Ja çfarë sjell volumi i tretë “Skënderbegasit ndër vite…” i autorëve Kujtim Boriçi e Maksi Fejzulla

1804
Përgatiti për botim
Ëngjëll Musai
Doli nga shtypi volumi i tretë i librit “Skënderbegasit ndër vite. Promovimi në kuadër të ‘Vitit të Skënderbeut’ dhe 28 marsit, 73-vjetorit të hapjes së shkollës “Skënderbej” 
-Intervistë ekskluzive për “Telegraf” me bashkautorin Maksim Fejzulla-
Ashtu siç dhe ishte paralajmëruar, dje doli nga shtypi volumi i tretë i librit “Skënderbegasit ndër vite….” i autorëve Kujtim Boriçi dhe Maksim Fejzulla. Ky libër, pjesë e një enciklopedie disa volumëshe, ashtu si dhe dy të parët, sjell dokumente interesante të historisë së kësaj shkolle elitare (1945-1992), portrete personalitetesh të ndryshëm që kanë kryer këtë shkollë, ngjarje dhe evenimente interesante në përballjen me sfidat e kohës, kujtime të shumta të protogonistëve ndër dekada, përfshi dhe mësuesve e komanduesve që kanë punuar me skënderbegasit. Një pjesë e mirë e dokumenteve të përfshira në këtë volum, publikohen për herë të parë, çka përbën një interes, jo vetëm për mbi 36000 nxënësit që kanë kryer këtë shollë, qindra mësues e pedagogë që patën fatin të punojnë në këtë institucion elitar, por dhe për studiuesit e historisë së ushtrisë shqiptare në dekada. Kështu, në këtë volum publikohet për herë të parë i plotë dhe historiku zyrtar i shkollës “Skënderbej”, sipas dokumentit origjinal që gjendet në Arkivin Qendror të Ushtrisë. Gjithashtu, materialet e këtij libri janë shoqëruar dhe me foto e faksimile të shumta, gjë që e bën më të plotë, më tërheqës e më profesional librin. Redaksia e gazetës “Telegraf”, sikundër dhe me dy volumet e para, ka ekskluzivitetin e përdorimit të këtyre materialeve, gjë që do ta bëjë që nga dita e sotme dhe në vazhdim. Në këtë numër po sjellim intervistën e zhvilluar me Maksim Fejzulla, bashkautorin e librit “Skënderbegasit ndër vite…”, volumi i tretë
Zoti Maksi, urime për volumin e tretë të librit “Skënderbegasit ndër vite, të sapo dalë nga botimi dhe suksese të tjera!
-Faleminderit. Së pari, meqë më jepet rasti, dua të falënderoj dhe gazetën tuaj, që ashtu dhe për dy volumet e para, edhe me volumin e tretë, është angazhuar për promovim, për t’ua prezantuar brenda hapësirave të saj lexuesve të shumtë. Ky urim, jo vetëm si detyrimi ynë si autor që na vlerësoni e nderoni me këtë që bëni, por dhe për linjën tuaj të botimit, ku ushtarakët, çështja kombëtare, ngjarjet dhe heronjtë e Luftës për liri, janë pasqyruar e pasqyrohen sistematikisht, në një kohë që jo pak medie e neglizhojnë këtë, apo dhe më keq, hedhin baltë padrejtësisht. Pra, këtë falënderim dhe kompliment, mos e merrni vetëm si obligimin tonë personal, por dhe të mijëra skënderbegasve, ushtarakëve dhe familjeve të tyre.
Të kthehemi tek ky volum që sapo doli në dritë… Shkurt, çfarë të rejash sjell ai për lexuesin?
