Ilmi S.Qazimi: Tri arsye për të kujtuar e vlersuar të kaluarën tonë

263

Çudi, si dalin disa pseudo-historianë dhe i quajnë kriminelë lufte, partizanët dhe dëshmorë/et!!!

Tri arsye për të kujtuar e vlerësuar të kaluarën tonë

Ilmi S. QAZIMI, pasardhës veterani

Ne shqiptarët bëjnë pjesë në popujt historikë dhe si të tillë, duke kujtuar të kaluarën ata kujtojnë e çmojnë lart emrat e trimave dhe veprat e tyre trimërore;

Së pari, ky është viti jubilar i treçerek shekullit të fitores mbi fashizmin dhe Çlirimin e Atdheut nga pushtuesit nazistë gjermanë e fashistë italianë. Në këtë kuadër le të kujtojmë shkurtazi diçka për Brigadën e dhjetë Sulmuese.

Më 29 tetor 1944, 75 vjet më parë, në lagjen Sulaj të Karbunarës së Lushnjës u formua Brigada e 10 Sulmuese e Ushtrisë Nacional Çlirimtare Shqiptare. Ajo ditën e parë kish në përbërjen e saj 1060 partizanë e partizane midis të cilëve 10 ishin italianë, e më pas 1225 vetë. Luftëtare trimëresha të kësaj brigade ishin edhe 15 vajza. Nga ana gjeografike efektivi i brigadës ishte: 482 vetë nga Skrapari duke nisur që nga komandanti i saj Njazi Çepani dhe komisari Mane Nishova; 370 partizanë ishin beratas; 81 nga rrethi i Fierit;nga Lushnja morën pjesë në brigadë 76 vetë; nga rrethi i Tiranës ishin 40 partizanë, ndërsa nga Shijaku 30 dhe, së fundi 16 nga Elbasani. Në emër të Komandës dhe Shtabit të Përgjithshëm përshëndeti Kahreman Ylli. Në ditën e inaugurimit të saj Brigada e 10-të Sulmuese pati komandant Koço Gjeçin dhe pas datës 7 nëndor 1944, Njazi Çepanin. Zëvendës komisar ishte Qamil Hamza dhe Intedent Nexhat Skënderi.

Kjo brigadë mori pjesë për shtatë ditë e net në luftimet për Çlirimin e kryeqytetit të Shqipërisë, Tiranës duke mbajtur një peshë të madhe në tërësinë e goditjeve kundër forcave gjermane;më 16 nëntor çliroi Shijakun e Durrësin dhe pastaj u rreshtua në përbërje të Divizionit të parë Sulmues.

Së dyti, duke kujtuar të kaluarën gjejmë më së thelli edhe idenditetin tonë që pushtuesit e sunduesit e shumtë, së bashku me tradhtarët, bashkëpunëtorët pinjollë të krerëve të organizatave antikombëtare,si ballistë e zogistë, janë munduar e mundohen të na i zhdukin me paturpësi e mizori .

Me krenari të ligjshme ne,pasardhësit e veteranëve të Luftës Antifashiste Nacional Çlirimtare dhe të dëshmorëve të atdheut kujtojmë me nderim e respekt të pakufishëm 51 partizanët e ish-komunës së Çepanit që u rreshtuan dhe luftuarn trimërisht gjatë gjithë veprimeve luftararake të kësaj brigade:

Abaz Rogu, Adem Shishka,Ahmet Prishta, Avdulla Hasanaj, Avni Turhani, Bato Plaku, Bedri Lushka, Behit Dyrmishi, Bektash Hoxha, Bukurije Çepani, File Harizaj, Haki Leka, Halil Halilaj, Hysen Hito, Iljaz Kotobelli, Islam Spahiu, Kamber Muzhencka, Karafil Nano, Laze Qeshibesi, Medi Laska, Muhamet Sevrani, Muharrem Leka, Myrteza Sevrani, Nazif Osmani, Njazi Çepani, Novruz Mema, Petrit Maksuti, Petrit Malindi, Qani Hoxha, Qani Duro, Qemal Bejko, Qemal Bego.

Të gjithë kanë nga një mori historish për luftimet dhe vështirësitë, sakrificat dhe guximin, gjakun e shokëve dhe urrejtjen për pushtuesit e bashkëpunëtorët e tyre. Qemal Bego, i cili militon aktivisht në radhët e veteranëve që janë gjallë, ka qenë në çdo përvjetor jubilar të brigadës. Këtë vit ai ndjehet edhe më krenar sepse, duke iu afruar moshës njëshekullore, arriti që të festojë edhe 75-vjetorin e Çlirimit. Ai ka shumë për të treguar, por preferon që të heshtë, duke kujtuar me lot në sy shokët e tij që nuk janë më, si Ilmi Halilin nga Muzhencka…

Ja dhe të tjerët:Qemal Rogu,Qemal Spahiu,Reshat Pëllumbi,Sabri Muzhaka,Sadik Bekteshi (Prishta),Safet Zaimi, Shaban Llango, Skënder Bego, Sulejman Çela, Sulo Osmani, Sulo Shiroku, Tahir Mane, Xhafer Hajdari, Xhafer Lushka dhe Zaim Fusha. Bijtë e bijat e këtyre partizanëve dhe dëshmorëve jo vetëm që nuk harrojnë por do t’i kujtojnë ndër breza baballarët e tyre; sido që të vijnë kohërat, situatat dhe marifetet e politikës,nipërit e mbesat do të thonë gjithnjë: kur atdheun e kishin zaptuar të huajtë, gjyshi im ka qenë partizan dhe ka luftuar kundër pushtuesve. Kjo nuk është propagandë, por traditë luftarake që buron nga gjaku i derdhur për liri e pavarësi.

E treta, tekefundit, gjithkush tek e kaluara gjen ngushëllimin për shkak të dhimbjeve e dëshpërimeve që na shkakton e sotmja qoftë kjo politike, qoftë ekonomike; Kur dëgjojmë e shikojmë që problemeve të dëshmorëve iu anashkalon qeveria dhe tërë administrata shtetërore shqetësohemi shumë pasi kjo është thikë në shpatull të atdheut!Në asnjë vend të botës, dëshmorët jo vetëm që nuk neglizhohen por lartëvlerësohen.

Kur shohim që dalin disa pseudo historianë dhe i quajnë kriminelë lufte partizanët dhe dëshmorë/et – kjo është një gjendje katastrofike morale e materiale për tërë shoqërinë tonë. Është të ecësh kundër të vërtetave historike botërore. Ne i themi ndal këtyre përpjekjeve të dështuara të disa individëve pinjollë tradhtarësh dhe kujtojmë me respekt legjitim dëshmorët dhe partizanët tanë trima.