Dossier/ 3 misteret e Llambi Ziçishtit

731

Si u arrestua, gjykua dhe dënua me pushkatim, ish- ministri i Shëndetësisë.Enigma që la pas vetëvrasjes së Mehmet Shehut, deklarata se kryeministrin e kanë vrarë dhe vizita në Paris me Mehmetin kur ishte i shtruar Hysni Kapo

ARKIVA/ Si u arrestua, gjykua dhe dënua me pushkatim, ish-ministri i Shëndetësisë

Llambi Ziçishti, enigma  që la pas vetëvrasjes  së Mehmet Shehut

Bledar SELENICA

Askush nuk e di me saktësi nëse ish-kryeministri shqiptar u vra apo u vetëvra natën mes 17 dhe 18 dhjetorit të vitin 1981. Nata ishte e errën pis, bënte ftohtë, binte shi dhe krismën e mbytur të revolverit nuk e dëgjoi askush. Pak orë më parë Mehmet Shehu kishte dalë i tronditur nga një mbledhje e Byrosë Politike, e cila kishte përcjellë jo pak tension tek ai. Fejesa e djalit Bashkim me volejbollisten Silva ishte zhbërë. Por kupola e Komitetit Qendror nuk ishte mjaftuar më kaq.

Më 18 dhjetor të vitit 1981, në shtratin e dhomës së tij të gjumit u  gjend i vdekur kryeministri i asaj kohe, Mehmet Shehu. Në fillim truproja e tij, e më pas të parët që hynë në dhomë do të ishin Kadri Hazbiu e Ramiz Alia. Por menjëherë në vendngjarje ka shkuar grupi hetimor, i përbërë nga njerëzit më të rëndësishëm të shtetit. Për të qenë të pranishëm në ekspertizën fillestare që do të bëhej, ndër specialistët e pranishëm ishte detyrimisht dhe ministri i Shëndetësisë, i cili në atë kohë ishte mjeku i njohur Llambi Ziçishti. Pasi pa trupin e Mehmet Shehut, ministri Ziçishti do të bënte deklaratën e parë në mënyrë të menjëhershme dhe të prerë: “Kjo është një vrasje dhe për mua nuk ka asnjë dyshim”. Bomba ishte hedhur. Askush nga të pranishmit e rëndësishëm nuk donte që ajo fjalë të shpëtonte nga goja e një ministri, aq më tepër të atij të shëndetësisë. Kjo bëri që të hidheshin shumë diskutime lidhur me këtë pohim të tij.

Kush ishte ministri i Shëndetësisë

Llambi Ziçishti lindi më 13 dhjetor të vitit 1923, ishte Ministri i Shëndetësisë ishte një nga figurat më të njohura gjatë regjimit komunist. Gjatë Luftës Nacionalçlirimtare ai së bashku me familjen e tij ishte një nga organizatorët e rezistencës kundër pushuesve në zonën e Devollit dhe të Korçës. Llambi Ziçishti diplomohet për Mjekësi në Rumani, në vitin 1953. Pas diplomimit ai caktohet kirurg në spitalin e kryeqytetit dhe më pas emërohet drejtor i Spitalit Nr.2 në Tiranë dhe më vonë edhe dekan i Fakultetit të Mjekësisë. Në vitin 1975 u emërua ministër i Shëndetësisë, post të cilin e mbajti deri në vitin 1982. Pas kësaj ai akuzohet në vitin 1982 si bashkëpunëtor i grupit armiqësor të drejtuar nga Mehmet Shehu. Llambi Ziçishti u akuzua gjithashtu se, në vitin 1973 kishte dashur të helmojë Enver Hoxhën. Pas një procesi hetimor, që zgjati nga nëntori i vitit 1982 e deri në shtatorin e vitit 1983, Llambi Ziçishti u nxor në gjyq dhe u dënua me vdekje, duke u pushkatuar më 17 shtator 1983.

Ministri mister

Llambi Ziçishti, ka qenë një nga figurat më të përkëdhelura nga Enver Hoxha. Megjithatë, jeta e tij politike e përzierë me atë profesionale ka pasur shumë enigma, të cilat u errësuan së bashku me vdekjen e tij dhe mund të zbardhen shumë kohë më pas ose ndoshta nuk të dalin kurrë në dritë. Gjithçka fillon që nga asistimi i tij në klinikën franceze, ku po operohej Hysni Kapo dhe roli i tij në ecurinë e shëndetit të ish-sekretarit të Parë të Partisë, deklarata e për vdekjen e Mehmet Shehut dhe deri në dënimin që u bë duke u akuzuar si pjesëmarrës në organizatën kundërrevolucionare nën drejtimin e Mehmet Shehut. Më 17 shtator 1983, Llambi Ziçishti së bashku me Kadri Hazbiun, Feçor Shehun e Llambi Peçinin u pushkatua, duke qenë nga të fundit në radhë në listën e të dënuarve të Enver Hoxhës.

