Ja pse myslimanët e Korçës kërkuan mbrojtjen e Italisë

1176
Sigal

Nga Vepror Hasani

Korçën dhe Gjirokastrën i shpëtoi nga aneksimi grek Papa Benedikti XV

Edhe pse në fshehtësi të plotë, u deshën vetëm disa ditë që lajmi të merrej vesh. Së pari mbërriti në qytetin e Korçës. Lajmi përfshiu gjithë hapësirën e saj: Korçën, Devollin, Kolonjën, Leskovikun e zbriti deri në Gjirokastër. Më 29 korrik 1919 ministri i Punëve të Jashtme të Mbretërisë Italiane, Tomazo Titoni dhe kryeministri i Mbretërisë Greke, Eleftero Venizello, kishin nënshkruar marrëveshjen e fshehtë për copëtimin e Shqipërisë: Greqia do të merrte Korçën dhe Gjirokastrën, kurse Italia Vlorën dhe Sazanin si pozicioni më superior për mbrojtjen e Adriatikut. Dy mbretëritë do të mbështetnin njëra-tjetrën në Konferencën e Paqes në Paris, që marrëveshja e fshehtë të realizohej. Për pasojë, edhe Mbretëria Jugosllave do të merrte nga trojet shqiptare pjesën e vet. Shqipëria që mbetej nuk vlente për asgjë. Prej këtij lajmi më të shqetësuar mbetën myslimanët e qarkut Korçë. Ata, gjatë viteve dhjetor 1912 – tetor 1916, panë me sytë e tyre si plaçkiteshin prej andartëve, si u digjej shtëpia, si vriteshin iu burrat, si masakroheshin gratë, si nxirrej foshnja nga barku i nënës, si merrnin arratinë për të gjetur diku një strehë tjetër, si vdisnin nga uria dhe sëmundjet pa patur një pikë uji të njomnin buzën etj., etj. Sjellja e përgjaktë e Greqisë me autonominë, solli shkretimet e 20 krahinave të lulëzuara, të bëra hi në disa ditë”, shkruante revista “Diturija”, v. 1927, nr. 6, f. 235. Dhe të gjitha këto ndodhnin vetëm me myslimanët. Nëse grekët riktheshin do të ndodhnin përsëri të njëjtat barbarizma. Argumenti i tyre në Konferencën e Paqes ishte: “Shqiptarët janë popullsi të një qytetërimi të ulët, ndaj nuk mund të jetojnë dot të pavarur!” Shumëkush besonte se Shtetet e Bashkura të Amerikës nuk do ta lejonin copëtimin e Shqipërisë, por gjithsesi Korça nisi të ndihej gjithnjë e më e shqetësuar.

Korça në ankth

Konferenca e Paqes së Parisit u thirr, më 18 janar 1919 prej Fuqive të Mëdha fituese: Britania e Madhe, e kryesuar nga kryeministri David Lloyd George; Franca nga kryeministri Georges Clemenceau, Italia nga kryeministri Viottorio Orlando, SHBA me president Thomas Woodroë Wilson, i cili i kërkoi Konferencës “Liri të plotë autodeterminacioni (vetëvendosje) për çdo popull” dhe Japonia. Pjesëmarrëse në Konferencë ishin 27 shtete. Delegacioni shqiptar i kryesuar nga Turhan Pasha, kërkoi rikthimin e trojeve shqiptare të humbura në Kongresin e Berlinit (1878) dhe në Konferencën e Ambasadorëve të Londrës (1913): Vilajetin e Shkodrës, të Kosovës, të Janinës, të Manastirit dhe pjesërisht të Selanikut, por Konferenca qëndroi e shurdhët për shqiptarët. Shqiptarëve iu premtua vetëm Shqipëria brenda kufijve të përcaktura nga Konferenca e Londrës; asgjë më shumë, por edhe kjo Shqipëri nuk ishte e sigurtë: Mali i Zi kërkonte Hercegovinën dhe Shkodrën; Serbia, daljen në Adriatik dhe Shqipërinë e Veriut; Bullgaria, Maqedoninë me trojet shqiptare të Shkupit, të Tetovës, të Gostivarit, të Rjekës, të Dibrës dhe të Ohrit; Italia, Vlorën, Sazanin dhe protektoratin mbi Shqipërinë; Greqia, Korçën dhe Gjirokastrën. Nëse të gjitha këto ndodhnin, a mbetej më Shqipëri? Korça priste me ankth çfarë do të ndodhte.

