Kampi i Tepelenës. Si denonconte gazeta:”Flamuri” në vitet ’50 me fakte dhe dokumente

1741
Gëzim Llojdia

Diku kam lexuar një shkrim interesant me titull “Fushat e grurit, kodrat e gjakut”, që mesa më kujtohet bënte fjalë për ata njerëz që ikën në kohë paqeje, pra ata që ikën drejt vdekjes pa e ditur përse dhe për më tepër nga dora e shqiptarit. Pra, ndërsa gruri valëzonte nëpër fusha, kodrat e gjakut po lartësoheshin, kështu shqyrtonte shkrimi i sipërcituar. Janë të mërzitshme sot kronikat e përcipta e të pashoqëruara me dëshmitë e vërteta rrëqethëse nga vendet e dënimit që sistemi monist ngriti për kundërshtarët e tij dhe aq më tepër nga përsëritja e tyre pa u pasuruar me fakte, të cilat i denoncoi që në vitet ’50, gazeta “Flamuri”. Në vend të vazhdimit të jetës kryefjala e këtyre kampeve, burgjeve ishte çmenduria, që pllakoste nëpër qytete dhe rrugët e Shqipërisë. Jetët njerëzore të ardhura me mundime nëpër familjet e varfra shqiptare nëpër shekuj të thinjur, shuheshin dhe iknin çuditërisht çdo ditë në tokën që kishin luftuar brez pas brezi, por shpirti i një populli kurrë nuk vdes. U dëgjua një pushkë. U hap qielli ikën retë, nuk vdes liria “Rroftë Krishti mbret!”, pra “Rroftë Shqipëria”. Ja dëshmia, që ka nxjerrë gazeta në gjuhën shqipe më titull domethënës: “Flamuri” e përmuajshme, pjesë e emigracionit politik , që ishte larguar nga Shqipëria, e që botohej në Romë”, prej disa vitesh, ndërsa në vitet ‘50 ,bëri këtë denoncim në faqet e saj.

Vrasjet e kundërshtarëve:
Gazeta në fjalë vijon: Ushtarë ose komandantë të Ballit Kombëtar u zunë, ose me pabesi, ose gjatë luftimeve e u vunë përpara torturave të tmerrshme. Disa nga torturat që përmend kjo gazetë janë: u rropën, iu nxorën sytë, iu thyen eshtrat, iu hoqën organet seksuale. Fakti përmendet se në spitalin e Vlorës u grumbulluan shumë njerëz që kishin pësuar këto barbari, njerëz me veshë të prerë, me gjuhë të prerë, me hundë të prerë, me sy të hequr. Do të pyesnit me të drejtë: Çfarë kohe edhe e cilit inkuizicioni i përket? Në fund të fundit, përse kjo kasaphanë me njerëz kapicë të masakruar, kur ëndrrën dhe çështjen e pushtetit e kishin zgjidhur ndërkaq. Në Korçë, u zbuluan të masakruar trupat e vëllezërve Bulgareci. Në Lushnjë, kryetari i shtatmadhorisë Mehmet Shehu pushkatoi 63 ushtarë robër të Ballit Kombëtar, disa prej të cilëve i varrosi për së gjalli. Vritet njeriu si pulë, ndërsa drithërohemi kur bie një gjethe peme. Në janar 1944 u zbulua në Shispkë afër Korçës një gropë e madhe me 184 shqiptarë të masakruar. Disa prej tyre të identifikuar si Bame Gjonomadhi që u gjet i rrjepur gjer në gjysmë. Cila ushtri chingizkane kishte udhëtuar në këto anë? Cila hordhi kishte përdorur mënyrën me mizore për të mbytur njerëzit dhe më tepër kundërshtarët politikë duke i kaluar ne plumb? Por ajo që rrëfehet si terror i madh është hyrja në Tiranë e ushtrisë Çlirimtare. Në nëntor 1944 në rrëmujën e parë u futën nëpër shtëpia dhe u rrëmbyen rreth 400 vetë që përfunduan në plumb, duke ia vunë fajin gjermanit që ishte në ikje e nxitim. Në Shkodër u vranë 50 vetë.