Pohimi dhe mohimi

Mendohet që pas një presioni apo dhe të mekanizmave të tjerë të “bindjes” që përdoreshin në atë kohë, kur erdhi çasti i firmosjes së procesverbalit, Llambi Ziçishti deklaroi se ajo që kishte ndodhur me Kryeministrin e vendit, që ndodhej pak metra më tej, ishte një vetëvrasje. Mbetet padyshim mister dhe mënyra se si deklaroi ai në fillim dhe ndryshimi i mendimit nga ana e tij kur erdhi çasti i firmosjes. Por cilat ishin mundësitë nëse ai do të mbante të njëjtin qëndrim që kishte dhe në fillim? A do të kishte një hetim të mëtejshëm të vdekjes së njeriut më të rëndësishëm në atë kohë, siç ishte një nga kryeministrat më jetëgjatë në historinë moderne të shtetit shqiptar? Kush ishte ai që e bindi Llambi Ziçishtin të ndryshonte pikëpamjen dhe të firmoste pa u bindur, një procesverbal farsë, të cilin bashkë me vdekjen e Mehmet Shehut u mbyllën dhe procedurat e hetimit. Drejtuesit e lartë të shtetit të asaj kohe vendosën që vdekjen e kryeministrit ta cilësonin: “Një vetëvrasje në kushtet e një depresioni të thellë”.

Hapja e arkivave

Ajo që pritet më së shumti, jo vetëm për rastin e Llambi Ziçishtit, është hapja e dokumenteve arkivore të periudhës së komunizmit pasi të kalojë afati dhe ato mund të cilësohen si të deklasifikuara. Të paktën vetëm kështu do të gjendet ndonjë e dhënë e saktë dhe e pakundërshtueshme për sa i përket këtij deponimi paraprak që ka bërë Llambi Ziçishti mbi vdekjen e Mehmet Shehut. Teksa bënte deklaratën e parë, ish-ministri i Shëndetësisë me siguri nuk ishte menduar gjatë, pasi nëse do të kishte qenë pjesë e kombinacioneve e kupolës drejtuese, atëherë menjëherë do të kishte deklaruar që ish kryeministri kishte shkuar drejt një vetëvrasje dhe kjo nuk kishte më dyshim. Një nga misteret më të mëdha që ka marrë me vete Llambi Ziçishti është padyshim ky pohim, që nëse do të ishte marrë seriozisht, do të kishim një pistë tjetër hetimi për vdekjen e ish-Kryeministrit. Llambi Ziçishti, në një çast më të vonshëm e kundërshtoi me forcë se kishte bërë një deklaratë sikur Mehmet Shehun e kishin vrarë. Kjo tërheqje me dëshirë apo me presion tanimë ai e ka marrë me vete në banesën e fundit së bashku me trupin e tij.

Procesi hetimor

Pavarësisht akuzave zyrtare, ende nuk dihet nëse Llambi Ziçishti u dënua se ishte bashkëpunëtor i Mehmet Shehut apo për shkak të deklaratës që bëri se kryeministri kishte vrarë veten. Pas një serie të gjatë dënimesh që kishte ndërmarrë Enver Hoxha, duke filluar që nga periudha e Luftës e më pas me radhë pas Çlirimit që u dënuan Koçi Xoxe e të tjerë, vjen fillimi i viteve ’70, ku kemi një seri dënimesh me vdekje, por dhe me burgim të gjatë. Në fillim të viteve ’80, kur shëndeti i Enver Hoxhës kishte marrë të tatëpjetën, pas vdekjes së Mehmet Shehut erdhën dhe dënimet e fundit, ku i dënuari kryesor ishte Kadri Hazbiu që mbante postin e ministrit të Brendshëm dhe ishte numri dy pas Enver Hoxhës. Bashkë me Kadri Hazbiun u dënuan dhe Llambi Ziçishti që ishte ministër i Shëndetësisë në atë kohë si dhe disa drejtues të tjetër të lartë të shtetit komunist. Pas një procesi hetimor që zgjati nga nëntori i vitit 1981 e deri në shtatorin e vitit 1983, Llambi Ziçishti u nxor në gjyq dhe u dënua me vdekje, duke u pushkatuar (më 17 shtator 1983) së bashku me Kadri Hazbiun, Feçor Shehun e Llambi Peçinin.