“Il Giornale d’Italia” denoncoi marrëveshjen Titoni-Venizello

Më në fund edhe shtypi i huaj foli. Gazeta “Il Giornale d’Italia”, më 9 tetor denoncoi marrëvshjen e fshehtë Titoni-Venizellos: “Korça dhe Gjirokastra i jepen Greqisë”. Delegacioni shqiptar paraqiti protestën e vet në Konferencën e Paqes, por asgjë nuk ndodhi. Më 9 nëntor e njëjta gazetë doli me të njëjtin titull: “Korça dhe Gjirokastra i jepen Greqisë”. Delegacioni shqiptar mori takim me z. Titoni, por pa ndonjë rezultat konkret. Më 9 dhjetor gazeta në fjalë përsëriti të njëjtën gjë: “Korça dhe Gjirokastra i jepen Greqisë”. Delegacioni u takua me z. Scialoia, por sërish nuk u arrit asgjë. Presidenti Amerikan Uidrou Uillson kishte thënë një të vërtetë të madhe: “Drejtësia dhe e vërta nuk janë mbrojtje ndër sallat e diplomacisë!”

Korça vijonte të ishte në panik, në horizont nuk dukej asnjë shpresë. Edhe pse në pikën 3 të marrëveshjes Titoni-Venizellos, thuhej se “Qeveria greke do t’u japë popullsive jogreke të Shqipërisë së Jugut (Epirit të Veriut) që do t’i kalojnë Greqisë, garanci të veçanta; për liri arsimi, liri feje, të drejtën familjare myslimane, regjimin e tyre të erazii emirie, vakëfet”, nuk kishte mysliman të Korçës që ta besonte premtimin grek.

Korça dhe Gjirokastra shiheshin të humbura

Sipas studiuesit Muin Çami, trojet që humbiste Shqipëria ishin këto: “Duke u nisur nga një pikë në bregdet ndërmjet përroit Aspri Ruga dhe atij të Palasës, kjo vijë ngjitet në faqen e malit Çika për të arritur në kuotën 2025. Duke u nisur këtej ajo ndjek majën e malit Çika (Krava 1669, Bogonicë 1350, Kallarat 1263, Borshi 1422) dhe bashkohet me atë të Papadhisë (1575), Skërficës (1859); që andej, duke kaluar në jug të Golemit, arrin në Suhagorë (188-1750), që andej ajo ndjek majën e vargmalit anësor të Luzatit dhe shkon deri në bashkimin e Drinos me Vjosën, vazhdon duke ndjekur bregun jugor të Vjosës, duke ngjitur rrjedhën deri tutje vendbashkimit të Lomnicës, nga ngjitet në lartësitë në jug të këtij lumi, duke arritur kuotën 1475 mbi malin Kokojka. Nga kjo pikë ajo arrin te Qafa e Shkëmbit dhe te kuota 1450, duke ia lënë Frashërin Shqipërisë, zbret nga, vargmali i Orgockës e pret lutmin Osum dhe bashkohet me kuotën 1400 pranë Qytezës, duke kaluar ndërmjet Kaltanit dhe Qesarakës. Nga kjo pikë ajo ndjek majën e malit nga lindja e Selenicës së Pishës dhe nga kuota 1550 (Bunar) Qafa e Luzatit, arrin te Mali Ukid (1800). Këtej ajo vazhdon, në lindje duke arritur te Kurora (1650) dhe më nga lindja kuotën 1650, duke kaluar nga Pasha Tepe (1585), dhe Peltek (1270), zbret në bashkimin e lumit Voskopojë me Qelidhonin. E ndjek këtë lumë deri në urën e Malit dhe andej deri në liqenin e Maliqit, të cilin e përshkon duke arritur në kuotën 837 nga, duke kaluar nga kuota 1863, bashkohet në Malin e Thatë, me kufirin e vjetër”.

