kohë, “bahçe”, mjaft të bukura, të mbushura me lule dhe pemë, të thurura me kangjella dhe gurë të bardhë të gdhendur. Në krye të tyre (si te njëra ashtu edhe te tjetra) ishte ngritur nga një tribunë, ku bandat muzikore jepnin koncerte pa fund gjatë mbrëmjeve të beharit. Në këto dy lulishte mblidheshin të rinjtë, djemtë dhe vajzat. Ata këndonin dhe përpiqeshin të tregonin talentin e tyre. Gjithë njerëzia që mblidhej aty, i dëgjonte me vëmendje dhe kërshëri. Argëtimi ishte këndellës, gjallërues e çlodhës për të gjithë. Njëri prej kopshteve mbante emrin e Themistokli Gërmenjit dhe gjendej në lagjet e ortodoksëve, kurse tjetri quhej kopshti i princeshës Senije Zogu dhe ndodhej në lagjet e myslimanëve. Këto dy bahçe kishin ekzistuar edhe më parë si prona të themeluesit të Korçës, Iljaz bej Mirahori, por pas vitit 1920 ato u blenë nga bashkia, e cila u dha emrat respektivë që përmendëm më sipër. Deri në ardhjen e demokracisë, drejtuesit e bashkisë u përpoqën që në të dyja lulishtet të investohej pak a shumë në vlerë të njëjtë, që të mos kishte pakënaqësi si nga njëra palë ashtu edhe nga tjetra. Dhe kështu ndodhi deri në mbërritjen e së nderuarës demokraci

Kishte ardhur liria!

Më në fund kishte mbërritur demokracia, e thënë ndryshe, kishte trokitur liria! Në shumë vende të botës ajo ka portretin e një  bukurosheje të dëlirë, por në Shqipëri erdhi me fytyrën e një lope që nuk ngopet kurrë. Me nepsin që e nxit të kapërcejë gardhe e sinorë e të ushqehet me barin e livadheve të të tjerëve. Kështu ndodhi edhe në Korçë. Në këtë qytet, demokracia erdhi si një lopë që nisi të  ushqehet me hapësirat e gjelbra publike, me historinë e qytetit, me epshin për të lënë djerr memorien e banorëve të saj. Ky frymëzim makabër dukej se i buronte nga thellësitë e errësirës së ferrit. Tashmë, (pas ardhjes së demokracisë), ekziston vetëm kopshti “Themistokli Gërmenji”, por jo lulishtja e princeshës “Senije Zogu”. Drejtuesit e bashkisë, (jo të gjithë, por disa prej tyre) herë i shkëputën një copë dhe herë një tjetër deri sa e masakruan plotësisht. Në copat e rrëmbyera u ngritën pallate të larta disakatëshe, të cilat i zunë frymën edhe asaj copëze që mundi të mbetej gjallë. Por edhe pse u abuzua me një nga hapësirat publike më të rëndësishme të qytetit të Korçës, sepse ajo ishte pjesa e pandashme e zonën historike të qytetit, deri më sot nuk është kryer asnjë hetim se, cili nga kryebashkiakët u shndërrua në protagonist për zhdukjen e saj dhe cilët ishin të tjerët që ndoqën shembullin e tij. Për sa kohë që drejtësia do të heshtë, “kjo lopë e pangopur” do të ushqehet me të tjera prona publike dhe me kujtesën e banorëve të Korçës, veçanërisht të lagjeve të vjetra të saj, “Kasabasë”

E çuditshme!

