Vizita sekrete e kolonelit Francez në Tiranë

1454
Sigal

Kush ishte misioni i ushtarakut të lartë të Francës në 1981-shin gjatë vizitës në Veriun shqiptar. Pritja në ministrinë e Mbrojtjes, udhëtimi drejt Kukësit, testimi i shqiptarëve për Kosovën dhe si u tmerrua nga fortifikimet në kufirin shqiptaro-jugosllav

DOSSIER/ Viti 1981: Ushtaraku i lartë francez “viziton” edhe Veriun shqiptar. Koincidencë apo zbulimi “maste” temperaturën e Shqipërisë në lidhje me Kosovën?

 

Koloneli francez, çfarë bëri në Shqipëri gjatë vizitës sekrete të vitit 1981?

 

Albert KOTINI

 

Misionarët, gjithmonë mbulojnë të kundërtat e atyre ideve, që veprojnë në fshehtësi.

Materiali që disponoj me fakte të shumta, të nxjerr në një përfundim: Misionarët e huaj në çdo kohë kanë qenë e do të jenë të pranishme në Shqipëri. Çështja shtrohet që të na pakësohen shërbëtorët e tyre dhe të na shtohen ata që na e duan Shqipërinë, edhe siç është sot e sakatuar. Në Paris, m’u shpreh një ish-diplomat (nga M.P.B., zbulues i yni), na janë rekrutuar prej UDB-së dhe KGB-së më shumë agjentë se sa në vet vendet e tyre apo në Shqipëri. Më dha emra e shembuj, të cilat nuk kanë aq rëndësi të botohen, për të mos folur me hamendje, por të mos cenohet prania e figurës së tyre komprometuese në publik. Duke ju shmangur këtij prononcimi në shtyp, për hir të vërtetës, prekjen në thelb të tyre, ia lenë ndërgjegjes në aspekte të tilla:

Së pari, Atashetë ushtarakë, gjithmonë kane qenë zbulues të vendit përkatës. (Edhe ne e kemi pasur zbulues sekretarin e parë të ambasadave etj). Bile, deri në shkallë ambasadori kanë punuar ose kanë qenë nën kontroll të Shërbimit Informativ të vendit përfaqësues. Në këtë aspekt, vet historia e Francës në ish-Jugosllavi apo me Greqinë, ka treguar aleancën ndaj tyre si mike e vërtetë, se sa në raport me Shqipërinë. Në këtë funksion, ata kanë punuar edhe gjatë punës së tyre në Shqipëri. Ndihma ekonomike ka qenë e pranishme, sa edhe ato ushtarake nga ana e Francës, si në Jugosllavi e në Greqi.

Së dyti, në vitin 1981, figuron një lidhje e fuqishme e UDB-së me shërbimin e fshehtë francez. UDB-ja edhe për shkak të ngjarjeve, në vitin 1981 në Kosovë, kanë qenë nën survejim të plotë nga sigurimi ynë shqiptar. Këtë e provojnë specialistët e Sigurimit Shqiptar të asaj kohe, por edhe dokumentet përkatëse. Prandaj, ardhja e atasheut francez në këtë zonë veriore nuk ishte thjesht turistike, por për të mësuar sa baza ka Shqipëria për të ndihmuar Kosovën në atë situatë. Versioni për të parë për qëndrimin e objekteve ushtarake, që mund të mbështeste Kosovën edhe në luftë të mundshme është i saktë. Arsyetimi tjetër është: Vetë zbuluesit e Kosovës janë takuar (siç ma argumentoi ish-zbuluesi në pension i MPB-së), me organet e specializuara pranë MPB-së. Të gjithë kontaktet e lëvizjes kosovare në atë kohë, njiheshin dhe mbështeteshin nga Shqipëria, duke mos qenë thjesht spontane. Kështu që, informacionin e personit edhe këta atashe ushtarakë që pyesnin gjoja si naivë për veriun.

