Kujtimet e Gani Elezit: Në kuadrin e “Reformës” ushtria jonë jo vetëm nuk u modernizua, por u shkatërrua

680
Sigal

Kujtimet e ish-shefit të Zbulimit Gani Elezi: Si u shkatërrua lavdia e Ushtrisë Shqiptare pas vitit 1990

Në kuadrin e “Reformës” ushtria jonë jo vetëm nuk u modernizua, por u shkatërrua totalisht

-Me urdhërin e ministrisë së mbrojtjes u hoqën nga uniforma simbolet me yllin e kuq pesë cepësh.

-Kudo, në rrugë, në autobuzë, në lokale oficerët e ushtrisë mund të gjendeshin përballë shpotive dhe ofendimeve të rënda kolektive

– Propagandistët anti-ushtri u muarën edhe me sistemin tonë të fortifikimit, duke formuluar cilësorin: Shqipëria vend  i “bunkerizuar”  

– Me idenë për të demaskuar “çmendurinë” fortifikuese  u arrit deri atje sa të dekonspiroheshin objekte të karakterit tepër sekret

– Një emision, i ashtuquajtur “Fokus” i Robert Papës nuk la objekt të sistemit tonë të komandimit e të drejtimit, padekonspiruar.

Gani Elezi

Albert Z. ZHOLI

Këshilltari i lartë ushtarak amerikan pranë Ministrisë së Mbrojtjes, në vitet 1995-1997, Charles Lane thotë se:’’Ushtria Shqiptare është e prirur dhe e hapur ndaj ndryshimeve. Por problem kryesor ishte se qeveria kishte vendosur për t`a shkatërruar gjithçka të mëparëshme, pavarësisht nëse ishte e vlefëshme apo jo’’

Si lindi e ashtuquajtura “Politikë e mbrojtjes” mbi të cilën do të kryhej “Reforma” në ushtri?

Duke marrë në konsideratë faktin që ushtria jonë zotëronte kapacitete të larta në të gjitha drejtimet, arsyet e shkatërrimit të saj, më së shumti, duhen kërkuar në përvojën dhe në masat e marra pas vitit 1991, në të ashtuquajturën “politikë të mbrojtjes”, që u ndoq nga klasa jonë politike, pas vendosjes së pluralizmit politik në Shqipëri, në “reformën” që u programua dhe zbatua në fushën e mbrojtjes.

Ishte e llogjikëshme që, në kuadrin e ndryshimeve rrënjësore në fushën politike, sociale dhe ekonomike që po kryheshin në vendin tonë, edhe në fushën e mbrojtjes, qoftë në sferën e mendimit ushtarak e të politikës ushtarake të shtetit shqiptar, ashtu edhe në drejtim të strukturës organizative dhe të aktivitetit praktik të ushtrisë të bëheshin ndryshime të mëdha. Pra ishte plotësisht e drejtë dhe e nevojshme të kryhej, ajo që në ato vite u quajt “Reforma në Ushtri”. Një objektiv të tillë e kishin parashtruar të gjitha forcat politike opozitare me PPSH, në programet e tyre elektorale. Konkretisht ato deklaronin se do të punonin për t`a ngritur ushtrinë tonë, si nga pikëpamja organizative ashtu edhe përsa i përket përgatitjes dhe paisjes së saj teknike, në nivelet e ushtrive të vendeve të tjera të zhvilluara. Të gjithë shqiptarët, veçanërisht ne që kishim punuar gjithë jetën në ushtri dhe qe i’a njihnim realisht, asaj, edhe arritjet, por edhe të metat, në raport me standartet ndërkombëtare, e uronim një gjë të tillë.

Por fatkeqësisht nuk ndodhi kështu?

