Rrëfimi i Gani Elezit: Si u hoqën gradat dhe u vu komisari politik në ushtri. Kush ishin “Delta Force-t shqiptare, drejtuesit Begeja, Mishaxhiu, Stroka dhe përgatitja 6-mujore e të rinjve palestinezë

Flet Gani Elezi ish drejtues i lartë i Detashmentin të Zbulimit pranë Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë

 Leonard VEIZI

JETËSHKRIMI

Shkollimi i një ushtaraku

“Kam lindur më 15 shkurt të vitit 1947 në Fushëkrujë, të rrethit Krujë. Arsimin fillor dhe atë 7 vjeçar e kam kryer në vendlindje, në viti ‘54 – ‘61. Më pas, seksioni i arsimit i rrethit kërkoi të rregjistrohem në një shkollë të ciklit të ulët profesional, për mësues, në Shkodër. Gjithashtu, dega ushtarake e rrethit kërkonte të dërgonte nxënës në shkollën ushtarake “Skënderbeg”, në Tiranë, e në këtë kuadër më thirrën mua e disa shokë të tjerë. Në vitet ‘60-të, gjatë të cilëve unë kam mbaruar shkollat ushtarake, përgatitja e kuadrove të ushtrisë bëhej në shkollat tona. Deri në vitin 1960 një pjesë e madhe e tyre, studionin në shkollat ushtarake të BS e vendeve të tjera socialiste. Pas ndërprerjes së marrëdhënieve me këto vende, përgatitja e tyre bëhej në shkollat shqiptare, që fillonin nga shkolla e mesme ushtarake “Skënderbeg” dhe vazhdonte sipas armëve e shërbimeve të ndryshme, ndër të cilat kryesore ishte shkolla e bashkuar e oficerëve “Enver Hoxha” në Tiranë, deri tek Akademia Ushtarake, që ishte niveli më i lartë i arsimit ushtarak. Shkollën e bashkuar “Enver Hoxha” e përfundova në korrik 1967, pas dy vjet studimesh, dy vjet eksperiencë ushtarake, të cilat na shërbyen më pas në rrugën si oficerë të ushtrisë. Në bazë të rezultateve të arritura, u kualifikova në grupin e kursantëve me rezultate shumë të larta dhe po të ishte sistemi i gradave do të kisha përfituar gradën e Togerit”.

 

Sot është vështirë të kuptosh se pas syzeve të tij elegante dhe fytyrës krejtësisht miqësore janë të ruajtura ende nuancat e një ushtaraku të fortë, i cili shumë vitë më parë është marë drejtpërsëdrejti me stërvitjen e atij korpusi elitë të ushtrisë shqiptare, siç ishte Detashmenti i Zbulimit. E pra nuk ishin ushtarët të thjeshtë këmsorie që nuk arrinin të kapnin dot normat elementare të vrapimit apo ushtrimeve mbi paralele e në traun e ekuilibrit, dhe as nga ata që përdoreshin për shërbim të pandërueshëm në vendrojen prej betoni të repatrtit ushtarak “N”. Detashmenti i Zbulimit, vazhdimi i së cilës sot kodohet nën emrin “Brigada Komando”, ka stërvitur papushim ushtarakë që mbushnin vazhdimisht rradhët e “Delta Force” shqiptare.

 

Me gjithçka është ndeshur në jetë e tij si ushtarak aktiv, ka vendosur ta hedhi në letër. E kjo padyshim është dëshmia më e sigurtë që do trashëgojnë brezat pas tij, dhe sikur ai të mos ketë mundësi të firmosi mbi tesatament për një copë truall, apo para “kesh” të ruajtura në bankë. “Kur përgatiteshim për mbrojtje” është libri i tij i parë, dëshmi dhe analizë e hollësishme, por që do të ndiqet shumë shpejt të paktën dhe nga dy të tjerë, ku në përgjithësi do të flitet për jetën e ushtrisë shqiptare brenda mureve të sistemit socialist. Të paktën 600 emra janë përmendur në librin e tij, që nga njërëzit e rëndësishëm e me pushtet të atyre viteve, e deri tek ushtarët e thjeshtë, që stërviteshin çdo ditë me të vetmin qëllim: Të mbronin atdheun. E megjithatë, Gani Elezi, ky ish drejtues i lartë në disa njësi të ushtrisë, dhe aktualisht oficer në rezervë i po kësaj ushtrie tashmë të reformuar, për gazetën “Telegraf” rrëfen ekskluzivisht dhe disa nga të pathënat e deritanishmë të Detashmentit të Zbulimit. Gjithçka fillon me shkollimin e disiplinuar prej 8 vjetësh dhe “përplasjen” e parë me realitetin nga e cila spaletat prej kursanti të shkëlqyer do të pastroheshin nga shenjat e hierarkisë.