Së treti, të tëra ambasadat janë të kompletuara (për të mos thënë edhe vet ambasadori), me punonjës të zbulimeve të huaja. Edhe Shqipëria e kthen atë me të njëjtën monedhë prej ish-sigurimit të shtetit. Dhe mirë bënte! Në Jugosllavi mjaft zbulues tanë (V.P., K.J. etj), u vunë menjëherë nën survejim në Beograd, edhe pse vinin me funksione legale të hapura në ambasadën tonë (ato që kishte në organikë M. P. Jashtme), ndërsa ato ilegale i dispononte MPB-ja. S’ka budallenj në këtë fushë. Tjetër gjë është se si ndërtohej struktura e Shërbimit Informativ jashtë, ndryshojnë parimet, por kriteret jo. Ata kanë hershmëri që para dy mijë vjetësh. Sigurimi Shqiptar ka qenë kopje e KGB-së, deri në prishje me ta. Që në kohën e Pjetrit të Madh, njihen në historinë e KGB-së rekrutimet në Francë prej revolucionarëve të asaj kohe. Si e shpjegojnë historianët, m’u drejtua ish-specialisti në fjalë, që Franca ka qenë përherë pro kufijve të Serbisë dhe Greqisë në kurriz të Shqipërisë?! Fusheja mbijetoi me të gjithë. Pse? Të gjithëve ju përballoi siç thoshte ai, po të mos përkulesha Napolon Bonapartit, nuk do gjeja dot mbrojtjen e tij, por nga ana tjetër, i bënte komplot. Parimi i zbuluesit është: T’ia fusim njëri-tjetrit!

Së katërti, në çështjet e sigurisë kombëtare nuk mund të jesh emocional dhe tradicional “mikpritës” për zbuluesit e huaj. Janë çështje madhore kombëtare e komplekse, si ato të të drejtave në Kosovë, Maqedoni, Mal i Zi, e Çamëri të shqiptarëve, të cilat edhe pse preken vendet fqinje, po aq na dëmtojnë interesat tona kombëtare po të mos zgjidhen. Parimi kushtëzohet nga rrethanat historike, konjukturat shfrytëzohen për t’i zgjidhur ato. Kur ia serviri Enveri Stalinit çështjen e Kosovës, ai iu përgjigj: “Mos vallë do fillojmë një luftë të tretë botërore”, duke i shkarë me pretekstin e çështjes së minoriteteve në mjaft vende të tjera të botës. Edhe Tito i kthen po me ideologjinë internacionaliste këtë përgjigje Enverit:”Dale, prit pak për Kosovën, se na pengon nacionalizmi serb”. Erdhën kushtet historike, Kosova është në rrugë të mbarë. Mirëpo SHBA u bind e veproi për këtë rrugë të Kosovës po aq sa pengoi e pengon Franca në këtë çështje. Interesat e Francës përputhen me ato të Greqisë e Serbisë. Këtë e ka vërtetuar koha. Delegatët e Serbisë, Greqisë, janë më të përkrahurit e Francës nëpër institucionet kombëtare, kur është fjala për qëndrimin ndaj Shqipërisë.

INFILTRIMI

Sigurimi i Shtetit pengonte martesat me të huajt

E di pse Sigurimi Shqiptar i pengonte martesat me gratë e huaja? – më pyeti ish-sigurimsi. Përvoja e spiunazhit nëpër botë, sidomos atij rus, i mësonte se si punohej me studentët apo emigrantët dhe se një nga rrugët për t’u rekrutuar si kontingjent, ka qenë martesa me femrat e tyre. Martesat me të huajt bëhen kudo nga zbulimi i huaj. Do apo nuk do, janë njerëzit e gjakut të vet. Unë, më tha ish-sigurimsi, kam nipin, d.m.th. djali më është martuar me një të huaj dhe nipit i çoj flamurin shqiptar, i flas për vendin e tij dhe nuk e le pa e mësuar shqipen, e të tjera gjëra, që të mos e harroj kurrë vendin e vet. Pse një grua e huaj, e mohon dot vendin e vet?! Prandaj, është kritikë jo e saktë ndaj Sigurimit Shqiptar në këtë pikë. Ndjenjat njerëzore të ndarjes, kanë bërë efekte me dëme të mëdha, në raste të veçanta kur është braktisur atdheu. Nuk është koncept marksist, por garancia për të ulur peshën e fajit para se të të rekrutojnë. Varet pastaj se çfarë ka bërë maskarada e operativit apo bashkëpunëtorët të tyre, që kanë spekuluar në këto raste. Është tjetër gjë, por si drejtim pune është princip i zbulimit të çdo vendi. Bile, edhe me kriminelët kundër shtetit, thithen si kontingjent bashkëpunëtorësh, pa folur pastaj me kundërshtarët e vet regjimit që kanë qenë në parim të Sigurimit për rekrutim. Në veçanti, zbulimi i huaj punon me shqiptarë që janë kundër shqiptarëve. Ata shfrytëzojnë edhe bashkimin e familjeve. E di ku shkova unë, m’u drejtua specialisti i MPB-së për të bashkuar djalin e vajzën në shtetin tjetër, së pari, në policinë e vendit. Atje bëhesh menjëherë objekt i informativëve, duke të regjistruar çdo gjë. Ne këtu, kemi hequr dorë, nuk dihet se sa të huaj dalin, pa bërë kontrollin e duhur profesional. Të gjithë kosovarët ne i prisnim, të tjerët në postën kufitare dhe në bashkëpunim me sigurimin përpilohej raporti i parë. Edhe pse ishin shqiptarë, mbanim rezervat tona.

