Tragjedia në Teksas, Forca Ajrore heton arsyet

150
Në SHBA, zyrtarët e Forcës Ajrore po hetojnë mbi arsyet se përse dënimi i një personi për dhunë familjare dhe çmobilizimi nga ushtria për sjellje të keqe nuk u futën siç duhet në bazën e të dhënave të FBI-së.
Fjala është për personin e identifikuar si Devin Kelley, i cili të dielën sulmoi një kishë të Teksasit, duke vrarë 26 njerëz.
Nëse të dhënat do të ishin regjistruar si duhet, Devin Kelly nuk do të ishte lejuar të blinte ligjërisht armën e zjarrit, me të cilën do të vriste 26 persona në qytetin e vogël Sutherland Springs.
“Mund t’ju them se për të katër blerjet e tij, sistemi ka bërë kontrollet e kërkuara dhe nuk pati asnjë informacion që të mos e lejonte atë të blinte armën e zjarrit,” thotë agjenti i FBI-së, Chris Combs.
Forca Ajrore ka urdhëruar një rishikim të çështjes Kelley. Zyrtarët e saj thanë se do të marrin masa që të gjitha rastet e këtij lloji të raportohen.
Mbrëmë, në Sutherland Springs të Teksasit, u mbajt një ceremoni përkujtimore për viktimat.
Zyrtari i sigurisë publike, Freeman Martin tha se janë 10 persona që ndodhen në spital në gjendje kritike dhe katër në gjendje të rëndë.
Shkak i tragjedisë ka qenë me sa duket një grindje familjare e Kelley-t me vjehrrën e tij.
“Kishte shumë mënyra që ai ta kishte zgjidhur problemin me vjehrrën, pa u dashur të vinte në kishë me 15 karikatorë dhe një pushkë. Mendoj se ai shkoi atje me një qëllim dhe mision të caktuar,” thotë zoti Martin.
Një person civil i armatosur që banonte aty pranë e ndoqi Kelley-n, i cili po ikte nga vendi i ngjarjes. Civilit iu bashkua edhe një polic.
Ndjekja përfundoi kur Kelley e përplasi makinën dhe qëlloi veten në kokë, duke vdekur në vendin e përplasjes. Zoti Martin tha se ai kishte marrë edhe dy plagë të tjera plumbash nga civili që e ndiqte.