Sigal

Vangjel KASAPI

Leonard VEIZI

(Vijon nga numri i kaluar)

Më 1953 Qeveria e BRSS, nëpërmjet Leviçkinit në takim personal me E. Hoxhën, i propozoi Qeverisë së RPSH ngritjen në rang Ambasade të Legatave respektive në Tiranë e Moskë. Qeveria shqiptare dha me një herë miratimin. Pala  Sovjetike në të njëjtën kohë njoftoi se Presidenti i Sovjetit Suprem të BRSS emëroi sh. Leviçkin Kliment Danilovic Ambasador të Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë të BRSS në Republikën Popullore të Shqipërisë. Presidenti i Kuvendit Popullor të R.P. të Shqipërisë emëroi Ambasador të Jashtëzakonshëm e Fuqiplotë të R.P. të Shqipërisë në BRSS sh. Mihal Prifti”.

Bashkëpunimi

Lidhjet, marrëdhëniet e bashkëpunimi i BS me RPSH kishin hyrë në një zhvillim të gjithanshëm e të përshpejtuar. Se 2 partitë e shtetet i përkisnin një kampi ideologjik e politik. Se në konjukturat “Lufta e Ftohtë” kërkohej përputhje pikëpamjesh dhe qëndrim të njëjtë kundrejt Perëndimit e NATO-s. Se Shqipëria, për BS, gjeopolitikisht dhe ushtarakisht, përbënte avampostin e Kamptit Socialist, aleatin e vetëm me dalje dhe pozicion strategjik në Adriatik e Mesdhe. Se RPSH duhej, patjetër, të ndihmohej për të rregulluar imazhin dhe rritur mirëqenien nëpërmjet ndihmave dhe zhvillimeve ekonomike. Qeveria e RPSH, nëpërmjet Kryetarit Hoxha dha pëlqimin e menjëhershëm për këtë lëvizje me kah pozitiv në planin diplomatiko-politik. Sepse, edhe me ndryshimet, që nisën në BS pas ardhjes në fuqi të Hrushovit, Shqipëria kishte nevoja urgjente për përkrahje dhe ndihma të shumanshme e të shpejta. Se karshi Italisë e në shpinë Greqinë (të dy të NATO-s) e në veri Jugosllavinë lakmitare, mbrojtja jonë donte garant të madh e të sigurt siç figuronte BS.

Ambasadori

Postin e Ministrit të Jashtëm Enveri ia ngarkoi dikujt tjetri. Atëherë mund ta “sakrifikonte” Ndihmësin e çmuar, duke e riemëruar një gradë më lartë –Ambasador dhe, si të vetmin diplomat më kualitativ e çonte rrishtaz në BS. Sepse, askush si Mihali, s’e njihte BS dhe me ato potenciale si ai për të shënuar kthesë edhe në diplomacinë shqiptare me ardhjen e Hrushovit. Ç’u nisën me takimet e mëdha historike me Stalinin, vetëm Mihali mund t’i lëvizte në konjukturën e re, duke i ngritur në shkallë më të përparuar. Si funksionar, Ai mund të merrej me ulje, por nga rëndësia e momentit politik dhe e vlerave të tij, moralo-profesionale, ai çmohej më tepër sesa tash e tutje një Nd.Ministër me theksime administrative. Misioni i dytë i tij Ambasador e jo i Dërguar, gjithnjë me titullin “Ministër Fuqiplotë” shprehte shumë. Kryeministri e Ministri i Jashtëm e mbante Mihalin si një “AS” dhe e përdorte atë në momente politike kthesash. Atëherë njëpasnjë, Presidiumi i Kuvendit Popullor të RPSH, emëron Mihal Priftin Ambasador të RPSH në BS dhe Ministër Fuqiplotë në RP të Mongolisë (1955) dhe pranë Republikës Finlandeze –1956 (shtete në kufi me BS), por me qëndrim në Moskë.