Myslimanët e Korçës kërkuan mbrojtjen e Italisë

Perëndimi synonte krijimin e një shteti të vogël mysliman me kryeqytet Durrësin. Ndoshta edhe myslimanët e Korçës, të Devollit, të Kolonjës të Leskovkut e deri në Gjirokastër do t’i çonin atje. Gjendja ishte alarmante. Për të mësuar çfarë do të ndodhte realisht me Korçën, banorët e saj këmbenin letra e telegrame me delegacionit shqiptar në Konferencën e Paqes. Adresa e tyre dihej prej shumë shqiptarëve: “Delegation albanaise. A la conference de la paix. 81, Rue de la Boetie (Paris). Teleph.: Elysees 04-20. Nr. 452”. Shumë prej delegatëve ishin emra të njohur: Ipeshkv L. Bumçi, At Gjergj Fishta, Midhat Frashëri, Myfid Libohova, Mehdi, Frashëri, Luigj Gurakuqi, Lef Nosi, Dr. Turtulli, Mehmet bej Konica etj. Për ta nuk kishte as ditë as natë, mbi supe mbanin një barrë të rëndë: Shpëtimin e atdheut të të gjithë shqiptarëve. Mbledhja Kombëtare u kishte dhënë mandat të zgjeruar, me të drejtën për të vendosur në çdo situatë dhe rrethanë; pazar nuk do të bëhej vetëm me tërësinë teritoriale, (integritetin) e Shqipërisë brenda kufijve etnikë, me pavarësinë e saj dhe sovranitetin e shtetit shqiptar. Përpjekjet e dërgatës shqiptare ishin titanike, kërkohej mençuri dhe vendimmarrje e shpejtë. Vazhdimisht ishin të shqetësuar çfarë do të sillte e nesërmja, ende nuk dinin çdo të ndodhte me Korçën dhe Gjirokastrën. Të mbetur në udhëkryq, banorë myslimanë të Korçës vendosën të kërkonin mbrojtjen e Italisë. Në letrën që i dërguan mbretit, thuhej: Lart-madhësi, të nënshkruarit marrin nder dyke lutur okupationin e qarkut të Korçës nj’orë e më parë prej qeverisë të naltë të Lart-Madhësisë s’Juaj më të cilën do të lumtësohemi ne Populli i Korçës duke bashkuar me vëllezërit e tjerë tonë gjithë në një proteksion që ka qenë për Shqipërinë si dielli që ndrit botën.” Kërkesa drejtuar Italisë u firmos nga një pëfaqësi e banorëve të Korçës.

 

