U lind në fshatin Sopot të Zerqanit të Dibrës, në prill të vitit 1912. Ai rridhte nga një familje patriote dhe shumë arsimdashëse. Jashari me gjithë të motrën, Tixhen, mbetën jetimë që në moshë fare të vogël, sepse u vdiq i jati, Selmani. Xhaxhai i tyre, Qerimi, që drejtonte familjen, si zot shtëpie, bëri çfarë ishte e mundur me kujdesin, përkushtimin e dashurinë për fëmijët e vëllait, që ata të mos e ndjenin veten jetimë. Qerimi, ndonëse djalin e tij, Izetin nuk pati mundësi ta dërgonte në shkollë, sepse e nisi për në kurbet, në Stamboll, për të siguruar të ardhura për familjen, në ato kohëra të vështira me luftëra e kriza ekonomike, Jasharin, si djalë i vetëm i të vëllait, e dërgoi në shkollën 5-vjeçare të Zerqanit. Në shkollën fillore të Zerqanit, Jashari u dallua, ndër të gjithë nxënësit e kësaj shkolle/ (L.Hanku, “Yje të pashuar” Vëll. IV, Faqe 72-75) Pasi mbaroi shkollën fillore të Zerqanit u regjistrua në shkollën e mesme veterinare të Tiranës, të cilën e mbaroi, në vitin 1937. Në vitin 1931, Jashari u martua me Nazife Metën nga Zerqani, ndërsa e motra Tixhja u martua me Tahir Alliun ne Strikçan. Në vitin 1937 u njoh me Vasil Laçin. Po këtë vit u emërua me punë në Peshkopi, por e pushuan nga puna si veteriner pas një viti, pasi kishte paraqitur shënja pakënaqësie ndaj regjimit zogist. Jashari ishte i sjellshëm e i dashur me të gjithë. Ai ishte jo vetëm i pashëm e i qeshur, por edhe i apasionuar pas këngëve popullore, veçanërisht pas këngëve të Isuf Myzyrit, që kur i këndonte me shokët e tij në kullën e Kolajve, i dëgjonte edhe mëhalla. Me këto u rrit edhe nipi i tij Lahimi, ai që do të bëhej një nga muzikantët më të mirë të orkestrës së ansamblit dhe estradës së Peshkopisë. Jashari bleu një sharki në Tiranë dhe ia solli Isait, djalit të madh të Izetit, që t’i shoqëronte kur këndonin. Me djalin e xhaxhait, Izetin, nuk i ndante gjë, më shumë se të ishin vëllezër, aq sa vishnin dhe rrobat e njëri-tjetrit. Pushtimin fashist e priti me indinjatë të thellë , ndaj menjëhrë u aktivizua me Lëvizjen Antifashiste Nacional Çlirimtare. Kthehet në Sopot. Fashistët e kërkojnë për ta veshur karabinier, por Jashari nuk pranoi. Me ndihmën e një miku në fillim të vitit 1940 siguroi një punë në Tiranë si nëpunës veteriner. Këtu ai ra në kontakt me Mihal Durin dhe me shokët e tij guerilas. Por aktiviteti i tij ra në sy të spiunëve të SIM-it dhe kështu e burgosin. Në fillim e burgosin në burgun e Tiranës dhe më pas dërgohet në kështjellën mesjetare të Gaetas, të Italisë. Këtu ai përsëri u njoh me shokë të tjerë të internuar sikurse ai. Ata i dhanë literaturë italiane dhe e brumosën akoma më shumë për rrezikun fashist që i kërcënohej botës dhe vendit tonë. Pas qëndrimit prej 17 muajsh burgosje, lirohet në nëntor të vitit 1941. Pas kthimit në atdhe, ai e intensifikoi edhe më shumë aktivitetin e tij antifashist. Për t’ju shmangur arrestimit në fillim të vitit 1942 u vu në lidhje dhe u strehua tek Baba Faja në Martanesh. Nazifja, bashkëshortja e tij, tregon se në udhëtimet e tij natën dhe në takimet e tij me Baba Fajën ai më kërkonte që të mos e dinte asnjeri, as ne njerëzit e shtëpisë. Në fillim u rradhit me forcat e Haxhi Lleshit dhe më pas me formimin e Çetës Vullnetare Territoriale të Grykës së Madhe, në mars të vitit 1943 u bë pjesë e kësaj çete dhe, më 26 korrik 1943 edhe pjesë e Batalionit Partizan të Dibrës.(Xh. Krifca, “Kujtime”, faqe 69) Në këtë batalion dhe në këtë çetë mori pjesë në shumë aksione e luftime si në betejën e Sofraçanit, për çlirimin e Zerqanit etj. Por trimëria dhe heroizmi i Jashar Kolës shkëlqyen në luftën për çlirimin e Dibrës së Madhe. Me 31 tetor forcat gjermane në bashkëpunim me forcat e Xhem Hasë Gostivarit sulmuan Dibrën e Madhe, për ta patur nën hegjemoninë e tyre. Sulmi filloi mbi Kishën e Varoshit në mesditë, për të siguruar befasi. Jashari nga pozicionet e luftimit, nga ndërtesa e shtabit partizan, nëpërmjet telefonit luftarak raportonte: “Po qëndrojmë heroikisht, jemi me moral të lartë, pozicionet nuk i lëshojmë”. Ai kalonte nga dritarja në dritare dhe qëllonte pa pushim. Armiqtë kur e panë se nuk po e merrnin dot ndërtesën e shtabit, deshën t’i vënë zjarrin. Haki Stërmilli në ditarin partizan, faqe 109, shkruan: “Njoftohemi se armiqtë po hedhin shishe me benzinë e lecka kundër godinës së shtabit, për me i djegë brenda heronjtë që qëndrojnë e luftojnë tuj këndue”. Katet dhe korridoret e ndërtesës u shëndrruan në transhe e dritaret në pozicione. Partizanët nuk thyhen. Populli kësaj qëndrese i ka kënduar:

Partizanët qëndrojnë si kalaja

S’ka ç’u ban topi, s’ka ç’u ban mortaja…

-Shokë, ka rënë zjarr në katin e parë nga lindja! thirri Jashari dhe vrapoi i pari.