-Ky volum, është i treti, i një enciklopedie për shkollën “Skënderbej”, për mijëra nxënës, mësues e komandues të saj dhe mbështetet në dokumente zyrtare, dëshmi të protagonistëve e kujtime të shumta për ngjarje të rëndësishme që ka kaluar ushtria shqiptare ndër vite. Por duke qenë se nxënësit e kësaj shkolle kanë shkëlqyer dhe në fusha të tjera duke përfaqësuar denjësisht dhe Shqipërinë, si në sport, diplomaci, mjekësi, politikë, shkenca të tjera, në fushën shoqërore etj, janë hapësira në këtë libër dhe për këtë kategori. Këtu dua të theksoj diçka. Përveç meje e Kujtimit si autorë, në përgatitjen e këtij libri, janë angazhuar dhjetëra e qindra kolegë e bashkëpunëtorë me materiale, kujtime e vlerësime; pa të cilat ne mendojnë se libri nuk do të ishte kaq i plotë sa pretendojmë. Dhe për këtë, i falënderojmë nga zemra të gjithë! Gjithashtu, në këtë libër, për herë të parë sjellim historikun zyrtar të kësaj shkolle, atë që gjendet në Arkivin Qendror të Ushtrisë. Dihet, që pjesë të tij, copëza edhe janë publikuar ndonjëherë. Por duke e sjellë të plotë, pa asnjë ndryshim, mendojmë se bëhet pjesë organike e enciklopedisë. Sigurisht, është dhe i politizuar sikundër gjithçka në dekadat e monizmit, por mendojmë ta sjellim të plotë, pa komente për të qenë sa më besnikë të realitetit të kohës. Materialet janë të ndarë në kapituj sipas fushave përkatëse, duke respektuar ‘hierarkinë’ e moshës dhe kohës së ngjarjeve, kur bëhet fjalë për të tilla.
Mund të na thoni diçka për përmbajtjen e kapitujve në këtë volum?
-Sigurisht. Në hyrje, janë vlerësimet për këtë libër që vijnë nga ish-skënderbegas dhe personalitete të njohura, përkatësisht Rustem Peçi, ish-komandant i Shkollës së Lartë të Bashkuar të Oficerëve: “Enver Hoxha” për 11 vite dhe aktualisht Kryetar i Komitetit Kombëtar të Veteranëve të Luftës Antifashiste Nacional-Çlirimtare dhe Arben Duka, ikona e poezisë shqipe sot. Por Arben Duka, përveçse me shkrimin për vlerësim të librit, ka bërë një poezi enkas për skënderbegasit. Në vijimësi, kapitull më vete, vjen historiku zyrtar i kësaj shkolle, e pas tij, një listë me vetëm skënderbegasit e parë (djem e vajza) që erdhën nga lufta e nisën mësimet si kadetë, në ditën e parë të hapjes së kësaj shkolle. Kapitulli në vazhdim, i kushtohet skënderbegasve të parë që bashkë me armët e luftës, u ulën në bankat e shkollës e u bënë më pas kuadro të njohur në strukturat e Forcave të Armatosura të Shqipërisë. Ndërsa kapitulli tjetër, u kushtohet maturave ndër vite, nga ajo e para, deri tek ajo e vitit 1992 kur kjo shkollë u mbyll me një urdhër absurd. Çdo maturë ka një përfaqësues, ku në materal përfshihen shokët e atyre viteve, mësuesit, komanduesit, aksionet, ngjarjet e ndryshme, paradat, parakalimet, kujtime të veçanta deri dhe dokumente e kujtime për tragjedi që kanë ndodhur. Në radhë vijnë kapitujt për skënderbegasit e shuar në fushën ushtarake; ata që janë shquar në fushën e shkencës; në fushën e kulturës; në fushën e sportit; në fushën e shkencës, në politikë e diplomaci; në fushën shoqërore etj… Kapitull më vete është dhe ai që u kushtohet mësuesve e komanduesve të shkollës skënderbej ndër dekada, sjellë nëpërmjet dokumenteve, kujtimeve të tyre e bashkëkohësve etj… Nuk mungon dhe kapitulli i ish-skënderbegasve që për shkaqe ekonomike janë detyruar të shkojnë në emigracion si në SHBA, Greqi, Itali e gjetkë… etj. Ka shumë material të zgjedhur në volum, që përfshihet në më shumë se 800 faqe. 
Në fakt, libri është voluminoz, sikundër dhe dy të parët.. Po për vështirësitë?
Shiko… Është e kuptueshme që vështirësitë janë të shumta, për më tepër kur bëhet fjalë për libra historiko-monografik të kësaj atyre. Ata që merren me këtë punë, e dinë volumin e punës dhe vështirësitë cfilitëse të krijimit. Por mendojmë se ia kemi arritur… Megjithëse këtë e vlerësojnë kolegët, lexuesi i gjerë. Shpesojmë të ndodhë ashtu si me dy volumet e para. Por ka dhe diçka tjetër që ne si autorë, bashkë me dhjetëra të tjerë që janë pjesë e këtij libri e punuam bashkë pa u lodhur që shpresojmë t’ia kemi arritur…
Dhe cila është ajo?
-(Qesh) Po dhe ne autorët e bashkëpunëtorët jemi skënderbegas. Dhe skënderbegasit nuk lodhen, janë të ditur dhe i përkushtohen maksimalisht punës për të mbajtur fjalën e dhënë, për të realizuar atë që synojnë. Dhe jo vetëm në këtë fushë, por kudo. Kështu ka ndodhur e do të ndodhë me skënderbegasit.
