Dr. Vangjel Kasapi/ Abdi Mati, Admirali që themeloi Flotën Luftarake Detare

1944
Babai i Abdi Matit, ushtaraku që shërbeu në ushtrinë e shtetit të parë shqiptar (1912) dhe në ushtrinë shqiptare derisa doli në pension, do të ndikonte tek i biri për të zgjedhur profesionin ushtarak. Prej fillores në vendlindje (Fullqe) me rezultate të shkëlqyera, Abdi Mati vazhdoi Shkollën Teknike amerikane. Pas kësaj, në vitin 1936 shkon në Itali, Romë, ku ndjek shkollën e përgjithshme ushtarake dhe mbyll ciklin në Akademinë Mbretërore të Flotës (Livorno, 1941). Tashmë toger i talentuar e me perspektivë, matjani u besua shturman në kryqëzorin “Cadorna”. Abdi Mati ishte i vetmi shqiptar në një kryqëzor madhështor, ku do të shfaqte dhuntitë dhe vlerat e tij më të mira. Ky student dhe kuadër i ri shqiptar mori pjesë edhe në betejat navale të Luftës së Dytë Botërore. Ai e përbuzi ideologjinë regresive dhe nuk iu përkul flamurit të Musolinit për betim, duke e braktisur “Cardonën” (shkurt 1943). Epopeja antifashiste i priste bijtë e vet luftëtarë dhe Abdiu, edhe pse ishte oficer me kulturë të lartë ushtarake, hyri partizan i thjeshtë në radhët e grupit partizan të Pezës. Me patriotizmin dhe devotshmërinë që e karakterizonte, Abdi Mati shquhet ndër komandantët e nderuar të Brigadës së Tretë Sulmuese dhe më pas të Brigadës së 24-ët Sulmuese. Këtu ai pikati dhe u çmua për intelekt, shprehi e përvojë ushtarake, ndaj gjeneral Dali Ndreu dhe Hysni Kapo të Korparmatës e caktuan shef operativ në Degën e Luftës.
Çlirimi i vendit 
Çlirimi i vendit edhe për matjanin Abdi Mati shënoi një etapë të re. Ai tashmë njihej për veprimtarinë e rëndësishme ushtarake, si drejtues lufte me energji të pashtershme, por edhe me premtime për sfidat e ardhshme, plot ambicie të ndershme e për një karrierë të dobishme atdhetare. Veçse duhej t’i jepte lamtumirën artit tokësor, për t’iu kthyer sërish dashurisë së tij të parë, detit. Në fillimin e vitit 1945 ristrukturohej Ushtria Nacionalçlirimtare në një Ushtri Kombëtare moderne, që nga baza e deri në majën e piramidës, në Ministrinë e Mbrojtjes Kombëtare. Brenda saj, me anijet e mbetura, filloi organizimi i një lloji të ri të Forcave të Armatosura, Flota Luftarake Detare, për mbrojtjen e ujërave territoriale të RPSh-së. Me hapjen e këtij kapitulli të ri, në doktrinën dhe skemën mbrojtëse të bregdetit, kandidatura më e përkryer dhe që nuk ngjalli asnjë debat ose xhelozi rezultoi marinari akademist Abdi Mati. Emërohet komandant i Flotës Luftarake Detare, një funksion ky tepër serioz e me ngarkesa të veçanta, të cilat ai i përligji më së miri. Akademisti i viteve 40 të shekullit XX, Abdi Mati, me një karrierë prej 13 vitesh, në vitin 1958 dërgohet për specializim të nivelit të lartë operativo- strategjik në Akademinë Detare të Leningradit. Pas dy vjetësh i përfundon studimet me rezultate të shkëlqyera. Për herë të parë në historinë e Flotës Luftarake shqiptare merr gradën më të lartë që i ishte dhënë ndonjëherë një ushtaraku specialist detar shqiptar. Erudicioni i admiralit të dashur, simpatik e me shpirt të madh ishte i thellë e i kompletuar. Ai zotëronte mjaft mirë disa gjuhë të huaja, si italisht, rusisht, anglisht, frëngjisht. Ishte studiues i përsosur i problemeve të detarisë, të së drejtës ndërkombëtare e doemos edhe i problemeve të strategjisë, artit operativ të taktikës, organizimit, drejtimit dhe përdorimit luftarak të Flotës Luftarake Detare.