Parulla: Parulla që ka përfshirë këto ekzekutime ka qenë: “Vdekje fashistëve, litar ballistëve,plumb reaksionarëve,tradhtarëve dhe armiqve të popullit”.

Cila fushëpamja e vendit në vitet e para të çlirimit?.
Vendi ishte i mbushur me kampe dhe fusha përqendrimi. Burgjet që ndërtoi fashizmi nuk u mjaftuan. Shumë shtëpi private u kthyen në burgje. Burgjet e kësaj kohe paraqisnin një pamje lemerisëse. Torturat si në kohën e inkuzicioneve. Djegje, ngulje gozhdësh, copëtim mishi. Këto tortura provoi prifti Don Ndre Zadeja. Po kështu vdiq në Shkodër Simon Dragjati. Në Fushë Krujë, Babai i teqesë Myrteza Kruja, në Tiranë, Kolë Kuqali pasi u torturuan u lëshuan nga dritaret e burgut. Kur burgjet shqiptare u inspektuan nga të dërguarit e posaçëm sovjetikë gjendja filloi e rëndohet më tepër. Me rastin e arrestimeve të vitit 1946, flitet se vetëm në Tiranë u morën 270 vetë nga burgjet, u torturuan dhe u pushkatuan.

Kampet e të burgosurëve Duke folur për kampet e të burosurve, gazeta vijon:
20 mijë vetë gjendeshin në burgje dhe fusha përqendrimi. Fushat më të mëdha të përqendrimit. Krujë, Burrel, Kavajë dhe Maliq.
1-Kampi i Burrelit me 3600 vetë ;
2-kampi Bedenit tek shkëmbi i Kavajës me 17800 të internuar;
3-Kampi i Vloçishtit të Korçës me sinonimin “Kampi i vdekjes” me 1200 të burgosur;
4-Kampi i Maliqit me 2300 të internuar;
5-Kampi i Tepelenës me 1050 të internuar;
6-Kampi i Pojanit me 800 vetë.

Njihet një krijim letrar i trilluar për një fabul-burg, ndërsa pushtetarët e Tiranës e bënë realitet
Një një krijim artistik të mirënjohur tregohet një fabul se kur çlirimtarët e një qyteti fituan menduan se çfarë dhuratet duhej t’i bënin popullit të vet. Dhe kështu menduan të ndërtojnë një burg. Pasi e ndërtuan, kur shkuan ta inaugurojnë panë se burgu ishte bosh, mirëpo atëherë u kujtuan e thanë: “Ku është parë burg, pa të burgosur brenda?! Vazhdimin e marrim me mend kur e krahasojmë me realitetin shqiptar. Nuk ke çfarë t’i heqësh kësaj fabule, që në botë u krijua si letërsi dhe u kushtohej diktatorëve apo mbretërve fitimtarë, mirëpo në Shqipëri e pa veten brenda një realiteti. Bota e letrave i krijonte si shembuj, për të mos u ndjekur e ndodhur kurrë, ndërsa regjimtarët/pushtetarët shqiptarë të pas ’44-ës i ndërtonin burgjet pikërisht sipas këtij projekti.