Po , më shumë se e çuditshme. Zona më e vjetër historike e qytetit të Korçës u ruajt nga diktatura dhe u prish nga demokracia! Gjatë kohës së monizmit të dy lulishtet u ruajtën ashtu siç kishin qenë që nga dita e krijimit të tyre. Nuk u prek aspak as lulishtja që mbante emrin e princeshës Senije Zogu. Edhe diktatura e kuptonte se ajo lulishte ishte pronë e qytetarëve dhe jo e ish-princeshës në fjalë. Në këtë vend nuk u vu dorë, sepse pikërisht aty shtrihej zona më e vjetër historike, kulturore dhe arkitekturore e qytetit të Korçës. Mund të duket e pabesueshme, por diktatori Hoxha nuk e prishi as medresenë, që gjendej pranë bahçes së princeshës, e cila ishte shkolla më e vjetër të vendit, e ndërtuar që nga viti 1496. Pasardhësit e themeluesit të Korçës, Mytevelinjtë, pretendojnë se aty mësohej shqip, por edhe kjo gjë nuk e ndali dot shkatërrimin e saj. (Sot ajo nuk ekziston, u prish para një apo dy vjetësh). Diktatura e ruajti me fanatizëm zonën me histori 500-vjeçare, pjesën më të rëndësishme të saj, ku ishte ngritur amareti; mensat, furrat e bukës, gjellëtoret, hanet dhe dyqanet. U ruajtën edhe shtëpitë e vjetra karakteristike, rrugët dhe sheshet ashtu siç kishin qenë që nga zanafilla e tyre. Madje, edhe pse kopshti i Senije Zogut shtrihej deri te xhamia, përsëri nuk u vu dorë për prishjen e tij. (Sot asgjë nuk ekziston nga të gjitha  këto. “I hëngri lopa!”). Demokracia që erdhi me fytyrën e lopës nuk kishte të ngopur, do të rrënonte gjithçka. Dhe sërish askush nga ish-kryebashkiakët nuk është hetuar, madje askush nuk i ka pyetur: Zotërinj kryebashkiakë, pse nuk ndodhi kështu edhe me kopshtin “Themistokli Gërmenji”? Nga u buronte gjithë kjo urrejtje dhe papërgjegjshmëri? Gjithsesi, po vijojmë më tej me rrëfimin tonë, ja si u krijuan dy kopshtet e mëdhenj të Korçës

Kopshti në lagjet e myslimanëve

Kopshti “Themistokli Gërmenji” që gjendej në lagjet e ortodoksëve ishte ndërtuar pak kohë më parë. Tashmë po shihej mundësia që edhe në lagjet e myslimanëve të kishte një kopsht po kaq të bukur. Vendi ku do të ngrihej lulishtja në fjalë u ble nga bashkia e qytetit. Në ato ditë “Gazeta e Korçës”, 18 prill 1925, shkruante: “Për të zbukuruar qytetin edhe nga lagjet e myslimanëve, bashkia bleu vendin që është karshi hyqymetit (qeverisë) së vjetër, të cilin do ta bëjë kopsht publik”. Pas blerjes së vendit, për shndërrimin e tij në një bahçe të vërtetë, nisën të bëheshin investime vit pas viti. Sollën lule nga më të bukurat, gjetën pemë të tilla që të kishte gjelbërim edhe në dimër, thirrën një nga arkitektët më të zotë për konceptimin e rrugëve që do të përshkonin bahçen, caktuan një agronom që të kujdesej çdo ditë për bukurinë dhe lulëzimin e kopshtit. Dhe kjo bukuri lulesh u shndërrua në mrekulli. “Ishte një lulishte që të linte të mahnitur!” Kështu shprehen sot banorët e lagjeve të “Kasabasë”, (qytetit të Korçës). Nga sa mbahet mend prej më të moshuarve, thuhet se agronomi kujdesej për lulishten me një përkushtim të habitshëm. Sigurisht, që nuk është trillim. Kjo gjë është vënë në dukje edhe nga shtypi i kohës. Ja çfarë shkruhej: “Bashkia jonë po ndërton një kopsht publik të ri, kundrejt hyqymetit të vjetër. Kopshti po ndërtohet nën kujdesin e agronomit Alizoti dhe shpresohet të mbarohet për së shpejti. Përgëzojmë bashkinë për këtë vepër përparimtare dhe z. agronom, i cili nuk kursehet për vepra kësodore”. (“Gazeta e Korçës”, 30 prill 1927). Po ku ta dinte i shkreti agronom Alizoti, se do të vinte një ditë që në bahçen e tij do  të hynte një “lopë e pangopur” e nuk do t’i linte kopshtit as lule dhe as gjethe.

Bahçe për princesha!

