Bashkim Koçi/ Shehu i Çerrilës që priti Mustafa Matohitin

1423
Sigal

Plaku i moçëm, Baki Shehu, i cili në gushtin e këtij viti mbush plot 90 vjeç, mban aty pranë, në një vend të dukshëm, dekoratën që i kanë dërguar nga Ministria e Mbrojtjes me rastin e 70 vjetorit të Çlirimit, me firmën e Mimi Kodhelit. Ajo është “Medalje Mirënjohje”, motivacioni i të cilës lidhet me kontributin e tij gjatë Luftës NÇ, për “karrierën” si patriot e atdhetar në afro një shekull.

Plaku mjekërbardhë, veshur me rrobën e fetarit të sektit që i përket, halvetjan,  ka kaluar një jetë paksa të çuditshme. Sigurisht, “çudia” fillon tek themeli, aty ku lindi, në shtëpinë me derë të madhe në  fshatin Çerrilë të Mallakastrës, e cila, në të gjitha kohërat, ka pritur e përcjellë  jo vetëm besimtarë të zonës, por edhe të tjerë, kaçakë e luftëtarë, që i zinte nata në ato gryka e qafa malesh.

Por ajo çka ky i moshuar mundohet që ta mbajë ndezur si objekt bisede, me  të gjithë ata që i shkojnë për vizitë apo mik në shtëpi, është periudha e Luftës NÇ, koha kur iu bashkëngjit formacioneve partizane. Flet për vete, por nuk harron të thotë që në derën e Shehajve të Çerrilës hynin e dilnin si në shtëpinë e tyre patriotë e kapedanë nga të gjitha krahinat e vendit. Të parin, emrin e të cilit e përmend me një ndjesi të veçantë, është ai i baba Abaz Rabijes. Sipas tij, baba Abaz Rabija ishte atdhetar i madh, i lidhur shumë me luftën, nga edhe gjeti vdekjen nga fashistët italianë. Në teqenë e Rabijes, siç edhe është përshkruar  nga historianët ajo ngjarje, u vranë 29 fshatarë të pafajshëm, ku midis tyre edhe baba Abazi me dy dervishë.

“Të besosh është fuqia e dytë, e para është të duash”, thotë Sheh Bakiu, plaku që jeton në pleqërinë e tij të thellë. Të duket me plot filozofi kjo shprehje e tij, por kur ai shtjellon më tej ngjarjen sesi u bë  “partizani i vogël Velo”,  bindesh se ajo është e tillë, pra një shprehje e koncentruar  me plot të vërteta brenda, me “marrëzira” që nuk mund të jenë kurrë të tilla në kohë luftërash, e aq më shumë kur bëhej fjalë për fatet e vendit.

Ky plak-filozof, por edhe një besimtar i vërtetë tek Zoti, nuk  harron të thotë se mbarësitë në jetë i ka gjetur jo tek “fryma e shenjtë”, por  tek   shembulli i  “të diturve”, siç dëshiron t’i quajë ai, duke përmendur emrin e Mustafa Matohitit. Kur nxjerr e belbëzon  emrin e “Heroit të Popullit”, Shehut i shkëlqejnë sytë dhe fytyra i merr një çehre tjetër, gëzimi e hidhërimi, përzier bashkë. Ka qenë viti 1943. Ndoshta muaji dhjetor. Në darkë, vonë, paska trokitur në njërën nga dyert hyrëse, një burrë mbuluar me një kapotë të madhe, të zezë. Xhaxhai, Tetemi, ka dalë për t’i pritur dhe, ashtu si gjithmonë, do t’i ngjiste lart, në konakun e miqve ku oda ishte e mbushur cep më cep me burra, ardhur edhe ata nga fronti i luftës. Sa hapi kanatin e portës, të zotit të shtëpisë  i ishte  shfaqur  përpara syve Mustafa Matohiti, i shoqëruar me 6-7 partizanë të tjerë. E njihte mirë, kish qenë edhe herë të tjera komisari.  Bakiu në atë mot ka qenë 18 vjeç, por falë edhe kujtesës, ai tregon diçka që ka lidhje me këtë natë, e cila i është fiksuar, i ka mbetur në mendje për zgjuarsinë dhe intuitën që paskësh pasur komisari. Lart, në katin e dytë të shtëpisë, aty ku sistemoheshin dhe bëhej muhabeti i miqve, dëgjoheshin zëra. Mustafa Matohiti i njihte miqtë e shokët edhe nga zëri. Paska ardhur Zyluftar Veleshnja, qenkam me fat,- ka thënë – dhe në çast ka kërkuar të ngjitet lart, duke refuzuar  t’i bindej të zotit të shtëpisë  “për  ca sajdisje të vogla”.  Djali 18 vjeçar, tashmë plak në moshë të shkuar, mban mend që komisari, pasi është përshëndoshur me Zylyftarin, ka takuar luftëtarë të tjerë ardhur nga larg, Berat e Skrapar, si Alush Grepcka, Orhan Frashëri, Tafil Tërpani, Mitat Kuçi e ndonjë tjetër që nuk i kujtohet. Mban mend, gjithashtu, që komisar Mustafa Matohiti ka thënë që “armët  t’i varim në mur mbasi këtu, në këtë konak të Shehajve të Çerrilës, nuk kemi armiq”. Një ditë më pas, pra të nesërmen, në atë shtëpi, me pjesëmarrjen e atyre luftëtarëve, u ngrit këshilli Nacionalçlirimtar i zonës.

