ARKIV V/ Rrëfimet e Maqo Bletës: Nga zyra e zv/ministrit në zyrën e drejtorit të Uzinës Dinamo. Incidenti i protokollit me amerikanët në varrimin e Mao Ce Dunit dhe “spastrimet” e Hysni Kapos

155

Grupit “armik” në ekonomi, ankthi në pritjen e prangave

(Vijon nga numri i kaluar)

Vitet 1974-1976 ishin të vështira për njerëzit që drejtonin ushtrinë dhe ekonominë shqiptare. Zbulimi i dy grupeve armiqësore e s’kishte lodhur shtetin. E ndërsa Hysni Kapo nga zyra e tij në Komitetin Qendror, bënte shkarkimet dhe emërimet e reja, Sigurimi i Shtetit vazhdonte arrestimet sipas listës së përcaktuar më parë. Kjo ishte situata e paqëndrueshme në Shqipëri, në kohën kur Maqo Bletës iu afrua posti i zv/ministrit të Industrisë. Gjatë intervistës së tij në “Telegraf” ai rrëfen:

Si e pritët emërimin si zv/ministër i Industrisë dhe Minierave?

Në fakt unë isha përgatitur të më ulnin në detyrë dhe kjo ishte një surprizë. Kur Hysni Kapo më lexoi letrën ku thuhej se me vendim të Byrosë Politike të Komitetit Qendror emërohesha zëvendësministër i Industrisë dhe Minierave, mbeta i shtangur. I thashë shokut Hysni, se unë isha ende i ri për të pasur një pozicion kaq të rëndësishëm. “Nuk e bëj dot”, i thashë.

Si reagoi Hysni Kapo?

Ai mbajti një qëndrim shumë të rreptë, madje cinik dhe më tha: “Do të shkosh atje ku të thotë Partia”. As nuk më dha dorën. Unë dola i trembur nga zyra e tij. Për më tepër edhe situata ishte shumë e rëndë.

Çfarë kishte ndodhur?

Kishin dalë “grupi armiqësor” i Beqir Ballukut, dhe ishin bërë në masë arrestime në radhët e ushtarakëve të lartë. Pas kësaj ishte zbuluar dhe “grupi armiqësor” në ekonomi me Abdyl Këllezin, Koço Theodhosin në krye.

Ju e filluat detyrën gjithsesi…?

Pas dy javësh u paraqita në ministri se kisha frikë çfarë do të ndodhte. Në ministri ishte vetëm Koço Theodhosi, të tjerët ishin zhdukur. Ndërsa zëvendësministrat ishin shkarkuar, një kishte përfunduar në burg, e tjetri në arrest shtëpie. Dhe Koço Theodhosi vetë ishte në prag të arrestimit. Me pak fjalë ishte një gjendje tepër e rëndë. Megjithatë u detyrova, shkova në ministri.

Po ju vetë si e kishit situatën?

Pavarësisht punës me përkushtim që kisha bërë, unë duke ditur këtë gjendje mendova, me siguri do të më vijë edhe mua radha të më arrestojnë. Për mua qe jo një tragjedi, por një punë shumë e rëndë. Në ato kushte të gjithë prisnin kur do të arrestohej njëri e kur do të arrestohej tjetri. Ministria heshtte dhe ishte në ankth. Por gjithsesi punën e fillova me përkushtim, sepse për këtë isha emëruar në detyrë.

Cili do të ishte eprori i ri pas Kiço Theodhosit që do të vinte në krye të ministrisë?

Atëherë, pas nja një muaj vjen ministër Pali Miska. Ai ishte njeri shumë i mirë për mua, por ishte tepër i dashur edhe me stafin. Dhe kështu ndamë detyrat në ministri, çfarë do merrte ai e çfarë unë. Ai mori tre drejtori kryesore në ministri, që qenë drejtoria e naftës ajo e drurit, sepse ai ishte në sektorin e tij, mori dhe drejtorinë e gjeologji-minierave. Kurse mua më mbeten 13 drejtori të tjera, ajo mekanike, metalurgjike, kimike, kishte dhe drejtori administrative. Por puna ishte e madhe, me stres dhe presione nga të dyja anët, edhe nga sipër, edhe nga poshtë. Atëherë u mendua të shtoheshin zv/ministrat. Dhe pasi erdhën edhe tre zëvendësministra të tjera, mua sërish më mbetën mbi supe këto drejtori. Kisha një ngarkesë shumë të madhe pune e nuk e përballoja dot. Them me plot bindje se bënim pushim vetëm një të diel pas dreke, se edhe paradite punonim.

Për ca kohë do të mbanit postin e zv/ministrit?

Si zëvendësministër të Industrisë, Energjetikës dhe Minierave ku punova rreth dhjetë vjet, deri nga viti 1985. Në ato kohë funksiononte shumë “qarkullimi” i kuadrove. Pra nuk të linte njeri më shumë se 5-së vjet në një vend pune. Unë qëndrova 10-vjet, dhe ky ishte një nga rastet e rralla.