Takime intensive

Përpara nisjes, Mihalit ia mbushën çantën me porosi. Ai mbante në vëth sidomos kujtesat e shkurtra e thelbësore të Kryeministrit, për çfarë duhej të shtronte në kërkesat e para. Ditë pas ditëve, Mihali “trokiste” nëpër dikastere. Në takimin intim me Zorinin i përshkroi gjendjen e vendit, veçmas ndihmat urgjente për lehtësimin e fshatarësisë, për sende konsumi të gjerë për popullin, për këshilltarë në organizimin e aparatit shtetëror qendror e lokal etj nevoja jetike urgjente. Bashkëbiseduesi Vllasov Z. e priti shumë përzemërsisht dhe për nisjen e specialistëve të disa fushave, iu zotua se do merrej personalisht, sidomos për naftën, gjeologjinë, hidrocentralet etj. Mihali, gjithashtu i kërkoi MPJ që të ndihmonin me hapjen e kanaleve diplomatike për t’u adresuar në vendet e Azisë e të Afrikës. Qeveria Sovjetike e informuar hollësisht nga Ministri ynë Fuqiplotë, u sensibilizua shpejt dhe përmes Gjysmë Hënës së Kuqe dhuroi 400.000 rubla ndihmë emergjente në ushqime e barna për banorët e krahinave të Veriut të bllokuar nga dëbora. Ato u nisën urgjent me vaporin Oqeanik “Nogin”. Alarmante paraqitej ecuria shume e vështirë në çpimin e puseve të naftës, për të cilat midis Tiranës dhe Ambasadës këmbeheshin r/grame urgjente dhe tepër serioze.

Vizioni

Kur ishte për herë të parë në Moskë, Mihali u bë ndër lajmëtarët, duke u shndërruar në një personazh interpretues në KNER. Mirëpo pas 5 vitesh bashkëpunimi në atë strukturë të bashkësisë së vendeve të demokracisë popullore, KNER-i kishte pësuar zgjerime. Sikurse hapësira e bashkëpunimit të RPSH me BS që zmadhuar dhe rrokte degët (sektorët) më të ndjeshëm në fuqishmërinë ekonomike të Shqipërisë. Planet dhe programet e shtetit nuk mund të konkretizoheshin e të realizoheshin pa iu paraprirë me llogari, me studime, me prognoza. Fusha studimore u bë evidente për të piketuar prioritetet, emergjencat dhe masat organizativo-materiale, që të siguronin ndihmat e shpejta nga BS dhe vendet e Kampit Socialist. Dhe, një nga nismat e para, sapo iu përvesh detyrave Ambasadori, duke vlerësuar rëndësinë e problemit, i shkruan drejtpërdrejt Ministrit Shtylla: “Po ju dërgoj Protokollin nr.81 të Byrosë së Këshillit Ekonomik për bashkëpunim tekniko-shkencor. Këtij bashkëpunimi tani i epet një rëndësi më e madhe sesa deri sot. Bashkëpunimi dhe aplikimi i ndihmës së dhënë, mbi rezultatet e kësaj ndihme etj., kërkohet të ndiqet nga vet Titullari i çdo Dikasteri. Bashkëpunimi tekniko-shkencor duhet kuptuar nga Qeveritë e vendeve pjesëmarrëse (aty edhe RPSH) si një formë e re e bashkëpunimit midis vendeve tona, si një faktor i rëndësishëm në zhvillimin e ekonomisë popullore të vendeve tona. Ky bashkëpunim nuk ka qenë vlerësuar sa duhet”. Përmbajtja e Protokollit, detyrimet që shtroheshin dhe disa mendime konkrete të Ambasadorit e të Atasheut Tregtar, u morën shpejt parasysh nga Tirana zyrtare. Prandaj, sipas kërkesës së Qeverisë së RPSH, “Qeveria Sovjetike aprovoj dërgimin në Shqipëri, për 2 muaj, të një grupi specialistësh për të punuar bashkë me Qeverinë Shqiptare masat për ngritjen e ekonomisë popullore të vendit, duke pasur parasysh dhënien e ndihmës Shqipërisë”. Specialistët-studiues punuan në zyra  e terren, u konsultuan me specialistë, ministra e Udhëheqjen dhe, në mbarim, paraqitën projektin e objektivave të industrializimit e të nxjerrjes nga stadi i ulët i bujqësisë. Kësisoj ekonomia e vogël shqiptare filloi, në mënyrë të organizuar, të futet në binarët e tregut të madh sovjetik e të KNER-it. Që këndej iu hap shtegu nismave, propozimeve, kërkesave dhe pranimeve për të ndërtuar e krijuar, nga e para në Shqipëri vepra e linja të shumta, për të kthyer RPSH nga vend agrar-industrial drejtë një të ardhme industrial-bujqësor.