Thonë që kopshti u bë kaq i bukur dhe kaq mbresëlënës sa edhe një princeshë do ta kishte zili. Një bahçe të tillë mund ta shihje vetëm në ëndërr. Sigurisht, merita i takonte edhe agronom Alizotit. Bukuria e luleve të freskëta rrethohej nga arkitektura klasike e para 500 vjetëve, një kombinim fantastik, që e tregonte qartë edhe ditën e themelimit të këtij qyteti me emër të madh. Ndoshta kjo ishte dhe arsyeja që grave dhe vajzave më të shkolluara të qytetit të Korçës, të cilat sapo kishin formuar shoqërinë “Gruaja Shqiptare” u ra ndërmend që këtë bahçe ta pagëzonin me emrin e njërës prej princeshave. Dhe ato zgjodhën princeshën Senije Zogu sepse me të kishin patur rastin të njiheshin më nga afër. Në këtë shoqëri bënte pjesë edhe Violett Kennedy, gruaja e z. Phineas. Dy bashkëshortët ishin misionarët e parë protestantë amerikanë, të cilët kishin mbërritur në Korçë që nga 26 marsi i vitit 1908. Edhe për shtetasen amerikane, Violett Kennedy, bahçja e “Kasabasë” (e qytetit të vjetër të Korçës), ishte një mrekulli e vërtetë. Për princeshën Senije Zogu do të ishte një dhuratë me vlerë. Shtypi i kohës e ka bërë të njohur edhe këtë moment: “Pardje, të enjten, shoqëria “Gruaja Shqiptare”, e këtushme, ( e Korçës), mbajti një mbledhje të jashtëzakonshme në sallën e shkollës amerikane. Dy a tri ditë më parë kjo shoqëri i drejtoi një telegram Naltësisë së Saj, princeshës Senije Zogu dhe një tjetër shkëlqesisë së tij, kryeministrit Kotta, me të cilët shfaqi dëshirën që kopshti kundrejt ndërtesës së vjetër qeveritare të emërohet kopshti  ” Princesha Senije Zogu” si shenjë kujtimi dhe adhurimi që Naltësia e Saj ka bërë për zhvillimin e shoqërisë “Gruaja Shqiptare”. Na pëlqen të besojmë se Kryeministria do ta shohë të arsyeshme lutjen në fjalë dhe do të japë urdhrat e duhura që të përmbushet dëshira e zonjave korçare”. (“Zëri i Korçës”, 3 gusht 1929).

Bashkë, myslimanka e të krishterka!

Ideja për pagëzimin e bahçen me emrin e princeshës Senije Zogu, grave dhe vajzave të Korçës u kishte lindur që nga dita e parë e themelimit të shoqërisë së tyre “Gruaja Shqiptare”. Sigurisht, kjo shoqëri do të përbëhej nga myslimanka dhe të krishterka. Ishte herë e parë që ndodhte kështu dhe ngjasonte si një çudi. Nuk do të kishte më ndarje si dikur. Prifti nuk do të mund të hynte në kishë për të mallkuar bashkimin e grave të Korçës. Ato kohëra kishin ikur. Gratë do të përpiqeshin çdo ditë për një botë më të mirë dhe pa urrejtje. Dasitë e vjetra nuk duhej të ringjalleshin më. Do të qëndronin bashkë jetë e mot. Edhe për ditën e themelimit të kësaj shoqërie, (kur u hodh ideja e pagëzimit të bahçes), e kemi një informacion të plotë: “Dje pasdreke një shumicë gra, (thuhet në gazetat e kohës) të mbledhura në sallën e kinemasë “Majestic”, formuan degën e shoqërisë “Gruaja Shqiptare” që është themeluar para ca kohe nën kujdesin dhe patronazhin e Nalt-Madhënisë së Saj, Mëmës Mbretëreshë dhe nën kryesinë e Naltësisë së Saj Princeshës Senie Zogu. U ndodhë përmbi 40 gra të shquara të qytetit, pa dallim feje e klase. Disa nga të ftuarat justifikuan shkaqet e mungesës me letër dhe luteshin të pranoheshin si anëtare…”. “Kryetare (drejtuese) e mbledhjes u zgjodh zonja Violett Kennedy dhe sekretare zonja Efimia Loni Kristo…”, (të cilat sigurisht duhet të kenë qenë të paracaktuara si nismëtare të shoqërisë – shënimi ynë V.H). “Pas kësaj, zonja kryetare lëçiti disa nga nyjat më kryesore të statutit të shoqërisë “Gruaja Shqiptare” dhe  ftoi gratë të zgjidhnin këshillën e shoqërisë. Pasi u përndanë biletat, filloi votimi, i cili u bë me vota të fshehta dhe rezultoi kështu: Zonja Violet Kennedy, nënkryetare, me  vota të plota, zonja Efimia Loni Kristo, sekretare, me 30 vota, zonja Efigjeni Mëria, arkëtare me 24 vota. Këshilltare: zonja Ismete Sali Zavalani me 31 vota, zonja Viktori Mosi (gruaja e prefektit, Hil Mosi) me 23 vota, zonja Ballkëze Frashëri me 15 vota dhe zonja Fiqirete S. Mborja me 14 vota….”. (Gazeta “Zëri i Korçës”, 9 korrik 1929). Ishin këto gra që hartuan dy letrat qe iu dërguan princeshës dhe kryeministrit.