Firmëtarët Korçarë

Firmuar nga: Avokat Isuf Agjah, Mustafa Abdurahman, Avokat Belul, Fadil Ismail, Mustafa Qenan, Ibrahim, Beqir Serki, Hafës Xhafer, Isuf Ahmet, M. Reshat, Abdullah Sulejman, Izet Shain, H. Abdullah, Dalip Elmas, Selim Abdulla, Rexhep Haxhi, Subi Arif, P. Dhimitri, Sabri Ali, Zihni Selman, Faik Muharem, Hasan Abaz, Ymer Sulejman, Rexhep Ali, Selim Ismail, Pavli Tole, T. Ali, Vasfi Ilsas, Selma Bajram, Mehmet Isuf, Emin, Demir, Rushan Jahja, Gani, Neim Gana, Ali, Dalip, Sami, Sali, Osman, Sali, Haki Selim, Hasan Mustafa, Selim Tahir, Ali, Shefqet Qamil, Vasil Terpo, Ibrahim Rexhep, Abidin Hysen, Riza Alit, Sulejman, Abidim Elmas, Izet Sylejman, Abdurahman Ali, Osman Hasan, Mersin Ismail, Sami Haxhi, Isuf Hysen, Sulejman Abdul, H. Hysen, Bektash Shain, Ismail Haki Mahmut, Sadik Jakup, Mehmet Salih, Ismail Sulejman, Sadik Hasan, Hamza Rustem, Nexhip Osman, Mehmet Ali, Selman Hasan, Halim Abaa, Omin Halit, Kahreman, Sali, Xhafer Pasho, Hysen Sadik Sulejman, Baba Hajdar, Baba Zylfo, Qani Pojani, Sabri Jashar, Sabri Ali, Veli Hysen, Myrteza Hamza, Abas Mehmet, Ilias Mehdi, Goça, B.Melxua, Alo Mersin Vinçani, Ahmet Damjaneci, Sadik Goça, Refat Shaqir. Koritza, le 1 septembre 1919”. (Hylli i Dritës 1944, nr.4, f. 49)

Nis largimi i myslimanëve nga Korça

U dërguan dhe letra të tjera të shkruara në frëngjisht. Një pjesë e banorëve të qarkut Korçë kish nisur të zhvendosej drejt Vlorës. Në një prej letrave të dërguara shkruhej: “Duke pasur parasysh insistimin e zhurmës së pushtimit të ardhshëm të territorit tonë nga trupat helenike, dhe duke e ditur shumë mirë se ju jeni të vetëdijshëm se kjo popullsi është në thelb shqiptare, siç ishte verifikuar dhe vendosur në Londër në vitin 1913 dhe kurrë nuk pranoi të nënçmoheshin nga grekët, filloi dhe vazhdon evakuimin e territorit duke gjetur strehim në zonën italiane, për të shmangur katastrofën totale të vendit tonë, pasojë ilegale e një marrëveshjeje arbitrare. Ne insistojmë të kërkojmë që territori ynë të zihet menjëherë nga trupat italiane dhe të vendoset nën sundimin e pjesës tjetër të Shqipërisë”. (Hylli i Dritës 1944, nr.4, f. 50-51). I dërguan letër edhe ministrit italian të Punëve të Jashtme: “Për Shkëlqesinë e Tij Ministri i Punëve të Jashtme. Ju lutemi t’i dërgoni urgjentisht delegacionit tuaj në Paris mesazhin e mbyllur që ne jemi të detyruar t’ju dërgojmë me postën italiane, e cila është më e afërta me qytetin tonë, pa pasur një zyrë telegrafike. Me falenderimet tona, paraprakisht, për ndihmën që do të sjellë për kauzën tonë, ne i paraqesim Ministrit homazhin tonë të respektueshëm.” Kryetari i Këshillit të Noterëve, N. Frashëri. Kryetari i Komunës së Korçës, Ef. Chicozi. (Hylli i Dritës 1944, nr.4, f. 50).