I kulturuar, i përpiktë
Lideri i kulturuar Abdi Mati, i përpiktë në llogaritjet e lundrimit, plot adhurim për Marinën dhe kurdoherë, duke studiuar librat e historisë navale, piketon perspektivën. Në harmoni me stafin dhe specialistët, në konsulencë edhe me këshilltarët e huaj (sovjetikë e kinezë), në kërkime të njëpasnjëshme për organizime më adekuate, duke qëndruar në bashin e udhës së gjatë e të vështirë, admirali do të printe Flotën Luftarake Detare që shtohej me anije luftarake moderne, të mbi- e nënujshme, luftarake e ndihmëse deri në siluruese të rrufeshme. Mbi të gjitha, me nëndetëse në një Shqipëri të vogël, që me forcën e saj sfidonte detarë e flota të fuqishme e që çmohej shumë nga konvojet e mëdha të arkipelagut mesdhetar. Abdiu, si mendimtar e reformator parësor inicioi e perfeksionoi strukturën organizative. Ndihma e tij është e jashtëzakonshme në arkitekturën e detarisë shqiptare, në organizimin, forcimin, kompaktësinë dhe harmonizimin mbi baza të shëndosha bashkëkohore e shkencore të kësaj arme me tradita të lashta. Nën drejtimin e drejtpërdrejtë të tij, Flota Luftarake Detare shqiptare njohu kulme të papara ndonjëherë në historinë e saj. Pajisja e kësaj flote me një shumëllojshmëri anijesh, duke u dhënë përparësi mjeteve të shpejta, të lehta e me fuqi të madhe zjarri, ishte një nga parimet më të rëndësishme që formuloi komandant Abdiu. “Ato anije,- theksonte ai,- për kushtet e bregdetit tonë janë më efektive dhe përbëjnë një barrë relativisht më të lehtë për ekonominë e vendit.” Në vijim të zbatimit të këtij parimi, Flota Luftarake Detare dhe forcat e kufirit detar u pajisën me anije të shpejta e të lehta. Me këmbënguljen e admiral Matit dhe në përputhje të plotë me platformën strategjike të Këshillit të Mbrojtjes, për krijimin e një Flote Luftarake Detare solide, u arrit krijimi i një shkolle me bazë të fuqishme për përgatitjen dhe specializimin e gjithë kuadrove teknikë. Për Shqipërinë, me një bregdet me gjatësi 316 km, katër baza detare luftarake (Shëngjini, Durrësi, Vlora, Saranda) dhe pikat e ndërmjetme të përhapjes operative vinin si rast strategjik. Kur debatohej për rolin e Flotës Luftarake Detare, admirali i përmbahej konceptit racional, atij specifik doktrinar shqiptar: zot i matur në Adriatik; ndëshkime të rrepta në ujërat tona; operacione në funksion të Forcave Tokësore. Hap pas hapi, përmes furtunave ideopolitike (1945-1990), me përkushtim profesional dhe me një drejtues si Abdiu u ndërtua një flotë kompakte, me përgatitje e gatishmëri në atë shkallë që konkurronte në Adriatik e Jon dhe që vlerësohej seriozisht nga Italia, Jugosllavia, Greqia e shumë vende të tjera. Shumë nga dimensionet sasiore e cilësore të Flotës Shqiptare mbajnë emrin e ideatorit, aplikuesit dhe udhëheqësit të 30 viteve, të Abdi Matit. Një lidership si ai iu vu totalisht, me gjithçka morale, profesionale, organizative, pedagogjike dhe shkencore thellimit të arsimit detar shqiptar. Në vitin 1899, Samiu ynë i madh ëndërronte dhe parashikonte një Akademi Ushtarake Detare, atje ku ishin anijet, si në Ujë të Ftohtë të Vlorës. Pikërisht këtu, pas gjysmë shekulli, një filozof i detarisë, dishepull i zellshëm i Frashërllinjve, në mirëkuptim dhe vetëmohim të përbashkët me dijetarët e komanduesit e Flotës, e lartësoi arkitekturën arsimore. Nën kujdesin atëror të Matit, dolën qindra kuadro të detarisë që i ranë krye tërthor kontinenteve. Ndaj edhe opinioni i detarisë shqiptare e konsideron atë “kryekomandant të Flotës Luftarake, Tregtare e të Peshkimit”. Shkencëtari më i madh i detit për Shqipërinë ndërmori një varg temash studimore që u paraprinë zgjidhjeve organizative, teknike e taktike më të efektshme për kushtet e atdheut tonë. Ai nxiti te të rinjtë etjen për shkencë dhe me rigorozitet u kërkonte rezultate. Dhe brezat e rinj të kuadrove, nën shembullin e këtij komandanti u prezantuan jashtë vendit me dinjitet e profesionalizëm. 