Po! Ushtria jonë jo vetëm nuk u forcua dhe nuk u modernizua siç deklarohej, përkundrazi, gjatë viteve të “postdiktaturës”, erdhi vazhdimisht duke u dobësuar, në të gjithë komponentët e saj, deri sa ndodhi ajo që neve kurrë nuk na kishte shkuar në mendje, shkatërrimi i plotë i saj. Ky proces shkatërrimi nuk është rezultat vetëm i ngjarjeve të pranverës së vitit 1997. Këto ngjarje qenë akti i fundit i tragjedisë. Shkatërrimi i ushtrisë sonë lidhet me një sërë veprimesh të ndërmarra, edhe me qëllim, përgjatë viteve 90-të. Shkatërrimi i ushtrisë, në mënyrë të pa deklaruar, ka qenë synimi i forcave politike që erdhën në pushtet pas vitit 1992. Këtë të vërtetë të hidhur e venë në dukje edhe përfaqësues të ushtrive të huaja, të atashuar pranë qeverisë dhe Ministrisë së Mbrojtjes shqiptare. Ndër ta, këshilltari i lartë ushtarak amerikan pranë Ministrisë së Mbrojtjes, në vitet 1995-1997, Charles Lane thotë se ’’Ushtria Shqiptare është e prirur dhe e hapur ndaj ndryshimeve. Por problem kryesor ishte se qeveria kishte vendosur për t`a shkatërruar gjithçka të mëparëshme, pavarësisht nëse ishte e vlefshme apo jo’’. (Eqrem Osmani,’’Zbuluesi, syri i pagjumë i mëmëdheut’’, fq.186).

Si filloi sulmi politik mbi ushtrinëdhe çfarë kishte si synim?

Sulmi politik ishte momenti i parë nga i cili ka marrë rrugë shkatërrimi i ushtrisë sonë. Në fillim të viteve 90-të, forcat e reja politike që erdhën në pushtet, duke vlerësuar gabim situatat politiko-ushtarake në rajon e në nivel global, ndryshuan plotësisht konceptin strategjik dhe politikën e mbrojtjes së shtetit shqiptar.Në vija të përgjithshme u promovua  koncepti se tashmë rreziku i luftës në rajon e veçanërisht kundër vendit tonë nuk ekzistonte më. Dhe. nëse do të paraqitej ndonjë rrezik ne do t`a përballonim atë në kuadër të veprimit të strukturave ushtarake ndërkombëtare, veçanërisht në kuadër të NATO-s. Ndryshimi i konceptit për mbrojtjen u pasua me veprime që në fakt shumë shpejt çuan në dobësimin e kapaciteteve morale dhe ushtarake, deri në shkatërrimin e plotë të ushtrisë. Që në fillim, në kuadrin e luftës kundër përvojës së viteve të socializmit, ushtria  u konsiderua  si një instrument dhune në dorë të PPSH dhe të udhëheqjes saj. Duke e konsideruar të tillë ushtrinë, ajo filloi të  shihej dhe të goditej si një e keqe e madhe, dhe më shumë si një barrë e panevojëshme për popullin shqiptar. Nisur nga disa detyra që  mori përsipër,sidomos aksionet në ruajtje të rendit,të qetësisë publike dhe  objekteve të rëndësishme politike,sociale,ekonomike dhe ushtarake, ushtria u akuzua si forcë e errët në dorë të udhëheqjes së PPSH. U stisën edhe veprime, si demostrimet e shkollave ushtarake në mbrojtje të veprës e të  monumenteve të Enver Hoxhës,vetëm e vetëm për ta paraqitur ushtrinë si një mjet presioni kundër zhvillimeve demokratike në Shqipëri. Në të njëjtën kohë u godit baza morale, fondamenti mbi të cilin ishte ndërtuar koncepti ynë mbi mbrojtjen, sipas të cilit “mbrojtja e vendit ishte përgjegjësi dhe detyrim moral për çdo qytetar”. Në çdo miting të partive opozitare, në radio, në televizion, në shtypin e shkruar dhe në forma nga më të ndryshmet, propagandohej se… çfarë që është bërë  në fushën e mbrojtjes nga PPSH ka qenë e panevojshme, ka qenë një shfaqje e megallomanisë së saj dhe, se në konkluzion të fundit, ka qenë një barrë e rëndë, e kotë, për ekonominë, për popullin dhe shtetin shqiptar. Në kronikat televizive qytetarët filluan të “flisnin” me neveri për ushtrinë, për stërvitjen ushtarake, për zboret, për provat e gatishmërisë, për fortifikimin etj. Ata me “kompetencë” deklaronin edhe pavërtetësinë e një rreziku ushtarak ndaj vendit tonë. Çdo ditë televizioni paraqiste njerëz, me varre dhe me vegla të tjera, që shkatërronin objekte të fortifikimit, vetëm e vetëm për të marrë një sasi të papërfillshme hekuri ose për të liruar një sipërfaqe të vogël toke, për interesa private. Kjo propagandë  kundër misionit, kontributeve dhe domosdoshmërisë së ushtrisë pati efekte shumë të mëdha te një pjesë e popullsisë, sidomos te një pjesë e të rinjve shqiptarë. Për ushtrinë, për kuadrot e saj u krjijua një situatë e rëndë, situatë që u përkeqësua me urdhërin e ministrisë së mbrojtjes për të hequr nga uniforma simbolet dhe yllin e kuq pesë cepësh. Kudo, në rrugë,në autobuzë, në lokale oficerët e ushtrisë mund të gjendeshin përballë shpotive dhe ofendimeve të rënda kolektive,por fare të pamerituara. Fatkeqësisht në situata të tilla pati edhe kundërveprime ekstreme.Në garnizonin e Beratit një oficer qëlloi me pistoletë dhe la të vrarë një të ri,i cili me shokët kish vënë bastin se “do t’ia hiqte kapelen nga koka këtij oficeri”. Krim, fatkeqësi që, në asnjë rrethanë, nuk kishte arsye dhe nuk duhej të ndodhte.