Ku do të emëroheshit këtë herë?

Sipas qarkullimit të atëhershëm të kuadrove, më çuan në fillim nëndrejtor të Uzinës Dinamo, pastaj drejtor. Punova atje katër vjet, atje dhe për disa punë shumë të mira, mbi të gjitha bëra një organizim të ndërmarrjes sipas parametrave të kohës. Por edhe këtu puna do të më mbeste përgjysmë, pasi më qarkulluan sërish.

Po këtë herë cila ishte surpriza e radhës?

Më tej më emëruan në Uzinën e Porcelanit si drejtor i përgjithshëm, megjithëse nuk më përkiste mua si profesion. Sepse në fakt atje duhej një kimist më shumë. Por partia urdhëronte dhe ishim të detyruar ta zbatonim. Si punova dhe atje për katër vjet, nga viti ‘93 apo ‘94 doli një ligj, 24­/1 dhe më shkarkuan, mua si dhe nja 30 drejtorë të tjerë të Tiranës.

Në kushtet e Shqipërisë kapitaliste, me çfarë do të merreshit?

Në kushtet e ekonomisë së tregut jam marrë me punë të ndryshme, më shumë si koordinator mes bizneseve dhe kështu pak a shumë e mbylla, e sot jam në pension”.

 

Në ceremoninë e varrimit të Mao Ce Dunit

 

Incidenti i protokollit, shqiptarët në krah të amerikanëve

Më 9 shtator 1976, kryetari i shtetit kinez, Mao Ce Dun, u nda nga jeta. Për ceremoninë mortore të tij nga të gjitha anët e globit vërshuan delegacionet. Ndërsa protokolli i shtetit kishte përcaktuar radhën dhe vendosjen e tyre. Kurora kishte sa të duash. Për timonierin Mao, ishte vënë në dispozicion gjithçka. Ja si e kujton një episod të tillë Maqo Bleta, i cili u ngarkua me punë si kryetar i delegacionit shqiptar, për të vendosur një kurorë me lule  mbi trupin pa jetë të perëndisë së re kineze: “Në atë kohë unë ndodhesha në Kinë në zbatim të kontratave që ishin nënshkruar midis dy qeverive në 1968. Ishte një qëndrim i gjatë 4-5 mujor. Dhe në këtë kohë ndodhi vdekja e kryetarit Mao. Për kinezët vdekja e tij ishte vdekja më e madhe e kombit, sepse sipas shtypit të asaj kohe, për ta Mao Ce Duni qe një idhull ose në mënyrë figurative, në qoftë se në qiell kishte një perëndi, për ata ai ishte perëndia e dytë. Madje në Kinë, Mao Ce Duni ishte kryetar i Komitetit Qendror, kurse në asnjë institucion nuk figuronte emri i kryetarit, por funksiononte emri i nënkryetarit, për shembull “nënkryetar i kuvendit” apo i “institutit”. Sepse kryetar për Kinën ishte vetëm një. Dhe ai ishte Mao. Me porosi të qeverisë unë u caktova në krye të delegacionit, e u dha porosia që të merrnim pjesë në ceremoninë madhështore që u bë për varrimin e tij në godinën e Asamblesë së Popujve siç e quanin ata dhe të vendosnim një kurorë në varrin e tij. Godina e Asamblesë së Popujve ishte një godinë shumë e madhe ku kryente funksionet parlamenti. Mirëpo qëlloi atje që në fillim ishte delegacioni amerikan e pas delegacionit amerikan vinte ai shqiptar. Sepse protokolli i kishte vendosur shtetet sipas alfabetit. Unë e dija këtë rrezik sepse ceremonia ishte e gjitha e regjistruar dhe transmetohej. Atëherë insistova që të ndërroj pozicionin e vendosjes së delegacionit tonë në një distancë të caktuar nga delegacioni amerikan. Mirëpo ishte e pamundur të ndërrohej protokolli. Kinezët ishin shumë strikt në gjëra të tilla. Unë bëra disa takime të shpejta duke u ankuar dhe me shumë vështirësi arrita të zhvendosja një rresht mbrapa delegacionin shqiptar. Vetëm kështu kisha mundësi të justifikohesha. Sepse e dija që sa të kthehesha në Shqipëri pyetja e parë që do të më bëhej ishte: “Çfarë doje t’i përkrah delegacionit amerikan?”. Domethënë ishte një situatë shumë e vështirë në atë kohë udhëheqja e Partisë së Punës edhe gabimin më të vogël të bëje ta quante “gabim politik” edhe kishte masa ndëshkuese shumë të rrepta. E kështu u kapërcye kjo situatë. Kur e raportova këtë situatë, pas kthimit në Shqipëri, më thanë: “Ke vepruar drejtë.” Ndërsa nën zë më thanë: “Po të mos kishe vepruar kështu do të kishe pasoja”.