FUQIA E ARMATOSUR

Shqipëria, një qendër e Traktatit të Varshavës

Viti 1955, përveç problemeve dhe detyrave të tjera shtetërore dhe partiake për Ambasadën, përfshiu edhe një ngjarje shumë të rëndësishme historike. KQ i PK të BS u propozon vendeve socialiste organizimin e Komandës së Bashkuar të Forcave të Armatosura. Por fillimisht, kjo aleancë ushtarake, u krijua (14.5.1955) si “Traktat Miqësie, Bashkëpunimi dhe Ndihme Reciproke” midis Shqipërisë, Bullgarisë, Hungarisë, RD Gjermane, Polonisë, Rumanisë, Çekosllovakisë e BS, për mbrojtjen e tyre me forca të përbashkëta nga çdo agresion imperialist. Që këndej u përgatit projekti mbi organizimin e Komandës së bashkuar të 8 shteteve me qendër në Moskë. Për miratimin përfundimtar të strukturave dhe marrëveshjeve, në nëntor bëhet takimi i udhëheqësve të partive të vendeve socialiste Europiane. Lindi, pra, Traktati i Varshavës, që balancoi NATO-n. Kështu, 2 blloqet e mëdha superfuqi, mbajtën në ekuilibër botën me anë të “Luftë e Ftohtë”. Nëpër gjithë këto traktativa voluminoze, të njëpasnjëshme, tepër serioze e delikate, Trupi tonë Diplomatik në Moskë, i udhëhequr nga “Komandant”- Mihali, të cilit iu desh të merrej  edhe si strateg ushtarak përveç politikanit e diplomatit- u ngarkua, ndoqi, dha ndihmesa të vyera, shkëmbeu mendime dhe informacione ditë-natë me udhëheqjen dhe ministritë përkatëse në Tiranë. Përsa kohë Mihal Prifti qëndroi Ministër Fuqiplotë në Moskë, këtu u nënshkruan shumë marrëveshje dhe u kryen mjaft vizita të ndërsjella të ushtarakëve të lartë në rang Ministra e Shefa Shtabi të Përgjithshëm. Shumë mjete detare luftarake erdhën në Shqipëri, në portin e Durrësit, nën flamurin e “Miqësisë”, por në fakt për të përnjohur hapësirën strategjike të Adriatikut. Në qershor ’56 vjen Vapori Shkollë “Ekuator”. Në pritjen e përcjelljen e tij asistoi edhe Ambasadori ynë Prifti. Një skuadër e Flotës Ushtarake të BS të Detit të Zi (kryqëzori “Admiral Nahimov” me 2 vaporë), nën Komandën e admiral Gorshkovit, mbërriti po në Durrës. Ekuipazhit iu bë një pritje e veçantë në Pallatin e  Brigadave. Nga ana tjetër, me rastin e largimit nga Shqipëria të kësaj Flote, Admirali Gorshov dha një pritje në Kryqëzorin “Naimov”. Asistoi gjithë udhëheqja e Parti-Shtetit të RPSH. Veprimtarinë e kësaj Flote e shoqëroi Ambasadori ynë Prifti, që ndoqi realizimin e programit të hartuar në Moskë bashkë me sovjetikët. Por një ngjarje me kthesë të pa parashikueshme do t’ishte marrëveshja Shqipëri-BS nënshkruar për Bazën Detare të Vlorës (1957).

DELEGACIONI

Enveri kërkon ndihma ekonomike

Delegacionet, vizitat dhe bisedimet e nivelit më të lartë qenë ato  që kryesoheshin nga Enver Hoxha. “Shifrim: Sh. Mihal-Moskë. Me luftanijet sovjetike, që u larguan sot nga Shqipëria, u nisën për aty shokët Hoxha, H. Kapo, B. Balluku e K. Theodhosi. Ky është një delegacion Qeveritar i Partisë që vjen aty për çështje shtetërore me karakter ekonomik. Nisja dhe ndënjtja e delegacionit janë krejtësisht të fshehta. Për mbërritjen e delegacionit aty menjëherë merrni masa që ta prisni dhe merruni vesh me Ministrinë e Jashtme aty. Behari”. Për problemet e diskutuara dhe kërkesat e shtruara pati mirëkuptim të plotë. Prandaj për ndjekjen e zbatimit të bashkëbisedimeve, për herë të parë, Ambasadorit tonë iu dhanë Plotfuqishmëri: I armatosur edhe me këtë Autorizim, Mihali, tok me punonjësit e Përfaqësisë, iu përveshën frontit ekonomik dhe, pas 1 viti i raporton MPJ gjendjen e zbatimit të nënshkrimeve midis dy shteteve nga qershori ’54 deri sot: “1. Përfundimi i marrëveshjes së kleringut midis të dy vendeve; 2. Ndjekja e zbatimit të kësaj marrëveshje(kontraktime-livrime); 3. Kontraktimi i mallrave të sektorit të bujqësisë, në bazë të kredisë t’aprovuar vitin e kaluar dhe ndjekja e zbatimit të tyre; 4. Kontraktimi i mallrave për industrinë e naftës dhe ndjekja e zbatimit të tyre; 5. Përfundimi i marrëveshjes së kreditit të ri për zhvillimin e industrisë së naftës dhe përfundimi i hidrocentralit mbi lumin e Matit; 6. Zbatimi i marrëveshjes tekniko-shkencore…”