-Të ndalemi te fortifikimet….

Për të diskretituar më tej ushtrinë propagandistët anti- ushtri u muarën edhe me sistemin tonë të fortifikimit, duke formuluar cilësorin, Shqipëria vend i “bunkerizuar”. Me idenë për të demaskuar “çmendurinë” fortifikuese u arrit deri atje sa të dekonspiroheshin objekte të karakterit tepër sekret, siç ishin VK dhe PD e organeve qendrore të shtetit dhe të ushtrisë, deri edhe vendstrehimi i Komandës së Përgjithshme për kohë lufte si dhe objekte të tjera shumë të rëndësishme të ushtrisë, objekte që në vende të zhvilluara, në Europë apo më gjerë, nuk të lenë t`u afrohesh dhe jo më t`i dekonspirosh, siç u bë tek ne. Një emision, i ashtuquajtur “Fokus” i Robert Papës nuk la objekt të sistemit tonë të komandimit e të drejtimit, deri ato të organeve të larta të shtetit, pa dekonspiruar. E gjithë kjo propagandë synonte të krijonte tek njerëzit e thjeshtë, tek qytetarët bindjen se ”çështja e mbrojtjes ka qenë vetëm një alibi e PPSH dhe e Enver Hoxhës, për të garantuar jetëgjatësinë e pushtetit të tyre dhe se vendit tonë nuk i kanosej asnjë rrezik ushtarak”