Bahçja merr emrin e princeshës!

Lajmi për miratimin e kërkesës mbërriti mjaft shpejt. Bahçja do të merrte emrin e princeshës. Gazetat e asaj kohe nuk vonuan të përcillnin lajmin: “Sikundër kishim shkruar në numrin e pardjeshëm, shoqëria “Gruaja Shqiptare” e Korçës me anën e një lutjeje që i drejtoi princeshës Senije Zogu dhe Kryeministrisë, kërkoi që kopshti karshi godinës së vjetër qeveritare të emërohet “Senije Zogu”. Pas një telegrami që morëm dje nga Tirana mësojmë se Kryeministria me gëzim mori parasysh lutjen e zonjave korçare duke i dhënë Bashkisë së Korçës autorizimin e duhur”. (Gazeta “Zëri i Korçës”, 6 gusht 1929). Lajmi i mësipërm u dha edhe nga një gazetë tjetër, ku thuhej: “Pas drejtimit të anëtarëve të shoqërisë “Gruaja shqiptare” të Korçës, qeveria e mori parasysh lutjen e tyre dhe urdhëroi telegrafisht Prefekturën që kopshti para ndërtesës së vjetër të qeverisë të pagëzohet me emrin “Princesha Senije Zogu”. (“Gazeta e Korçës”, 30 korrik 1929). Me këtë rast në bahçen e “Kasabasë” u mbollën edhe disa lule të rralla që deri atë ditë nuk kishin ekzistuar në qytetin e Korçës. Agronomi Alizoti ishte i kënaqur edhe për diçka tjetër. Në qytetin e Korçës, (bëhet fjalë vetëm për lagjet e “Kasabasë”), kishte qenë gjithnjë e ndaluar kategorikisht mbajtja e kafshëve, pasi ato mund të hynin ndonjë ditë në lulishte dhe të shkatërronin gjithçka që nga rrënjët. Dhe çfarë mund të bëje pas kësaj! Kafshët janë gjithnjë të pafajshme, sepse Zoti nuk i pajisi me ndërgjegje si njerëzit.

Nderi shlyhet me nder!

Duket se këtë nder të grave të Korçës, princesha Senije Zogu nuk do ta harronte, dy vjet më vonë, në vitin 1931, kur Korça u trondit nga tërmeti dhe pësoi dëme të shumta, përveç ndihmave që qeveria i dërgoi Korçës, princesha Senije Zogu organizoi me “Gruan Shqiptare” të Tiranës një ballo për mbledhjen e ndihmave të cilat do t’ua dhuronte familjeve të dëmtuara të qytetit të Korçës. Gratë e “Gruas Shqiptare” në Korçë ishin mikeshat e saj. Shtypi i kohësh e përshkruan kështu: “Tiranë 12 – Nën patronazhin e L.M.S. Mbretërore, Princeshës Senije, të mërkurën mbrëma, me shkëlqim të madh, balloja u organizua nga “Kryqi i Kuq” shqiptar dhe shoqëria “Gruaja Shqiptare” për të mjeruarit nga tërmeti në Korçë, dhe në qarkun e Korçës. Balloja pati një sukses të jashtëzakonshëm dhe zgjati prej orës 9.00 gjer më 3.30, pas mesit të natës në sallën “Kursal Tirana”, e cila sikundër qe lajmëruar ishte përgatitur me kujdes të veçantë nën vëzhgimin e komisionit organizues dhe nën kujdesin e inxhinierit të bashkisë. Në ballo morën pjesë ministri i Punëve të Brendshme z. Musa Juka me zonjën, ministri i Ekonomisë Kombëtare Z. Mehdi Frashëri me zonjën, Ministri i Drejtësisë z. Vasil Avrami me zonjën, trupi diplomatik dhe shumë personalitete të larta me familjet e tyre. Shuma e të ardhurave nga biletat kapërcyen mbi 7000 franga ar, shumë që s’ishte nxjerrë nga një ballo…”( Gazeta e Korçës”, 14 shkurt 1931).

