Dr.Vangjel Dh. Kasapi/ Mehmet Dërralla – Ministri i parë i luftës

165

Ushtria Kombëtare Shqiptare (UKSH-ja), zyrtarisht e juridikisht u krijua më 4.12.1912, dhe jo më 10.07.1943, ditë kur u formua UNÇSH-ja (siç është bërë e ditur padrejtësisht nga koha e komunizmit). Fillimi i ngritjes së FA-së shqiptare korrespondon me Shpalljen e Pavarësisë e të shtetit të parë shqiptar, si dhe me formimin e Qeverisë së Përkohshme, që në seancën e dhjetorit përfshiu në ekip edhe postin e ministrit të Luftës apo atë të Ushtrisë e Sigurisë së Përkohshme. Komandant i Përgjithshëm i FA-së u zgjodh një personalitet nga Kosova, gjenerali i parë në Ushtrinë Kombëtare Shqiptare (UKSH), Mehmet Pashë Dërralla.

Mehmet Dërralla u lind në vitin 1843 në Gradec të Tetovës, në fisin me famë për shqiptarizëm e pasuri të Dërrallajve, me origjinë nga dera e Vojsavës nga Pollogu, nënës së Skënderbeut. Mehmeti vazhdoi rrugën e të atit, Hasanit, në mbështetje të lëvizjes kombëtare, u bë anëtar i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit dhe u shpreh fuqishëm kundër gjenocidit serbomadh. Arsimin e parë e mori në Tetovë, kurse atë të mesëm, gjimnazin ushtarak, e kreu në Shkup. Rilindja shqiptare, mjedisi luftarak kosovar dhe arsimimi rrënjosën tek ai bindjen se, kundrejt robërimit dhe vetëqenies, mund të jepje më shumë duke qenë ushtarak. Mehmet Dërralla mbaroi me radhë dy akademi në Stamboll, për oficer dhe shtatmadhori. Krahas formimit ushtarak, duke qenë në lidhje me personalitete të shquara shqiptare në Perandorinë Osmane, u sanksionua edhe si kombëtar, si politikan i çështjeve shqiptare. Falë dhuntive profesionale, shprehive organizuese e komanduese, intuitës komunikuese me vartësit dhe popujt ku shërbente, zbatimit me përpikëri të kushtetutës, për burrëri dhe besnikëri, Dërralla gradohet gjeneral dhe kryen një seri funksionesh të rëndësishme. I plotfuqishëm si ushtarak shërbeu në garnizonet e Sirisë, Irakut, Alem Suri në Selanik dhe mandej të vilajeteve amtare, në Manastir e Kosovë. Përqafohet me Lidhjen Shqiptare të Prizrenit dhe i jep lamtumirën postit, gradës dhe privilegjeve perandorake. Kalon në kampin e lëvizjes kombëtare. Në kulmin e ambicieve, në moshën 35 vjeç, e zhvesh uniformën e bukur dhe e var atë në sarajet e tij, si relike e vyer. Këtu mbyllet etapa e parë e karrierës ushtarake, për të mbetur gjenerali i ardhshëm i popullit të vet.

Në kapërcyellin e shekujve XIX-XX, brenda zhvillimeve euroballkanike, ku kryqëzoheshin në përplasje platformat e Fuqive të Mëdha për ridensionimin gjeografik dhe politik të skemës së gadishullit, veçanërisht në dëm të Shqipërisë, Mehmet Dërralla ishte një ndër protagonistët kryesorë të politikës kombëtare. Kur Europa vilte frytet e Rilindjes dhe popujt e Ballkanit e patën fituar mëvetësinë dhe kishin formuar shtetet, Shqipëria ngeci në cakun e zgjidhjes përfundimtare të asaj lufte pambarim, për t’u afirmuar si komb. Shqipëria etnike evidentonte mjaft koka e prijës të shqiptarizmit, si: Abdyl Frashërin, Sulejman Vokshin, Ismail Qemalin, Hasan Prishtinën, Abedin Dinon, Isa Boletinin, Aqif Biçakun, Bajram Currin etj.. Ndër ta militoi edhe Mehmet Dërralla, si bashkautor programor në ngarkesat e përgjegjësisë që mbartën burrat e kombit, në finalizimin e simbiozës pavarësi-shtet shqiptar. Mehmet Dërralla ishte iniciuesi i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, përvijuesi i Lidhjes Shqiptare të Pejës, përkrahës i tubimeve të Dibrës, Ferizajt, Junikut dhe kurorëzues i Vlorës. Gjithkund Mehmet Dërralla na del një përfaqësues i plotfuqishëm i ndërgjegjes kombëtare, i aspiratave dhe vullnetit të vilajeteve Kosovë-Manastir. Shquhet si një ndër nismëtarët me vizion largpamës, guximtar i pashoq, mendimtar politik, me mprehtësi diplomatike, strateg i vetëm ushtarak, frymëzues i optimizmit dhe i goditjes së kompromiseve, që pranoi dhe u ndesh me guxim me perandori dhe mbretëri pushtuese ose lakmitare.