-Mirë, mirë, ndërhyra unë, këto çështje do t’i diskutojmë ndryshe…

-Disa nxënës të mi e di ç’më thanë, kur mora leksione në SHBA prej një specialisti të CIA-s, m’u shpreh ish-sigurimsi: Atje ku na dha leksione, as emrin e vërtetë nuk e tregoi, bile as kafe nuk piu me ne, sepse ruhej se mos e helmonim”. Tek ne, është aktualisht një shkujdesje e madhe.

-Tani çdo gjë të mos e prishësh, sepse i kemi miq të gjithë. Atëherë vigjilencë e madhe, d.m.th. i fryjmë kosit për të mos u djegur nga qulli. Tani që duan zbuluesit e huaj vetëm të vjelin, e marrin falas të dhënat për të pasur kundërshtarët e Shqipërisë dhe kur të vijë koha i kanë në dispozicion. E di që varfëria i ka kthyer “në mall të lirë”, por jo deri aty të arrish të të marrë statusin e minoritarit për përfitime, pa menduar se bëhesh kontingjenti më i mundshëm nga zbulimi përkatës.

 

 

ARKIVA

13 ditë për të marrë informacion

Le t’i referohemi këtyre sekuencave të dokumentuara nga takimi i atasheut francez në Shqipërinë e vitit 1981.

– Me datën 29.4.1981, u prit në MMP atasheu ushtarak francez, kolonel leitnant Patck Vigla. Atë e priti Shezai Kasaj, si drejtor i Drejtorisë së Jashtme në MMP dhe Skënder Çela, si funksionar në MMP, asiston edhe Alfred Papuçiu, përkthyes nga MMJ dhe Eli Kokushta – stenografe.

Takimi, i cili zgjati rreth një orë e gjysmë, u zhvillua korrekt e në mënyrë miqësore.

– Në bisedë e sipër, pa e lidhur me ngjarjet në Kosovë, folëm në përgjithësi se, populli ynë ka shumë miq e dashamirës kudo në botë, të cilët na respektojnë dhe i respektojmë dhe se ata flasin e shkruajnë për realitetin shqiptar dhe sipas rastit u kundërvihen edhe atyre që në ndonjë rast, duan ta shtrembërojnë këtë realitet. Duke u nisur nga kjo, francezi na foli për një artikull që ka shkruar gazeta franceze “Le Monde” për ngjarjet në Kosovë, duke cilësuar se demokracia jonë lejon që të shkruajë si djali i Zogut, ashtu edhe nipi i Krajlit të Serbisë. Por, ai shkrim, tha francezi, nuk përfaqëson mendimin e inteligjencës dhe të popullit francez për ngjarjet në Kosovë.

– Shezaiu, në ndërhyrjen e tij, i tha francezit se edhe RPSSH doli nga Traktati i Varshavës dhe ajo nuk u sulmua jo për dëshirën e sovjetikëve dhe të satelitëve të saj, por nga vendosmëria e popullit tonë, i cili nën udhëheqjen e partisë, ishte, është dhe do të jetë gjithmonë i vendosur për të bërë çdo sakrificë për mbrojtjen e atdheut. Polonia dhe çdo vend tjetër, në qoftë se është i vendosur të jetojë në këmbë e i lirë, gjen forca e kurajë për të përballuar çdo shantazh e agresion.