Fan Noli e sheh të nevojshme ndihmën Italiane

Edhe peshkopi Fan S. Noli e shihte si të drejtë mbështetjen tek Italia. Në një letër që u dërgonte klerikëve ortodoksë thuhej: “Të gjithë priftërinjve dhe figurave të shenjta ortodokse: Hiri dhe dashuria e Zotit tonë Jezu qoftë me ju të gjithë. Është detyra jonë e krishterë e shenjtë për të bërë të gjitha sakrificat për të shpëtuar tokën e lashtë të San Geronimo të San Castriotit, nga shpërbërja dhe zgjedha e fqinjëve ballkanikë. Unë u lutem të gjithve në emër të kishave ortodokse shqiptare për të organizuar lutjet publike, për të demonstruar kërkesat e për t’i kërkuar Konferencës së Paqes të inkorporojë rajonet Argjirokastrës, Korçës, Çamërisë dhe Kosvës në shtetin e pavarur shqiptar dhe për të falënderuar Italinë për mbrojtje të fuqishme të interesave tona kombëtare. Shpenzimet telegrafike nga Shqipëria në Paris do të paguhen nga Episkopata Shqiptare e Amerikës.” Nënshkruar: Peshkop NOLI”. (Hylli i Dritës 1944, nr.4, f. 49). Edhe delegatët e Konferencës së Paqes në Paris e çmonin ndihmën e italianëve: “Kur në vitin1919 Jugosllavët bënin manovra të ndryshme me e coptue Shqipninë, Episkopatit katholik shqiptar i erdhi ky telegram nga Dërgata shqiptare në Paris: “Jugosllavët insistojnë që të shumohen përpjekjet e tyre në Konferencë për të siguruar aneksimin e Shkodrës me të gjithë territorin e Drinit… Prandaj është me rëndësi të madhe që menjëherë të përçojmë Konferencën nga ana e Episkopatës dhe klerikëve katolikë me një protestë energjike kundër pohimeve të ngjashme, duke theksuar se elementi katolik shqiptar ka çdo interes pikëpamjesh kombëtare dhe fetare, të bashkuar si një Shqipëri e pavarur…”. Parigi, 27. VI. 19. Bumçi, Fitshta dhe Gurakuqi. (Hylli i Dritës 1944, nr.4, f. 43)

 

Aneksimi Korçës, projekt i hershëm

Ruajta e Shqipërisë nga copëtimi dukej mision i pamundur. Tre muaj pas çeljes së Konferencës së Paqes, në mars, Anglia dhe Franca dhanë pëlqimin, pa e shpallur publikisht, që Korça dhe Gjirokastra t’i jepeshin Greqisë. Edhe kërkesat e Italisë për Vlorën dhe Sazanin si pozicioni më superior për mbrojtjen e Adriatikut, do të përmbusheshin. Kjo ishte dhe arsyeja që Titoni-Venizellos nënshkruan Marrëveshjen e Fshehtë, që gjatë Konferencës të mos kishin përplasje. Gjithçka ndodhte me bekimin e Fuqive të Mëdha. Madje këtë gjë kishte synuar edhe Protokolli i Fshehtë i Londrës, më 1915, mes Anglisë dhe Italisë. Problem mbetej vetëm Serbia, e cila përveçse i kishte rrëmbyer Shqipërisë Dibrën, Prizrenin, Gjakovën, Ipekun, Tuzin etj., tashmë kërkonte që si vijë ndarëse me Shqipërinë të merrej Drini nga Dibra deri në det, bashkë me Shkodrën, por zgjerimi mëtejshëm i Jugosllavisë prekte interesat e Perëndimit. Ata nuk e dëshironin zbritjen e Serbisë në bregun e Adriatikut. Gjithçka ishte projektuar shumë kohë më parë nga Konferenca e Paqes. Edhe shpallja e pavarësisë shqiptare në Gjirokastër më 1917, nga Gjeneral Ferrero, kryekomandant i ushtrive italiane në Shqipëri, ishte parapritë për ndaljen e Serbisë në Adriatik. Misioni diplomatik shqiptar, (i pavlerësuar nga qeveritë shqiptare), i duhej të shfrytëznte çdo mundësi, sado e vogël që të ishte, për të fituar sado pak terren, që Shqipëria të mbijetonte; të kërkonte ndihmën e miqve të Shqipërisë si Aubrey Herbert, Edith Durham, Robert Cecil, d, Estournelles de Coustant, Justin Godard etj. “Miku ynë Aubery Herbert me zonjën Edith Durham, shpirti dhe krahu i djathtë i shoqërisë anglo-shqiptare, bënë për Shqipërinë sa nuk mund të bënin njëzet batalione në përpjekje dhjetëvjetësh të parreshtur. (“Hylli i Dritës”, v. 1923, nr. 9, f. 408).