Familja e inxhinierit

Rudina, vajza shkencëtare që mahniti francezët

Ai është i martuar dhe me dy fëmijë. Duke folur për familjen e tij Maqo Bleta thotë se gjithsesi ka qenë me fat: “Unë jam martuar me Vilmën. Jo se është bashkëshortja ime, por nga natyra ajo është një grua shumë e ëmbël, e komunikueshme, e çiltër dhe e dashur. Punoi për 25 vjet si sekretare e të gjithë drejtorëve të Përgjithshëm të Radio-Televizionit Shqiptar. Ka ndërruar gjithsej nja 10 a 12 drejtorë. Punonte në mënyrë të ndërgjegjshme dhe përkushtim të lartë. E mësoi organizimin e punës në RTSH në mënyrë të përsosur, aq sa shumë gjëra ia linin Vilmës t’i bënte. Nga ajo kanë mësuar edhe dy vajzat. Njëra është Julia ka mbaruar Fakultetin e Gjuhëve të Huaja, Dega anglisht. Sot është e martuar e jeton në Montekarlo, me dy fëmijë. Ajo perfeksionoi gjuhën angleze, paralele atë spanjolle, italishten e frëngjishten. Sot punon përkthyese ligjore në gjykatë. Ndërsa vajza e vogël Rudina. Ajo në vitin e tretë kur vazhdonte Fakultetin për Informatikë, në Universitetin e Bordosë në Francë, në provimin e matematikës dhe të fizikës mori 115 pikë, nga 100 pikë maksimale që janë zakonisht. 15 pikë quhen të profesorit. Me këtë rast e thërrasin në dekanat dhe i thonë: Ti informatikën e ke. Ne të propozojmë një degë më shkencore dhe i ofruan fizikën e ngurtë dhe kimi biologjike. Dhe pas 13 vite studimesh duke përfunduar kimi-biologjinë dhe fizikën e ngurtë, duke bërë masterin dhe tre vjet doktoratën, tashmë po realizon post doktoraturën. Sot punon në aero-spacialin francez. Kur ka mbrojtur doktoratën juria dha këtë vlerësim: “Në mënyrë unanime prezantimin e punimeve të Rudina Bletës, e cila prezantoi qartësisht rezultatet kryesore të tezës. Ajo tregoi një zotësi të shkëlqyer shkencore të një subjekti pluri-disiplinor që kërkon përdorimin e multiteknikave eksperimentale në fushën e kimi-fizikës, të materialeve të ngurta. Në sintezën e materialeve mezo-porozë, ose gjysmë porozë të gjenetarët së fundit dhe në aplikimin e tyre në fushën e biologjisë. Kandidatja bëri një sintezë koherente të një sasie pune të konsiderueshme që u përkthye në një prezantim gojor, ku ajo vlerësua nga muniskripti, gjë që tregon kualitetet e saj të larta pedagogjike. Kandidatja u gjet para një debati me pyetje nga të gjitha degët dhe ajo iu përgjigj në mënyrë bindëse dhe të shkëlqyer. Në konkluzion, zonjushë Rudina Bleta posedon të gjitha kualitetet e larta shkencore të kërkuara për të realizuar kërkime të mëtejshme shkencore të një niveli të lartë gjë që i lejoi të marrë të gjitha përgëzimet dhe vlerësimet e jurisë”. Dhe më pas ka një shënim të veçantë ku thuhet: “Teza lejohet të publikohet direkt pa modifikime”. Kjo është e rrallë sepse në përgjithësi propozohen korrigjime dhe modifikime në tezë. Ja kjo është Rudina”

Jetëshkrimi

Nga uzina e traktorëve në zyrën e zv/ministrit

Duke folur për vitet e punës së tij në fushën e industrisë mekanike, Maqo Bleta thotë: “Sapo mbarova studimet u emërova në Uzinën Mekanike në Shkodër, punova nja tre-katër vjet, pastaj më dërguan për specializim në Republikën e Kinës, për të marrë eksperiencë për prodhimin e traktorëve. Atje qëndrova një vit e gjysmë. Pas kësaj periudhe u ktheva dhe u emërova kryeinxhinier në Uzinën e Autotraktorëve në Tiranë dhe atje punova nga viti ‘65-‘75 dhe nga viti 1975 u emërova për gjashtë muaj drejtor i Uzinës Mekanike të Kombinatit Metalurgjik. Më pas me një vendim të Byrosë Politike më emëruan zëvendësministër të Industrisë, Energjetikës dhe Minierave ku punova rreth dhjetë vjet, deri nga viti 1985. Më pas më emëruan drejtor të Uzinës Dinamo. Punova atje katër vjet, e më tej shkova në Uzinën e Porcelanit si drejtor i përgjithshëm. Si punova dhe atje për katër vjet, nga viti ‘93 apo ‘94 doli një ligj, 24­/1 dhe më shkarkuan, mua dhe nja 30 drejtorë të tjerë të Tiranës. Sot jam në pension”.