Po në këtë linje, me këtë skenar dhe me këto synime u godit edhe përmbajtja e karakteri i luftës sonë çlirimtare dhe i UNÇL, e cila ishte pararendësja e ushtrisë sonë dhe e misionit të saj, në mbrojtje të atdheut. Lufta Nacionalçlirimtare u quajt “luftë civile”, ”luftë vëllavrasëse”, madje, në shumë raste, edhe një “luftë e panevojshme” me qenë se, sipas kësaj propagande, “forcat gjermane ishin vetëm në një operacion kalimi dhe jo pushtimi ndaj Shqipërisë”,duke ngarkuar me përgjegjësi për këtë PKSH, Shtabin e Përgjithëshëm të Ushtrisë Nacionalçlirimtare, si krahun e saj të armatosur. Duke goditur ushtrinë çlirimtare, veprën e saj të lavdishme, çlirimin e vendit, historikun e saj dhe të njësive partizane, goditej në të njëjtën kohë edhe  ushtria jonë popullore, që ishte, në realitet, vazhduesja dhe bartësja e vlerave më të mira të ushtrisë çlirimtare, të ushtrisë partizane. Pra po goditej  krenaria e vazhdimësisë dhe e ekzistencës së saj. U ndalua kremtimi i përvjetorëve të krijimit të njësive të ushtrisë Nacional Çlirimtare, që lidheshin edhe me krijimin dhe aktivitetin e njësive ushtarake, të armëve e shërbimeve të ushtrisë popullore.Vetëm për të hequr yllin e kuq dhe simbole të tjera “komuniste” nga uniforma e ushtrisë u zbatuan masa që cënuan rëndë paraqitjen e jashtëme të ushtarakëve dhe dinjitetin e tyre e të ushtrisë, duke i bërë ata objekt të humorit, pa ose të qëllimshëm, të opinionit publik. ‘’Ushtria humbi shumë nga dinjiteti i saj se i`a morën armët dhe simbolet, dy nga elementët kryesorë që përbëjnë nderin e saj’’,-  (Halil Katana.Ringritja e Ushtrisë Shqiptare’’, fq.19)

Veç sa theksova më lart, në lidhje me aspektin politik të problemit, me fillimin e proceseve demokratike u cënua edhe baza ligjore mbi të cilën ishte mbështetur detyrimi i qytetarëve në interes të mbrojtjes së vendit. Kështu u tolerua dhe nuk u muar asnjë masë për një pjesë të madhe të ushtarëve të shërbimit të detyrueshëm, të cilët u larguan nga ushtria, dezertuan nga rradhët e saj, dhe shkuan në vendbanimet e tyre apo edhe jashtë vendit, duke nxjerrë plotësisht jashtë gatishmërie repartet e gatishmërisë së përhershme luftarake, ndër to repartet e gatëshme të AT, të AKA, të tankeve, deri edhe batalionet antmitraliere në vijën e parë të brezave të mbrojtjes. Këto kontigjente jo vetëm nuk u vunë para përgjegjësisë për dezertim nga ushtria, por edhe kur ktheheshin në reparte u njihej si shërbim ushtarak edhe periudha e largimit. Gjithashtu pa asnjë arsye dhe në kundërshtim me ligjin e shërbimit ushtarak u ndërprenë stërvitjet me efektivat rezervistë të ushtrisë , me efektivat e strukturave të tjera si FVVP, RSHA, MCR, etj, duke ligjëruar plotësisht propagandën anti- zbor dhe idenë se çështja e mbrojtjes ka qenë vetëm një alibi e udhëheqjes së PPSH dhe është nga më të parëndësishmet.

Si për t`i dhënë goditjen e fundit seriozitetit dhe domosdoshmërisë së shërbimit ushtarak Ministria e Mbrojtjes, brenda një kohe shumë të shkurtër  ndryshoi afatin e shërbimit të detyrueshëm nga 24,në 18  dhe në 12 muaj. Madje krahas me këto ndryshime aplikoi edhe alternativën  e  pagesës së shërbimit ushtarak, çka do të thoshte se cilido që paguante një sasi lekësh mund të mos shkonte në ushtri. Një praktikë e tillë jo vetem që e kompromentonte më tepër çështjen e shërbimit  të detyrueshëm ushtarak por hapi edhe një aferë të re, atë të pagesës nën dorë të kuadrove të sektorit të organizimit dhe të kuadrove të tjerë përgjegjës, në njësi e reparte ushtarake.U bënë të zakonshme rastet kur ushtari  regjistrohej në repart, por atje paraqitej vetëm në fund të afatit të shërbimit,për të marrë librezën e shërbimit ushtarak, madje edhe me karakteristikën  për kryerjen me “rezultate shumë të mira” të detyrës ushtarake. E gjithë kjo përvojë e gabuar rezultojë në zvenitjen, deri në neglizhimin e plotë, të ndjenjës së përgjegjësisë qytetare për mbrojtjen e vendit, rrjedhimisht edhe ndaj detyrimeve për shërbimin ushtarak dhe për përgatitjen ushtarake, të përcaktuar edhe në ligjin themelor, në Kushtetutën e Shqipërisë.