Atasheu ushtarak francez, tha se dy vendet tona kanë pikëpamje të njëjta për mbrojtjen. Ndryshimi qëndron në atë se ne e mbështesim mbrojtjen në përdorimin e armës bërthamore. Ju atë nuk e kini, por e keni zgjidhur me armatosjen e të gjithë popullit. Ne kjo na bën që të mos kemi një ushtri numerike, për ju s’është sekret, ne kemi gjithsej një ushtri prej 800.000 vetësh, kurse tek ju i gjithë populli është ushtar.

Më poshtë, francezi meqenëse kishte parë të rinj me uniformë ushtarake që kishin në gjoks shenjat “FV” dhe “RSHA”, tha se për shenjën e parë e kam të qartë, në qoftë se lejohet, më shpjegoni se çfarë përfaqëson shenja “RSHA?”

-Atasheu ushtarak francez, pyeti Shezaiun: Ju zoti drejtor, çfarë grade keni?

Shezai Kasaj, siç duhet ta dini, ose ta keni vënë re, në ushtrinë tonë nuk ka grada, por ka funksione. Në ministri, ne kemi drejtor, kurse në reparte kemi komandantë, komisar dhe shefa. Por ushtria jonë, ka rregulloret ushtarake, të cilat njohin disiplinën, herarkinë ushtarake, me të drejtat dhe detyrat e eprorëve. Funksionet, pavarësisht nga gradat që mbani, mendoj se kështu duhet t’i keni edhe ju në ushtrinë tuaj.

Atasheu ushtarak francez, kjo është e drejtë, sepse zgjidh kontradiktën midis gradës dhe detyrës. Kështu, unë jam kolonel, por detyrën e kam më të madhe.

Të pimë 1 gotë për miqësinë e popujve tanë, për shëndetin tuaj e ju uroj rrugë të mbarë.

– Atasheu francez ka ardhur në vendin tonë në datën 27.11.1981 dhe do të largohet më datën 9.12.1981. Gjatë qëndrimit në Shqipëri, ai kërkoi leje nga ministria e Punëve të Jashtme, e cila ia akordoi për të vizituar drejtimet:

Tiranë-Peshkopi-Kukës-Shkodër-Tiranë

Tiranë-Vlorë-Sarandë-Butrint-Gjirokastër-Tiranë

Tiranë-Fier-Pojan-Rrogozhinë-Elbasan-Tiranë

Tiranë-Korçë-Leskovik-Përmet-Berat-Tiranë.

– Pohoi se gjatë qëndrimit në vendin tonë bëri vizita të shumta, duke udhëtuar rreth 300 km në ditë. Vizitoi zonën në veri të Shqipërisë (Peshkopinë), e cila tha ai – ndodhet në kufi me Jugosllavinë.

Kisha dëshirë të shkoja edhe në Kukës, tha atasheu, por sekretari i Komitetit Ekzekutiv që më priti, në mënyrë shumë korrekte e të sjellshme më shpjegoi se rruga ishte e bllokuar nga dëbora. Mendoj që vizitën për në Kukës ta realizoj sot pasdite. Në fakt, këtë vizitë nuk e bëri.

– Foli për konkluzionet e Shtatmadhorisë franceze lidhur me stërvitjet e këtij viti të Traktatit të Varshavës në Baltik, të cilat tha ai, ishin nga më të mëdhatë dhe se nxorën në evidencë përgatitjet e mëdha që bën BS për operacionet detare e ajrore dhe se në drejtim të zbarkimeve detare, sovjetikët kanë arritur një dimension të ri në forca e mjete që e shqetëson shtatmadhorinë franceze. Ne mendojmë se me këtë potencial konvencional që ka sot BS nuk ka forcë në Evropë që ta përballojë atë. Pyeti se çfarë mendojmë ne për këtë.

– Lidhur me filmin dokumentar për dimensionin e tretë, që na premtoi në muajin maj, të na i sillte në formë dhurate, nën pretekste të ndryshme e mohoj, duke thënë se ndoshta nuk jemi kuptuar drejt. Ndërkohë, na propozoi që të na huazojë për 1-2 javë, nëpërmjet ambasadës franceze në Tiranë, disa filma ushtarakë nga Festivali i Filmit Ushtarak që francezët e organizojnë çdo vit.