Si e kujtoni kohën kur në ushtri u hoq sistemi i gradave?

Në vitin 1966 Komiteti Qëndror i PPSH mori një sërë masash, të cilat, siç theksohej në atë kohë, synonin “…revolucionarizimin e jetës së Partisë dhe të të gjithë vendit”. Në thelb ideja e këtyre masave ishte lufta kundër shfaqjeve të burokratizmit, që viheshin re në jetën dhe në aktivitetin e organeve të partisë, të atyre të pushtetit dhe të ekonomisë. Këto ngjarje i kam jetuar në një moshë fare të re dhe në një pozicion të hierarkisë ushtarake, që as mund të gjykoja mbi përmbajtjen dhe vlerat reale të tyre dhe jo më të kisha ndonjë rezervë dhe t’i kontestoja ato. Si pjesa më e madhe e efektivit oficer dhe kursant, i kam mirëpritur dhe jam munduar të evidentoj dhe të kuptoj vlerat pozitive të këtyre masave, zbatimi i të cilave, edhe në kushtet e ushtrisë e të shkollës, natyrisht që pati ndikimet e veta të menjëhershme dhe afatgjata. Në kuadrin e këtyre masave në ushtri u realizuan disa ndryshime esenciale që, siç do të konstatohej më vonë, do të kishin ndikime dhe pasoja të ndryshme në jetën dhe në aktivitetin e ushtrisë.

Mund të evidentoni disa nga këto masa?

– U rivendos funksioni i Komisarit Politik dhe u vunë në efektivitet Komitetet e PPSH me kompetenca të plota mbi të gjithë aktivitetin e njësive dhe të reparteve të ushtrisë.

– U hoqën gradat ushtarake, duke eliminuar kështu hierarkinë e gradave ushtarake.

– U liberalizuan disa kërkesa të rregulloreve të jetës së brendshme të ushtrisë, duke zvogëluar disi vendin dhe rolin e “komandës”, të “urdhërit” dhe të detyrimit ushtarak për t’i dhënë hapësirë më të madhe disa metodave të reja, që synonin demokratizimin e ushtrisë, si vija e masave, metoda e bindjes etj.

Kush ka qenë, në fakt, ndikimi dhe pasojat që sollën këto masa në ushtri?

Vetëm tani, pas një përvoje të gjatë në ushtri, e veçanërisht kur mundësia e gjykimit dhe e kontestimit të masave të marra është e mundur, mund të jepen opinione më të sakta. Në vitet 1966 e 1967 kur u morën dhe u vunë në jetë këto masa, nuk ka patur reagime të hapura kontestuese, me përjashtim të një rasti që u përfol në atë kohë, e që më vonë u vërtetua si i vërtetë, të një letre të Dilaver Radeshit, historian ushtarak, i cili shprehte rezerva, sidomos për heqjen e gradave. Mundet që mjaft kuadro, te hierarkise së lartë ushtarake, veçanërisht gjeneralët, kolonelët dhe kuadro të tjerë të lartë, të kenë patur rezerva në vetvete, por asnjëri dhe në asnjë rast nuk i bëri të ditura këto rezerva. Përkundrazi, në krye të punës agjitative dhe propaganduese për zbërthimin dhe zbatimin e këtyre masave ishin pikërisht kuadrot madhore të ushtrisë, që nga ministri i mbrojtjes dhe kuadro të tjerë të lartë në Shtabin e Përgjithshëm dhe në njësitë e ushtrisë. Një fakt i tillë bëri të mundur që edhe masa e madhe e kuadrove të ushtrisë t’i konceptonte këto masa me efekte pozitive dhe të angazhohej efektivisht në zbatimin e tyre.

Rivendosja e funksionit të Komisarit Politik a kishte vlerë?

Pas kaq vitesh, unë do të mundohem të jap disa opinione personale në lidhje me këto masa. Rivendosja e funksionit të Komisarit Politik dhe e aktivitetit të Komiteteve të PPSH ishte një rivlerësim i përvojës së Luftës NAÇl, kur funksioni i komisarit politik dhe veprimtaria e organeve të partisë ishin faktorë me rëndësi të madhe në mbarëvajtjen e luftës në tërësi dhe të aktivitetit të njësive dhe të reparteve partizane në veçanti. E analizuar në kuadrin e raporteve komandë-parti, domosdo kjo masë ka patur ndikimet e veta positive, por edhe negative.

Cilat ishin ato negative?