Në këtë rrugë, hap pas hapi,ushtria u gjend para vështirësive të mëdha, në shumë drejtime, sidomos në fushën e kompletimit dhe të përgatitjes së saj luftarake. Nëse, edhe në situatë të zakonëshme, jo më në situata të acaruara politike dhe ushtarake, repartet dhe njësitë e ushtrisë sonë kompletoheshin në masën 70,80 %, pas vitit 1991 asnjëherë ky kompletim nuk arriti  as në masën 20%, përqindje që nuk garantonte futjen e tyre në veprime luftarake, nëse situata do t`a kërkonte një gjë të tillë.

 

Boc

Ushtria jonë deri në fillim të viteve 90-të

Deri në fund të vitit 1991 ushtria jonë ishte një Armatë e madhe me aftësi të konsiderueshme luftarake. Pa përmendur të dhëna të hollësishme do të evidentoj disa tregues të përgjithshëm dhe opinione personale që janë të mjaftueshme për të vërtetuar atë që thashë më lart, për aftësitë e saj ushtarake.

Në përbërjen e saj, ishin 22 divizione këmbësorie,1 divizion xhenjoje, Komanda e Mbrojtjes Kundërajrore, Komanda e Aviacionit, Komanda e Flotës Ushtarake Detare dhe institucione të ndryshme ushtarake. Në strukturën e këtyre divizioneve dhe komandave ishin të paktën 74  brigada këmbësorie (BrK);19 brigada sulmuese (BrS);8 brigada të RSHA-së (BrRSHA); 6 brigada studentore(Br St); 11 brigada tankesh (BrT),me afro 1200 mjete të blinduara,kryesisht T-34 dhe T-59; 13 brigada të artilerisë tokësore (BrAT),me më shumë se 4000 gryka zjarri; 6 regjimente të artilerisë kundër tanke (RAKT); 4 regjimente të artilerisë bregdetare (RABD), 23 regjimente të artilerisë kundërajrore (RAKA); 1 regjiment i raketave tokë- ajër, me afro 240 raketa KA; 5 regjimente të aviacionit reaktiv, 1 regjiment helikopterësh, me afro 240 mjete luftarake,120 Mig 17,19,21 dhe 36 helikopterë Mi-4,etj; 5 baza detare,1 brigadë nëndetësesh, me afro 80 katera silurues,4 gjuajtës detarë,4 nëndetëse; 3 brigada xhenjere; 1 brigadë nderlidhje; 1 regjiment i mbrojtjes kundër kimike;1 regjiment i zbulimit teknik të artilerisë; 1 regjiment i radiozbulimit; 5 baza furnizimi dhe shumë elementë të tjerë të formacionit luftarak të ushtrisë.

Sipas disa të dhënave të deklaruara pas vitit 1990, FA kishin në efektivin e tyre 16500 oficerë, 9000 nënoficerë,60000 mijë ushtarë efektivë dhe 8000 punonjës civilë,që përfshiheshin në organikat e luftës. Plotësohej edhe me 450000 mijë rezervistë, 230000 vullnetarë të vetmbrojtjes popullore. Duke llogaritur edhe strukturat e MCR, organikat e kohës së luftës të organeve të pushtetit dhe ekonomisë Shqipëria përgatiste ushtarakisht dhe mobilizonte në rast lufte afro 1 milion luftëtarë, çka përbënte një rast unikal dhe garanci të madhe për fitore në çdo konflikt ushtarak.

Në saje të një pune të madhe të bërë në dekada dhe të përvojës së fituar, në periudhën e fillimit të proceseve demokratike në vendin tonë, ushtria jonë zotëronte  kapacitete materiale e teknike, organizative, taktike dhe operativo-strategjike që, pa asnjë diskutim, ishin të krahasueshme me ushtritë e vendeve më të zhvilluara europiane