“Agjentja e Vatikanit”

557
Gëzim Llojdia

Foto e fshatit Nartë, viti 1918
Narta është fshati, që fillin e ka të lidhur me lagunën. Në dajlan gjuhet peshku, kapen ngjala që të llapashitet nëpër duar. Vreshtat e Nartës kanë ajkën e verës, që të zë trutë. Verë e kuqe, brusko, e athtë. Që prej motesh në këtë vend familja e Mihal Papës kishte mbjellë 560 rrënjë ullinj, kishte 40 dynym tokë, shtëpi dykatëshe që popullohej nga 3 djem dhe katër vajza. Kështu, Narta është kjo vendlindja me vreshta të harlisura, mbytur nga gjelbërimi, ishulli i Zvërnecit , laguna me gjallesa, mbrëmjet e largëta. Prisni këtu lindi, ajo, që shkoi për t’u kuruar dhe u kthye e gjeti vdekjen në vendin e saj. Dosjet e sigurimit u frymëzuan, duke shtrembëruar të vërtetën, duke vendosur frikë, ankth, por e vërteta, që njohin vendasit është e vërteta e shuarjes së saj. Ajo, në listën e vdekjes, ishte që ditën, që mëriti, ngase regjimi nuk i shikonte me sy të mirë intelektualët.

Shkurt nga migrimi
Quhej Harikli Papa. 9 vjeçe e bukura vajzë, si kumbull, shtatë hedhura me ecjen si zog dhe me sy kristali, thurte ëndrra lumturie, por ftohet nga dimër keqi dhe në krah të të atit,përfundon në Itali, për t’i shpëtuar sëmundjes. Në Bergamo, tek miku Xhakomo, Harikli gjeti strehë, për 26 vjet. Me fillimin e Luftës, komunikimi u ndërpre. Gjatë këtyre viteve, Harikli rritet, formohet dhe Xhakomo kur e sheh të rritur mobilizoi gjithë financat e tij,që vajza shqiptare e tretur nga ftohta, të merrte veten dhe të arsimohej. Ajo asnjëherë nuk pushon së besuari se vendlindja e saj, atdheu që gjendej në luftë dikur do të çlirohej dhe ajo, do të kthehej, përsëri në vendlindje. Harikli studion frëngjisht dhe italisht, ndërkohë ka mbaruar Lufta. Vajza nuk e dinte se në Shqipëri, i ati kishte pësuar fatin e shpronësimit, për të mos ndërprerë buzagazin e vajzës,që ishte në prag të fikjes, mori vendimin që të mos i tregonte asgjë. Në vitin 1950,nëpërmjet zyrës së informacionit, mbas 7 vjetësh, vajza i përgjigjet. Ishte ndërkaq 15 vjeçe, me një lumturi qiellore. Përgjigja ndriçon rrugën e gremisur nga lufta.

“Ndodhem në Bergamo, mos u bëni merak.”
Ajo ka gjetur ndërkaq strehë tek murgeshat. Pasuria intelektuale e kësaj vajze të bukur, thellësia shpirtërore e kanë bërë,që të preferohet midis të tjerave dhe emërohet mësuese në fshatin Gazinuk të Bergamos. Gjatë kësaj kohe, familja rivendos korrespodencën dhe e malluar për të bijën, kërkon që ajo të kthehet në Atdhe. Ajo përgjigjet se ka shumë kohë,që ëndërron dhe është e emocionuar. N ë vitin 1960 oficeri i marinës merr takim në Padova të Italisë, me autorizimin e prindërve dhe me miratimin e të dy palëve,vajza kthehet në vendlindje . Bukuria e saj, shpirti i pasur filluan të vënë në lëvizje, jo vetëm vendlindjen, vendin përrallor me ishullin, por me dajlanin, që regjimi e kishte rrethuar me tela me gjemba.

Kthimi i bukuroshes
E krehur me flokët me vijë në mes, me zërin plot joshësi me mirësi në sy, e veshur me një fustan të bardhë me pika të zeza me një botë të pasur shpirtërore, kjo ishte e motra kur mbriti në Nartë, mbrëmjen e shtatorit 1961, tregon i vëllai i Hariklitit. Banorët e fshatit e pritën jashtë gjithë kureshtje, ishte hera e parë që një vajzë fshati vinte nga përtej detit, pas një mungese 20 vjeçare. Të parën gjë që kreu ishte porosia e Xhakomos: Mesa dimë ne atje sundojnë komunistët,po ta ndiesh veten keq duhet të dalësh në fotografi shtrirë. Dhe ajo ashtu bëri. Doli shtrirë duke pasqyruar diellin e regjimit të mbuluar prej kohësh nga re të zeza si vera e mbyllur në qelq. Por a mundej të kyçej Zoti, brenda katër mureve? Rrëfen i vëllai se Harikliti thoshte: Këtu ndodhin gjëra të papëlqyera, të cilat unë nuk i shikoj dot, më mirë të vdes. Jashtë në Itali ishte tjetër botë. Si do të na vejë halli? Në shtator filloi punën si mësuese në gjimnazin Halim Xhelo në hyrje të qytetit. Kthehej nga shkolla dhe mbyllej brenda katër mureve të ftohtë të shtëpisë. Bukuroshja gjatë kësaj kohe kishte abstraguar një gjendje të rëndë shpirtërore.

