Tillerson: SHBA, plotësisht të përkushtuara ndaj sigurisë evropiane

610
Sekretari i Shtetit Rex Tillerson u përpoq të sigurojë edhe një herë Evropën se Shtetet e Bashkuara mbeten plotësisht të përkushtuara ndaj sigurisë evropiane, veçanërisht në sprapsjen e kërcënimeve që vijnë nga Rusia.
Zoti Tillerson, i cili javën e ardhshme do të ndërmarrë një tur në disa kryeqytete evropiane, tha se SHBA do të ishte e para që do t’i përgjigjej çdo sulmi ndaj një aleati europian sipas klauzolës 5 të NATO-s që parashikon mbrojtjen e ndërsjellë.
Komentet e tij në një fjalim të mbajtur të martën në Qendrën Wilson në Uashington, synonin të zbutnin shqetësimin e përhapur se administrata e Presidentit Trump po tërhiqet nga aleanca me kërkesat që vendet anëtare evropiane të shpenzojnë më shumë për mbrojtjen.
“Marrëdhëniet tona të sigurisë me Evropën janë të patundura,” tha zoti Tillerson.
“Aleancat nuk kanë kuptin nëse anëtarët e tyre nuk janë në gjendje ose nuk duan të përmbushin angazhimet”, tha ai, duke e cilësuar detyrimin për mbrojtjen e ndërsjellë mes anëtarëve të NATO-s si “mekanizmin më të mirë që kemi për të penguar agresionin”.
Presidenti Donald Trump u kritikua për kërkesën e vazhdueshme që anëtarët evropianë të NATO-s të përmbushin një premtim për të shpenzuar 2 për qind të buxheteve të tyre federale për mbrojtjen, gjë që ata e bëjnë vetëm në një masë të vogël. Zoti Trump madje la të kuptohej se SHBA mund të jenë më pak të gatshme t’i mbrojnë ato nëse nuk e bëjnë këtë.
Zoti Tillerson tha se SHBA do të jetë e para që do ta mbajë premtimin e bërë në rast të një sulmi ndaj ndonjë vendi aleat. Ai vuri në dukje se për herë të parë në histori klauzola e mbrojtjes së ndërsjellë u vu në zbatim pas sulmeve të 11 shtatorit. Ai theksoi se “vendet e Evropës duhet të marrin më shumë përgjegjësi për sfidat e tyre të sigurisë”.
Zoti Tillerson tha se argumenti i zotit Trump ishte se SHBA nuk mund të përballojnë të paguajnë të vetme për mbrojtjen e Evropës. Ai tha se që kur Trump vizitoi Evropën, shumë vende kanë rritur shpenzimet e mbrojtjes për të arritur objektivin.
Sekretari amerikan i Shtetit tha se vendet ballkanike janë në mesin e vendeve europiane, të cilat Shtetet e Bashkuara i konsiderojnë si vende aleate. Ai tha se “Uashingtoni e pranon brishtësinë e Ballkanit dhe ne do të vazhdojmë të punojmë me partnerët tanë në Bashkimin Europian për të vendosur stabilitetin, mirëqenien dhe demokracinë në rajon.”
“Vendeve ballkanike ne u themi: braktisini armiqësitë e vjetra, në mënyrë që paqja të bëhet e përhershme. Ju keni shansin të drejtoni një kurs të ri të historisë. Diferencat entike midis vendeve nuk duhet të shndërrohen më në fronte konfliktesh. Shtetet e Bashkuara dhe bota dëshirojnë të shohin një brez të ri serbësh, kroatësh, shqiptarësh, boshnjakësh, kosovarësh dhe të tjerë, që ta falin atë që ka ndodhur në të shkuarën, edhe në se nuk mund ta harrojnë atë kurrë.” – tha zoti Tillerson.
Sekretari Tillerson, ish-ekzekutiv i firmës Exxon Mobil, të cilit iu dha Urdhri i Miqësisë nga Presidenti rus Vladimir Putin në vitin 2013, përdori një gjuhë të ashpër ndaj Moskës. Ai kritikoi veçanërisht ndërhyrjet e saj ushtarake në Gjeorgji dhe Ukrainë si dhe përzierjen në zgjedhjet dhe politikat evropiane. Ai tha se veprime të tilla ishin të papranueshme dhe jo të denja për një vend të përgjegjshëm të bashkësisë ndërkombëtare.
Ai u ankua se përpjekjet për të përmirësuar marrëdhëniet me Rusinë duke e bindur atë për të ndryshuar sjelljen deri më tani nuk kanë patur rezultat. Zoti Tillerson tha se Rusia vazhdon sjelljen agresive ndaj fqinjëve të saj.
Por Tillerson tha se Shtetet e Bashkuara dhe Evropa bien dakord që marrëdhëniet me Rusinë nuk do të përmirësohen nëse këto veprime nuk ndalen.
“Uniteti ynë transatlantik ka për qëllim t’i përcjellë qeverisë ruse se nuk do ta tolerojmë këtë shkelje flagrante të normave ndërkombëtare,” tha Sekretari i Shtetit Tillerson.
Sigal