Trump: Nuk kam kaseta të bisedave me ish drejtorin e FBI-së Comey

529
Presidenti amerikan Donald Trump tha të enjten se ai nuk i ka regjistruar bisedat e tij me ish shefin e Byrosë Federale të Hetimeve, James Comey. Zoti Comey kishte thënë se presidenti e shkarkoi atë pasi i kishte lënë të kuptohej se nuk donte që të vazhdonte hetimi i agjencisë mbi ndërhyrjen ruse në zgjedhjet e vitit të kaluar.
Me ketë deklaratë zoti Trump i dha fund javëve të tëra paqartësish nëse i kishte regjistruar apo jo, dy biseda private në Shtëpinë e Bardhë me James Comey.
Njëra ishte një darkë private në Shtëpinë e Bardhë që zoti Trump e zhvilloi me zotin Comey menjëherë pasi ai mori detyrën në janar. Gjatë saj ai kërkoi ish kreut të FBI-së të zotohej se do t’i qëndronte besnik, një gjë që zoti Comey nuk e bëri.
Zoti Comey i tha Komisionit të Zbulimit të Senatit muajin e kaluar se në një takim me zotin Trump në mes të muajit shkurt, presidenti i kishte thënë se shpresonte që ai “ta linte” hetimin ndaj ish këshilltarit të sigurisë kombëtare Michael Flynn dhe Zoti Trump e kishte shkarkuar ndërkohë zotin Flynn, pasi mësoi se ai kishte gënjyer nënpresidentin Mike Pence rreth kontakteve të tij me ambasadorin e Moskës, Sergej Kislyak.
Në një koment të Twitter të enjten në mesditë, zoti Trump shkroi: “Me gjithë përgjimin elektronik të raportuar kohët e fundit, demaskimet dhe rrjedhjen e paligjshme të informacionit, nuk e kam idenë nëse ka ‘kaseta’ apo regjistrime të bisedave të mia me James Comey. Por unë, nuk kam bërë dhe nuk kam, asnjë regjistrim të tillë”
Presidenti Trump u dha zë spekulimeve në Uashington se ai kishte instaluar një sistem përgjimi në Shtëpinë e Bardhë kur në një koment në twitter muajin e kaluar pas shkarkimit të zotit Comey, shkruante se ish drejtori i FBI-së ” duhet të shpresonte më të mirë që nuk egzistonin kaseta të bisedës mes tyre, përpara se nxjerrte informacione në shtyp”. Deri të enjten, si zoti Trump dhe ndihmësit e tij në Shtëpinë e Bardhë kishin refuzuar të konfirmonin ose të mohonin mundësinë e egzistencës së një sistemi regjistrimi në Shtëpinë e Bardhë.
Në dëshminë përpara Komisionit të Zbulimit të senatit muajin e kaluar, zoti Comey dha detaje rreth nëntë bisedave, shumica e të cilëve telefonike me presidentin, përpara se të shkarkohej. Në një prej tyre, biseda më e fundit telefonike zoti Comey tha se zoti Trump i kishte kërkuar të “pastrojë mjegullën” mbi hetimit ndaj Rusisë.
Menjëherë pasi zoti Trump shkarkoi zotin Comey zëvendës prokurori i përgjithshëm Rosetstein emëroi një ish drejtor të FBI-së Robert Muellerin, si Prokuror të Posaçëm për të kryer një hetim penal nëse zoti Trump dhe ndihmësit e tij kanë bashkëpunuar në mënyrë të paligjshme me zyrtarët rusë për të ndihmuar zotin Trump të fitojë zgjedhjet. Po kështu ai po heton nëse presidenti Trump pengoi drejtësinë duke shkarkuar ish drejtorin e FBI-së Comey ndërsa po drejtonte hetimin për përshirjen e Rusisë në zgjedhje, përpara emërimit të zotit Mueller.
Në janar zoti Trump pranoi se Rusia hakeroi kompjuterat e selinë së Partisë Demokratike që çoi në publikimin e mijëra email-eve që vunë në pozitë të vështirë rivalen e tij, demokraten Hillary Clinton, disa javë përpara zgjedhjeve të nëntorit.
Por prej asaj kohe zoti Trump e ka shpërfillur hetimin e zotit Mueller dhe hetimet që po zhvillon Kongresi mbi ndërhyrjen Ruse në zgjedhje, duke thënë se ato janë një justifikim nga demokratët për të shpjeguar humbjen e zonjës Clinton.
Sigal