Si negative mund të konsiderohet dobësimi në një farë shkalle i rolit dhe aktivitetit të komandave, të shtabeve dhe të kuadrove drejtues të tyre, sepse kufizonte deri diku iniciativën dhe vetëveprimin e tyre në zgjidhjen e detyrave ushtarake. Por sidoqoftë, në sistemin një partiak një gjë e tillë nuk ishte e jashtëzakonshme, edhe për kushtet e ushtrisë. Dihet se në një sistem të tillë njëpartiak, partia në fuqi ishte në udhëheqje të çdo sektori të jetës së vendit, pra, ishte në komandë, edhe në ushtri. Në bazë të vijës dhe të vendimeve të organeve të saj drejtuese organizohej dhe zhvillohej i gjithë aktiviteti i organeve të pushtetit, i organeve të ekonomisë dhe i të gjithë sektorëve të tjerë të jetës së vendit. Në këtë kuptim kjo masë, edhe në raportet komandë-parti, nuk mund të gjykohet vetëm me pasoja negative. Ajo rezultoi në realitet me ndikime të ndërsjella.

Si do të vazhdonte kjo bashkëjetesë?

Deri në vitet 1973-1974, për arsye se komitetet e partisë drejtoheshin nga kuadro të aparateve të njësive ushtarake, pra sekretari i tyre nuk ishte funksionar dhe i njehsuar me detyrat e drejtuesve kryesorë të njësive ushtarake, ato nuk patën ndikime të dukshme në dualitetin parti-komandë, pra nuk ndikonin në zbehjen dhe në uljen e efektivitetit të punës së komandave. Por, në këto kushte, efektiviteti i punës së tyre në programimin, organizimin dhe realizimin e detyrave ushtarake rezultonte të mos ishte në nivelin që kërkonte në atë kohë PPSH-ja nga organet e saj drejtuese. Madje, në vitet 1974-1975 një gjë e tillë u konsiderua si një nga pasojat e punës “armiqësore” të grupit të Beqir Ballukut, Petrit Dumes dhe të Hito Çakos në ushtri. Për këtë arsye, nga kjo periudhë e më pas, në krye të komiteteve të partisë në njësitë e ushtrisë u vunë kuadro funksionarë, të paktën në nivelin brigadë-korpus dhe në njësi të tjera autonome.

GRADAT

“Heqja e Gradave ushtarake, siç konstatohet edhe sot, pas ndryshimeve të ndodhura në vendin tonë, ka pasur efekte negative. Megjithëse një masë e tillë ishte në konteksin e një gjendje të caktuar politike, të zbatimit të një sërë masave të orientuara nga PPSH, për luftën kundër burokratizmit, për forcimin e marrëdhënieve në rradhët e ushtrisë, për rritjen e rolit dhe të efektivitetit të punës të masës së madhe të efektivave ushtarake, konstatohet me lehtësi se heqja e gradave ushtarake ka qenë një ndikim i kinezëve, pavarësisht se asnjëherë nuk është pranuar një gjë e tillë. Qoftë koha kur u vu në zbatim sistemi pa grada ushtarake, viti 1966, qoftë lloji i uniformave që u futën në përdorim për ushtrinë tonë tregojnë se një vendim i tillë ishte i ndikuar nga përvoja kineze. Një maji i vitit 1966 ka qenë dita e parë që oficerët e ushtrisë sonë dolën pa grada. Edhe ministri i mbrojtjes, Beqir Balluku, dhe kuadro të tjerë të lartë të ushtrisë, në tribunën e festës, ishin pa grada. Na dukej habi dhe me thënë të drejtën, edhe si uniformë nuk ishte e pëlqyeshme, pra nuk ishte e mirë dhe dinjitoze. Për ne, që ishim ende kursantë dhe nuk kishim grada oficeri, nuk kishim provuar efektin e hierarkisë së tyre, një masë e tillë nuk pati ngacmime emocionale të veçanta, por për oficerët që kishin grada, bile edhe grada madhore, kolonelë e gjeneralë, emocionet do të kenë qenë të mëdha. Mbaj mend që edhe opinioni publik, njerëzit në rrugë na shihnin si të çuditur dhe me kuriozitet”.

