Qeveritë e Ballkanit Perëndimor, të korruptuara dhe kanë kapur shtetin

246
Sigal

Raporti: Gjykata Evropiane e Audituesve ka publikuar raportin mbi sundimin e ligjit duke theksuar se në këto vende ka shenja të qarta të kapjes së shtetit. Nuk ka rezultate të prekshme në reformat e sundimit të ligjit. Krimi, korrupsioni dhe trafiku i drogave është në përmasa alarmante edhe pse BE dhe taksapaguesit e saj kanë shpenzuar mbi 700 mln. euro

700 milionë euro të çuara dëm, BE “dështon” në reformat e sundimit të ligjit në Ballkanin Perëndimor: Nuk ka rezultate të prekshme, korrupsioni ende problem

Gjykata Evropiane e Audituesve (ECA) ka publikuar një raport të posatshëm për sundimin e ligjit në Ballkanin Perëndimor. Pavarësisht burimeve të konsiderueshme financiare të investuara nga Bashkimi Evropian qeveritë e vendeve të Ballkanit Perëndimor po bëhen gjithnjë e më autoritare. Sipas këtij raporti, shenjat e kapjes së shtetit po shfaqen gjithnjë e më të qarta. Sipas këtij raporti Bashkimi Europian ka pasur pak ndikim në avancimin e reformave themelore të sundimit të ligjit. Sipas raportit mbështetja prej 700 milionë euro është çuar dëm pasi bashkë me dialogun politik nuk kanë rezultuar të suksesshme. Raporti i ECA-s kërkon të përcaktojë nëse ky veprim ka qenë në lartësinë e detyrës.

“Në përgjithësi, ne evidentuam se teksa BE-së ka kontribuar në reformat, në fushat teknike dhe operacionale, ato kanë pasur pak ndikim të përgjithshëm në reformat themelore të shtetit të së drejtës në rajon”- thuhet në raport.

“Një arsye kryesore për këtë është vullneti i pamjaftueshëm politik i brendshëm për të nxitur reformat e nevojshme,”- shton dokumenti, sipas Euractiv.

Sipas auditorëve në rajon janë bërë disa reforma teknike dhe operacionale, por në një kontekst të vullnetit të pamjaftueshëm politik dhe mungesës së angazhimit. Mbështetja e BE-së ka qenë kryesisht e pamjaftueshme për të trajtuar problemet e vazhdueshme në fusha të tilla si pavarësia e gjyqësorit, përqendrimi i pushtetit, ndërhyrja politike dhe korrupsioni.

Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe Serbia janë kandidate, dhe Bosnje-Hercegovina dhe Kosova janë kandidatë potencialë për anëtarësim në BE. Megjithatë, të gjithë ata vazhdojnë të përballen me çështje në lidhje me sundimin e ligjit dhe të drejtat themelore. Për më shumë se dy dekada, BE-ja është përpjekur t’i ndihmojë ata në zbatimin e agjendës së tyre të reformave. Prioritetet e BE-së për sundimin e ligjit në Ballkanin Perëndimor janë të qarta dhe përgjithësisht përkthehen në veprime specifike sipas instrumentit të para-anëtarësimit.

Megjithatë, auditorët arrijnë në përfundimin se rreziqet kryesore për ndikimin e qëndrueshëm të veprimit të tij mbeten të zbutura në mënyrë të pamjaftueshme. Masat për të adresuar kapacitetet e dobëta administrative dhe vullnetin politik – që të dyja janë thelbësore – janë shumë të pakta dhe shpesh joefektive. Gjithashtu, auditorët vënë në dukje aplikimin jo konsistent të parakushteve për financimin dhe zbatimin e projektit. Në mënyrë të ngjashme, BE-ja shumë rrallë e ka shfrytëzuar mundësinë e pezullimit të ndihmës nëse një përfitues nuk respekton parimet bazë të demokracisë, sundimit të ligjit dhe respektimit të të drejtave të njeriut.

Së fundi “ Mbështetja e BE-së për sundimin e ligjit në Ballkanin Perëndimor nuk ka qenë qartësisht e suksesshme në sjelljen e ndryshimeve me shumicë ”, tha Juhan Parts, anëtar i Gjykatës Evropiane të Audituesve përgjegjës për raportin. “ Përparimi modest i bërë gjatë 20 viteve të fundit kërcënon qëndrueshmërinë e përgjithshme të mbështetjes së BE-së të ofruar në procesin e anëtarësimit. Reformat e vazhdueshme humbasin besueshmërinë nëse nuk japin rezultate të prekshme .”

Ekspertët shqyrtuan sistemin e drejtësisë, antikorrupsionin, luftën kundër krimit të organizuar dhe lirinë e shprehjes. “Formalisht, gjërat duken sikur po përmirësohen ose janë të qëndrueshme, por tendenca është ndryshe”, tha ish-kryeministri estonez, duke treguar një konsensus ekspertësh se autoritarizmi po rritet në rajon. “Disa sektorë kanë dëshmuar përparim të lehtë, por tabloja e përgjithshme në lidhje me sundimin e ligjit me të gjithë treguesit e saj  nuk reflekton ndonjë përparim, ky është realiteti,”- shtoi Parts.

Gjithsesi BE do të derdhë më shumë para për forcimin e sundimit të ligjit në Ballkan. Komisioni Evropian, duke luftuar kërcënimet në rritje ndaj vlerave të tij thelbësore demokratike në vend, ka premtuar të dedikojë më shumë fonde për programet e sundimit të ligjit për vendet në Ballkanin Perëndimor, për të ndikuar edhe në përshpejtimin të procesit të zgjerimit.