Enver Cakaj: Shokë, Ku Është Kahremani?…

1105
Kush i hodhi yjet e artë në ato thellësi? Leshnja të duket sikur është fshehur prapa malit,që i rri si kapele mbi kokë. Përse të fshihet,kur ata yje ndritën në të gjithë vendin? Nga ato lartësi merr dritë e gjithë krahina dhe më tutje. Ostrovica ul kokën përpara yjeve të Leshnjes. Ky fshat i hershëm i përkiste Vilajetit të Skraparit. Në dekumente flitet se është vendosur aty që në vitin 841. Atëherë ka pasur dy hane dhe 197 hasili. Ka një përshkrim të shkurtër.” Timari Sulejman është njeri pa njeri (garip kiski). Këtë timar, në kohën e të ndjerit Sulltan,e hante Iljazi,ndërkaq Iljazin e vranë gjaurët e fshatit dhe u shpërndanë. Pastaj këtë fshat të Timarit mbetur shkretë, Lala Shahini dhe Jakup Bega ia dhanë të lartë për të menduarit Sulejman,që ta lulëzoi. Ky ka në dorë bitin e Lala Shahinit, Iljazi,që përmendet më sipër ka qenë beg-kullu, ai ka lënë dy djem,njëri 10-vjeç dhe tjetri 12-vjeçar. Timari i të lartpërmendurit Iljaz u sulmua dhe si rrjedhim pësoi shkatërrim. Për këtë u lëshua një vërtetim nga ana e Subashit, prandaj, bëhet shtesë fshati Nikolini sipas tahvilit të Gjin Ivladut rreth çagdri me hane 4, xherxhek (?) (Marrë nga Arkivi Qëndror iShtetit) Nuk e dimë ç’lidhje fisnore ka familja Ylli me ata që përshkruan dekumenti, por një gjë e kemi të saktë. Familja Ylli ishte dhe mbeti dominante në të gjithë rrethin e Skraparit. Nuk iu bë asnjë privilegj. Mbase edhe i kanë bërë ndonjë padrejtësi, por ishte shpirti i tyre human dhe patriotik, që e radhiti këtë familje ndër kryesoret në rreth e më tej. Sinan Yllit nuk i dhuroi askush ndonjë palë shkallë, që të ngjitej atje ku u ngjit, por i bëri vetë ashtu siç i duheshin. Fillimisht hapi dyert e shtëpisë për të varfrit e për djemtë e luftës. Që atje në Leshnjen e prapamalit merrte vesh lëvizjet që bëheshin për mbrojtjen e trojeve shqiptare dhe as, mungoi, as përtoi. Që në vitin 1919 u zgjodh anëtar i Komitetit të Shpëtimit Kombëtar. Në këtë Komitet,që punonte për bashkimin dhe mobilizimin e popullit kundër të gjithë pushtuesve të vendit, bënin pjesë burra të mençur si Riza Cerova, Ali Koprëncka, Maliq Vlusha, Avni Kapinova e Hysen Zaloshnja. Në vitin 1919, në një protestë që u bë në Skrapar kundër pjesëmarrjes së Esat Pashë Toptanit në Konferencën e Paqes në Paris, një grup patriotësh nga Skrapari, mes të cilëve edhe Sinan Ylli, kanë hartuar dhe firmosur edhe ai në deklaratën protestuese. Po i shkruaj me droje këto konsiderata për familjen Ylli. Jo se s’kam dëshirë, por kjo familje ka aq aktivitet patriotik, sa nuk mund të mblidhen në një shkrim. Flitet se dikush ka marrë përsipër të shkruajë një libër për Kahreman Yllin. Nuk e njoh, po nëse ai e njeh mirë këtë figurë, t’i vejë puna mbarë. Të paktën të mos e laturisi. Është fjala për familjen e Sinan Yllit nga Leshnja e Skraparit. Ajo nuk ishte thjesht një familje, por një garnizon ushtarak. Shtëpia e tij,e madhe, sa shpirti human i këtij burri me përmasa të pallogaritshme, ishte shtëpia e të gjithë djemve të luftës. Me shkollë të ulët, por me kulturë të lartë, njeri i pasur në ekonomi e në shpirt. Të gjithë pasurinë, që kishte vënë me djersën e ballit, e hodhi në shërbim të luftës, ashtu siç hodhi në ndihmë të saj të gjithë djemtë e vajzat. Shtëpia e Sinan Yllit ka një pllakë përkujtimore në ballinën e saj, që tregon,se ajo ishte bazë e rëndësishme e luftës. Por në atë pllakë duhet të bëhet një korrigjim. Shtëpia e Sinanit ka qenë kryebaza e luftës, sepse aty ishte shkolla, ku mblidheshin djemtë e luftës nga e gjithë Shqipëria, që konsultoheshin, hartonin planet e luftës dhe bujtnin e ushqeheshin në atë familje. Natyrisht ndikimi ishte i djalit të Sinanit, Kahremanit, që kishte parë botë me sy. Ishte koha kur Shqipëria qe rrethuar nga greku, sërbi, malazezi, francezi, austrohungarezi, italiani. Çfarë kërkonin ata, që bëheshin zot në shtëpinë e tjetrit? Thuajse më shumë kishte të huaj se vendës kjo Shqipëri e varfër. Urrejtja kishte mbërthyer të gjithë patriotët e vërtetë, të cilët organizonin struktura shoqërore. Sinani ishte mik e shok armësh me kryeburrin e Skraparit Riza Cerova dhe si i tillë ndiqej nga të gjitha regjimet. Në vitin 1925, me vendimin e qeverisë nr.227 ai me Riza Cerovën, Avni Kapinovën, Ismail Strafickën, Mano Bargullasin, Sulejman Qafën, Refat Qafën, të gjithë skraparas, internohen në Lezhë dhe Krujë. Por kjo as e trembi, as e tërhoqi nga veprimtaria e tij patriotike. Në korrik të vitit 1927, bashkë me shokët e tij të besës dhe armëve, i dërgojnë një letër Ministrit të punëve të Brendshme, ku radhitin disa ankesa për punonjësit servilë të shtetit në nënprefekturën e Skraparit, por përgjigje nuk morën kurrë. Por dhe ai nuk u tërhoq kurrë.
