Klara Kodra: Ekziston një krizë e leximit të librit, në krahasim me lexuesin e para viteve ‘90-të

1081
Libri dhe lexuesi
Libri, ky thesar i çmuar i kulturës, i historisë, i shpirtit të kombit dhe i shijes estetike, në ditët tona, ka prurje titujsh të shumtë botimesh nga shtëpitë botuese që shpalosen nëpër panairet brenda dhe jashtë kufijve, menduam t’i bëjmë një intervistë studiueses, krijueses dhe shqipërueses së mirënjohur Prof. Klara Kodrës për të marrë një vizion të qartë, sa e tërheq ai lexuesin: 
-H. G. Profesore Klara, në botimet e sotme ka prurje të shumta titujsh librash, si në gjini ashtu edhe në zhanre të ndryshëm. Sa është i lidhur lexuesi i sotëm me librin? 
-K. K. Në të vërtetë ekziston një krizë e leximit të librit, në krahasim me lexuesin e para viteve të ‘90-ës, i cili ishte lidhur ngushtësisht me librin, meqenëse ai përbënte të vetmen dritare në murin e ideologjizimit, qoftë për sa u përkiste talenteve individuale të letërsisë shqiptare që luftonin kundër skemave të realizmit socialist dhe fusnin nën koracën e tij të ngurtë elemente realizmi, qoftë për sa u përkiste atyre veprave elitare të letërsisë së huaj klasike, romantike dhe realiste që lejoheshin nga diktatura. Këtu luante rol niveli i lartë i përkthimit nga një grup përkthyesish të talentuar e të përgatitur, si: V. Kokona, M. Kuteli, S. Caci, K. Evangjeli, R. Shvarc, J. Doksani, që e rikrijonin tekstin e huaj në shqip. Pas rënies së dikaturës filloi nga një anë liria e pakufizuar në botime që thyente të tëra tabutë, po nga ana tjetër nisi një frymë komerciale që parapëlqen paraletërsinë, lejon shkrimtarët e dobët që mund të paguajnë të botojnë dhe inkurajonte përkthyesit diletantë. Kështu vlerat dhe antivlerat në letërsinë shqiptare dhe të përkthyer ngatërrohen, kritikët e vjetër të çorientuar nga metodat e reja dhe kritikët e rinj të pangopur me to, që nuk i tresin plotësisht, nuk arrijnë të përzgjedhin letërsinë elitare, pra nis një krizë e letërsisë që vazhdon ende dhe që u bë shkak të flitet për “vdekje” të kritikës ose letargji e saj. Kështu lexuesi u gjet vetëm para një vërshimi librash, ku barërat e egra ngatërroheshin me lulet. Interneti nisi të konkurroi me librin si rival i rrezikshëm, Brezi i vjetër, me shije të formuara u përpoq të ndikonte te brezi i ri dhe t’ia mprehte shijen nëpërmjet shkollës dhe familjes, Ka ende lexues, të të gjitha moshave që dinë të orientohen në detin e trazuar të librave që botohen nga një sasi e madhe shtëpish botuese private. Po ka edhe lexues që kënaqen me veprat e paraletërsisë, të ashtuquajturit romane rozë, policorë dhe “thriller”, gjyqësor, (këto të fundit të ndaluara në diktaturë dhe që u zhvilluan në mënyrë shpërthyese në kohën e sotme). Po vihet re një dukuri e çuditshme, ndonëse lexuesi i sotëm jeton një jetë dinamike dhe ankohet gjithnjë për mungesën e kohës; vihet re një parapëlqim ndaj veprave të vëllimshme, ndofta për të zgjatur kënaqësinë e të shijuarit të intrigës, ngjeshen me modelin e “telenovelave” të pafund. Kjo dukuri s’mund të quhet negative, meqenëse vlera estetike e një vepre nuk lidhet me vëllimin e saj. (“Uliksi” i Xhojsit dhe saga romanore e Prustit, romanet e Sartrit i përkasin letërsisë elitare, ashtu si romanet e Heminguejt), po çështja qëndron te thelbi i veprave, te mesazhi dhe forma e tyre që duhet të jenë të thella, me probleme të rëndësishme filozofike, sociale, etike në formë të lartë. Këto lloj veprash zakonisht thyejnë “horizontin e pritjes” së lexuesit, e bëjnë atë të mendohet, i japin kënaqësi estetike, jo thjesht e zbavitin dhe e largojnë nga shqetësimet e jetës. Letërsia bashkëkohore shqiptare u ka dhënë jetë veprave të tilla, si nga shkrimtarët e njohur që vazhdojnë të shkruajnë, si Kadareja, Agolli. Laço, Haliti, nga shkrimtarët që shpërthyen në kohën e pasdiktatrurës si:Kongoli, Çela, Zhiti, nga brezi i ri i shkrimtarëve si Blushi, Dibra, Meksi, Açka, Lleshanaku, etj. Këto vepra u pranuan nga publiku shqiptar, çka dëshmon që lexuesi bashkëkohës nuk e ka humbur shijen. Në këtë kanë ndërmjetësuar edhe studiuesit e letërsisë të cilët në studime dhe kumtesa nëpër konferenca po luajnë rolin e kritikëve, duke zëvendësuar kritikën bashkëkohore tepër subjektive, kritikë e klaneve dhe e lavdërimeve të pamerituara. 