Kultura e gjerë 
Kultura e tij e gjerë bëri të mundur që ai ta përfaqësonte me shumë përgjegjësi Flotën Luftarake Detare, por edhe Shqipërinë, në shumë delegacione dhe veprimtari ndërkombëtare, në ish-Bashkimin Sovjetik, Itali, Jugosllavi, Greqi, Kinë, Zvicër dhe Venezuelë (këtu ai përfaqësoi Shqipërinë, bashkë me diplomatin e shquar Sokrat Plaka, në konferencën ndërkombëtare mbi ligjin e të drejtës fetare). Abdi Mati i trajtonte vartësit me dashuri prindërore, sepse kuadrot e Flotës Luftarake Detare u përgatitën, u specializuan dhe u ngritën nëpër detyra të rëndësishme në praninë e tij. Sjellja dhe korrektësia e admiral Matit ishin shembull i shkëlqyer i këtij detari unikal, për nga përmasat dhe thellësia e kulturës detare dhe e asaj ushtarake në përgjithësi. Në Flotën Luftarake Detare e në rajonet e bregdetit, gjatë 24 orëve ndodhnin shkelje të hapësirave ajrore dhe detare, madje dhe aksidente të rënda, por baraspesha drejtuese e Abdiut nuk u trondit kurrë, edhe në ato raste kur bëhej fjalë për konflikte apo aksidente me anije apo detarë të huaj. Qitja e parë historike me silurë, por… siluri devijon dhe i afrohet bregut 2 m. Atëherë? Pasojat janë të pallogaritshme. Grupi i oficerëve të stepur tej mase jepte variante. Abdiu dëgjoi, gjykoi e më pas vendosi: “Siluri do të çarmatoset!”. Ashtu u bë. Një akt heroik! Rasti i vetëm i Luftës së Dytë Botërore u përsërit në Shqipëri. Shteti shqiptar, për arsyet e tij “Top Sekret”, urdhëroi daljen e një nëndetëseje deri në Mesdhe. Përveç Abdiut, askush nuk kishte informacion për misionin. Ai përgatiti ekuipazhin dhe, për 25 ditë e net nën ujë mbante lidhje, orientonte dhe porosiste për veprime tepër të matura, që të mos zbulohej nga vrojtimi e agjentura detare. Vetëm pas një muaji do të mësohej “surpriza” e ideatorit Abdi dhe e një ekuipazhi heroik. Kush nuk e ka parë filmin “Ballë për ballë”?! Ndesheshin dy shtete, dy flota, flota e vogël shqiptare me gjigantin rus, ku do të shquhej lideri i pamposhtur, që e zhvendosi Rezidencën e Drejtimit të Operacionit nga Tirana mbi kodrat e Pashalimanit. Trimëria e rrallë ishte e popullit, por bijtë e saj si Abdiu s’iu përkulën mareshalëve rusë. Me fillimin e modernizimit të Flotës Luftarake Detare, disa kuadro të saj me përvojë morën drejtimin e anijeve tregtare, madje vetë Abdiu udhëhoqi lundrimin e parë ndëroqeanik të transoqeanikut “Vlora”. Në bisedë me një kolegun e tij, lidhur me kërkesën e ministrit, për të marrë masa të rrepta ndëshkimore ndaj disa oficerëve të flotës, komandanti zemërgjerë e tolerant u shpreh: “Ju veproni si ta gjykoni më mirë, por unë do t’i mbroj deri në fund oficerët e mi!”. Dhe ai i mbrojti ata burrërisht. Çfarë kërkon tjetër një vartës nga eprori?
Vepra e kërkimeve 
Vepra e kërkimeve dhe studimeve të thella të admiral Matit, “Historia e krijimit të Flotës Shqiptare qysh nga lashtësia e deri në ditët tona”, për arsye mediokriteti dhe xhelozie nuk arriti ta shohë kurrë dritën e botimit. Ai ka shkruar me dhjetëra traktate shkencore, referate, kumtesa dhe diskutime serioze e të një niveli e metodologjie bashkëkohore shkencore. Dhjetëra leksione të karakterit taktik, operativ, strategjik, organizativ e të drejtimit e komandimit luftarak mbajnë autorësinë e tij. Mundin dhe mençurinë e admiral Abdi Matit e gjejmë në përgatitjen dhe botimin e dhjetëra rregulloreve, udhëzimeve e platformave për Flotën Luftarake Detare. “Historia e detarisë shqiptare” dhe “Dashuri në zonën e heshtjes”, kujtime të miqve italianë (botuar në Itali, 1997) mund të shërbejnë si elemente plotësuese për të portretizuar personalitetin e admiral Abdi Matit. Nën kujdesin e drejtpërdrejtë të admiral Abdiut, në bashkëpunim edhe me Institutin Hidrometeorologjik dhe Drejtorinë e Peshkimit u kryen dy ekspedita në detin Adriatik e Jon, përfundimet e të cilave, përveç të tjerash, shërbyen edhe për përpunimin e udhëzuesit të lundrimit për bregdetin shqiptar që, padyshim është një prej arritjeve më të rëndësishme shkencore në flotë.
Sigal