Leshnja,fshati ku lindi Kahremani
Regjimi famëkeq e ndiqte Sinanin në të gjitha mënyrat dhe me to mbushte dosjet e kuesturës,por edhe Sinan Ylli, përpiqej me çdo mundësi,që ta godiste regjimin ku të mundte. Në vitin 1935,kur Riza Cerova organizoi Lëvijen e Fierit, ai mori pjesë krahas Rizait, por spiunët e regjimit i vunë nën shënjestër të gjithë ata që i kishin piketuar si kundërshtarë, ë cilin e kishin liruar më parë për mungesë provash, e arrestojnë, por, pas hetimeve, nuk gjetën fakte dhe e lirojnë sërish. Sinani ishte në luftë edhe kur nuk luftonte. Nuk është e lehtë ta hapësh shtëpinë,ku hynë e hëngrën të gjithë djemtë e luftës pa asnjë shpërblim. Ai ishte komandant edhe pse s’kishte grada. Shumë militantë të luftës e kishin atje vendtakimin, ku shtronin e hartonin planet e luftës. Natyrisht ishte Kahremani, që e caktoi këtë pikë,sepse ishte me përgjegjësi në Shtabin e qarkut. Të gjitha takimet ai i bënte në shtëpinë e tij. Të gjithë ata që vinin atje ishin ilegalë. Sotir Gurrën dhe Ramiz Aranitasin, dy militantë që vepronin në Korçë i shpuri në shtëpinë e Sinanit Asllan Osoja, pasi u sigurua që Kahremani gjendej atje. Ishte 20 maj 1942, kur militantët arritën në Osojë, ku qëndruan tri ditë në ilegalitet, pastaj u nisën për në Leshnje. Nga qëndrimi në shtëpinë e Sinanit Sotir Gurra ka mbajtur këtë mikroditar: “21.V.me shumë mundime arrita në Osojë. Pritja e shkëlqyeshme. 22.V. Ditë çlodhje. 23.V. Miku A. shkoi në L.vjen mbrëmanet. 24.V.U gjetëm në L. bashkë me shokun K….L…që jemi njohur në Korçë. 26.V.Ramë në ujdi. Vendi mjaft i vobektë. 28.V.Sot po presim po ata s’kanë ardhur. (Dy miq)” Sinani, që puna e kishte bërë komandant, kishte aftësi drejtimi dhe iu ngarkua detyra e Kryetarit të Këshillit Krahinor të Potomit. Me 15 shokë të tjerë do të drejtonin të gjithë detyrën e pushtetit të zonës. Në shtëpi kishte lënë Njazinë, Figanin, Darenë, që të organizonin pritjen e njerëzve. Një familje e tërë drejtonte luftën e zonës së Potomit. Pasurinë e kishte vënë me djersën e pastër të ballit. por reforma agrare nuk e fali as Sinan Yllin. Nga 1000 e ca dhen që kishte, i lanë aq sa lejonte ligji. Natyrish që Sinanit nuk i erdhi mirë dhe pyeti Kahremanë, se kush kishte urdhëruar për të marrë dhentë. Por Kahremani, ai njeri aq i qetë e komunikues me të gjithë, i hodhi dorën mbi supe dhe i tha: “Urdhri është imi.” Atëherë Sinani nuk kishte folur, se e kishte kuptuar, që në udhëheqje ishte dhe djali i tij. Edhe pse u prek nga reforma, Sinan Ylli mbeti militant dhe udhëheqës lufte. Ndonëse ndonjë vajti i fryu te veshi, ai nuk i lëkundi bindjet dhe idealet e tij.
Kahreman Ylli me shkencëtarë të huaj
Sinani me Darenë lanë trashëgimtarë, që ditën t’ua “grabisnin” kulturën dhe patriotizmin prindërve të tyre. Kahreman Ylli erdhi që nga Lyoni i Francës për t’u hedhur në luftë. Njerëzit e tij prisnin, se çfarë do t’u sillte kur u kthye nga Franca, por, “Erdhe nga Franca në male,/Me yll e pushkë partizane.” Atdheu kishte nevojë për burra dhe armë, jo për xhinglamingla. Dhe ai u vu në krye të luftës. Por spiunët e fashizmit e ndiqnin kudo që ishte. Ai ishte komisar politik i Shtabit të Qarkut të Beratit,prandaj i thurën prita e vëzhgime për ta eliminuar. Në një telegram të Ministrisë së Brendshme nr.1203, datë 2.6.1943, që i drejtohet Prefekturës së Beratit, e cila ka urdhëruar arrestimin e Kahreman Yllit, si bashkëpunëtor me çetat që ndodhen në qarkun e Beratit, kërkon prej saj hetime. Dhe Prefektura i përgjigjet: “ Njëheri u bënë veprimet për arrestimin e tyre, por dha rezultat negativ, mbasi kishin kenë largue ma përpara se urdhri të jepej nga Tirana. Sipas informatave që kemi, të gjithë ndodhen në rrethin e Skraparit. Në dosjen e kësaj zyre asgjë nuk figuron në ngarkim të Kahreman Yllit.”Burrë i pashëm e i qetë si lulet e guvave të malit të Leshnjes. Zgjuarsinë e kishte natyrale aq sa : “Pyeti OKB-ja,/Nga është ky djalë?” Ne nuk mund ta shkruajmë veprimtarinë e tij ashtu siç e shkroi ai portretin e vetë,por vetëm sa po e cekim në nderim të përvjetorit të largimit nga jeta. Kahremani studioi për mësuesi dhe u bë “Mësues i Popullit” Ishte njeri me kulturë dhe populli e zgjodhi deputet në të gjitha legjislaturat që jetoi. Natyrisht pati dhe ndonjë ngasës, që hodhi ndonjë shashkë ndaj tij,por Kahremani u ringrit me punën e tij të ndershme. Populli e donte sepse ai ishte popullor dhe heshturazi ndodhej atje ku populli kishte hall. Dhe populli e bëri të pavdekshëm në këngë:

Kahreman, Ylli mëngjesit,
Besë trimi, djali ynë,
Zemra jote s’ka pushuar,
Syri yt me ne rri zgjuar.

Shoku dhe miku i tij, Hetem Kapinova, në ditarin e tij, ka shkruar gjatë për Kahremanin, por ne po ndalim vetëm tek dy data: Data 11.09.1975,ora 12.45. Ndodhem vetëm tek Bregu i Tendës, ku kam një orë që qaj. Këtu ku kemi ardhur disa herë bashkë, dua të them diçka, por më mungon forca,që meriton ti,o Kahreman i dashur! e ku shkruaj dot unë aq bukur sa e shkrove ti jetën tënde, o bir i Skraparit? Kam këtu një letër fjalë ëmbël, që e ke shkruar mes plumbave dhe ia ke dërguar Heroit të Popullit, Ramiz Aranitasi, ku thuhej: “28-nëntorin do ta festojmë në luftë. Çetës suaj i është ngarkuar detyra të godisni garnizonin fashist në Përmet. Mundohuni të viheni në lidhje me shokët e Përmetit për të marrë informacion mbi dislokimin e armikut,me qëllim që t’u vijë në ndihmë për kryerjen e këtij aksioni të rëndësishëm. Ju uroj suksese në misionin tuaj çlirimtar!Juve dhe gjithë shokëve partizanë,u bëj shumë të fala. “Bariu” Data 03.11.1987. Këtu,o i dashur Kahreman,tek Stani i Xhelilit, tek jam mbështetur pas një guri,siç mbështeteshim atëherë për të zënë pozicionet e luftimeve, po thur vargje për ty. Ndonëse janë pak të zbehta, brenda kanë dhimbjen, mallin dhe aromën e luleve të Skraparit, me të cilat u rritëm:

Malet tona janë krenare,
Për burrat që kanë nxjerrë.
Burra si Kahremani,
vetëm e s’ka të tjerë.
Pyesin arat,po pyet mali,
Vallë, ku është Kahremani?
Skrapari të dërgoi ftesë,
Që të na vije në festë,
Ku e le Qafën e Martës,
Kroin Mbret, që pikon mjaltë,
Malin e bukur të Leshnjes,
Ndaj të cilit je më i lartë?
Mal më mal,ku zjente jeta,
Kullove djersën dhe ti.
Kur themelet hidhte shkenca,
I dhe djersë e mençuri.
Kur zbresin ujërat rrëmbyer,
Si nga pylli dhe nga mali,
Ne hedhim sytë e shikojmë,
Mos vjen ngadalë Kahremani! 