-H. G. Në këtë mori botimesh nga të gjitha llojet e ndryshme të letërsisë, cili parapëlqehet nga lexuesi i sotëm? 
-K.K. Vihet re një parapëlqim ndaj llojit të romanit, në dëm të tregimit, poezisë dhe sidomos të dramës, kjo e fundit pothuajse nuk gjen lexues. Sigurisht duhet bërë dallimi midis “romanit elitar” dhe “romanit të masës”, dmth romanit që i përket paraletërsisë. Romani i masës është më i përhapur, po disa lloje kanë gjetur mishërim të lartë artistik. Një dukuri pozitive është shfaqja e romanit historik me nëntekst të thellë filozofik dhe etik, siç janë romanet e B. Blushit “Të jetosh në ishull”, “Otelloja, arapi i Vlorës” dhe romanet e M. Meksit “Frosina e Janinës” dhe “Mallkimi i priftëreshave të Ilirisë”. Romani shqiptar koinçidoi në lindjen e vet me romanin historik ose pseudohistorik me Santorin dhe Nikajn. Po për një kohë të gjatë në këto romane mbizotëroi intriga në dëm të mesazhit dhe cilësisë. Kadareja solli i pari një kthesë në këtë drejtim duke u thelluar në filozofinë e historisë, Po romanet e tij historikë kanë qenë simbolike dhe jo gjithmonë jepnin koloritin dhe personazhin historik. Në romanet e Blushit dhe të Meksit krahas mesazhit gjejmë personazhe të ndërlikuara që e mishërojnë, pavarësisht nga përpunimi që i bëjnë autorët historisë dhe interpretimit të veçantë të personaliteteve historikë. Ka filluar të përhapet shumë “romani i zi”, i cili varion nga “romani horror” që i ka tmerret si qëllim në vetvete në një lloj romani social-filozofik që vë në qendër të vet tmerret e diktaturës ose kaosin e pasdiktaturës. Në këtë lloj të fundit romani bëjnë pjesë romanet e Fatos Kongolit, Virion Gracit, Agron Tufës, Roland Gjozës etj. Ka filluar të ketë shtrirje të gjerë edhe romani-dokument memorialistik. Ka pasur jehonë “Iluzione në sirtar”, i F. Kongolit që qëndron midis romanit dhe llojit memorialistik. Këtu mund të përmendim sagën romanore të Amadeo Baçit, që është pëlqyer nga lexuesi. Edhe poezia që vazhdon të botohet, përfshin edhe poetë, edhe pseudopoetë, meqenëse prirja hermetike, errësira shërben jo rrallë për të maskuar mungesën e talentit ndër shkrimtarët që pretendojnë të jenë modernë. Edhe këtu duhet të luajë rol kritika, duke dalluar errësirën që mbulon thellësinë dhe atë që mbushin zbrazëtinë. ndër shkrimtarët që pretendojnë të jenë modernë. 
-H. G. Cili është qëndrimi i botuesve ndaj letërsisë së traditës? 