 

Aksioni diplomatik

Dërgata shqiptare shfrytëzoi konfliktin e interesave mes Lindjes dhe Perëndimit. Për thellimin e konfliktit mes palëve kundërshtare, misioni shqiptar i kërkoi Italisë të dërgonte në Shqipëri një princ nga Shtëpia e Savojës, të shoqëruar nga një fuqi ushtarake italiane, e cila të njihej si ushtri përcjellëse, (jo pushtuese), deri në organizmin e Administratës, të Financave, të Drejtësisë etj, i cili do të zinte vendin e princ Vidit. Kjo ofertë rriste miqësinë mes Shqipërisë dhe Italisë përballë konflikteve me kampin tjetër (Lindjen). Kur italianët shihnin se përfituese e trojeve shqiptare mund të bëhej edhe Serbia, hiqnin dorë nga kërkesat e tyre dhe kërkonin pavarësinë e Shqipërisë. Të njëjtën politikë ndiqte edhe Serbia, kur kjo e fundit e shihte të pamundur daljen në Adriatik, kërkonte pavarësinë e Shqipërisë, që edhe Perëndimi të mos e shfrytëzonte Shqipërinë si një kryeurë në Lindje. Dhe jo vetëm kaq, sipas shtypit të kohës, ministri i Punëve të Jashtme të Jugosllavisë, dr. Troumbitch, më 10.1.1920 deklaroi: “Shqiptarët janë një popull krejt tjetër prej tonit, Shqipëria nuk është e banueme prej sllavëve, por prej shqiptarëve që janë njoftë indipendentë qysh në vitin 1913. Shqipnija ka qenë shtet i pamvarun edhe gjatë sundimit turk; ka pasë administratën kanunore të veten. Na jemi të bindur se Shqipëria duhet te jetë ashtu si u krijue më 1913, me një administratë autonome”. Gjithashtu, Dërgata Jugosllave protestoi për padrejtesite që i bahen Kombit Shqiptar. Më 20.1.1920, (gjashtë ditë mbas akordit t’ Adriatikut), paraqiti nji protestë të re në favor të indipendencës shqiptare, dhe ushtroi presion të fortë ndër qarqet e influencës së vet, veçanërisht të Francës për autonominë shqiptare. Të gjendur përballë kthesës së rrufeshme të Serbisë, Italia i ofroi Serbisë të drejtën mbi Shkodrën deri në Drin, por Jugosllavia zgjodhi më mirë të dilte vetë e humbur sesa Perëndimi të fitonte Kryeurën në Lindje. Megjithatë deri më 13 dhjetor 1919, Korça dhe Gjirokastra, por edhe Vlora me Sazanin, pa përjashtuar Shqipërinë e Veriut, vijonin të ishin të rrezikuara. Për këtë arsye, dërgata shqiptare mendoi të kërkonte ndihmën e Papa Benediktit XV.

 

Papa Benedikti XV shpëtoi Korçën dhe Gjirokastrën

Dërgata shqiptare dërgoi në Romë për një audiencë me Papa Benediktin XV, imzot Luigj Bumçin dhe Mehdi Frashërin. Nisja u bë, më 26 dhjetor 1919 në kryeqytetin Italian mbërritën në dt. 28. Brenda 3-4 ditësh, Bumçi, mundi të gjendej para Papa Benediktit. Rrëfimi i shkurtuar i Bumçit është ky:

Pasi i rrëfeva shkurt përse gjendesha para Shenjtërisë së tij, e mbylla me fjalët: “Tash pra, Shejtni, të gjithë anëtarët e Dërgatës shqiptare qi janë në Paris e qi shumica ashtë myslimanë, më kanë çue këtu përpara Shejtnisë s’Uej, e të gjithë për një gojë, ju luten qi me fuqinë t’Uej morale e me influencën e madhe qi keni në botën mbarë, të na nepni ndihmën t’Uej të vlefshme si e ku dini Ju vetë, që të na shpëtojnë dy provincat shqiptare Korça dhe Gjinokastra, të cilat janë në rrezik prej akordit Tittoni-Venizelos”. Përgjigjja e papës ishte:

-“Po shka të baj për ju? Me ltalinë s’kam shka me ba, e di gjithë bota si jena; me Francën marrëdhëniet janë këputë; shka të baj?”