Pohuat më lart diçka për suksesin e dy volumeve të para, më konkretisht?
-Po. Të jemi të sinqertë, se kur e ndërmorëm këtë ndërmarrje gati tri vite më parë, nuk do mendonim që do të kishim këtë sukses, që librat nuk do të binin në tokë. Në fakt, kjo nis që me idenë për të shkruar për këtë shkollë të lavdishme dhe skënderbegasit. Në punë e sipër, konstatuam se nëpër arkiva, nga pakujdesia por dhe nga dashakeqësia, kryesisht në vitet par ndërrimeve politike më 1990, dokumente të shkollës “Skënderbej” u zhdukën apo dhe u dëmtuan. U arrit deri atje, që për t’i shpëtuar këtij vandalizmi të atyre viteve, Arta Reveli, ish-sekretarja e shkollës “Skënderbej”, mundi të marrë me makinë e për disa kohë t’i ruajë në shtëpinë e saj, për t’i dorëzuar më pas me proces-verbal… Më kupton çfarë ka ndodhur. Pra na u desh shumë punë. Po gatishmërinë e qindra skënderbegasve, mësueseve e komanduesve, duke afruar foto, kujtime, dokumente të ndryshme, na vunë para detyrës që të bëjmë diçka në këtë drejtim. Dhe në fakt, promovimet (me pjesëmarrjen e qindra skënderbegasve) brenda e jashtë Shqipërisë, vlerësimet për librin në medie brenda e jashtë Shqipërisë, na bindi se diçka kemi bërë dhe na mobilizoi të punonim më shumë.
Përmendët dhe mirëpritjen e librit jashtë vendit?
Po skënderbegasit, ushtarakët janë shpërndarë në gjithë botën, pasi në atdheun ku lanë rininë e tyre, mundin e djersën, shteti nuk i afroi, veçse në ditë të vështira. Ata kanë mall, dashuri, nostalgji e krenari për atë shkollë që u dha arsimim e përgatitje për udhën e bukur e të vështirë të oficerit të karrierës. Kanë qenë e janë pjesë aktive e volumeve të “Skënderbegasit ndër vite…”. Ishte këmbëngulja e tyre që janë bërë promovime të “Skëndergegasit….” në Tiranë, Sarandë, Vlorë, Lushnje, Fier, Elbasan etj… Por dhe në Greqi. Ka qenë promovim madhështor në Greqi i volumit të dytë, aq sa prania e madhe në ‘të, me pjesëmarrje dhe të diplomatëve të Shqipërisë në Athinë, ra në sy të vendasve dhe medies së atjeshme. Po kështu dhe në Itali e Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ja, më datë 25 mars të këtij viti, pas tri ditësh, ushtarakët e atjeshëm, në New York, nën drejtimin e skënderbegasve të njohur, publicistit e poetit Veri Talushllari, sportistit Astrit Xhakolli, mblidhen e festojnë 73-vjetorin e hapjes së shkollës “Skënderbej”, me “Skënderbegasit ndër vite…” mbi tavolinën e promovimit të radhës.
Përmendët neglizhencën e shtetit për ushtarakët, duke thënë se ‘i duan kur iu kanë nevojën’?
-Nuk po them ndonjë gjë të re. Në këto vite të gjata të tranzicionit, me ndonjë përjashtim të rrallë, ushtarakët, kjo shtresë elitare janë neglizhuar, moralisht dhe ekonomikisht. Vetëm së fundi, kur situata u vlerësua jo e mirë në disa sektorë, qeveritarët menduan se ata që mund ta bëjnë më mirë punën, janë skënderbegasit. Kështu, vendosja njëherazi në krye të prefekturave të vendit të 12 ushtarakëve dhe në krye të burgjeve po ushtarakë, është një vlerësim i munguar. Por shpresojmë e dëshirojmë që kjo praktikë të vazhdojë.
Ndonjë gjë tjetër?
-Po i kemi thënë në libër të tjerat, e mos mërzisim dhe lexuesin tuaj. Falënderojmë edhe një herë gazetën tuaj për këtë mbështetje që jepni!
(Vijon nesër)
Shënim: Nesër në “Telegraf” do të lexoni materialin e Rustem Peçit, ish-skënderbegasit, kuadrit madhor e Komandantit të Shkollës së Lartë të Bashkuar të Oficerëve, përfshirë në volumine tretë të librit ‘Skënderbegasit ndër vite….”


Sigal