 

MBLEDHJA

Kur Stalini u godit për kultin e individit

Më 12.12.1954, një delegacion i PPSH, kryesuar nga E. Hoxha, u ftua në Konferencën e Moskës së PK të BS “Mbi kultin individual të Stalinit”. Në përbërje hyri edhe kandidati i KQ e Ambasadori M. Prifti. Sepse ai, duke qenë i pranishëm në 2 takimet e Hoxhës me Stalinin dinte shumë lidhur me “Kultin e individit dhe pasojat e tij”. Një delegacion i dytë, me E. Hoxhën në krye dhe anëtar M. Prifti, asistoi edhe në Kongresin XX të PK të BS (25.2.1956). Duke dëgjuar në Kongres, Mihali do të merrte konsultime dhe porosi nga Eprori Nr. 1 për mënyrën e trajtimit të politikës së re të udhëheqjes sovjetike, për refleksionet që duhej të realizonte në emër të PPSH e të RPSH, për t’iu përshtatur kursit të ri pa dhënë asnjë shenjë pakënaqësie të palës shqiptare, që tashmë Priftit po i qartësohej kundërshtimi i Hoxhës ndaj Hrushovit, sidomos me mosqenien pro për kultin e individit të Stalinit.

SPROVA

Delegacioni ku Enveri u vu në vartësi të Mehmetit

Një sprovë në një ngjarje të veçantë, specifike për Ambasadorin M. Prifti, ishte vizita e delegacionit më me peshë rëndësore të Qeverisë së RPSH e të PPSH, e realizuar me ftesë preferenciale të Qeverisë së BS e të PK të BS. Delegacioni me veprimtarinë e mbushur në lidhje me detyrimet përgjegjësore të rëndësisë së veçantë të Mihalit, pati këto veçori. Ai, si rast i veçantë për arsye të thella opinioniste në arenën ndërkombëtare, u kryesua nga Mehmet Shehu (Kryeministër) dhe i përbërë nga E. Hoxha (Sekretar i parë i KQ të PPSH, disa udhëheqës të tjerë të Byrosë Politike e ministra), brenda të cilit hynte edhe Ambasadori Prifti. Ministria e PJ të BS e Ambasada, kryesisht Titullari, bashkërenduan një axhendë vizitëse të ngjeshur, për probleme madhore, duke rrokur për vizita disa Republika e qytete të mëdha historike si Moska, Leningradi, Tashkenti etj.. Ekipi i madh i mysafirëve nga Shqipëria u nda në dy pjesë-njëri me E. Hoxhën, të cilit iu bashkëngjit Ambasadori dhe tjetri me M. Shehun. Në të gjitha bashkëbisedimet me palën sovjetike të nivelit më të lartë, kryesuar nga N.S.Hrushovi e N. Bulganini, nëpër pritje zyrtare e takime me punonjësit sovjetik etj. Ambasadorit tonë iu rezervua vend i parë, pranë Udhëheqësve tanë kryesor. Për gjithçka u arritën në marrëveshje e u nënshkruan protokollet, Ambasada dhe Shefi i Saj u ngarkuan në konkretizimin dhe realizimin e tyre. Ambasada jonë dha një pritje madhështore të organizuar në mënyrën më dinjitoze nga Ambasadori ynë. Kjo vizitë e plotsuksesshme dhe rezultative, përbënte për Ambasadën, veçmas për Titullarin e saj të shumë shqetësuar, një provë të madhe dhe një vlerësim të çmuar nga Hoxha, Shehu, Shtylla e anëtarët e delegacionit. Kurse MJ Sovjetike i shprehu Priftit mirënjohje të thellë për bashkëpunimin e frytshëm. Pas bisedimeve dhe shkëmbimit të pikëpamjeve midis dy udhëheqësve të mëdhenj u lëshua një komunikatë e përbashkët.

 (Vijon nesër)