Shkolla “Skënderbeg”

“Shkolla ushtarake “Skënderbeg” ishte një shkollë me efektiv të madh nxënësish dhe mësuesish. Kështu, psh, në vitin 1961, kur unë fillova mësimet pranë saj, viti i parë ishte i organizuar në 10 klasa, me nga 38 apo 40 nxënës secila, çka do të thotë që vetëm një paralele, kishte 380–400 nxënës. Po të llogarisësh të katër vitet, paralelet, del se shkolla kishte më shumë se 1200 nxënës. Në shkollë punonin një numër i madh kuadrosh ushtarake, oficerë dhe nënoficerë, të cilët merreshin me organizimin dhe drejtimin e aktivitetit të përditshëm të saj dhe përgatitjen ushtarake. Gjithashtu, kishte edhe një trupë të madhe pedagogjike, e cila drejtonte procesin mësimor, në bazë të programit të arsimit të mesëm, si dhe mjaft punonjës civilë të sektorit të prapavijës. Programi i saj ishte i njëllojtë me shkollat e tjera të mesme, veç faktit që aty zhvilloheshin edhe disa lëndë të përgatitjes ushtarake, siç ishte psh lënda njohuri mbi përdorimin e armatimit, lënda për njohjen dhe zbatimin e kërkesave të rregulloreve të jetës ushtarake, përgatitja rreshtore dhe disa njohuri elementare për taktikën ushtarake”.

 Shkolla “Enver Hoxha”

“Pasi mbarova shkollën ushtarake “Skënderbeg”, në qershor të vitit 1965, kërkova të vazhdoj studimet në shkollën e marinës në Vlorë, ose në degët këmbësori e topografi, në shkollën e bashkuar të oficerëve në Tiranë. Për aviator, profesion që ishte ëndërr gati për të gjithë skënderbegasit, nga disa teste që na bënë në spitalin ushtarak, nuk i plotësoja kërkesat e nevojshme. Më caktuan në kursin e këmbësorisë. Siç kam konstatuar më vonë, kjo ishte zgjidhje mjaft e mirë, sepse të ishe oficer këmbësorie, apo gjithëarmësh, kishe mundësi të merrje njohuri për organizimin dhe përdorimin e të gjithë llojeve të armëve dhe të shërbimeve të ushtrisë. Edhe nga pikëpamja e karrierës, kishe më shumë shanse për të marrë detyra të larta në kuadrin e hierarkisë ushtarake. Në atë kohë, shkolla e bashkuar e oficerëve “Enver Hoxha” konsiderohej institucioni i vetëm për të përgatitur oficerët e forcave tokësore të ushtrisë, si; këmbësoria, artileria tokësore, kundërajrore, tanket, xhenjo, kimia, ndërlidhja, zbulimi, shërbimi autotraktor, shërbimet e prapavijës, topografia etj. Ndërsa oficerët e aviacionit e marinës, përgatiteshin në Vlorë”.

Enver Begeja

Me punën dhe me shembullin e tyre, ata kanë ndikuar në mënyrë të drejtpërdrejtë në formimin tonë profesional, moral dhe kulturor, si oficerë të ardhshëm të ushtrisë. Do ta filloj me komandantin e shkollës, kolonel Enver Begeja. Ishte një ushtarak me kulturë të gjerë, metodist i zoti në ndërtimin e marrëdhënieve të tij me trupën e oficerëve dhe të kursantëve. Begeja kishte një kërkesë të fortë llogarie, kishte vendosur një personalitet të padiskutueshëm në shkollë. I “trembeshin” të gjithë, në mënyrë të veçantë kuadri oficer.

Mina Mishaxhiu

Nënkolonel Mina Mishaxhiu është një tjetër kuadër, që më ka mbetur në kujtesë. Ishte shefi i katedrës së përgatitjes taktike. Ishte një nga teoricienët dhe metodistët më të zot të shkollës, por edhe në shkallë ushtrie për përgatitjen taktike, veçanërisht të taktikës së vogël, në nivel reparti dhe nënreparti. Shkruante shpesh në shtypin ushtarak, gjë që e bënte të vlerësuar edhe në aparatin e MM. Ishte kuadër mjaft serioz, i angazhuar për realizimin me efektivitet maksimal të programit të shkollës.

Beg Tena & Arseni Stroka

Kapitenët Beg Tena e Arseni Stroka janë dy kuadro të përgatitjes taktike, që kanë kontribuar dhe kanë lënë gjurmë të pashlyeshme në përgatitjen e kontigjenteve të oficerëve të këmbësorisë. Bega i jepte përgatitje taktike togës ku bëja pjesë unë, ndërsa Arseniu i jepte togës tjetër. Por ndodhte, që të dy ndërronin nënrepartet, kështu që më ka rënë rasti të njoh aftësitë e të dyve. Të dy ishin takticienë dhe metodistë të zot në fushën e përgatitjes taktike. Të dy kishin një figurë morale tepër të pastër, e ishin korrekt në punë.

(Vijon nesër)

NESËR DO TË LEXONI

Stërvitja në detashmentin e zbulimit të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë

Eksperimentet sipas përvojës së reparteve speciale të ushtrisë Vietnameze

– Përgatitja 6-mujore e grupit të të rinjve Palestinezë  me program të veçantë