Pse kam qenë jashtë, paskam faj?!
Policia sekrete pas mbritjes së saj nisi survejimin. Në dosjen e saj fokusoheshin të dhëna. Një mëngjes pas shkolle, thirret nga kryetari degës së brendshme, i cili i thotë, që ajo të bëhet bashkëpunëtore e sigurimit. Bile, kryetari i ka kërkuar me presion, që ajo të jetë bashkëpunëtore, për të vëzhguar Vatikanin, ngase dyshohej, kishte ardhur nga Italia, ishte strehuar tek murgeshat të cilat merrnin në mbrojtje njerëzit në nevojë. Po atë mbrëmje Harikli Papa i ka thënë të atit se është në udhëkryq, se nuk mund të veprojë jashtë ndërgjegjes së saj, se i vjen turp dhe keq, sepse në botë nuk merren me këto gjëra, që i propozohen nga sigurimi i shtetit shqiptar. “Unë jam fetare, në kuptimin, që besoj dhe në ungjill thuhet se nuk duhet t’i bëj keq tjetrit, se ky është mëkat i madh që dënohet nga Zoti. Unë jam brumosur me këtë brumë dhe ndryshe nuk mund të bëjë. Harikli Papa,pozicionohet ne përgjigjen :JO! Për hakmarrje, policia sekrete përgatit mynxyrën, rrënimin e saj dhe planifikon vrasjen tragjike të saj.

Kronikë e një vrasjeje të paralajmëruar
Më 18 gusht 1965, Harikli Papa, kthehej e vetme në shkollë, ecte më biçikletë si zakonisht. Në kthesën, pranë Pusit të Mezinit, goditet nga një makinë “Skodë”, nga pjesa e prapme e saj, nga rimorkio me targë Dr…..Ju thye boshti kurrizor. Në spital i thotë të vëllait Th. Papa se, nuk kishte faj, por një shofer e kishte goditur, mundet qëllimisht. Vdiq brenda ditës e vrarë nga dora kriminale e policisë sekrete, e cila e kishte dënuar, pse nuk kishte bashkëpunuar me atë. Sipas studiuesit F. M . Rrapaj, që e ka njohur, thuhet se bukuroshja ia ka shpjeguar gjithçka, i ka thënë se “këta më shikojnë me sy të keq, duan të më vrasin, kam frikë! Këtu nuk jetohet,tjetër ishte Italia. ”

Vrasja e dytë
Mbas vdekjes,policia sekrete përhapi fjalë se Harikli Papa ishte agjente e Vatikanit, por nuk përfundoi misionin e ngarkuar, prandaj Vatikani i kurdisi vrasjen. Këto fjalë u përhapën në të gjithë krahinën, së bashku me thëniet: “se agjentët që nuk zbatojnë detyrat e ngarkuara, kështu e pësojnë. Ja cila është feja, ja cili është Vatikani”. Dhe për të bërë më të plotë kuadrin, një vit më vonë, vijnë në Nartë për të diskretituar të atin e bukuroshes së pafajshme. “Ne e dimë se jot bijë ka qenë agjente e Vatikanit, edhe ti ashtu je, por ne nuk të fusim në burg se je kërmë dhe na qelb burgjet tona, të cilat janë qendra edukimi.” Zor të besohej edhe në atë kohë se një vajzë si ajo e kulturuar dhe e bukur të ishte agjente. Mjaft e besuan dhe thoshin, se “Vatikani ka njerëzit e tij këtu në Shqipëri, që nuk na e duan të mirën”.Policia,çdo gjë e kishte përgatitur mirë. Ndërkohë, Harikli e pafajshme,pa e gëzuar rininë e saj, u dogj për jetë se nuk pranoi të kryente misionin,që kërkonte policia sekrete e cila edhe pas vdekjes mundohej t’i harrohej varri, por familja që i lau qefinin, të pastër e mbante varrin në lagunë. Mirëpo lufta më absurde rrënimtare e klasave përvijohej më tej. Ende dyshohej se ajo bukuroshe ishte agjente e Vatikanit.,se ai e kishte vrarë.Policia sekrete e regjimit, pas kërcënimit e vrau Hariklitin e pafajshme. Dy herë të vrarë, dy herë e pafajshme. Ky gusht, që pret mbrëmje vere, ku dielli perëndueshëm zbret në lagunë është i tridhjeti vit nga koha e largimit të saj. Të vërtetat që sollën familjarët nga Greqia erdhi i vëllai me foton e saj në dorë dha mundësi, për të rizgjuar të vërtetën mbi bukuroshen e Nartës,që ishte një vajzë e pafajshme, por e masakrua mizorisht prej policisë sekrete. Kur kam pyetur,një herë,pas viteve ’90:

-Pse të mos besojmë se ajo ishte dërguar prej Vatikanit?
Një i afërm i saj më tha: “Po të ishte kështu,Vatikani do të ishte interesuar për atë, por askush s’erdhi në varrezën e lagunës. Në varrin e saj nuk u shfaq asnjë murg i asaj kishe,dhe s’kishte arsye. Në varrin e saj është varrosur pafajësia. Kështu, kur muzgjet puthin lagunën dhe ngjalat llapashiten në liqen,vetëm engjëjt në mugëtirë vizitojnë varrin e një bukuroshe të pafajshme.