Shqiptarja akuzon ish-Presidentin e Gjermanisë për ngacmim seksual: Më kërkoi të zhvishesha

642
Zana Ramadani, shqiptarja nga Maqedonia që është bashkëthemeluese e lëvizjes feministë “Femen” në Gjermani, është kthyer në qendër të vëmendjes.
Sot ajo promovon librin e saj “Sexismus. Über Männer, Macht und #Frauen” (Seksizmi. Mbi burrat, pushtetin dhe #gratë”), por ajo që ka bërë më përshtypje kanë qenë akuzat që drejton shqiptarja ndaj ish-presidentit gjerman Joachim Gauck, të cilin e akuzon për sjellje të pahijshme.
Skena që përshkruhet në librin i cili promovohet sot, ka ndodhur në qershor të vitit 2016, në kështjellën Bellevue të Berlinit, shkruan gazeta “Berliner Zeitung”. Zonja Ramadani ishte aty në mesin e një numri të madh të ekspertëve të integrimit, që ishin ftuar si mysafirë të presidentit federal.
Pas daljeve të saj publike me gjinj të zbuluar gjatë protestave kundër diskriminimit të gruas, që i bënte si aktiviste e grupit “Femen”, presidenti e ka pyetur Zanën nëse ajo do të zhvishej edhe aty, në kështjellë. Pasi ajo i ka thënë se fustani i saj ishte shumë i komplikuar për një gjë të tillë, Gauck i është përgjigjur se ai, po qe nevoja, mund ta ndihmonte.
Kështu së paku citon Zana Ramadani atë në librin e saj. Dhe për të mos mbetur puna me kaq, ajo shkruan se gjatë fotografimit të përbashkët ai e ka përqafuar dhe a ka vënë krahun mbi ijet e saj. “Unë prisja madje pothuaj që dora e tij të rrëshqiste më poshtë, drejt prapanicës. (…) Isha e prekur në mënyrë të pakëndshme, por e lash të ndodhte. E çfarë do të bëja unë? Ai ishte president federal”, shkruan Zana Ramadani në librin e saj.
Por, edhe pse kjo situatë i ishte dukur e pakëndshme atëbotë, Zana nuk ishte e interesuar ta vendoste presidentin në shtyllën e turpit, ka theksuar ajo në bisedë me “Berliner Zeitung”. Ndërsa, i pyetur nga gazeta “Berliner Zeitung”, ish presidenti Gauck nuk ka dashur të marrë qëndrim. Në vend të tij është përgjigjur avokati i tij, Christian Schertz.
“Akuza e zonjës Ramadani nuk ka asnjë bazë. Po të lexohet teksti më saktësisht, aty shkruan se z. Gauck e ka vendosur dorën rreth saj ashtu siç është e zakonshme për bërjen e një fotografie të përbashkët.”, ka thënë avokati.




Sigal