Deponimet / Dënimi me vdekje e ministrit të Shëndetësisë

Sipas deponimeve të ish-ministrit Ziçishti, të shkruara dhe firmosura prej tij në dokumentin në fjalë, ai pranon të ketë bashkëpunuar me ish-kryeministrin Mehmet Shehu, i cili që në vitin 1973 ka dashur që ta helmonte Enver Hoxhën, me anë të mjekëve kinezë që ai kishte thërritur apostafat nga Kina. Këta u akuzuan gjoja sikur bënte pjesë në “organizatën kundërrevolucionare” të drejtuar nga Mehmet Shehu. Këto akuza ishin më tepër qesharake se me baza të vërteta edhe duke u nisur nga konteksti i sotëm, por edhe po t’i referohesh kohës së atëhershme. Dënimi që iu bë Llambi Ziçishtit nuk u mor vesh me saktësi asnjëherë. Shpesh është aluduar se deklarata që ai kishte bërë pas vdekjes së Mehmet Shehut, se ishte një ekzekutim dhe jo vetëvrasje, mund të ketë qenë një arsye e fortë për ta eliminuar ish-ministrin e Shëndetësisë. Pasi mbaroi gjyqi i këtyre personaliteteve të sistemit të kaluar, u dhanë dhe vendimet që ishin tepër të rënda. Kështu u dënua me pushkatim Llambi Ziçishti, ndërsa Fiqret Shehun dhe Nesti Nasen me nga 25 vjet burg. Bie në sy dënimi me vdekje i Llambi Ziçishtit, për faktin se po të balancoheshin akuzat e tij me ato që kishte bërë vëllai i tij, Mihallaqi, kishin ndryshim të madh, për arsye se Mihallaqi kishte akuzë të tillë që mund të dënohej dy herë me vdekje. Por Enver Hoxha e dinte se Llambi kishte shprehur dyshime për vrasjen e Mehmet Shehut, që pasi kishte parë kufomën kishte thënë me shkrim, se kjo nuk ishte vetëvrasje për të, pasi nga plagët dhe gjaku që shihte, nuk bindej. Por më vonë, nga frika e mohoi këtë thënie. Kupola drejtuese e Partisë së Punës për të eliminuar çdo dyshim dhe që të mos qarkullonin më vonë fjalë e thashetheme dha urdhrin që Llambi Ziçishti të pushkatohej, ashtu sikundër nuk do të veprohej edhe me vëllain tjetër të tij, ish -zëvendësministrin e Brendshëm Mihallaq Ziçishtin, për të cilin u tha se do t’ja kursenin jetën duke nxjerrë arsyen se të mos pushkatoheshin dy vëllezër.

Tre misteret e pazbuluara

  1. Mister mbetet vizita në Paris kur atje ndodhej i shtruar Hysni Kapo. Pse ish-ministri i Shëndetësisë, Ziçishti, nuk u interesua kurrë për shëndetin e krahut të djathtë të Enver Hoxhës gjatë gjithë kohës që qëndroi atje?
  2. Deklaratat e tij në gjyq, që Mehmet Shehun e kishin vrarë dhe më pas tërheqja e kësaj deklarate, është një nga pjesët e misterit të Llambi Ziçishtit?
  3. Ende nuk dihet nëse Llambi Ziçishti u dënua se ishte bashkëpunëtor i Mehmet Shehut apo për shkak të deklaratës se kryeministri kishte vrarë veten?

 