“A më jepni leje me fol?”- e pyeta.

“Fol, fol,- më tha, – shka të kesh me thanë, thuaje”.

“Unë kisha me thanë, Shejtni, se bota s’ka mbetë vetëm në Itali e në Francë, në botë ka edhe Angli edhe Shtete të Bashkuara të Amerikës”.

Bani buzën në gaz, e me i herë m’u përgjigj:

“Ke të drejtë. E pra, nesër do të piqem me Ambasadorin e Anglisë e masnesër më atë të Shteteve të Bashkueme; e po të jap fjalën se me të dy kam me folë e me ia porositë dy provincat që kenkan në rrezik, e kam me ba shka të mundem për me ju ndihmue. Zoti ka m’e ba mirë, se prej Konferencës së Parisit mos pritni punë të mira se Zotin e ka qit jashtë, e aty ku s’ash Zoti drejtësia s’mundet me qenë”.

 

Unë atëherë, qi kishe ba gati nji memorandum për me ia lanë, tuj e nxjerr prej xhepit e tuj e mbajt në dorë:

“Shejtnija e Juej, i thashë, ka punët e botës mbarë, e prandaj, a kam lejen me Ju lanë ketë memorandum qi mos ta harroni çashtjen t’onë?”

-“Po, po, lene këtu pse nuk kam m’e harrue”.

U çova e i rashë në dy gjujt, Ju fala nderës sa mujta, e si mora bekimin, atëherë dola krejt i kënaqun e shkova tuj mendue me vedi: “A thue po na shkon kot ky udhëtimi qi prej Parisit bamë deri këtu? Gjithë kjo shpresë qi fjalët e Shejtnisë së Tij më ngjallnë në zemër, a mundet me më rrejt? Jo, jo, s’mundet me kenë kurrë”. Sa dola prej Vatikanit, u poqa me z. Mehdi Frashërin, të cilit ia diftova fjalët qi më tha Benedikti XV, edhe ky Zotni mbet fare i kënaqun tuj shpresue se me ndërhymje të Papës Korça e Gjinokastra kishin për të pështue”. “Fjalët e Papa Benediktit XV u pritën nga delegacioni shqiptar në Paris në këmbë me brohori të madhe, me duartrokitje e thirrje gjithë një zani:

Rroftë Papa! Korça e Gjinokastra kanë pështue! E pështuem përnjimend! Kjo asht rrjedha e vërtetë. Kjo asht nji faqe e historisë s’onë.

(Referuar “Hylli i Dritës”, v. 1944, nr. 4, f. 64)

Epilogu
Nga një raport i shkurtër i imzot Bumçit dhe dr. Turtulli, mësojmë se gjatë një vizite në Londër më 5-27 mars 1920, ishin takuar me z. Abrey Herber, me z. Eden, me zonjën Durham, me lordin Robert Cecil, me sekretarin e parë të Ligës së Kombeve z. Drummond, me sekretarin e z. Lloyd George, z. Filip Kerr, me ekspertin e dërgatës angleze për punët e Ballkanit z. Leeper, e me shumë lordë e deputetë të tjerë. Ndër çështjet e diskutuara, veçojnë edhe këtë fakt: “U treguam me ngjyra të gjalla mjerimin e madh që do t’u binte mbi kokë shqiptarëve e sidomos muhamedanëve, po t’ishte se Korça dhe Gjirokastra t’i lëshoheshin Greqisë, e cila në vjetët 1913-1914, i dogji dhe i përvëloi ato vise e i shtrëngoi vendasit me dalë muhaxhirë”. (Hylli i Dritës, v. 1944, nr. 4, f. 80).