Identiteti dhe individualitetet në fushën e politikës përshkohen nga domosdoshmëritë objektive të periudhës kur jetoi Mehmetit. Pikërisht, nëpër ato dukuri të ndërlikuara dhe kanosëse rrezatoi edhe personaliteti i Dërrallës. Kërkesës së natyrshme se, ç’e shtynte këtë gjeneral të kamur, në moshë të thyer, i lodhur nga karriera dhe përndjekjet që t’u përvishej totalisht planeve ushtarake dhe qëllimeve politike të mbetura në letër, formulohet me dashurinë dhe dhembshurinë e pamat që ai ushqente për atdheun pasi, siç formulon Barleti, “Është më e madhja nga të gjitha; ajo qëndron mbi çdo dashuri tjetër”. Ndërsa varrmihësit artikulonin groposjen e çështjes shqiptare, fshirjen nga harta e Ballkanit, Mehmeti, pasardhës i trungut të patriotizmit të Drrallajve, një vigan i Sharrit e trim i Pollogut, çohej dhe fluturonte si lajmëtar dhe prijës për çlirimin, bashkimin, pavarësinë dhe emancipimin e Shqipërisë. Ndaj edhe Labëria e himnizoi: “Ku të këndon Labëria, siç këndonte për Gjon Lekën. Të këndon historia, ku për Nënën japim jetën!”.

Mehmet Dërralla ishte i pari dhe i vetmi burrë nga Kosova që, ndërmjet 63 delegatëve nga mbarë trevat, nënshkroi aktin jetik historik të Vlorës. Ishte i pari ministër kosovar në kabinetin e parë shqiptar prej gjashtë vetash ku, nën trysninë e autoritetit të tij, përbërja e qeverisë u përmirësua me emërimin ministër të kryeprijësit kosovar Hasan Prishtina. Dërralla ishte një çmim i merituar që i jepej Kosovës. Truri dhe shtylla kurrizore e kombit, nga Çamëria deri në Shkodër, nga bregdeti deri në Prishtinë, e gjykuan Mehmet Dërrallën si një politikan me peshë dhe tension kombëtar. Për nga rëndësia shtetërore, atij i besuan portofolin e tretë. Mehmeti 69-vjeçar, me një përvojë të gjatë 45-vjeçare, zinte vendin parësor në shtetin e brishtë të Shqipërisë, i testuar si ndër më të aftët e trevave luftarake shpërthyese, që me potencialet qeverisëse e nacionale nga Kosova, si “djep i shqiptarizmit”, dëshmonte fuqishëm pozicionimet kundër zonave antishqiptare. Prandaj, në ideimin dhe realizimin e veprës kombëtare Pavarësi-Shtet, Mehmeti i Tetovës konsiderohet një nga projektuesit, vendimmarrësit dhe krijuesit e formacionit të parë politiko-shoqëror shqiptar.

Mehmet Dërralla, në krahasim me traditat e lidershipit, gërshetoi të dyja armët e luftës për pavarësi, atë politike dhe ushtarake. Ai vjen me simbolikën e misionarit, si personalitet dhe si udhëheqës. Dërralla ngjalli shpresa dhe nxiti heroizëm në përmbylljen e suksesshme ushtarake strategjike të objektivave politike. Lëvizja e armatosur kombëtare, në harkun e 35 viteve (1878-1913), kundrejt armiqve me epërsi të dukshme dhe moderne, në planin luftarak shfaqi në ecurinë e saj edhe gjeneral-strategun nga Tetova. Pavarësia politike u parapri dhe u përcaktua kryesisht me armë. Vëllimet dhe përpjesëtimet e luftës së armatosur provojnë deduksionin e pakontestueshëm se betejat e Lidhjes Shqiptare të Pejës (1893-1899), në aksionet zinxhir të kryengritjes së Shkupit (1900-1909), dy kryengritjet e mëdha të pashkëputura (1910, 1911) deri në kryengritjen e përgjithshmet e vendimtare të 1912-s dhe shpalljes së Pavarësisë, u pleksën njëkohësisht edhe me përballimin e agresionit vdekjeprurës të Aleancës Ballkanike (1912-1913). Në këtë kuadër, Mehmet Dërralla, përkrah Hasan Prishtinës dhe Ismail Qemalit, u tregua largpamës e i palëkundur. Kryengritja e shtatorit (1913) ishte prologu i ballafaqimit të pashuar antiserb, për bashkim dhe pavarësi të plotë territoriale e shtetërore, që përfshiu edhe strategun nga Tetova, me lajtmotivin: “Atje ku është etnia dhe shumësia shqiptare, atje është Shqipëria”.