Zhduken pa asnjë gjurmë dy gazetarë holandezë në Kolumbi

452
Në Kolumbi pranë kufirit me Venezuelën janë rrëmbyer dy gazetarë holandezë. Derk Bolt dhe Eugenio Follender u shpallën të zhdukur fundjavën e kaluar në Katatumbo, një rajon ku veprojnë grupe të shumta të armatosura, përfshirë ato të krahut të majtë ELN. 

Ata ishin në kërkim të nënës së një të mituri kolumbian të adoptuar në Holandë pak vite më parë. Autoritetet kolumbiane apeluan për lirimin e menjëhershëm të tyre.
 
Vitin e kaluar, rebelët e grupit ELN morën peng një gazetar spanjoll dhe disa bashkëpunëtorë të tij kolumbianë në të njëjtën zonë, por më vonë u liruan të gjithë. 

Ushtria kolumbiane ka deklaruar ndërkohë se ka dërguar në rajon forcat speciale për të gjetur reporterët holandezë. 

Ata punojnë pranë redaksisë së programit televiziv “Spoorloos”, që gjurmon personat e zhdukur. Derek Bolt është prezantues, ndërsa Eugenio Follender kameraman. 

ELN është grupi i dytë më i madh paraushtarak i krahut të majtë në Kolumbi, pas atij më të njohur, FARK. 

Këta të fundit firmosën marrëveshjen e paqes me qeverinë në nëntor dhe menjëherë nisën të ulin armët, ndërsa ELN i nisi negociatat vetëm në shkurt të këtij viti.
Sigal