Kopshti si një përrallë!

Tashmë kopshti ishte shndërruar në një bukuri të vërtetë që mund ta gjeje vetëm në përralla. Investimet vijonin të kryheshin vit pas viti. Gjithçka shkonte drejt përsosjes. Çfarëdo që të bëhej në kopshtin e princeshës, (sigurisht edhe te kopshti “Themistokli Gërmenji”) do të pasqyrohej edhe në faqet e shtypit të Korçës. Së fundi, ishte vendosur që kopshti i Senije Zogut të kishte një rrethim tjetër edhe më dinjitoz nga ç’kishte qenë deri atë ditë. Ja çfarë thuhet në një nga kronikat: “Bashkia nxjerr në adjudikatë pakësimi (lajmërim për tender), rrethimin me avlli me kangjella të kopshtit “Princesha Senie Zogu”. Sipas skicës dhe prozhesë së zyrës teknike, ankandi do të bëhet në zyrën e bashkisë dhe përpara këshillës më 1 gusht të këtij. Ata që dëshirojnë të marrin pjesë në këtë ankand duhet të depozitojnë në arkën e bashkisë shumën prej 200 franga ar ose të paraqitin garanci të Bankës Kombëtare të Shqipërisë për këtë shumë, ose të hipotekojnë në favor të Bashkisë pasuri të paluajtshme me vleftë 400 franga ari…” Kryetari i Bashkisë Rustem Ymeri. (Gazeta e Korçës, 19 korrik 1935). Ndërkaq, mësohet lajmi se puna për rrethimin e kopshtit “Princesha Senije Zogu” nuk do të vonojë: “Këto ditë do të fillojë edhe ndërtimi i kopshtit të princeshës “Senije Zogu” duke u thurur me gurë të bardhë dhe të skalitur dhe kangjella të vogla. (“Gazeta e Korçës” 25 Korrik 1935). Të gjitha investimet ndiqeshin me përgjegjësi nga zëvendëskryetari i Bashkisë, Ymer Fazlli. Kopështi i princeshës u kthye në një nga vendet më të frekuentuara nga njerëzit. Më të moshuarit qëndronin aty deri në orët e vona të mbrëmjes, ku e kalonin kohën ose duke pirë kafe, ose duke dëgjuar sazet që jepnin koncert herë pas herë..

Kopsht me piano!

Më në fund bashkia e Korçës të dy tribunat e ndërtuara, si në kopshtin “Princesha Sanije Zogu” ashtu edhe në atë të “Themistokli Gërmenjit”, i përmirësoi dhe i bëri më të përshtatshme për qëndrimin e këngëtarëve dhe të orkestrës. Me këtë rast gazeta “Zëri i Korçës”, 30 shtator 1930 shkruante: “Të dy tribunat, në kopshtet “Themistokli Gërmenji” dhe “Senije Zogu”, të cilat shërbejnë për koncertet e  bandës, veç që u bënë krejt të reja, tani në kohët e fundit iu vu edhe mbulesa e tyre e duhur me çingo”. Që nga ajo ditë koncertet u bënë edhe më të shumta. Fillimisht Korça i kishte marrë orkestrat nga Manastiri, Follorina, Kosturi dhe Leskoviku, por që prej shumë kohësh, qyteti kishte krijuar orkestrat e veta. Madje kishin qenë muzikantët myslimanë ata që nën kujdesin e shoqërisë “Dituria”, të drejtuar nga Orhan Poajani, themeluan në vitin 1908 bandën e famshme të Lirisë”, e cila u bë e njohur  edhe për shqiptarët jashtë kufijve të sotme. Për këtë arsye “Banda e Lirisë” u quajt “Banda e Shqiptarëve”. Tashmë në këtë kopsht mblidheshin të gjithë muzikantët. Vinin aty edhe djemtë e Ali efendi Grinzës, të cilët ishin të parët që sollën pianon në qytetin e Korçës. Ata mbeten të pazëvendësueshëm në interpretimin me këtë instrument muzikor. Për këtë arsye, “Kopështi  Princesha Senije Zogu” quhej edhe “kopshti me piano”. Banorët e Korçës sa herë që shihnin që orkestrantët po hynin në lulishten e princeshës, mblidheshin të gjithë aty dhe jo rrallë herë qëndronin deri në mëngjes. Gjatë gjithë natës mbretëronte aroma e luleve dhe tingujt e melodive, të cilat  dehnin shpirtrat e njerëzve që kishin dëshirë të kalonin një mbrëmje të paharrueshme. Net të tilla e kthenin kopshtin e princeshës në parajsë.