-K. K. Në fakt ajo vazhdon të botohet në kolana të ndryshe nga shtëpitë botuese, kryesisht nga “Toena”, “Dituria”, “Argeta LMG duke përfshirë autorët më të shquar, si N. Frashëri, De Rada, Çajupi, Mjeda, Skiroi, autorët e mohuar si Fishta, Konica, Çabej, disidentët si Trebeshina, Zorba, tekste të nivelit shkollor ose universitar. Për botimin e arbëreshëve ekziston problem i diferencimit midis përshtatjeve në gjuhën e sotme të cilat qofshin edhe të nivelit të lartë s’ mund të zëvendësojnë origjinalin dhe botimet në origjinalin arbërisht nuk shijohen dot nga publiku i gjerë. Ky problem do të mund të zgjidhej nëpërmjet vëllimeve që vihen pranë e pranë origjinalin arbërisht me atë shqip, por kjo praktikë nuk ka endje përhapje të gjerë. Këto lloj botimesh lexohen nga një publik elitar dhe gjithashtu nga studentët dhe nxënësit, nën ndikimin e mësuesve dhe pedagogëve, s’ para shijohen nga publiku i gjerë. 
-H. G. Po për gjendjen aktuale të përkthimeve ç’ mund të thoni? 
-K. K. Edhe gjendja e përkthimeve është kaotike, meqenëse përkthimi i veprave elitare realiste dhe moderniste shkon krahas përkthimit tepër të gjerë të best-sellerëve, ka një numër të madh përkthyesish diletantë, krahas përkthyesve cilësorë, disa nga brezi i vjetër si J. Doksani dhe D, Omari, disa që po fillojnë të shquhen nga brezi i ri si D. Kastrati, E. Dibra, O. Tamburi etj. po përkthehen shkrimtarë me nivel botëror si L. Pirandelo, Prusti, Kafka. Moravia, Eko, Sartri, Kamyja, Simone, de Bovuar, etj, po nganjëherë ka shpërpjestim midis vlerës estetike të shkrimtarit dhe nivelit të përkthyesit që nuk arrin ta jape veprën në shqip. Ka pasur në fakt përkthime të Bodlerit e Kamysë që kanë ndikuar në keqleximin e këtyre autorëve nga ana e lexuesit shqiptar. Është vënë re që e njëjta vepër e përkthyer nga përkthyes të ndryshëm paraqet ndryshime te dukshme. Ka edhe vepra që me thellësinë e vet mund të kënaqin shtresa të ndryshme të publikut si “Emri i trëndafilit” i Umberto Ekos, që mund të shijohet nga një publik i gjerë për skemën e ngjashme me romanin policor dhe linjën e dashurisë, nga një publik më i kultivuar, për shkak të psikologjisë së personazheve, nga një publik ngushtësisht elitar për mesazhin e thellë filozofik, shoqëror dhe etik të kundërshtimit të çdo shtypjeje të individit nga sistemet totalitare. Duhet thënë që ky roman ka arritur në shqip me përkthimin mjeshtëror të D. Omarit. Gjithashtu mund të përmendim edhe një roman si “Indiferentet” A. Moravias që u përkthye me nivel të lartë nga D. Kastrati dhe mund të tërheqë me intrigën një publik të gjerë, ndërsa një publik më i zgjedhur do të shoh tek ai pasqyrimin e krizës së vlerave morale në Italinë e fillimit të shekullit të XX-të që është aktuale edhe sot. Tani së fundi shtëpia botuese “Toena” ka nxjerrë në qarkullim dy romane të panjohura të Moravias “Konformisti” dhe “Mërzia” që shquhen për pasurinë e mesazhit social dhe etik për nivelin e lartë të formës (qe ka gjetur shprehje edhe në shqip), po e tërheqin lexuesin edhe me intrigën ose veçantitë e karaktereve të personazheve. Lind pyetja :për të tërhequr lexuesin a të parapëlqehen romane të tilla shumë strukturore? Xhojsi, Prusti, Sartri, Kamyja, Kafka dihen se mund të pëlqehen vetëm nga një publik elitar. Ndofta për të afruar lexuesin me letërsinë “e madhe” “të vërtetë”, kjo do të ishte një zgjidhje e pëlqyer,pikërisht përkthimi i romaneve me disa nivele. Pra, të shtohet numri i përkthimeve elitare në oqeanin e përkthimeve të sotme botërore, po t’i gjendet autorit të shquar një përkthyes në lartësinë e tij. -H. G. Faleminderit Prof. Klara Kodra për vëmendjen që i kushtuat problematikës që ka libri me lexuesin e sotëm, pa pretenduar se është thënë gjithçka… Suksese në punën tuaj studimore!
Nga Prof. Hasan GREMI
Sigal