Letra të shumta vërshonin drejt Kahremanit. Nuk i shkruanin për hall, por për mall. Të tilla lidhje pati krijuar ai me popullin. Që nga Backa e largët, Jake Backa i shkruan Hetem Kapinovës, të cilët nuk ndaheshin nga Kahremani “Në festën e 35-vjetorit nuk vajta dot në Çorovodë, se kisha një dasëm. Po ta dija se vinte Parashqevi Ylli,do ta lija dasmën e do të vija të piqesha me të, se është grua e lartë. Ti e di, për atë familje e Kahremanin, kam një plagë në shpirt që nuk më shërohet kurrë. Unë jam ai Jake që kam qenë dhe nuk përtoj të takoj njerëz me vlera. Po të më kishe lajmëruar kur Parashqevia erdhi në Kapinovë për inaugurimin e muzeut, do të kisha ardhur të flisja nja 2-3 fjalë, se unë e di mirë historinë e atij fshati. Për atë që e do nderi,a s përtoj,as plakem. Unë kam nevojë për shokë si ju e Kahremani.” Kahremani ishte mësues, punëtor, diplomat, udhëheqës lufte e pune “Nderi i Kombit”. Në gjurmët e Sinanit dhe Kahremanit ecën edhe Kastrioti, Aqifi, Ajeti, vëllezër të Kahremanit. Një skuadër me yje i doli për zot luftës dhe punës. Yje të tjerë si Figani, Njaziu, Bariu, u vunë në shërbim të luftës. Dhe ajo familje e ruajti idealin e saj. Djali i Bariut, Fidel Ylli, u bë biznesmen i ndershëm, por dhe deputet si Kahremani. Populli i ka futur në këngë të gjitha veprimtaritë historike të Kahremanit:

Të ngarkuan me mision,
Të dërguan në gjyq të Hagës,
Trim,o bilbil i qëruar,
Të puthça çarkun e fjalës.
Oratori ynë në Hagë,
Bilbil i rritur në male!

Por Kahremani rrojti pak e jetoi gjatë. Ishte tre shtator 1975. Skrapari po përgatitej për Festën e Çlirimit. Ftesa i kishte vajtur dhe skraparasit mezi prisnin të shikonin djalin e tyre. Por befasisht një atak në zemër, ia la ftesën në xhep atij burri të papërsëritshëm dhe e ndau përjetësisht nga skraparasit, që e qajnë edhe tani. Popullit i mbeti të thurte vargje e ta kishte në këngë djalin e tij të shtrenjtë:

Kahreman,o yll Skrapari,
Shokët se ç’i dogji malli.
Shkove shpejt e nuk u ndjeve,
Si ylli në qiell shkëlqeve.
Zemra jote det i gjerë,
Në Skrapar troket përherë! 

Yjet e Leshnjes vazhdojnë të lëshojnë dritë edhe pse nuk jetojnë. Por ajo dritë mund të zbehet nëse ne të gjallët,që fituam nga veprimtaritë patriotike të tyre nuk i rivlerësojmë. Ata nuk kanë nevojë t’u bëjmë elozhe,sepse vepra e tyre ka vlagë të përjetshme. Nëpër rrethe shoqërore flitet për të ngritur në mes të qytetit të Çorovodës një bust për Kahreman Yllin,por ata meritojnë një obelisk sepse të gjithë kontribuan për këtë vend. Organet shtetërore lipset të mos kursejnë për ata që nuk kursyen jetën për këtë popull. Në 22 prill mbushen 100-vjet nga lindja e tij. Tërë jeten e dogji malli për Skraparin. Le t’i digjet malli dhe Skraparit për djalin e saj duke e nderuar me një përmendore. Nëse s’ka lekë shteti,le t’i drejtohen popullit, siç i drejtoheshin ne ato ditët e vështira të pragçlirimit. Skraparasit nuk kursejnë për Kahreman Yllin, se as ai s’kurseu për këtë popull. Nënat e dhembshura të Skraparit do t’i shkundin sepetet e nusërisë për djalin e tyre,që nuk mungoi kurrë në vatrat e tyre. Shpresojmë.
Sigal