Kopshti, vend i shenjtë!

Nuk u mor ndonjë vendim i posaçëm që kopshti i princeshës të konsiderohej vend i shenjtë. Atë e quajtën ashtu vetë banorët myslimanë. Në ditë të shënuara e ngjarje të veçanta, kur xhamia e themeluesit të Korçës, Iljaz bej Mirahori nuk i nxinte dot të gjithë besimtarët, lutjet nisën të bëheshin në kopshtin “Princesha Senije Zogu”.Thuhet se nuk kishte më bukur se në atë vend. Kopshti ishte pjesë e xhamisë. Një prej hyrjeve, të zbukuruara edhe me kurora lulesh, ndodhej nga ajo ana që gjendej “Xhamia  e Madhe”, siç quhet ndryshe nga banorët. Për zbukurimin e kopshtit kontribuonin të gjithë banorët e “Kasabasë” (Korçës). Kur faljet kryheshin te ky kopsht i jashtëzakonshëm, as shtypi kohës nuk qëndronte dot indiferent, pa shkruar diçka për ngjarje të tilla: “Pardje, të hënën pasdreke, u bë në kopshtin “Senie Zogu” një lutje fetare prej klerit muhamedan për shëndetin e L.M.T. Mbretit, ku morën pjesë dhe një shumicë e popullit. Pasnesër të diel do të bëhet edhe prej klerit ortodoks. (“Gazeta e Korçës”, 5 shkurt 1931). Ndërsa gazeta “Zëri i Korçës”, i datës 7 shkurt 1931, duke iu referuar kësaj ngjarjeje, bën të ditur se në lutje morën pjesë edhe autoritet e qytetit të Korçës. Dhe pavarësisht të gjitha këtyre që treguam më sipër, demokracia e shumëpritur prej shqiptarëve, e cila trokiti edhe në qytetin e Korçës, ishte shfaqur me fytyrën e lopës së pangopur, hyri në lulishten e banorëve të “Kasabasë” dhe bëri hatanë.  Megjithatë ajo copëz e mbetur do të shkëndijojë, do të rrëzëllejë e do të shkëlqejë si një dëshmi historike e pamohueshme e gjithë asaj që ka ndodhur

Epilogu

Ah, për pak sa nuk harruam. Më 7 prill 1936, Bashkia e Korçës nxori këtë njoftim: “Kryetari i bashkisë z. Rustem Ymeri duke vazhduar aktivitetin tepër të çmuar për zbukurimin e qytetit të do të ngrehë një kopsht të vogël dhe në “lëndinën e lotëve” në hyrje të qytetit, (kur vjen nga Bilishti), por për të mos shëmtuar kopshtin duhet të hiqet s’andejmi konisma e “Shën Ilisë”, që është vendosur mbi një kamare prej gurësh. Vakëfit nuk i sjell as ndonjë përfitim, pasi askush nuk kujtohet të hedhë ndonjë lopkë. Do të jetë shëmtim i madh po të jetë se për oportunitet nuk ngrihen së andejmi ata gurë”. (“Gazeta e Korçës”, 7 prill 1936). Kjo lulishte do të ngrihej që edhe vllehët të kishin një kopsht po kaq të bukur sa i ai i ortodoksëve që mbante emrin e Themistokli Gërmenjit dhe ai i myslimanëve që mbante emrin e princeshës Senie. Sot ekziston edhe “Lëndina e lotëve”, edhe “Themistokli Gërmenji”, por jo ajo e myslimanëve.

Nga Vepror Hasani