Ndërsa për çmimin e lartë të biçikletave, që i kishte bërë përshtypje francezit, i folëm që krahasimin, duhet ta bëjë të plotë edhe me sistemin e qirave, taksave, shërbimin shëndetësor falas etj., që kemi ne në Shqipërinë Socialiste dhe se vendi ynë është i vetmi vend në botë, që pavarësisht nga krizat ekonomike që kanë mbërthyer sot botën kapitalisto-revizioniste, nuk ka rritje çmimesh, s’ka inflacion, etj.

 

 

DOSJA

Ushtaraku që u “tremb” nga topi

Francezi: Unë po largohem nga Shqipëria me kohë të mirë.

Sh: Nuk ka nevojë që të bëjë prezantimin, sepse jemi bërë miq të vjetër.

Shezua: Çfarë vizita keni bërë?

F: Protokolli më dha mundësi, besoj se me urdhrin tuaj të shkoja në Peshkopi, në lindje të vendit tuaj, në kufirin me Jugosllavinë. Pashë se kjo ishte një zonë shumë e bukur, që i ngjante alpeve tona. Por rrugët ishin të rrezikshme, ishte edhe moti i keq dhe sekretari i komitetit ekzekutiv të rrethit të Peshkopisë, më tha që të mos shkoja më tej. Unë kisha dëshirë të shkoja edhe në Kukës. Në rast se do të kem kohë do shkoj sot pasdite. Megjithatë n.q.s s’do të ketë mundësi që ta shikoj sot, kur të vij 1 maj do shkoj patjetër.

Sh: Çfarë vizita të tjera keni bërë?

F: Unë kalova nga Burreli. Pastaj për të vajtur në Sarandë kalova nga bregdeti, nga Vlora, pastaj që andej shkova në Korçë, duke kaluar nga Berati, po ashtu shkova në Leskovik dhe në Përmet. Dhe kjo shëtitje më vlejti shumë jo vetëm në planin personal, por edhe për të forcuar marrëdhëniet midis dy vendeve tona. Dhe mund të them se mbeta i mahnitur nga peizazhi që pashë në vendin tuaj, sidomos në zonat nga Leskoviku në Përmet. Përveç këtyre udhëtimeve bëra edhe një udhëtim që nuk e prisja nga kufiri në Tiranë me makinë, sepse avioni hungarez nuk u ul për shkak të kohës së keqe.

Sh: E kuptoj dëshirën që ka zoti kolonel që të mësojë sa më shumë për vendin tonë; Por më duket se sikur shumë të ngarkuar e kishit ndërtuar programin për një kohë kaq të shkurtër. E them këtë, sepse vendi ynë ka terren malor alpin dhe rrugë të tilla bllokohen nga ngrica dhe reshje të mëdha dhe trafiku është ndryshe nga ai i Francës dhe me makinë të vogël në këtë stinë është vështirë të udhëtosh dhe ndoshta zoti kolonel do të ketë pasur shqetësim dhe unë mendoj që për ta njohur më mirë vendin tonë do të ishte mirë që ta shoqëronte ndonjë përfaqësues nga ministria e Punëve të Jashtme ose nga ne. Sepse zoti kolonel është përfaqësuesi i një vendi që kemi në pikëpamje të lëvizjes së tij, të sigurimit të tij në këtë kohë. Megjithëse kjo është në kompetencën dhe në dëshirën e zotit kolonel.

Sh: Pyetjet që ju bëni janë të arsyeshme.

F: Faleminderit për besimin, por në këtë drejtim pata një problem të vogël në Tepelenë. Rrugës kërkoja një qendër arkeologjike që nuk e gjeja dot, kur arrita në Tepelenë, pashë një kështjellë të shekullit të 15-16, e cila ishte shumë e bukur, hyra për ta vizituar dhe u ndesha përpara një topi e ndjeva veten keq, por megjithatë nuk u ktheva. Prandaj, është e drejtë ajo që herë tjetër të jem i shoqëruar.

Sh: Patët ndonjë problem?

F: E thashë për shaka.

Sh: Ju keni vajtur në vende që janë monumente të kulturës së lashtë, kini vizituar objekte të kulturës, ekspozimi i topit aty ka qenë i ligjshëm.

F: E thashë këtë, sepse u ndesha në kontakt direkt me forcat e armatosura.,Rruga nga Leskoviku në Përmet ishte shumë e ashpër dhe pak e populluar, ndërsa në verilindje, në drejtim me Peshkopinë, është shumë më tepër e populluar.