-Dorëzohuni se do t’ju djegim brenda! S’keni shpëtim!-bërtisnin dhe thirrnin armiqtë.

-Partizanët nuk e kanë zakon të dorëzohen, o të shitur,-thirrte Jashari dhe vazhdonte betejën.

Armiqtë hodhën kundër tyre mijëra predha armësh, qindra bomba dore dhe shishe me benzinë por u thyen nga partizanët trima të njësitit të Zerqanit Jashar Kola, Thoma Harito, Destan Meta, Merdan Sefa, Ismet Sula, Ali Danga, Asllan Vorfi dhe dy partizanë italianë. Flaka sa vinte e shtohej dhe gjuhët e saj zgjateshin e ua ngushtonin fushën e pamjes dhe të veprimit partizanëve.

-Shokë, sillni kova me ujë nga bodrumi, thirri doktori i batalionit. Partizanët sillnin kova me ujë për të shuar flakët dhe për të vazhduar betejën. Plagoset Asllan Vorfi. Shokët i japin ndihmën e parë. Armiqtë i afrohen dritareve dhe qëllojnë nga dritaret direkt drejt partizanëve. Një plumb goditi Jasharin që udhëhoqi qëndresën për 4 ditë e 4 netë në këtë kala partizane.

Ndaj populli e ka përjetësuar në këngë këtë heroizëm të pashoq:

“Për liri këtu ka ra Jashari

E goditi-o një plumb barbari

Shqipërisë ia fali rininë

E dha jetën për Shqipërinë…”.

Komanda partizane duke parë se njësiti partizan ishte në rrezik afroi forca dhe ndihma të tjera për të shpëtuar të rrethuarit dhe si rezultat armiku u tërhoq duke lënë 153 të vdekur dhe afro 110 robër. Edhe muret, edhe hekurat e ndërtesës ishin shkatrruar nga plumbat, ndërsa partizanët qëndruan… Shkrimtari dhe luftëtari Haki Stërmilli e krahasoi qëndresën e Jashar Kolës dhe të 10 shokëve të tij me Oso Kukën. Ai shkruan: “Sulme të dëshpërueme bajnë armiqtë kundër ndërtesës së shtabit, ku asht ngujue Jashar Kola me 10 shokë si Oso Kuka në Kullë të Vraninës”. Sot eshtrat e Jasharit prehen në varrezat e dëshmorëve të Atdheut. Emri i tij është përjetësuar. Shkolla 9-vjeçare në Sopot mban emrin “Jashar Kola”. Një rrugë në qytetin e Peshkopisë mban emrin e dëshmorit Jashar Kola.

 

Lufta e Dibrës Së Madhe

Pas kapitullimit të Italisë fashiste, qyteti i Dibrës së Madhe ndodhej në duart e forcave partizane, kryesisht të batalionit partizan të Dibrës. Por ky qytet i rëndësishëm, më i rëndësishmi në zonën verilindore të Shqipërisë ishte vënë në planin e forcave gjermane dhe të bashkëpunëtorëve të tyre për t’u pushtuar me çdo kusht. Pas mbarimit të Luftës së Peshkopisë, më 22 tetor 1943, në Peshkopi mbeti vetën Çeta e Sllovës, ndërsa tre çetat e tjera të Batalionit të Dibrës u grumbulluan në Dibrën e Madhe, ku u bë lidhja me batalionin e Martaneshit dhe atë të Çermenikës për të organizuar mbrojtjen e Dibrës së Madhe. Me datë 1 nëntor 1943 mblidhet Shtabi i batalionit të Dibrës me komandant Haxhi Lleshin, komisar Njazi Islamin, Zv.komandant Esat Ndreun dhe Zv.komisar Prokop Murrën. I dërguar i Qendrës ishte Sotir Vullkani. U muar vendimi për organizimin e çlirimit të Dibrës së Madhe dhe për mënyrën e shpërndarjes së forcave së tre batalioneve, të Dibrës, Martaneshit dhe të Çermenikës. Forcat partizane përbëhehin nga batalioni partizan i Dibrës me 400 luftëtarë dhe nga 2 batalionet e tjera me 400 luftëtarë të tjerë, afërsisht 800 luftëtarë që ndodheshin në brendësi të qytetit. Forcat e armikut përbëheshin nga 5 batalione të Divizionit 100 dhe 297, nga Regjimenti 2 i Bronderburgut, nga Detashmenti 214 i sigurimit, nga një batalion tankesh, një kompani xheniere, gjithësej afro 7000 forca, nga këto 1000 forca kolaboracioniste.

Në këtë luftë u përdorën disa lloj luftimesh si mbrojtja rrethore, kundërsulmi dhe tërheqja.