Nga kjo natë, pra çastin që ka dëgjuar të flasë Mustafa Matohiti për Luftën, për nazifashistët dhe tradhtarët, Bakiu ka kërkuar të ikë qysh të nesërmen,  edhe pse e ëma nuk ka dashur sepse “djali është i vogël, axhami”. Këto fjalë ia ka thënë edhe i ati, sheh Xhemali, por një partizan, komandanti Sefe Iljaz Velçani, ka ndërhyrë duke e garantuar se “nëse do të vritet kush, i pari do të jem unë pastaj djali jot, Bakiu, o Xhemal!”.

Kanë kaluar më shumë se 70 vjet dhe ky partizan-legjendë, kujton rrugën, të gjithë formacionet partizane ku bëri pjesë, duke filluar nga “zbrazja e pushkës së parë” në Çetën e Shpiragut, në Grupin e Skraparit e më pas në Brigadën e 10-të Sulmuese. Ai kujton komandantin e Brigadës, Niazi  Çepanin dhe ndërkohë i vjen mirë kur thotë se “ishte andej nga ana juaj”.

 Sheh Bakiu, edhe pse sot mban në kokë festen karakteristike të një fetari të devotshëm halvetjan, nuk harron të kujtojë dhe të deklarohet se mbetet besnik i asaj lufte të lavdishme, nga më të shenjtat e të gjitha luftërave që janë bërë në këtë vend. Ajo nuk ishte vetëm luftë për të shporrur pushtuesit, por edhe diçka më shumë se kaq, thotë plaku, tani pas shtatë dekadash. E ka fjalën tek puna emancipuese, tek përpjekjet për arsimim e shumë veprimtari të tjera që, siç dëshiron t’i quajë ai “u kishin  sjellë në mendje e në zemër përfytyrimin e një bote tjetër, të një Bote të Re”.  Shehut i mbushen sytë me lot teksa përmend emrin e një vajze, Mahije Vithkuqit, e cila në vitin 1943, gjatë kohës që ishte partizan, i kish hapur sytë, i kish mësuar shkrim e këndim. Sepse ngjyra e lapsit të nxënësit është më e shenjtë se gjaku i luftëtarit, filozofon Shehu i Çerrilës, për t’i dhënë rëndësinë që meriton mësimit të abc-së. Për një çast, Shehu i Çerrilës mban frymën dhe mbasi na shikon me plot syrin, zë e thotë një shprehje të huajtur nga lashtësia, e cila, mesa di unë, është e Herodotit: “Në paqe djemtë varrosin baballarët. Në luftë baballarët varrosin djemtë”.  Më tej ai belbëzon e sjell si një mallkim për të gjithë ata, shtete apo personalitete politikë, që janë shkaktarë të luftërave, për të gjithë ata që nxisin armiqësi midis popujve. Ju nuk e dini, dhe nuk ka si ta dini, biri im, se ç’ është lufta, çdo të thotë të shikosh shokun të gjakosur apo të vrarë, thotë disi mendueshëm Shehu. Në çlirimin e Tiranës, ai, bashkë me shokë, kanë marrë detyrën për të mbledhur kufoma ushtarësh, të vrarë gjatë atyre ditëve. Shehu na thotë sesi doktor Ymer Dëshnica i kish “trajnuar” për të përballuar këtë punë të vështirë. Pastaj mendohet pak, ngre kokën dhe duke na parë në sy thotë diçka si për ta mbyllur këtë temë: “I mallkuar qoftë ai i cili i pari e zbuloi luftën!”.Mbi 70 vjet veprimtari në jetën e njeriut nuk janë pak. Madje, kur këto vite-jetë nisin me luftëra, vazhdojnë duke kontribuar në fusha të ndryshme, herë-herë pa përvojë, por i kryen mirë, ashtu si personazhi i këtyre radhëve, Baki Shehu, do të thotë  se e ke mbyllur me faqe të bardhë. Këtë e pranon edhe plaku i moçëm, i cili ndjehet zemërplagosur me atë që i ka ndodhur Shqipërisë në këto 25 vjet demokraci. Nuk ecet përpara me kokën pas, thotë plaku i mençëm. E ka fjalën për politikanët tanë të këtij çerek shekulli, të cilët, sipas tij, nuk kanë ndërtuar asgjë, nuk i kanë sjellë qoftë dhe një të mirë të vockël vendit. Pastaj, si për të ironizuar klasën politike të këtyre viteve, na thotë: “Nuk kanë faj. Kur mungon tigri, edhe majmunët bëhen mbretër!”

Shehu i Çerrilës , ky ish partizan  i cili  jeton ende me vitet e luftës, beson tek ajo që, siç thotë ai “Unë besoj se e nesërmja është ditë e re dhe se unë besoj në mrekulli!”