Policia: 15 mijë policë
Çfarë thotë më tej artikulli i gazetës:Flamuri”?
Policia: 15 mijë policë mbaheshin gati dhe përdoreshin për të kryer goditjet. Pusia dhe tradhtia kishte filluar që gjatë Luftës me ekzekutimet e Azis Sharrës, Azis Çamit, Besnik Çano, Qertamundin Sulo, Dhimitër Fallo. Ky i fundit, djalë i një katundari nga Korça kur shkoi në BS dhe pa se çdo të thotë një vend ku liria ishte zhdukur, tregoi rrezikun që do të sillte komunizmi dhe dënimi shembullor nuk vonoi. BBC, stacioni prestigjioz anglez ka bërë mjaft komente duke i cilësuar të gjithë këto veprime si Luftë civile në Shqipëri. Vetëm duke lexuar kronikat e saj mund të kuptosh se çfarë krimesh kishte nxjerrë në sipërfaqe sjellja ndaj të mundurve duke ideuar dhe realizuar një lufte të paskrupullt e barbare kundër asaj pjese të popullsisë që nuk mendonte si fitimtarët e atyre viteve. Kështu vdes në Burrel nga torturat Novruz Mahil Hitaj nga Smokthina e Vlorës. Nga torturat çnjerëzore ndërroi jetë djali 17 vjeçar Ejup Lepenica. Në burgun më famëkeq të Burrelit, thotë një kronikë e kësaj kohe në BBC ndërruan jetë nga torturat Muço Sherif Gjoni, Sulo Sheu. Vritet Haxhi Ibrahim Tresteniku që pas vitesh mërgimi në Australi u kthye nga dëshira për mëmëdheun. Nga plumbat mizore të komunistëve vriten në Tiranë, vëllezërit Myftar e Gafur Jegeni që u arrestuan dhe u vranë pas plasjes së bombës në legatën ruse në Tiranë. Nën një njoftim tjetër shkruhet: “na lajmërojnë se në burgun e Shkodrës ka vdekur i mbytur nga torturat çnjerëzore Jakup Dervishi. Nga torturat e tmerrshme vdiq në burgun e Shkodrës edhe Sadik Gruda. Një njoftim tjetër sjell këtë rast: Përmendim vetëm se rreshter Hito Hitoja ka varrosur në një kanal të Korçës këta të internuar: ish-nënkolonel Tefik Hoxha, Baba Qazmin kryetar i sektit bektashi, At Josif Papamihali, kryetar i kishës katolike të Korçës. “Me pushtimin e Shqipërisë nga ana e gjakësorëve të kuq, shkruan Dom Zef Shestani, Imzot Thaçi u ndry ne selinë e vetë, porsi në një kala tue prit qetësisht e i gatshëm menin bolshevike. E pa priftin e tij të vramë e të burgosun, kishat të mbyllura, kuvendet e profanueme djelmnin e nëpërkëmbur, por ai s’u shtrua deri kur ra si bien heronjtë. Mbas tij ra Emzot Volaj Ikpeshkvi i ri e i fortë, i cili aq shmuë i shërbeu rezistencës kombëtare. Dhe nuk kaloi shumë kohë, – thotë Dom Shestani, që Imzot Gjini, Abati i Mirditës, u martirizua prej zhullivje të kuq e mbylli vargun e të persekutuarve imzot Vinçenc Prenushi, shqiptari, poeti, mbrojtësi i vlerave shpirtërore, që i gjallë i vuri Shqipërisë së tij kunorë “Gjethesh e lulesh” dhe u shpërblye me një kurorë ferrash ashtu si mjeshtëri i madh në malin e kalvarit…”

Ja disa nga faktet që përmend gazeta:
Shifra: Përqindja e vdekjeve tek të burgosurit është 20% në vit. Ndërsa sëmundjet kalojnë 30% çdo ditë. Nga torturat kanë vrarë veten edhe Sh. Sharra, A. Ruci, K. Misrasi. Ka filluar në Tiranë një gjyq kundër rezistencës komuniste të akuzuarit janë: Iliaz Toptani, Selim Daci, Muhamed Hoxha, Kasem Shehu, Seid Bylkybashi, Shahin Qosja, Zenel Canaj, Pjetër Gjin Kola, Nikoll Gjin Kola, Ndue Rrapi, Hysen Voka, Osman Daka, Tefo Petro, Vangjel Dhima. Akuza i paraqet si agjentë të grekëve, jugosllavëve, anglo-amerikanëve, Vatikanit etj. Lajmërim i fundit që vihet re është: Më 23 tetor 1951 u dënuan me vdekje Seid Bylkbashi, Vangjel Dhima, të tjerët me burgime të rënda. Një kronikë tjetër e përmotshme shkruan, se u dënua me vdekje Sinan Ali Hamiti, i cilësuar reaksionar dhe armik i pushtetit. Në çastet kur po i merrej jeta thirri: “Rroftë Shqipëria, rroftë Balli Kombëtar!”. Në fashikullin nekrologji thuhet se vdiq në fushën e përqendrimit në Kamzë Riza Cocka, komandant i BK për Korçën dhe Pogradecin. Xhafo Qeni nga Progonati vdiq në burg nga torturat. Në burgun e Durrësit nga torturat dha jetën edhe Hajdar Shehu etj.


Sigal