Fjala e Fiqrete Shehut në gjyq: Llambi Ziçishti bashkë me Mehmetin në Paris

 FIQIRETE SHEHU: Më 1972, kur vajti Mehmet Shehu për të bërë operacion dhe isha edhe unë dhe nga shoqëruesit kryesorë të sigurimit ishte Llambi Peçini, ishte dhe Gani Kodra, por s’di gjë për Gani Kodrën. Llambi Peçini aty ka kryer një veprim agjenturor të rëndë. Një ditë kishte ardhur një person të takonte Mehmet Shehun, ishte një person i agjenturës amerikane i quajtur Riçardson, mbiemrin mbaj mend, emrin s’ia mbaj mend, i cili kishte kërkuar të takonte Mehmet Shehun. Tek dera, para hyrjes në dhomën e Mehmet Shehut, ku rrinin doktorët dhe shoqëruesit ishte dhe Llambi Ziçishti, që e kishte parë atë person, kurse brenda në dhomë e shoqëroi Llambi Peçini. Ai e kishte pyetur Mehmet Shehun si je etj, etj., dhe i kishte dhënë si porosi që të veprojë më aktivisht, meqë Mehmet Shehu, e kishte njoftuar më parë, me anë të një letre, agjenturën amerikane, me një person me Nesti Nasen që kishte shkuar në OKB, që kishte filluar puna në sektorin ushtarak dhe në sektorin e ekonomisë e që ishte konsideruar nga agjentura amerikane si punë me perspektivë. Në këtë rast, personi i agjenturës amerikane porositi që duhet vepruar më aktivisht në këto drejtime për përmbysjen e pushtetit popullor. Edhe i kishte dhënë Mehmet Shehut, duke nxjerrë nga çanta një radio transmetuese marrëse e dhënëse me foni, duke i treguar edhe mënyrën e përdorimit atje shkurt. Mehmet Shehu, mbasi iku personi i agjenturës amerikane radion ia dha Llambi Peçinit, duke e porositur që ta mbante me shumë kujdes se e kuptonte rëndësinë dhe t’ia jepte kur të vinte në shtëpi, në Shqipëri. Kur vajta unë atë ditë që kish vajtur ky personi i agjenturës amerikane, e gjeta Mehmet Shehun të mërzitur të vrarë si të thuash. E pyeta ç’kishte, mos kishte ndonjë dhembje etj.. Mehmet Shehu më tha që s’kishte asgjë nga çështja e operacionit, por s’më lenë rehat as këtu, tha. Kur e pyeta, se pse, çfarë të ka ndodhur? Më tregoi këtë episod që porsa parashtrova këtu para trupit gjykues. Pasi ndenja ca, se zakonisht unë qëndroja gjatë ditës aty, ndërsa pushoja tek ishin punonjësit e ambasadës sonë, do të shkoja në shtëpi për drekë, erdhi me sa më kujtohet mua dhe Llambi Peçini, që kishte radio transmetuesen në dorë, një çantë e zezë ishte ajo dhe edhe unë mbaj mend që i thashë që, kujdes Llambi se është gjë me zarar kjo. Mos ki merak, tha Llambi Peçini. Këtë radio mbasi e ruajti kur qe atje, kur erdhi në Shqipëri vajti direkt pas Mehmet Shehut në dhomën e tij, tek kishte kasafortën dhe ia dorëzoi Mehmet Shehut. Më ‘73-shin, po në mars-prill prapë, Mehmet Shehu shkoi prapë për operacion dhe bëri një operacion tjetër në Paris, në spitalin “Port de Shuazi”. Aty një ditë kishte ardhur prapë ky personi i agjenturës amerikane dhe kishte takuar tek porta Llambi Ziçishtin, duke shprehur që donte të takonte Mehmet Shehun, ndërsa ai i tha që është e pamundur se është në reanimacion akoma, por unë do t’ia transmetoj. Dhe në fakt, më tha mua, Llambi Ziçishti, për atë personin që kishte ardhur, i kishte thënë njëkohësisht edhe Llambi Peçinit, i cili siç na tregoi, dhe në ballafaqim gjithashtu, këtë e tha Llambi Peçini, që kishte vajtur menjëherë ta takonte personin e agjenturës amerikane Riçardsonin, i cili i kishte thënë Llambi Ziçishtit, që do të ndodhej në kafe Tabak të atij rajoni. Se çdo rajon, siç shpjegoi edhe në ballafaqim, unë këtë fakt nuk e dija, Llambi Peçini kishte vajtur e kishte takuar, e kishte pyetur se çfarë kishte për zotin president. Ai i kishte thënë nuk kam ndonjë gjë të veçantë, doja ta takoja. A ke ndonjë porosi? Jo, qëndron ajo porosia që kemi dhënë më ‘72. Ky ishte një akt, një veprim tjetër agjenturor i Llambi Peçinit. Më vonë, më 1981, në prill, Mehmet Shehu vajti për ca ditë për pushime, në kohën që unë isha në Paris, në Vlorë. Në Vlorë takoi edhe Llambi Peçinin, aty kanë biseduar, siç më tregoi mua Mehmet Shehu. Në qershor më ka treguar për këtë edhe për çështjen e likuidimit fizik të sekretarit të Parë të Komitetit Qendror.